KUJTESA DHE HARRESA SOCIALE. RINGRITJA NGA SHËRBIMI QË I VLEN KOMBIT/
Nga Albert HABAZAJ*/ studiues/
12 anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të Luftës së Vlorës, 1920, ose “12 komisjonë”, siç i mban mend kujtesa sociale e komunitetit e siç u këndohet kënga:
Osman Haxhiu, kryetar; Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari, Myqerem Hamzaraj, si dhe dy komandantët e Luftës së Vlorës: Major Ahmet Lepenica (nga fillimi i saj deri në marrjen e garnizonit të Kotës) dhe kapiten Qazim Koculi (nga Kota deri në fitoren e epoppesë së Njëzetës.
Arsyet e vërteta që emrat e KMK t’i merrte harrimi memorial dhe zvetënimi historik.
Me fillimin e erën së re demokratike, për Shqipërinë po shkonte, të paktën, haka morale tek i zoti që i takon. Por prapë zhurmënajë, mjegullnajë, rrëmujhane në vlerësime, në fjalime, në botime, në klasifikime. Tirrej e tirrej filli e s’po i vihej pika mbi ì personave historikë të lënë në errësirë e më keq akoma, të quajur armiq të popullit. Parë me syrin e kohës që lamë pas, jo vetëm anëtarët e KMK, por edhe luftëtarë të tjerë të shquar në LV, në personalitetin e tyre kanë patur dritë, por kanë patur dhe hije. Dje iu hoq drita, ju retushuan vlerat, u la vetëm profili i errët i tyre, i theksuar, i avancuar. Sot ju hoq hija, errësimi dhe iu la vetëm ndriçimi i qenësishëm, deri në dritë pa limit. Shumë i çuditshëm na duket ky qëndrim, kjo metamorfozë që dëmton e nuk bën mirë. Na duket se, për këto gjëra kemi të bëjmë me probleme karakteri, se të kalosh nga ekstremi në ekstrem, sipas erës që fryn, nuk ëshët cilësi pozitive. As rrumbullakosja, suvatimi e patimimi i dritave apo hijeve në personalitetin e figurave të LV nuk është i dobishëm për kurrkënd. LV, me historinë e saj të shkruar na dha heroin historik. LV, me ciklin e këngëve të EHLV, me folkorin e saj të kënduar, na dha heroin kulturor.
Albumi i Fahri Shaskës për të ashtuquajturit “armiq të popullit”, që vijnë nga Lufta e Vlorës
Dhjetë nga dymbëdhjetë familjet e anëtarëve të KMK të LV u shpallën “armiq populli”. Shpëtoi vetëm familja e Sali Bedin Armenit dhe Murat Miftar Tërbaçi, se ishte xhaxhai direkt i Hysni Kapos, që, gjithsesi, për hir të së vërtetës, mbeti në hije. Këtë fakt e lexojmë dhe e interpretojmë kështu: Nuk iu përmend emri fare, as për mirë, as për keq, se, edhe pse xhaxha i H. Kapos, ai kishte miqësi e rrethana me Qazim Koculin e të tjerë burra të rëndë kazaje. Ky qëndrim, domethënë, hesht ti, xha Murat, se vërtet ke atë, po miqtë e tu sikur i di ku janë, ndaj…Luftëtarë të tjerë të rëndësishëm, që ishin gjallë më 1945, patën këtë fat: Qazim Kokoshi, anëtar i komisionit vdiq në burg; Avdul Kuçi, prokuror i luftës, deputet, u gjykua nga gjykatat pa jurist u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 1945; Hasan Hysua, luftëtar dhe komandant i çetës së Velçës, oficer i Zogut, komandant i BK, njeri me autoritet dhe influencë, s’ ia kishte nevojën askujt, pasi nuk kishte as ambicione, një jetë e kulluar e panjollë, pa bërë keq as mizës, kur thonë, vritet nga komunistët në Krujë më 31. 12. 1944; Tahir Hoxha, Feim Çelo Kallarati etj., u burgosën. Të vrarëve u vihej damka “armik”, “spiun”, “fashist”, “tradhëtar’, “borgjez”, “grabitës” etj.
Edhe Hysni Lepenica, që u dallua në LV dhe u vra në Gërhot nga fashistët italianë “armik” u quajt. “Ndërmjet luftëtarëve që u mblodhën në Beun, ku u vendos për çdo fshat, derë e pushkë për luftën, ishte dhe Hysni Lepenica. Ai e çmonte shumë Ahmet Lepenicën dhe u radhit si luftëtar në çetën e Lepenicës dhe luftoi me trimëri në Qafën e Llogorait, në llogoret e istikamet e Vlorës. Në sulmin e çetës së Lepenicës në rajonin e fortifikuar të qafës së Llogorait H. Lepenica pa me sytë e tij se si luftëtarët Sheme Jazo, Mehmet Foga, Rushit Birçe e mësuesi Selam Musa Hitaj u hodhën mbi fortifikimet e mitralozët e armikut. Poeti popullor këndon: “Kota, Gjormi, Llogoraja,/ Tri beteja të mëdhaja,/ Dhanë fitoren në dorë,/ Hapën rrugën për në Vlorë”. Në betejën e Llogorait, u vra si luan komandanti i çetës së Lepenicës, Sheme Jazo. Mbi varrin e tij, H. Lepenica mbajti një fjalim të zjarrtë: “Ju ratë theror për lirinë e Vlorës e të vatanit për të shporrur zaptuesin barbar. Betohemi se do ta shporrim zaptuesin breshkaxhi, nga Vlora jonë. Në llogoret e LV, në 1920, ai mësoi edhe lajmin që tronditi botën: “Avni Rustemi kishte qëlluar në mes të Parisit, Esad pashë Toptanin për vdekje”. Emri i H. Lepenicës u shënua, krahas emrave të tjerë, në protestat e shqiptarëve në mbrojtjtje të atdhetarit Avni Rustemi në Paris. Mbas LV, 1920, kundër pushtuesve italianë, Qeveria Shqiptare gradoi oficerë të titulluar Dhimitër Balën, Hazis Çamin toger, ndërsa Osmën Tetovën, H. Lepenicën, Ismail Hakiun e Rrapo Çelon – oficerë. Pas fitores së LV, disa herë Hysni Lepenica u interesua në Katundarinë e Vlorës dhe në gazetat “Politika” e “Mbrojtja Kombëtare” për të ndihmuar familjet dhe fëmijët e dëshmorëve të kësaj lufte legjendare. Siç dëshmojnë bashkëfshatarët, në vjeshtën e v. 1920, në shtëpinë e Ahmet Lepenicës u shtrua një darkë, ku erdhën edhe Ali Asllani, Shtjefën Gjeçovi, Jani Minga, Dom Mark Vasa, Mihal Peço, Muço Delo etj., të gjithë luftëtarë të Njëzetës, të gjithë të nderuar me luftën që bënë për Vlorën dhe krahinat e saj. Sipas dokeve e traditave të Labërisë, kur mblidheshin miqtë rreth oxhakut të vatrës, i zoti i shtëpisë ngrohej nga nderi që i bënin miqtë dhe ia niste këngës e cila ndizej e merrte flakë: “O bobo, o bobo, seç qënkej Kota…!”. Hysni Lepenica, Fejzo Tafili, Selam Musa Hitaj ishin protogonistët e këngëve e valleve për therorët e lirisë në atë verë të Njëzetës. Këngët e tyre epike, sidomos kur mori Hysniu atë për Sheme Jazon, tundën muret dhe drithëruan xhamat e odës së miqve. Shtjefën Gjeçovi interesohej për traditën e kulturën e Labërisë. Në këtë darkë H. Lepenica zhvilloi një bisedë të shtruar me Ali Asllanin për hallet e Labërisë.”[1]
Fahri Shaska është një bartës i admirueshëm i memories sociale, ruajtës dhe përdorues racional i dokumentit original. Ka një bibliotekë të pasur ku gjen informacione të rralla me shumë vlerë historike dhe pothuaj të papublikuara më parë. Ai është lindur në Bari të Italisë, më 1937 dhe pas dy vjetësh ka ardhur përgjithë jetën në Shqipëri, në Vlorë, në Kocul, atje ku shënohet vendorigjina e tij. Është njohës i italishtes dhe i frëngjishtes, qysh në rini, me arsim të mesëm (biografia!), i dallueshëm për një kujtesë fenomenale jo vetëm për historinë e Koculit, krahinës së Fëngut (Treblovës) dhe Vlorës.
Sipas tij kemi këto gjykime: Osmën Haxhiu, i pari i LV, u la në hije sepse Myedin O. Haxhiu, djali i Osman Haxhiut, edhe pse qe kryetar bashkie, iku nga Shqipëria dhe u etiketua “I arratisur politik”. Djali tjetër i tij, Galip O. Haxhiu, u arratis më 1944. U kthye e vdiq në Vlorë më 1993. Qazim Kokoshi ka qenë firmëtar i Aktit të Shpalljes së pavarësisë, 1912. Kryesoi LV më 1920, deputet e kryetar bashkie. Vdiq në burgun e Vlorës më 1948. Qazim Koculi – Komandant i Përgjithshëm në LV, 1920, senator, deputet, ministër, kryeministër. U vra nga italianët, më 02. 01. 1943. U shpall “armik i popullit”.
Duro Shaska, me pasuri e shpirtin e sakrificës, që me Ismail Qemalin për atdhe, u anatemua, sepse edhe Sadik Duro Shaska, i biri i Avdurrahmanit, ishte oficer i I. Qemalit. Katër herë deputet i Zogut, kryetar i qarkorit të BK. U arratis më 1944. Vdiq në Itali. Hakim D. Shaska, djali tjetër i Duros, i internuar në Sazan, më 1920, komandant çete i BK, arratisur më 1944. Vdiq në SHBA. Hekuran Sadik Shaska, nipi, djali i djalit të patriotit, luftoi si nacionalist dhe antikomunist. U arratis në nëntor 1944. Vdiq në Kanada. Tajar Mehmet Shaska luftoi si nacionalist. U arratis, vdiq në SHBA në v. 1997. U varros në Kocul (ishte amaneti i tij). Xhelal Shaska kreu doktoraturën për diplomaci në Firence, 1927. U dënua me grupin e deputetëve me 15 vjet burg. Po kështu dhe 5 Shaskaj të tjerë: Filo, Enver, Irfan, Safet e Fiqiri, duke patur mendim ndryshe, po atdhe Shqipërinë. Nga që nuk e deshën sistemin e kuq, u quajtën me biografi të zezë. “Dhe sakën se përmendej emri i Duros! Le të kishte qenë patriot! Po këta?…”, na perifrazon z. Fahri batutën e hidhur të kohës dhe na rrëfen “Librin e Shtëpisë”, një llahtar tjetër, gati i pabesueshëm, por të qëndrojmë në temë. Azis Çami, komandant i Grupit të Artilierëve në luftën e Njëzetës humbi, sepse u ekspozua si komandant i Ballit Kombëtar, pasi ra Hysni Lepenica. Alem Mehmet Tragjasi pati djalin aktivist të BK. Ushtarak me gradën kapiten. Arratiset më 1944. Vdes në Australi. Po kështu Emin Mehmeti, Dino Mehmet Alemi, Alem Mehmet Alemi, u dënuan si djemtë e Mehmet Alemit, po Alem Mehmeti i Parë i historisë i kishte nipër, kështu që Ali Beqiri, me kapital të madh dhe atdhetar bujar, një nga të Dymbëdhjetët, kishte djalë Kujtim Beqirin, inxhinier me medalje të artë në Zvicër. Dënohet dhe vritet më 22.11. 1946, në Maliq të Korçës. Kujtesa e largët fëminore na e sjell si vagëllimë të tjetërsuar, shkruar nga optika e letërsisë së angazhuar socpseudorealiste tek romani “Këneta” i Fatmir Gjatës. Ndërsa Mehmet Ali Beqiri u arratis. Po kështu, edhe krijues të këngëve të Njëzetës, njëkohësisht luftëtarë të dalluar të saj “me dyfekë e me këngë” si Rrapo Meto Premti nga Vranishti, plagosur në Luftën e Janinës dhe në LV, u vra, padrejtësisht dhe pabesisht gjatë LDB, ndërsa Sheme Sadiku me emër, i Dukat, s’u përmend, sepse i biri, Enver Sheme Kondi, qe i bugosur politik. Ago Agaj u diplomua në Austri, punoi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Qe ministër i Bujqësisë së Shqipërisë gjatë LDB, u emërua prefekt i Mitrovicës, njihej dhe si “kosovari nga Vlora”. U arratis për t’i shpëtuar diktaturës komuniste. Mbylli sytë në moshën 97 vjeçare në Florida, më 1994, kur po vinte koha që edhe ëndrrat e tij të bëheshin realitet dhe realiteti ëndërr. Sipas Visar Zhitit epopeja në prozë “Lufta e Vlorës” është kryepuna e tij, një enciklopedi e trimërisë, e portreteve të luftëtarëve, e diplomacisë së asaj kohe, e dokumentacionit, e përzgjedhjes së folklorit, ku nuk mungojnë as largpamësia dhe as dhembja, por edhe grotesku e dialogu natyrisht, vdekja dhe pasvdekja, që së toku, e bëjnë veprën të lexohet dhe si roman i fatit kombëtar, përshkruar nga dashuria e dëshpërimi për vendin e të parëve si dhe nga një krenari fisnike. Këto janë të vërtetat e papublikuara më parë, për arsye nga më të ndryshmet, të cilat s’mund t’i quajmë kurajoze e civile, por të ngarkuara nga kompleksiteti parak: “O shkëlqim absolut, o damkën, që të mos ngrihet më”, që të mos bëjë më kurrë maj’, siç thoshin pleqtë e Lumit të Vlorës.
Në kërkim të gjurmëve folklorike për figurat e ndaluara
Në kërkim të gjurmëve folklorike për këto figura të ndaluara apo të harruara, të lënë në hije nga historia e shkruar apo nga jetëshkrimi i kënduar, që kalon gojë më gojë, me valle a me këngë, shkuam në Kocul të Vlorës, atje ku ka vendlindjen Q. Koculi dhe Avdurraman Shaska, që në popull njihet me emrin Duro Shaska. 78 vjeçari Fahri Shaska, që takuam atje dhe biseduam gjatë me të, i veçantë për një kujtesë fenomenale (gjë që e verifikuam nga shumë informatorë nga ai komunitet, ku po shënojmë vetëm 3 burime: plakën 93 vjeçare Hateme Hasanaj (Piluraj), plakun Faslli Latifi, 91 vjeç, plakun Nuri Hysenaj, 87 vjeç etj.). I boton edhe Fatos Mero Rrapaj këto vargje, që sipas tij, janë regjistruar në Brataj, Vlorë, më 1955: “Kush e prishi Italinë?/ – Osmëni me dy Qazimë,/ Bimbash Ahmet efendinë”. Emrat që përmenden janë Osman Haxhiu, Qazim Koculi e Qazim Kokoshi, si dhe Ahmet Lepenica. Me katër vargje na le Ago Agaj një regjistrim për Qazim Koculin: “Zoti Qazim trashamani/ I thot’ vilajetit: – Ç’bëni?!/ Dhe vilajeti dëgjuan,/ Morën dyfeqet e shkuan”.[2] Këtë këngë e gjejmë dhe tej libri i A. Osmanit “Do na bënet Shqipëria?…”, me ndryshime të pa rëndësishme, sepse varianti që ai paraqet është ky: “Zoti Qazim trashamani/ I thot’ vilajetit: – Ç’bëni?!/ Dhe vlonjatët – ë dëgjuan,/ Muarr dyfeqet e shkuan”.[3] Na duket, se kënga jep një përshkrim të vërtetë; shumë bukur që është e shkurtër, por tepër të thata vargjet, s’kanë lëng, s’vërejmë art poetik. Nuk shikojmë pasqyrimin artistik të personazhit historik të shprtit popullor të krijuesit të kësaj njësie folkorike. Ka dhe një tjetër këngë të regjistruar më 1970, në Matogjin, Vlorë, sipas tij: “Në Kalldrëm, nën – ë Kaninë/ Vranë ‘talanët Qazimë/…O Qazim, o yll i rrallë,/ Lazëmxhiu për vatanë,/ Trim i njëzetës me famë…”. Mund të ketë qarkulluar kjo njësi, por sot nuk bën jetë folkorike në Matogjin, pasi kemi gjurmuar foklorin aktiv në këtë trevë gjatë vjeshtës së tretë, 2012 dhe, jo vetëm s’këndohej, por s’gjendeshin as dëshmi gojore, se s’kishte njerëz që ta mbanin mend si tekst. Mbetet e diskutueshme, a është lënda, e ardhur nga burimi? Na kujtohet një pasazh nga një shprehje e prof. M. Çamit, kur argumenton se dëshmitë e pohimet që vinë në kundërshtim me të vërtetat [historike apo folklorike], nuk mund të cilësohen ndryshe veçse thjesht spekulime politike të diktuara (ose jo) nga koniukturat politike të kohës, të djeshme dhe të sotme, por përgjegjësia bie më shumë mbi ata që i servirin këto të pavërteta. Raste të tilla objektivisht shpien në shpërfilljen e vlerave patriotike të popullit tonë që shkëlqyen gjatë LV.[4] Nga Stafa Pashaj, një banor thjeshtë nga Koculi, kemi këtë regjistrim: “Çetat e Fëngut, nga qenë/ Në Beun e bënë benë./ Që nga Vlora, Risili,/ Komandant Muço Ali,/ Luftoi me Itali,/ Luftoi me italjanë,/ Se na shtypën e na vranë,/ Jalla’, a paçin belanë,/ E mo gjeçin dhoga për varrë!/ Komandant Muço Ali,/ Të keshëm dhe ca si ti!” [5] Sipas Stafait, kjo këngë tani ka rifilluar të këndohet, këto 20 e ca vite, sepse vërtet Muço Aliu qe trim e me pesë shokë, siç thonë, por qe dhe nip i Duro Shaskës. Ky motivacion mjaftonte për ta lënë figurën e tij në heshtje.
*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.
[1] HABAZAJ, Albert, “Hysni Lepenica, monografi”, Naim Frashëri, Tiranë, 1996, f. 23 – 26.
[2] AGAJ, Ago, “Lufta e Vlorës”, vep. e cit., f. 325.
[3] OSMANI, Adem, “Do na bënet Shqipëria? Do na bënet në e do!”, Pavarësia, Vlorë, 2010, f. 177.
[4] ÇAMI, Muin, “Lufta e Vlorës”, Toena, Tiranë, 2000, f. 96.
[5] REGJISTRIM gjatë ekspeditës vetiake, e mërkurë, 19. 06. 2013, në Kocul, Vlorë, bartës Stafa Pashai, 69 vjeç, me arsim të mesëm.