-Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës do të zgjasë prej 19 deri në 23 dhjetor 2016/
PRISHTINË, 19 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë këtë javë mbahet Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës, ku për sot në mbrëmje, në hapje, është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Isa Mustafa dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.Qëllimi i kësaj Konference është nxjerrja dhe përgatitja e planit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për vitin 2017, i cili duhet të jetë në përputhje me planin dhe prioritetet e qeverisë së Republikës së Kosovës.“Është konferenca e katërt dhe është një mundësi e mirë që kjo konferencë të jetë një platformë e përfaqësimit tonë jashtë si shtet i ri dhe i pavarur me të gjitha pritjet që i kemi”, ka theksuar në mbledhjen e kaluar të qeverisë së Kosovës ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili do bëjë hapjen e konferencës.“Përpjekja jonë është që të kemi qëllime të matshme në politikën e jashtme, prandaj kam ftuar pothuajse të gjithë anëtarët e qeverisë, ndërsa temat që ne do t’i diskutojmë janë në përputhje me programin e qeverisë dhe planin e punës, të cilin duhet ta kemi në vitin 2017”, është shprehur ai.Ministri Hoxhaj më tej tha se, konteksti ndërkombëtar është duke ndryshuar në mënyrë sizmike, por ne duhet paralelisht me përpjekjen për ta forcuar pozitën ndërkombëtare, të ndjekim një politikë të jashtme, e cila i përmbushë nevojat tona të brendshme, kështu që njëri prej fokuseve kryesore do të jetë zhvillimi, diplomacia ekonomike ose se si politika e jashtme të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik ose anëtarësimin e vendit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.“Do ta kemi poashtu edhe një fokus sa i takon të ardhmes euroatlantike pas fazës së re që kemi me NATO-n dhe pas takimit të parë të Këshillit për Stabilizim-Asociim. Poashtu, do të kemi një vëmendje edhe sa i takon lidhjes së qyteteve të ndryshme të Kosovës me qytete tjera në Evropë dhe përtej saj”, tha ministri Hoxhaj, duke shtuar se po bëhen përpjekje që të ketë koordinim, kontinuitet dhe të ketë koherencë në atë se çfarë duhet të ndiqet në vitin 2017.Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës do të zgjasë prej 19 deri në 23 dhjetor 2016. /b.j/