Zgjedhjet e 23 qershorit sfidë dhe mundësi e re për Shqipërinë
Kongresmeni amerikan, Gary Peters në një intervistë me gazetarin Beqir Sina thekson se zgjedhjet e së dielës në Shqipëri janë vendimtare për shqiptarët.
“E tërë bota pret zgjedhje të pranuara nga të dyja palët më 23 Qershor. Zgjedhje të lira dhe të ndershme të cilat do të jenë një mundësi për Shqipërinë për të treguar maturinë dhe gatishmërinë për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi kongresmeni amerikan, i cili është edhe bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan.
Sipas tij, shqiptarët duhet me qetësi dhe maturi të dalin në votime dhe të kalojnë një sprovë të rëndësishme për të ardhmen. “Unë kam shpresë të madhe se këta udhëheqës do të vijojnë me angazhimin e tyre në dobi të të gjithë shqiptarëve si dhe të marrëdhënieve Amerikë – Shqipëri. Shqiptarët me të vërtetë e kuptojnë rëndësinë e përfshirjes në zgjedhje demokratike”, theksoi kongresmeni Peters.
PYETJE: Do dëshiroja t’ju pyes si ligjvënës por edhe si bashkë-kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, cilat janë sfidat me të cilat ndeshet Shqipëria sot në prag të votimeve të 23 qershorit ?
Peters: Zgjedhjet e së dielës përfaqësojnë një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Është, shumë – shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të bëhen pa kundërshtime ose parregullsi pasi Shqipëria kërkon të vazhdojë rrugën e integrimit drejt Europës. Kur u takova me deputetët e Parlamentit gjatë vizitës time në Tiranë, unë dëgjova me veshët e mij angazhimin e tyre ndaj praktikave demokratike transparente. Unë kam shpresë të madhe se këta udhëheqës do të vijojnë me angazhimin e tyre në dobi të të gjithë shqiptarëve si dhe të marrëdhënieve Amerikë – Shqipëri. Shqiptarët me të vërtetë e kuptojnë rëndësinë e përfshirjes në zgjedhje demokratike.
Rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet e rëndësishme për rritjen ekonomike për të ardhmen e Shqipërisë por edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të domosdoshme për të, për të përparuar në rast se dëshiron t’i bashkohet BE -së. Shqiptarët duhet të presin prej drejtuesve të tyre që këta të demonstrojnë respekt të plotë ndaj principeve bazë të demokracisë të cilat dy kombet tona i kanë aq të shtrenjta.
Në zonën time elektorale në juglindje të Miçiganit, unë kam parë me sytë e mi përkushtimin e shqiptarëve ndaj bashkësive të tyre, familjeve si dhe ndaj SHBA -së dhe Shqipërisë.
PYETJE: Ju e keni të njohur fillimin e procesit të nisjes së këtyre zgjedhjeve fatkeqësisht me një ngjarje të pazakonshme të krijuar rreth Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi që opozita për arsyet e saj tërhoqi komisionarët e saj. Pra zgjedhjet nuk nisën siç duhet dhe ka shumë dilema tashmë rreth KQZ-së dhe punën vendimtare që duhet ta bëjë ?
Peters: Unë jam duke i ndjekur nga afër ngjarjet që kanë të bëjnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një demokraci është e rëndësishme që populli të ketë besim tek institucionet siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zbatimi i ligjit duhet të sundojë në një mënyrë politike. Megjithatë, është e rëndësishme që KQZ po funksionon dhe rezultati i konsensusit politik. Unë jam i shqetësuar për kundërshtitë që janë krijuar, por mbetem me shpresë se situata do të zgjidhet me sukses.
PYETJE: Si një mik i madh i shqiptarëve si i vlerësoni marrëdhëniet e forcuara tashmë midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, parë në aspektin e zhvillimeve të ndryshme kohëve të fundit në Shqipëri ?
Peters: Kur vizitova Shqipërinë,për herë te fundit – pashë shumë shtëpi me flamuj shqiptar dhe të Shteteve të Bashkuara krah për krah. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Shqipërisë, duke e parë atë si një aleate e fuqishëm me qëllime të përbashkëta ekonomike dhe strategjike. Gjatë më shumë se 20 vjetëve vendet tona kanë ndarë vlera të përbashkëta të pavarësisë, lirisë, prosperitetit, paqes, dhe parimeve bazë të demokracisë.
Është në interesin e të dy vendeve që Shqipëria ti bashkohet me sukses Bashkimit Evropian, çka do të kërkojë përpjekje të fuqishme nga populli shqiptar dhe udhëheqësit e tij të cilët janë ata që duhet ta shtyjnë përpara këtë proces.
PYETJE: Një ngjarje e rëndësishme që ka të bëjë me rajonin janë edhe bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit. Si e vlerësoni këtë proces ?
Peters: Unë kam shpresa se bisedimet që po vijojnë midis Prishtinës dhe Beogradit do të prodhojnë një marrëdhënie funksionale dhe rezultate të prekshme për Ballkanin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të inkurajojnë tëra përpjekjet për të mbështetur paqen dhe prosperitetin në këtë rajon kritik.
PYETJE: Ju keni qenë shumë i interesuar edhe mbi çështjet e shqiptarëve në Mal të Zi, si ju duket juve statusi i shqiptarëve në Mal të Zi dhe a mendoni se të tëra – “të gjitha” çështjet e tyre tashmë janë zgjidhur?
Peters: Çdo vend demokratik duhet të sigurojë të drejtat e minoriteteve dhe e kërkon këtë me përpjekje të vazhdueshme. Në Shtetet e Bashkuara ne vazhdojmë të punojmë për të forcuar të drejtat e minoriteteve dhe unë shpresoj se Mali i Zi do të bëjë të njëjtën gjë. Këto janë çështje për të cilat unë jam jashtëzakonisht i interesuar dhe do ti ndjek nga afër.
PYETJE: Kongresmen Peters më në fund cili është mesazhi që ju dëshironi t’u dërgoni shqiptarëve?
Peters: E tërë bota pret zgjedhje të pranuara nga të dyja palët më 23 Qershor. Zgjedhje të lira dhe të ndershme të cilat do të jenë një mundësi për Shqipërinë për të treguar maturinë dhe gatishmërinë për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare. Intervistoi: Beqir Sina