Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka polarizuar skajshëm pozicionet e partive politike në Kosovë dhe ajo ende mbetet “mollë sherri” ndërmjet partive në pushtet dhe opozitë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Sipas tyre, arritja e një konsensusi të spektrit politik lidhur me këtë temë është mjaft e vështirë, ndonëse jo e pamundur. Përderisa ditëve të fundit, liderët institucional dhe të partive politike, kryesisht të atyre në pushtet, kanë bërë thirrje për arritjen e një uniteti lidhur me qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi, Kryesia e Kuvendit të Kosovës tashmë ka vendosur që të mërkurën, më 31 tetor, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, me kërkesën e partive opozitare.
Temë e debatit të kësaj seance, siç është thënë, do të jetë “angazhimi i presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijve’ në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që, për të ndryshuar situatën në të cilën partitë politike janë pozicionuar skajshëm, është i domosdoshëm vullneti politik dhe veprimet konkrete, të cilat kanë munguar deri më tash. Ai thekson që lidhur me dialogun kanë qenë dy tema për të cilat është diskutuar, përfaqësimi apo kush do ta udhëheqë dialogun dhe “vijat e kuqe” apo çështja e moscenimit të territorit.
“Nëse do të shkohet me idenë që nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim të territoreve, besoj që në këtë pikë do të mund të merreshin vesh pak më lehtë. Mirëpo, kur vjen puna te përfaqësimi, ekziston ajo ‘molla e sherrit’ që quhet president i Republikës së Kosovës, sepse Partia Demokratike e Kosovës është në përkrahje të asaj që presidenti të udhëheqë me dialogun. AAK-ja dhe Nisma nuk është se kanë ndonjë pozicionim shumë të prerë, sepse varësisht se si po zhvillohen ngjarjet politike, janë për ose kundër”.
“Ka pasur lëvizje të vazhdueshme në këtë pozicionim. Ndërkaq, e dimë qëndrimin e subjekteve opozitare, të cilat janë duke kundërshtuar fuqishëm dhe konsensusi është pak sa më i vështirë të arrihet për çështjen e përfaqësimit”, theksoi Murati.(Kortezi:Bekim Bislimi RFL)