Bronks, NY, e Mërkurë, 10 Gusht 2016- Sot në mesditë ambsadorja Teuta Sahatçija, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, e shoqëruar nga Konsulli Fatmir Zajmi, ishte mysafire në Vatër. Diplomatja e re u pritë nga Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj i shoqëruar nga zonja Nikoleta, anëtarët e Kryesisë së Vatrës z. Marjan Cubi i shoqëruar nga zonja Dila, Mithat Gashi, nga anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balja, Zef Përndocaj, Kryetari i të Rinjëve të Vatrës Saimir Dashi, anëtar i Këshillit të Vatrës, si dhe nga editori i Gazetës Dielli, anëtar i Kryesisë së Vatrës, Dalip Greca. Takimin e ndoqi dhe gazetari i Komunitetit Beqir Sina.
Në fjalën e mirëseardhjes Kryetari Buçaj, tha se ishte kënaqësi dhe privilegj që e priste Konsullen e përgjithshme të Republikës së Kosovës , ambasadoren Teuta Sahatçija në Selinë e Vatrës. Ai tha se Vatra ndjehet mirë që ka marrdhënie të ngushta me diplomatët e shtetit të Kosovës, të cilët pa përjashtim, ndër vite e kanë vizituar Vatrën dhe kanë bashkëpunuar me të. Më pas dr. Buçaj i njohu mysafirët me ecurinë e veprimtarive të Vatrës, qëndrimet e saj dhe fokusimin në Çështjen Kombëtare. Ai tha se brezi i tanishëm që drejton Vatrën e ka obligim që ta ruaj këtë thesar Kombëtar, dhe të mos ia prishë imazhin historik . Ne, theksoi z. Buçaj, e kemi për detyrë që ta përciellim misionin e Vtarës tek brezi i ri. Është kjo arsyeja që po i kushtojmë kujdes aletrnimit të moshave në radhëte Vatrës; po ruajmë frymën tradicionale përmes vatranëve të vjetër, dhe po anëtarësojmë edhe të rinj. Sot kemi këtu edhe përfaqësuesion e të rinjëve të Vatrës, z. Saimir Dashi. Për Vatrën, ka rëndësi Çështja Kombëtare. Prandaj u kemi bërë apel dhe partive politike në Shqipëri dhe Kosovë që për çështjet madhore kombëtare dhe ato që kanë të bëjnë me demokracinë,forcimin e saj, të bashkëpunojnë.
Më pas dr. Buçaj trajtoi me detaje bashkëpunimin e Vatrës me Konsullatën e Kosovës, veçanërisht për shkollat shqipe, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës Kombëtare.
Ambasadorja Teuta Sahatçija , tha se ndjehej e emocionuar në këtë sallë, ku historia e shqiptarëve të Amerikës, të dikton respekt për Vatrën e vatranët dhe për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Ju, tha ajo, keni luftuar për një shekull për të mbrojtur Kombin, veçanërisht në vitet ’20 për mbrojtjen e territoreve shqiptare, bëtë për vete Amerikën, që me presidentin Wilson,Klinton. Bush, dhe vazhduat te kontribuoni po kështu edhe kur ishit të izoluar nga Atdheu, luftuat pa kompromis edhe kur ra komunizmi, siç luftuat edhe për Lirinë e Kosovës. Që këndej nga Amerika erdhën ndihmat, erdhën djemtë luftëtarë,erdhën aeroplanët e NATO-s, erdhën armë, por sot ne nuk presim nga ju që të na dërgoni armë, por kemi nevojë që së bashku të luftojmë fort, të bashkuar, për të përcjellë imazhin real të Kosovës, jo atë imazh që turbullojnë bombat tymuse dhe gazi, që e turbullojnë pamjen, por për pamjen reale, atë vitale të Kosovës. Së bashku ne duhet t’i kundërvihemi propagandës ofensive denigruse dhe dezinformuse që bën shteti i Serbisë me aleatët e saj, kundër shtetit më të ri. Është “sukses” i politikës dezinformuse të Serbisë ndalja e njohjeve të reja të shtetit tonë, siç ishte edhe ofensiva agresive kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Përcjellja e imazhit real të Kosovës me arritjet e saj tek kongresmenët, senatorët, tek të gjitha nivelet e politikës dhe ekzekutivit amerikan, nga ato lokale deri në Washington, mbetet detyrë e jona e përbashkët. Duke u ndalë tek suksesi që arriti Majlinda Kelemndi në Lojërat Olimpike Rio 2016, e emocinuar, ambasadorja tha: Majlinda na nderoi duke e ngritur Flamurin e Kosovës mbi të tjerët, ç’ka tregon se ky vend i vogël, ka me çfarë të krenohet. Po ne duhet ta shfrytëzojmë më mirë shembullin e Majlindës, ashtu siç duhet të shfrytëzojmë edhe famën e artsiëtve tanë si: Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, apo tenorët e talentuar që pushtojnë sallat moderne të muzikës amerikane e botërore. Ne, tha ambasadorja Sahtçija, duhet ta ngremë imazhin e Kosovës edhe me këtë rast.
Duhet të jemi të bashkuar, porositi ambasadorja. Kundër Kosovës punohet shumë, veçanërisht duke e identifikuar atë me terrorizmin dhe islamin radikal, me ISIS-in. Tendenca për ta barazuar Kosovën me Sirinë për rrezikshmërinë e terrorizmit, është dashakeqase. Duke i amplifikuar rastet e përfshirjes të qytetarëve të Kosovës në shtetin Islamik, dhe duke bërë krahasime me numrin e popullsisë, tentohet të përmbyset imazhi pozitiv dhe demokratik i Kosovës. Nga njëra anë Kosova anatemohet dhe sulmohet nga qarqe të caktuara, nga ana tjetër nuk pranohet anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL! Kjo është e papranushme. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, do ta bënte më të lehët luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Megjithatë, tha ajo, duhet të ndajë me ju lajmin e mirë, se- që nga Shtatori, nuk ka as edhe një rast të përfshirjes të qytetarëve kosovarë në ISIS.
Më pas u diskutua edhe për problemet për të vërtetat e demarkacionit dhe për tymnajën që endet nga segmente ta caktaura radikale, që amplifikojnë të pavërteta.
Gjatë takimit e morën fjalën edhe Konsulli Fatmir Zajmi, anëtari i kryesisë së Vatrës Mithat Gashi, Zef Balaj, Marjan Cubi, Zef Përndocaj,Dalip Greca etj.
Në fund të takimit ambasadorja Teuta Sahatçija shkroi në librin e vizitorëve në VATER :”U ndjeva shumë e emocionuar, e lumtur, që sot pata privilegjin të jemë në zyrat e këtij Institucioni Mbarëkombëtar, që ka dhënë aq shumë për shqiptarët me punën e vet shembullore në ndihmë të Kombit.
Falenderoj z. Buçaj dhe ët gjithë bashkëpunëtorët e tij në këtë takim, të cilët e bënë aq të veçantë këtë vizitë dhe më mbushën me shpresë për punën që do të bëjmë në të ardhmen, duke u mbështetë edhe tek kaluara e lavdishme.”
Ambasadore Teuta Satçija
Konsulle e Përgjithshmee Republikës së Kosovës në Nju Jork
NY, 10 Gusht 2016.
(Korresp. i Diellit)