• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRRALLA MBI “BALLKANIN E HAPUR” DHE “GJETHJA E FIKUT” E KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË!

September 20, 2022 by s p

Amerika si aleati strategjik i kombit shqiptar, për Shqipërinë dhe Kosovën sot paraqet një platformë politike apo gjeostrategjike, e cila nuk përputhet me politikat e BE së.

Brenda interesave gjeostrategjike, është kuptuar se në patronazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës është Republika e Maqedonisë së Veriut, e deri diku edhe Mali i Zi. Ky i fundit politikisht duke mbështetur dorën tek dy shtetet shqiptare, synon të shpëtojë ekzistencën e vet nga rreziku i Serbisë.

Skema të tilla politike përputhen më opsionin amerikan, që në një moment të caktuar, në kushte dhe rrethana të favorshme interesash, ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë dhe të arrijë siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Ta shikojmë problemin më në detaje, për të kuptuar mirë se “profecia e Konicës edhe këtë herë do të vërtetohet, duke e marrë ruajten dhe zgjidhjen e problemit shqiptar nga Zoti.

Meqënëse sot Shqipëria nuk është në gjendje të përballojë një situatë krize me Serbinë, e cila mbështetet në qëndrimin e saj nga Greqia dhe Hungaria, atëherë sipas Kryeministrit shqiptar, “Shqipërisë i duhet një periudhë tranzicioni për ndryshim”!! Kryeministri i Shqipërisë duke e ditur gjendjen e rëndë ushtarake që kanë shtete shqiptare, vazhdon ta marrë me të mirë Serbinë, “me idenë deri sa të realizohet armatosja e shteteve shqiptare”!! Ky në fakt është justifikimi i tij dhe mund të quhet pa frikë përralla mbi “Ballkanin e Hapur”.

Është shumë absurde që Shqipëria t’i kreh bishtin Serbisë, por duke qenë në situatë të vështirë të sigurisë dhe ekonomisë, detyrohet në qëndrimin e saj politiko-diplomatik të mbulohet me “gjethen e fikut”, ose “të fitojë kohë” me intrigën politike të “Ballkanit të Hapur”.

Kjo është në thelb politika e paaftë e Tiranës. Nëse Shqipëria fillon të armatoset jo sipas premtimeve amerikane apo turke, por me paratë e popullit shqiptar, që ta detyrojnë më tej SHBA në t’i shesë armë strategjike me karater kompleks, atëherë mund të thuhet se ka përgjegjshmëri politike në vlerësimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Cfarë u duhet Shqipërisë dhe më tej edhe Kosovës në këtë situatë?

Meqënëse Serbia është e armatosur me armë ofensive dhe raketore me rreze të mesme veprimi, edhe Shqipëria duhet të synojë armatime të tilla. Përpos synimeve të tjera, paralel me dispozitivin ushtarak në Kosovë, Kukësi duhet të kthehet në një qytet lufte, sic ka qenë i projektuar dhe më parë. Fatmirësisht është i paisur me të gjithë objektet e mundshme ushtarake të fortifikuara.

Në teorinë e “Ballkanit të Hapur” është tejkaluar sensi i masës, sepse raportet mes shteteve në Diplomaci shfaqen dhe zhvillohen me gramaturë. Kundër këtij koncepti politik, duke mos qenë i qartë në atë se cfarë kërkon, Kryeministri Shqiptar futet në labirinthet politiko-ideologjike në marrëdhënie me Serbinë, kur në fakt duhet të jenë vetëm raporte ekonomike tregëtie, sic kanë qenë dhe më parë.

Synimi për ta kaluar “Ballkanin e Hapur” në institucion të integrimit politiko-ekonomik, e shfaq atë një “esadist” në rrugën e tradhëtisë ndaj interesave kombëtare.

Cilat mund të jenë synimet e tij?

Disa gjëra i bën të detyruara, disa sepse ka bindje të tilla politike të mbrapshta dhe disa qëndrime të tjera i mban sipas rrethanave gjeopolitike që janë krijuar që nga koha e fillimit të luftës në Ukrainë. Atëherë: më sa po kuptohet, ai synon të bëjë lider në këtë nismë Serbinë, por nga ana tjetër Vuçiç e nxori hapur që, “Rama është lideri i kësaj nisme”, duke u mbështetur në idenë e Fatos Nanos të hedhur pas takimit më Milosheviçin në Kretë në vitin 1997 të. Këtë deklaratë ai e bëri kur u akuzua nga opinioni i gjerë si “bisht i Vuçiçit ”. Pra ai vazhdon ta evuluojë mendimin më gjëra të reja, duke dalë zbuluar dhe pranuar “de facto” që ka bërë hapa të gabuar në këtë mes.

Nëse Kryeministri i Shqipërisë do ta sqaronte idenë e “Ballkanit të Hapur” si bashkim tregëtar dhe ekonomik, jashtë marrëdhënieve politike dhe ushtarake të strukturave të BE dhe NATO, këtu nuk do të shikohej ndonjë gjë e keqe.

Në fakt që në kohën që u shpik termi “Ballkan Perëndimor”, djallëzia filloi me qëndrimin e BE së, e cila në Traktatin e Romës të vitit 1957 e nisi bashkësinë evropiane si një “Treg të Përbashkët” të 6 vendeve. Duke rritur oreksin dekadë pas dekade, ky projekt përfundoi në një institucion politik të quajtur “Bashkim Evropian” (BE), të cilit sot nuk po i dihet fundi. Kjo skemë fillestare po u imponohet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Arsyetimi sot shkon edhe më tej! Atëherë cili është qëndrimi i “Ballkanit të Hapur” ndaj të Tretëve, vecanërisht nga Tirana dhe Beogradi? (BE, Rusi, Amerikë).

Qëndrimi ndaj të Tretëve nga Tirana dhe Beogradi nuk janë të njejta. Si e shpjegon këtë Kryeministri i Shqipërisë? Këtu del një pikëpyetje e madhe, e cila në mungesë të trasparencës, jep të kuptohet që atë e shtyn dëshira që përmes Beogradit “t’ia bëjë me sy Rusisë”!! Kjo lloj përkulje ndaj Rusisë ka kapur shtete të tjera si Hungaria, Sllovakia, Rumania, Bosnje Hercegovina etj.

Problemi mbi “Ballkanin e Hapur” shtrohet hapur: Çfarë kërkojnë të realizojnë këta liderë “vllazërorë” në Ballkanin Perëndimor, një “Jugosllavi të Tretë”?! Kjo nismë hap shumë probleme për Serbinë, Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. Ende nuk po e kuptojnë politikisht që, nëse ndodh ky proces, Serbia mbetet shumë e vogël përballë popullisë shqiptare, e cila përmbys raportet elektorale brenda “Ballkanit të Hapur”. Vallë nuk e di këtë udhëheqja serbe?! Sigurisht që e di. Atëherë psërse i duhet “Ballkani i Hapur”?! Nëse Kosova si shtet më vete do të futet në këtë nismë, nuk ka se si të jetë dakort Serbia, e cila e ka akoma në kushtetutë atë si pjesë të saj. Kur Serbia i di këto dhe nuk ka leverdi për këtë nismë, atëherë cfarë është kjo dhe përse i duhet?!

“Ballkani i Hapur” është një kartë në duart e Vuçiçit për kredo në BE, me idenë që Kosova mund të bëhet edhe antare e OKB, “por ne nuk do ta njohim”!!

Megjithatë në opinion është kuptuar se, brenda interesave gjeostrategjike amerikane, një opinion i tillë ende nuk e ka kohën e vet. Një arsye më shumë për të kuptuar pse janë frenuar njohjet e mëtejshme të Kosovës nga shtetet e botës. Nëse Kosova si shtet i pavarur do të pranohet në OKB, atëherë ajo mund të dalë nga kontrolli për shkak të marrëdhënieve shekullore me Serbinë, duke shfrytëzuar maksimalisht influencën ekonomike me këtë shtet dhe duke rrezikuar të bjerë nën influencën ruse.

Elita politike në Kosovë në tërësi ende shfaqet me tendenca prosllave. Akoma në politikën e Kosovës nuk ka dalë një gjeneratë e re, e cila të jetë me ndikim të plotë properëndimor. Shembulli i kësaj janë liderët e rinj që sot drejtojnë Kosovën( Osmani -Kurti), të ndodhur aktualisht nën presion të fortë politik të brendshëm për t’u larguar nga drejtimi i shtetit. Kjo nuk është gjë tjetër vecse, presioni i luftës hibride ruse ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera ballkanike.

Të mos merremi më me ketë kufomë politike të quajtur “Ballkan të Hapur”, por të forcojmë unitetin politik përballë rrezikut të luftës hibride që po i zhvillohet kombit shqiptar në të gjithë dimensionin e tij.

Korab Blakaj, 19.09.2022

Filed Under: Ekonomi Tagged With: korab blakaj

Kombi shqiptar dhe politikat e sigurisë në ditët e sotme

May 21, 2022 by s p

Shkruan: Korab Blakaj

Politika shqiptare nuk ka më kohë për t’u menduar gjatë. Me objektiva madhore, të mbështetura në mendimin strategjik, të projektojë masa të detajuara dhe të dobishme, që e ndryshojnë pozitivisht situatën. Kjo është çështje madhore! Por si e tillë, për fat të keq, po bie ndesh me ngathtësinë e burokracisë institucionale të deritanishme, në aspektin e marrëdhënieve të brendshme të kombit shqiptar dhe aleatit tonë strategjik, ShBA.

Analiza e gjendjes komplekse që përjeton rajoni, kërkon vlerësimin real të mundësive tona kombëtare e shtetërore, pa ndjenja pacifiste apo të kalimit të përgjegjësisë në doktrinën e mbrojtjes kolektive. Nëse mendohet dhe veprohet kështu, kjo është e pafalshme për politikën shqiptare, kudo ku ajo ushtron autoritetin e saj institucional.

Është e pafalshme të ushqehet formalizmi përballë prioriteteve që dikton situata, duke abuzuar me faktorët kompleks shpirtëror, moral dhe material të kombit shqiptar, me faktorët politikë, ekonomik, të sigurisë, social dhe kulturor, duke zhgënjyer në shumë drejtime besimin dhe mbështetjen morale e politike të ShBA-ve dhe BE-së.

Çështja merr karakter shumë serioz, kur bëhet fjalë për Sigurinë Kombëtare dhe detyrimet që kemi për t’i dalë zot asaj, në radhë të parë me mundësitë tona. Strategjia e Përgjithshme dhe e mundshme në këtë çështje jetike, është detyrim.

Problem i parë:

Perceptimet e realitetit ballkanik janë dëshmuar dhe rrënjëzuar në çrregullime psikike të trashëguara dhe të mbartura përgjatë kohës historike. Ballkani vazhdon të vegjetojë si një treg kriminogjen i pjesës tjetër të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Perëndimit. Një koncept më i plotë i zonës ballkanike, nga Kina perëndimore deri në gadishullin Iberik, e vendos Ballkanin në qendër të kritikës dhe lojës politike të instrumenteve vendor, rajonale dhe ndërkombëtare.

Analiza e marrëdhënieve të shteteve ta rajonit me Evropën Perëndimore për interesat e tyre shtetërore, sjellin në vëmendje qëndrime të dyzuara, jokorrekte dhe nxitëse që mund të shkaktojnë destabilitetin e rajonit, duke mos harmonizuar çështjet thelbësore, sipas programeve integruese të Institucioneve Qendrore të BE.

Kështu: Një ndarje e selektuar e monitorimit dhe vlerësimit në aspekte të kriminalitetit – e realizuar nga Anglia; investimet dhe korrupsioni – të realizuara nga Gjermania; shërbimet e sigurisë dhe evidencës civile – të monitoruara nga Franca dhe Austria; një panoramë me ndikim të lartë mediatik dhe institucional – të realizuar nga SHBA; çështjet konfliktuale – të nxitura nga Greqia dhe Italia; çështjet e religjionit, forumet dhe departamentet e edukimit dhe përpunimit psikologjik etj. vazhdojnë të prodhojnë impakte negative dhe pasoja në formimin e modelit të nevojshëm social, administrativ, ekonomiko-financiar, të sigurisë kombëtare dhe organizimin politik të shoqërisë.

Ende në Shqipëri dhe rajonin ballkanik po ndjehet e pakonsumuar dhe e patrajtuar çështja e modelit kushtetues të pushtetit politik, të cilat deri tani përfshijnë republikën, federatën, monarkinë, totalitarizmin politik apo iluminizmin etno-kulturor. Edhe pse modelet kanë dështuar, nuk ka përpjekje për ndryshime kushtetuese që gjenerojnë stabilitet shtetëror dhe rajonal.

Në konceptin politiko-filozofik sipas interesave gjeostrategjike të fuqive të mëdha dhe shteteve vendore, në çështjet e Sigurisë dhe të Interesave Ekonomike, Ballkani është urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Ky rol nuk do të bjerë ndonjëherë, përkundrazi, ai do të bëhet shkak i konflikteve për dominim në të ardhmen. Ende asnjë vend ballkanik nuk ka arritur të jetë aktor dhe faktor në çështje të rëndësisë ndërkombëtare, veçanërisht në çështjet e sigurisë ballkanike. (Qoftë Greqia, Serbia apo Shqipëria).

Ballkani shikohet dhe trajtohet si një pjesë territori e manipuluar dhe e përgatitur për rrjetet e mafies, terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Ballkani vazhdon të vuajë pasojat tradicionale të idesë së mungesës së liderit shpirtëror, administrativ dhe politik. Sistemi demokratik që realizohet në shtete e Ballkanit Perëndimor prodhon lider autokrat, autoritarist, të vendosur nga jashtë, sipas ndikimit më të fuqishëm të shteteve të interesuara.

Historikisht rrjedhat ballkanike kanë qenë dhe janë të mbarsura me konflikte nacionale, luftëra kombëtare dhe ndasi religjioze. Konflikti i autoritetit të Kishës Ortodokse Shqiptare, riformulimi me aspekte religjioze evangjeliste, protestante, mormone, hebraike po ndikon fuqishëm dhe në Kosovë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ballkani është i tejmbarsur me simbole nacionaliste, ekstremiste dhe parulla shoviniste. Në “luftën e ftohtë”, Ballkani u sundua nga ideologjia kundër progresit, doktrina iluministe kundër unifikimit etno-fetare dhe politik, si dhe të pragmatizmit të pushtetit autoritarist – kundër demokracive liberale, lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ballkani vazhdon të mbetet i pashkëputur nga çështjet etnike dhe problemet territoriale. Çdo herë në rastet e zgjidhjeve historike, fuqitë vendimmarrëse kanë ruajtur diçka të mbajtur peng, për ta ritrazuar rajonin. Konflikti për emrin – Greqi – RMV; shkëmbimi i territoreve në vitet 1954 dhe 1959 midis Serbisë dhe Kosovës nën ish-Jugosllavi; incidenti me ujërat detare Greqi – Shqipëri; ideja nacionaliste e “Vorio Epirit”; Ligji i Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë; ratifikimi i kufijve mes Kosovës me RMV dhe Malin e Zi; konflikti për gjuhën shqipe në RMV; problemi i Mitrovicës Veriore në Kosovë; çështja e komunave shqiptare në Serbinë Jugore etj. kanë artikuluar nacionalizmin ekstrem, radikalizimin e pushtetit politik dhe rritjen e agresivitetit të Kishës Ortodokse në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Greqi, Maqedoni dhe Malin e Zi, të nxitura nga Athina, Beogradi dhe Moska.


Ballkani vazhdon të mbetet pengu i dokumentimit historik dhe i mbylljes së arkivave lindore e perëndimore. Për sa kohë e vërteta historike do të mbahet e varrosur në errësirën e bodrumeve të kancelerive të mëdha, fryma e nacionalizmit dhe përplasjet etnike do të jenë të pranishme.

Ka një keqkuptim të ligjërimit komunikues midis Ballkanit dhe zonës ballkanike. Cilësimi i Ballkanit si vend tranzit për bërthamat e terrorizmit, ka dhënë hapësira për lehtësi proceduriale, dyshtetësit, dobësi në kontrollin e kufijve shtetërore etj. në këto kushte terririzmi shtetëror (më prapavija politike dhe fetare) në rajon po gjen hapësira veprimi për destabilitet.

Në Ballkan ende diploamcia politike vazhdon të flasë me gjuhë të shumëfishtë. Kjo çoroditje politiko-diplomatike, është tipar dallues i politikës shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup.

Në raport me BE, vendet ballkanike vazhdojnë të ecin me shpejtësi të ndryshme. Situata percepton, e nxitur nga fenomene të tjera të rrezikshme, të cilat në mënyrë të detajuar po i paraqesim më poshtë. Fenomenet më të spikatura janë:

          Destabiliteti, duke konsumuar siguri;

          Krizat politike, të cilat çrregullojnë vizionin strategjik të zhvillimit;

          Progres i pakët ekonomik për shkak të mungesës së investimeve strategjike;

          Diskriminim të pakicave, veçanërisht mbi popullsinë shqiptare dhe boshnjake;

          Korrupsioni i lartë politik, që kompromenton demokracinë e brishtë;

          Abuzime të administratës publike;

          Relacione elektorale antidemoktarike dhe të dyshimta;

          Procese zgjedhore të kundërshtuara;

Ngjarje të rënda kundër shtetit të së drejtës, me protesta me karakter shkatërrues.

Kjo situatë po lë shije të hidhur politike me marrëdhënie të ndera ndërshtetërore, duke shtruar nevojën e një zgjidhjeje radikale. Besimi në ndërhyrjen e administratës amerikane në çështje të tilla, është kthyer në një kërkesë të hapur nga opinion publik, i cili në zgjidhjet e brendshme politike e ka humbur besimin tek politika.

Po i drejtohemi me këto opsione Departamentit të Shtetit Amerikan, për një arsye shumë madhore: Bashkimi Evropian është ende një projekt i papërfunduar dhe i rrezikuar. Shtetet shqiptare dhe kompaktësia demografike e tyre, do të degradojnë akoma më shumë për shkak të këtij procesi të ngadaltë, pse jo dhe të qëllimtë. Institucionet dhe liderët evropianë janë të dominuar nga xhelozia për orientimin amerikan të popullsisë shqiptare, duke vazhduar rrugën e diskriminimit të saj edhe për çështje religjioze.

Për shkak të kësaj situate, në territoret shqiptare është duke dominuar tmerri, paniku dhe kaosi politik e social, duke e zbrazur territorin çdo ditë nga rinia. Çfarë do t’i mbetet vendeve të Ballkanit Perëndimor pas 30 vjetësh?

Në kontekstin e përgjithshëm të kësaj panorama, në sfond dhe në prapavijën e thellë janë duke u zhvilluar veprimtari destabilizuese për të goditur orientimin amerikan, për të ngjalluar armiqësinë e popujve me BE dhe NATO dhe për të krijuar hapësira të mundshme për depërtimin ekonomiko financiar ruso-kinez në vendet e rajonit.

Deri këtu nuk po themi diçka të re, sepse jemi të vetëdijshëm që, veçanërisht shtetet ku jeton popullsia shqiptare, i janë nënshtruar0. një lufte hibride pa formë, në mënyrë shumë të organizuar, për të thyer qëndresën shqiptare për mbrojtjen e vijës së Adriatikut.

Kësaj situate i shtohet qëndrimi agresiv dhe nacionalist i shtetit të Serbisë, e cila vazhdon të forcojë potencialet e saj ushtarake ofensive me armë ruse e kineze. Në opinionin shqiptar (përfshi politikanë, akademikë, ish-ushtarakë etj) është shtruar hapur dilema: Kundër kujt do t’i përdorë Serbia këtë potencial të madhe ushtarak në një situatë të zhvilluar?!

Duke vazhduar më tej arsyetimin mbi këtë veprim luftënxitëse, cilat janë kapacitet mbrojtëse të popullsisë shqiptare përballë një fuqie të tillë ushtarake në Ballkan? Sa është e garantuar mbrojtja e NATO-s në rast të një agresioni serb mbi territoret shqiptare dhe boshnjake? Sa ndikon mbi popujt ballkanikë kjo situatë në aspektin psikologjik, e cila ka prishur ekuilibrin e forcës ushtarake në rajon?

Problem i dytë:

Për shkak të situatës në Ukrainë, mund të ndodhë humbja e mbështetjes ruse për Serbinë. Në këto kushte, Serbia mund të jetë e interesuar të bëj pazar në rastin e trajtimit të Krimesë në një plan me pavarësimin e Kosovës. Serbia po e ndjen braktisjen nga Rusia dhe ky mund të jetë një qëllim i saj për t’u forcuar ushtarakisht, duke synuar mbi Kosovën pjesën veriore të saj. Një arsye më shumë pse shteti i Kosovës duhet të garantojë sovranitetin e kufijve të tij, përfshi dhe veriun e Ibrit.

Qeveria e Kosovës dhe Presidenca duhet të inkurajohen që të kenë një program të qartë të strategjisë për armatosjen e Kosovës dhe të forcimit të ushtrisë së saj. Strategjia duhet të parashikojë objektivat e realizimit të kësaj ndërmarrje të fuqishme, rrugët dhe mjetet financiare për t’ia arritur kësaj përmes programeve të bashkëpunimit me SHBA dhe vendeve të tjera të NATO-s.

Strategjia e mbrojtjes duhet të parashikojë në një situatë të jashtëzakonshme ndërhyrjen e saj në pjesën veriore, për të vendosur kontrollin e kufijve dhe për këtë duhet të ketë kapacitete e mjaftueshme dhe të jetë e përgatitur në pikëpamje ushtarake.

Përfundimi i luftës në vitin 1999-2001, nuk i realizoi objektivat politikë, jo vetëm në çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por as të vendosjes së kontrollit në pjesën veriore të saj dhe të krijimit të një klime më të shëndetshme të stabiliteti politik dhe në Shqipëri, Kosovë dhe në RMV.

Qeveria e Kosovës duhet të inkurajohet të bëjë përmirësime graduale të buxhetit të mbrojtjes, për të rritur kapacitetet operacionale, drejt një strukture komplekse ushtarake, që parashikon lloje të forcave dhe të armëve, bazë logjistike të fuqishme për këto kapacitete dhe thithjen e një kontigjenti të ri të të rinjve shqiptarë për të kaluar në Akademitë Ushtarake, në kualifikime jashtë vendit, në plotësimin e armëve dhe shërbimeve me ushtarakë profesionistë.

Për një periudhë të shkurtër kohë, Parlamenti i Kosovës dhe Qeveria, duhet të inkurajohen të krijojnë mundësitë e para për të filluar veprimin e ligjit “Për kryerjen e shërbimit ushtarak në Republikën e Kosovës”, të rinisë shkollore e studentore (të paktën një vit), sipas qendrave të stërvitjes dhe programeve për të plotësuar nevojat e strukturës aktive të ushtrisë.

Ligji për shërbimin ushtarak duhet të parashikojë ndërtimin gradual të strukturës rezerviste e vullnetare, të cilat mobilizohen në situata të jashtëzakonshme. Ky synim duhet të ejt, edhe në Republikën e Shqipërisë, e cila edhe pse është vend i NATO, sot rezulton shteti më i paarmatosur në Evropë.

Frenimi dhe pasiguria në institucionet shqiptare në Kosovë, burojnë nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar përballë nismave të tilla, në të njëjtën kohë që për tij, nuk ka asnjë reagim ndaj armatosjes ekstreme të Serbisë në mes të Evropës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e Fondit në ndihmë të Sigurisë është një nismë e paplotë, e cila për mënyrën e ekzekutimit, nuk është e përshtatshme për ta krijuar realisht këtë fond financiar në interes të mbrojtjes. Potencialet shqiptare në troje dhe në botë, edhe pse kanë kapacitete financiare të fuqishme, ndihen të pamotivuar për t’i dhënë fuqinë e nevojshme këtij fondi.

Ka mënyra të tjera të dobishme që mundësojnë këtë nismë me kapacitete të mjaftueshme. Masa të tilla nga Qeveria dhe Parlamenti nuk janë të mbështetura në planin propagandistik dhe organizativ, duke i sjellë gjërat në dështim.

Për të kaluar emergjencën e kohës dhe për t’u futur në rrjedhë të planifikuar afatshkurtër dhe afatmesme, do të duhej të paktën sigurimi i fondit prej mbi 1 mld euro brenda vitit 2022, që procesi i ristrukturimit dhe zgjerimit të Forcave të Armatosura, të futej në sistem dhe në rrjedha normale në konsulencë me faktorin ushtarak amerikan.

Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës në mënyrë të studiuar, duhet të ketë vullnetin politik dhe moral për të rishikuar plan-buxhetin e vitit në vazhdim, për të gjetur dhe siguruar burimet e brendshme, përmes kalimit të fondeve nga sektorë të ndryshëm drejt fondit të Sigurisë, në ato drejtime, ku investimet nuk janë domosdoshmëri jetike për zhvillimin e vendit. Në kushte të tilla të situatës së sigurisë, për interesa më të gjera rajonale për paqe dhe stabilitet, kjo nismë nuk ka vlera vetëm për shtetin e Kosovës, por ajo do të ndikojë pozitivisht për sigurinë dhe paqen në të gjithë rajonin.

Interesimi dhe kurajimi nga administrate amerikane për institucionet e Kosovës, duhet të vlerësojnë maksimalisht dëshirën popullore (veçanërisht të rinisë), për ta forcuar mbrojtjen e Kosovës përballë armiqësive të vjetra dhe synimeve të Serbisë për ta kthyer kohën pas në Ballkan.

Problemi i tretë:

Situata komplekse në çështjet e sigurisë në rajon, kërkon radikalizmin edhe në një çështje tjetër, e cila për nga rëndësia merr karakter ndërkombëtar: Pranimin pa kushte dhe me procedurë të përshpejtuar të Kosovës në NATO. Kjo kërkesë buron jo vetëm nga politika, por veçanërisht nga opinioni i gjerë shqiptar, i cili ushqen besimin e plotë në mbështetjen e SHBA për kombin shqiptar.

Nëse do të rreshtonim këtu përparësitë dhe avantazhet e një vendimi të tillë, jemi të bindur se, ky do të ishte një nga veprimet më të guximshme të diplomacisë amerikanë në drejtim të Ballkanit (pas ndërhyrjes së vitit 1999), për ta pasur situatën e sigurisë plotësisht nën kontroll dhe për të rritur peshën, vendin dhe rolin e shteteve shqiptare në interes të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Një veprim i tillë do të kufizonte maksimalisht synimet ruse dhe kineze ndaj territoreve shqiptare. Një vendim i tillë do ta çarmatoste moralisht dhe politikisht Serbinë, e cila mund të kërkojë anëtarësimin e saj në NATO dhe të futet në epokën e zbutjes së armiqësisë me popujt e tjerë ballkanikë.

Filed Under: ESSE Tagged With: korab blakaj

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT