Nga Qemal Zylo-New York/
Duke jetuar me dekada nën diktaturë e cila i kishte të ndërprera marrëdhëniet diplomatike me shtetin më dashamirës dhe me vendime më të rendesishme për Kombin, ëndrra amerikane ishte e burgosur, por jo në shpirtrat e shqiptarëve. Amerika e deshi që Shqipëria dhe bota e Lindjes të permbysnin njëherë e përgjithmonë diktaturat dhe të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike 30 vjet më parë.
Erërat e ndryshimit po frynin dhe në Shqipëri dhe pas demonstratash të njëspasnjëshme, grevave të urisë, dashurisë së popullit për demokracinë, bënë që në Shqipëri të rrëzohej regjimi diktatorial dhe të vendosej demokracia, ndonëse nevojitet shumë punë për të bërë.Gjatë përmbysjes së regjimit shumë intelektualë që e donin demokracinë nuk u përkrahen si duhet, veçanërisht ushtarakët, që kishte shumë prej tyre që megjithese e përkrahën ndryshimin u lanë pa punë, ku shumica përfunduan të shisnin banane në rrugë.
Gjatë kohës së ndryshimit ishja Shef Katedre në Akadaminë Ushtarake në Tiranë ku jepja leksione për lëndët inxhinierike, më vonë më nxorrën në asistencë.Duke pasur fatin të ishja në proces të mbrojtjes të doktoraturës në fushën e inxhinierisë mekanike dhe kishja mbrojtur dy gjuhë anglishten dhe italishten, aplikova për punë në Korpësin e Paqes pasi kishin nxjerrë në gazetë reklamën për vend të lirë pune si shofer.
Më kujtohet mirë se inervista që realizova me drejtoreshën e Korpësit të Paqes, Amerikanen Patricia Xhonson, e cila pasi u njoh me përvojën time si inxhinier dhe Shef Transporti me detyra të larta në Ushtri u cudit që unë po aplikoja për shofer. I thashë se unë kam përvojë një jetë të tërë, por nevojat urgjente të familjes më detyruan të vi të aplikoj tek ju. Pasi më dëgjoi me shumë vëmendje dhe mirësi amerikane më tha që do ju telefonojmë. Nuk kaloi as një javë dhe më thirri në zyrë duke më emëruar si shef i transportit dhe furnizimit teknik të Korpësit të Paqes, detyrë të cilën e përfundova me nder dhe profesionalizëm deri në vitin e mbrapshtë të 97-ës, vit ku në muajin shkurt u detyrova të largohesha me familjen nga lufta civile që filloi.
Kam shumë kujtime dhe krenari që punova në këtë Institucion të Paqes dhe Miqësisë në Botë. Përfitova shumë nga përvoja e punës krejt ndryshe nga ato që kishja mësuar dhe ushtruar gjatë jetës, por kurrësesi pa mohuar dijet dhe kulturën inxhinierike që mora në Universitetin Politeknik të Tiranës, me professor të nivelit të lartë. Mënyra se si punonin, bashkëpunimi, metodat e punës, teknologjia e nivelit të fundit shkencor, më dhanë një përvojë dhe përgatitije të re për jetën time. Sakrificat e shumta që bënin specialistët nëpër rrethe, të cilët ishin rreth 100 amerikanë, takimet për analiza pune si staff, si dhe mënyrën e organizimit të festave kombëtare amerikane ishin krejt ndryshe nga ato që kishja përjetuar më parë. Së bashku me kolegët e mi shqiptarë si inxh.Franc Marku, mësonim nga mirësia e tyre në komunikim dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme, të cilët bënin të ndiheshe i lirshëm për të punuar me shumë devocion. Korpësi i Paqes me drejtoreshë Patricia Xhonson më dha mundësinë të dilja për herë të parë jashtë kufijve të Atdheut në vitin 1995 në Greqi, në Selanik për riparime të teknikës. Më duhet të shtoj se gjithë makinat e Korpësit të Paqes, nuk riparoheshin në Shqipëri, pasi nuk kishte në atë kohë shërbim të specializuar. Nuk do t’i harroj kurrë vizitat e shumta pranë Ambasadës Amerikane, sidomos takimin me Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe të Plotëfuqishëm të Amerikës në Tirane Z.Joseph E. Lake në zyrën e tij.
Një kujtim i paharruar do të ngelet drekimi dhe qetësia shpirtërore me drejtoreshën e Korpësit të Paqes Patricia Xhonson, e cila na ftoi familjarisht në një lokal pranë Liqenit Artificial. Ajo sot është një Ëngjëll në qiell dhe ne e kujtojmë me plot respekt dhe mall për cfarë i dha Kombit shqiptar dhe Korpësit të Paqes si një Lidere Amerikane e devotshme për Amerikën dhe botën.
Ndihem krenar që punova në këtë Institucion shumë të rëndësishëm botëror, në Korpësin e Paqes i cili mbush 60 vjet që nga dita e themelimit të tij, propozuar nga kandidati për President John F. Kennedy në vitin 1960. Në vitin 1961 Kongresi Amerikan e miratoi si Korpësi i Paqes me një program vullnetar të drejtuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara që ofron ndihmë ndërkombëtare për zhvillimin social dhe ekonomik për vendet në zhvillim.
Punonjësit e Korpësit të Paqes e patën shansin të punonin si vullnetarë në Shqipëri vetëm pas fitores së demokracisë. Ata sollën kulturë të re komunikimi, sollën vlerat e larta të humanizmit amerikan dhe sollën ndryshime në shumë sektorë të jetës.Nëpërmjet Korpësit të Paqes preka endrrën amerikane në Shqipëri që do të ngelet përjetësisht në kujtesën time dhe të familjes.
*Autori i shkrimit ka qenë Shef i transportit dhe furnizimit teknik të Korpësit të Paqes në Shqipëri.
3 Mars, 2021
New York