-Madagaskari, shteti i 115-të njeh pavarësinë e Kosovës, zv/kryeministri Pacolli pranon Notën Verbale/
-Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete/
-Pas më pak se tre muajsh Kosova festoon 10 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008/
PRISHTINË, 26 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Madagaskari, shtet në brigjet jug-lindore të Afrikës, ka njohur pavarësinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka pranuar zyrtarisht Notën Verbale të njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Republika e Madagaskarit, gjatë një takimi që zhvilloi me homologun e tij nga ky shtet, në margjina të takimit të vendeve të Frankofonisë, që po mbahet në Paris.
“Urime Kosovë, Faleminderit Madagaskar. Nga sot, Kosova dhe Madagaskari kanë nga një mik më shumë. Falenderimet e mia të sinqerta për popullin, Presidentin dhe Qeverinë e Madagaskarit”, ka thënë ministri i Jashtëm, Pacolli, cituar në njoftimin e dërguar mbrëmë nga Parisi.
Theksohet se, në kuadër të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur zotimet e tyre të dyanshme për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve dhe dy popujve si edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike për t’i hapur rrugë përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadorësh në mes dy vendeve respektive.
Njohja nga Madagaskari është e 115-ta nga shtetet anëtare të OKB-së, pas të 114-tës nga Bangladshi të njoftuar në 27 shkurt 2017.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.
Pas më pak se tre muajsh Kosova festoon 10 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.