-Qeveria Kosovës pret që në bazë të zotimit dhe dinamikës së prezantuar nga Komisioni Evropian, me rastin e publikimit të fundit të raportit të tyre me datë 18 dhjetor 2015, të realizohet vizita e komisionerit të BE-së Avramopoulos në Kosovë, për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve/
-Mustafa-Eichhorst: Kosova meriton liberalizmin e vizave. Drejtoresha e Shërbimit evropian për veprim të jashtëm (EEAS) për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Angelina Eichhorst, po viziton Kosovën/
-“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave/
Nga Behlul Jashar/ PRISHTINË, 15 Janar 2016/ Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i ka dorëzuar sot Bashkimit Evropian, inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave.
“Ky input, përmban rezultate dhe të arritura konkrete përgjatë tre muajve të fundit të cilat pritet të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së”, thekson njoftimi i sapodërguar nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Njëkohësisht, qeveria e Republikës së Kosovës pret që në bazë të zotimit dhe dinamikës së prezantuar nga Komisioni Evropian, me rastin e publikimit të fundit të raportit të tyre me datë 18 dhjetor 2015, të realizohet vizita e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve.
“Kjo do t’i hapë rrugë Komisionit Evropian për t’i propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, thekson njoftimi.
Ministri Çollaku, shpreh mirënjohje dhe vlerësim për punën e jashtëzakonshme të qindra zyrtarëve të administratës shtetërore të Republikës së Kosovës, përgjatë gjithë procesit të liberalizimit të vizave e sidomos në muajt e fundit.
“Po ashtu shpreh bindjen se përkushtimi dhe rezultatet e arritura do të kurorëzohen me vendim meritor që në pjesën e dytë të këtij viti qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në vendet e BE-së”, përfundon njoftimi nga Ministria e Integrimit Evropian.
Liberalizmi i vizave është e drejtë elementare e merituar nga qytetarët e Kosovës, tha sot kryeministri Isa Mustafa në takim në Prishtinë me drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst.
Në takim, ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm që është arritur në Kosovë, me theks të posaçëm për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe rekomandimeve për liberalizmin e vizave.
Ai, po ashtu, foli për përkushtimin e qeverisë së Kosovës për proceset evropiane, siç është vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Njoftim i sapodërguar nga qeveria kosovare thekson se, kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë që ka për Kosovën fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pas ratifikimit edhe në Parlamentin Evropian.
Duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e dhënë për Kosovën, kryeministri Mustafa, ritheksoi se qytetarët dhe qeveria e Kosovës presin që Komisioni Evropian shumë shpejtë të jap rekomandimin pozitiv dhe datën për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Institucionet e Kosovës, në nivelin qendror dhe lokal, kanë përmbushur me përgjegjësi maksimale të gjitha kriteret dhe rekomandimet lidhur me liberalizimin e vizave. Andaj, ne presim që këtë të drejtë elementare për të lëvizur në vendet e BE-së ta kenë edhe qytetarët tanë, në mënyrë që të kenë mundësi për lëvizje të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës”, tha kryeministri Mustafa.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa foli edhe për prioritetet e qeverisë së Kosovës për vitin 2016, duke veçuar proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor.
Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, shprehu përkrahjen e Bashkimit Evropian për progresin në Kosovë, duke vlerësuar të arriturat dhe objektivat e mëtejshëm të qeverisë së Kosovës.
Më tej, Eichhorst theksoi rëndësinë e procesit të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Gjatë takimit është biseduar edhe për nevojën e stabilitetit dhe heqjen dorë nga përdorimi i mjeteve të dhunshme, si parakusht për avancimin e proceseve në vend.
Drejtoresha e Shërbimit evropian për veprim të jashtëm (EEAS) për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Angelina Eichhorst, po viziton Kosovën.
Ajo do të takohet me përfaqësuesit politikë kryesorë dhe me palët e tjera të interesit, thekson njoftimi dërguar nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Në fillim të kësaj jave, kryeministri Mustafa ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri në ditën e sotme, 15 janar, të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, tha dje kryeministri Mustafa, në takim me kryetarët e komunave.