Nga Jeton Kelmendi, Bruksel/
Njëra nga çështjet më të rëndësishme për një vend në epikën e globalizmit është imazhi që ka në arenën ndërkombëtar, madje kjo çështje vlen edhe për vendet më me ndikim në botë. Tani kur ka nevojë për një imazh të mirë, ta zëmë një vend si SHBA, që është edhe vendi më i fuqishëm dhe më me ndikim në botë, sa është e rëndësishme për një shtet të ri, i cili akoma nuk e ka bërë një dekadë të funksionimit si shtet i pavarur, siç është Kosova. Imazhi me fjalë tjera do të thotë përshtypja e tjerëve për ty, e qe në ketë rast vlen: përshtypja e qytetarëve dhe qarqeve diplomatike të vendeve të ndryshme për Republikën e Kosovës. E meqenëse kjo na qenka punë goxha me rendësi, atëherë shtrohet pyetja se kush deri me sot është marrë me ketë punë? Ndoshta të merr disa sekonda por jo edhe një minutë të plotë ti japësh përgjigje kujtdo që ta bënë ketë pyetje. Pra, thjeshtë çoje mendjen nga kreu i shtetit, pastaj qeveria dhe institucionet tjera relevante dhe varësisht nga personi që jep përgjigje dhe shpejtësia e tij apo saj në të menduar, përgjigja vjen vet, prej njëzet deri në dyzet e pesë sekonda, pra asnjëri nga institucionet e shtetit të ri nuk ka punuar që Kosova të ketë imazh të mirë. E kur mendon se nuk ka punuar kush mirë nga këta persona qe në vend njihen si ‘bosat me xhipa të zi’, pra qe të mund ti thuhet puna e mbarë, është vërtet shqetësuese, mirëpo çka mund të thuhet kur i shtohet fakti se shumë nga institucionet e vendit, madje edhe vet shefat e këtyre institucioneve jo se vetëm nuk punuan mbarë, por jo pakë nga ta bënë edhe punë të pista dhe vepruan tërësisht kundër ligjit dhe drejtësisë.
Viti 2014 ishte një vit përplot me ngjarje për vendin, por duke veçuar disa nga to mund të dalim tek imazhi i vërtetë i Kosovës në mediet dhe qarqet ndërkombëtare. Fillimisht drejtësia, si njëri nga sektorët më të dobët se funksionuari, dha disa dënime, ku zyrtarët ndryshëm qeveritar dhe komunal u vunë ose pas grilave ose nën hetime, por ndodhi që këta persona ti udhëheqin institucionet të dënuar ose duke u gjykuar nga burgu. He, çudia më e madhe tek ne zgjatë tri ditë thoshte populli, dhe kjo tani edhe po shihet. Duke pasur probleme me drejtësinë shumë nga ta edhe fitojnë në zgjedhjet e mbajtura elektorale, madje dalin edhe më të fuqishëm. Kjo pra është një pikë në imazhin e shtetit të ri. Partia që qeverisi për dy mandate dhe e cila parti kryeson në listat e shkelësve të ligjit, arriti serish të dalë e para pas zgjedhjeve të mbajtura në mes të viti që po lëmë pas! Ka disa vite që thuhet, madje edhe nga zëra të fuqishëm ndërkombëtar, se Kosova është rast ‘Sue Gereris’, pra kurë bëhet fjalë për precedentin që mund të shkaktojë Kosova në vende të ndryshme të Botës, por kjo në fakt po del të jetë e vërtet edhe në shumë aspekte tjera. Pas përfundimit të zgjedhjeve, u bashkuan partitë: e dyta, e treta, e katërta dhe e pesta, duke e pamundësuar formimin e institucioneve. Nëse në demokraci vendosë shumica, këto parti krijuan shumicën bindëse ne Kuvendin e Republikës, sidomos kur dihet se me Kushtetutë, minoritetet i bashkohen koalicionit të shumicës, prandaj edhe arritën ta kenë shumicën absolute në Kuvend, mirëpo parti e parë që kishte vetëm 36 ulëse, e quante vetën shumicë, ndërsa koalicionin prej mbi 80 deputetëve e quante opozitë! E kjo pra është demokracia dhe kështu kaloj mbi gjysmë viti, ku qeveria në detyrë nënshtroj marrëveshje dhe kontrata sikur të ishte qeveri e dalë nga votat e qytetarëve, sa për ilustrim kontratën për autoudhën Prishtinë-Shkup. Organi më i lartë për interpretimin e kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, rrëzoj, zgjedhjen e Isa Mustafës për Kryetar të Kuvendit, madje përveç kësaj ajo i dha të drejtë ekskluzive të tallet me 120 deputetë, sa ka Kuvendi, një zonje që e udhëhiqte, vetëm pse ishte më e moshuara. Kjo zonjë, që deri sivjet quhej Flora Brovina, e tani shumë e thërrasin Fauna Brovina, nuk lejoj as mbajtjen e seancës parlamentare, për disa kohë, kuptohet duke shkelur tmerrshëm ligjin, kushtetutën, por edhe duke i shërbyer vendit qe sa më shumë t’ia nxijë imazhin edhe ashtu të dobët që ka. Edhe ky një shembull eklatant, që fletë për demokracinë në vend, madje edhe për funksionimin e institucioneve të pavarura, që është alfa dhe omega për demokracinë e një vendi. Kosova sivjet ishte një vend dëshirash për dikë dikë, iluzionesh, marifetesh, emigrimeve e shumë çka tjetër. Një politikan që nuk ka shifër dyshifrore nga zgjedhjet, me çdo kusht deshi të bëhej kryeministër, madje e prishi Bllokun e partive të koalicionit pas-zgjedhor, Presidentja e vendit, një person që kurrë as në ëndërr se kishte parë at post, jo se vetëm nuk dinë ta luaj rolin që ja jep kushtetuta, por ajo u bë një zëdhënëse e fortë e partisë, e cila me pazare të natës e kishte sjellë në at karrige. Kësi soji, Atifete Jahjaga, presidente kukull, që disa edhe po e thërrasin Marifete Jahjaga, sigurisht për marifetet e saj që i ka bërë nga pozita e saj në krye të shtetit, i shërbeu me shumë zell vendit për të keq. Ajo i priu bllokadës disa mujore duke e bartur çështjen e saj tek Gjykata Kushtetuese dhe kreu i saj Enver Hasani, një person i njohur si shumë destruktiv dhe i dyshimtë për shkollimin e tij, por edhe për shkatërrimin e Universitetit të Prishtinës sa ishte Rektor. Nga ana tjetër ky far qytetari i paskrupullt, Enver Hasani edhe kur nuk kishte të drejtë të deklarohej për çështjet politike, lidhur me gjykatën e kapur nga një grup i caktuar i një partie politike dhe para-politike, deklarohej dhe u bë njëfarë “babe”, i cili i mësonte politikanët dhe deputetët se çka duheshin ndërmarrë… Ky pra është imazhi dhe këto janë të vërtetat e Kosovës gjatë vitit 2014, por fundviti solli formimin e institucioneve, pasi qe dy partitë më të mëdha u detyruan të bëjnë koalicion. Qeveria edhe ashtu e madhe me shumë ministri dhe zëvendës ministra, u rrit dhe tani ka 20 ministri, e pritet qe edhe nja dy autobusë militant të bëhen zëvendës ministra, s’ka lidhje edhe pse nuk janë profesionist në asnjë fushë, fundja edhe ministrat, disa prej tyre ashtu janë. Episodet e këtij serjali vazhdojnë: Sindikatat e Bashkuara kërkojnë rritje pagash prej 25 përqind, ashtu siç u kishte premtuar Hashim Thaçi, gjatë fushatës. Të ashtuquajtur veteran të luftës, një grup profiterësh kërkojnë nga Rektori qe ti regjistroj me automatizëm një mijë student, si fëmijë të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Mediet nxorën se disa nga ta ishin regjistruar edhe më herët si fëmijë dëshmorësh, por në fakt prindërit i kishin mirë dhe shëndosh. Kështu pra po bëjnë njerëzit e Kosovës tonë, pastaj disa që dorën në zemër, më shumë nga zhgënjimi se sa nga varfëria, po ikin nëpër Serbi dhe po dalin ilegalisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Ti përmbledhësh krejt bëmat e vitit është e pamundur, por ajo që i vë kapak për të keq është zgjedhja e njeriut të nëntokës në krye të Kuvendit të Kosovës, madje ajo më e pabesueshmja ndodhi, LDK e votoj ketë person?! Nga ana e tjetër partia e tretë për nga fuqia politike në vend, Vetëvendosje vazhdon ta qeveris Kryeqytetin në mënyrën e vet Qegevarqe dhe këtij subjekti dhe kreut të Prishtinës, jo se nuk i bije në mend se Kosova ka një burrë që është më meritori për lirinë dhe formimin e shtetit, pra Ibrahim Rugova, por nuk e sheh të arsyeshme madje as statujën e tij në qendër të Prishtinës ta nderoj, thjeshtë për këta njerëz, Presidenti Rugova nuk paska ekzistuar kurrë. Me një fjali të thjeshtë, kjo është Kosova jonë dhe ky është imazhi i vendit tim. Zoti na bëftë më të mirë, e pastaj e bëjmë edhe imazhin më të mirë. 30.12.2014/