-Nga zhvillimet e fundit në Kosovë: Kuvendi në sesionin pranveror ende pa seancë plenare, opozita paralajmëron protestë edhe në një ditë tjetër feste. Shtypi: Qeveria e gatshme për emisar ndërkombëtar, opozita kundër/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Janar 2016/ Shefi i Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, David Cullen, sot në Prishtinë, ka theksuar përkrahjen e Komisionit Evropian për thellimin e axhendës evropiane të Kosovës, në veçanti përmes identifikimit të prioriteteve kyçe për zbatimin e MSA-së, si dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u takua sot me shefin e Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, David Cullen.
Me Cullen kanë diskutuar për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, angazhimet dhe punën që po bënë Kosova në rrugën e saj drejt BE-së e në veçanti për procesin e liberalizimit të vizave dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Ascociimit.
Ministri Çollaku, ka potencuar faktin që Kosova ka dorëzuar inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave, duke thënë se pret që rezultatet dhe të arriturat e paraqitura në të, të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës pret që gjatë vizitës së paralajmëruar të komisionerit të BE-së, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, të konfirmohet zbatimi i rekomandimeve për këtë proces dhe në këtë mënyrë të hapet rruga për procedurat e mëtutjeshme për heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministri Çollaku.
Po ashtu ministri i Integrimit Evropian, ka informuar përfaqësuesit e BE-së, se Kosova është e gatshme për zbatimin e MSA-së.
Palët gjithashtu kanë diskutuar edhe për asistencën e BE-së në Kosovë, si dhe përgatitjet që po bënë Kosova për qasjen në Programet e BE-së.
Raportimi lidhur me plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave ishte sot edhe në axhendën e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, i cili ka nisur javën e kaluar sesionin pranveror, por ende nuk është ftuar seanca e parë plenare e sesionit të ri edhe pse u mbajt të premtën mbledhja e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Për raportim ishte ftuar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili në 15 janar 2016 i ka dorëzuar Bashkimit Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave.
Ministri bëri një prezantim rreth raportit lidhur me plotësimin e rekomandimeve për liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi se në Këshillin Evropian është dërguar imputi i fundit rreth plotësimit të rekomandimeve. Ai njoftoi se në pjesën e parë të muajit shkurt pritet të vijë komisionari Avramupoulos, për vizitë në Kosovë. Ministri Çollaku shtoi se kanë përpara disa javë kritike lidhur me liberalizim, duke u shprehur optimist se epilogu do të jetë pozitiv.
Në Bruksel, në 21 janar, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mori pjesë në panelin diskutues me temë “Liberalizimi i vizave për Kosovën-Lëvizja nga izolimi në integrim”, organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Qendra Evropiane për Politika në Bruksel (EPC).
Gjatë prezantimit të tij, para diplomatëve evropianë, shoqërisë civile e mediave ministri Çollaku, shpjegoi në mënyrë kronologjike rrugëtimin e Kosovës drejtë përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri Çollaku informoi të pranishmit se ditë më parë kishte dorëzuar në Bashkimin Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve të fundit në këtë proces dhe se tani pret veprime të shpejta nga Komisioni Evropian.
“Ky input përfshinë të arritura dhe rezultate të qarta që janë arritur në tre muajt e fundit nga institucionet kosovare në adresimin e rekomandimeve të fundit të procesit të liberalizimit të vizave, për të cilat presim vlerësim pozitiv nga institucionet e BE-së. Ne presim që vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së Dimitris Avramopoulos në Kosovë të përmbyllet suksesshëm dhe t’i hap rrugën procedurave për heqjen e vizave për kosovarët. Kjo duhet të ndodhë për faktin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me udhërrëfyes dhe është plotësisht e gatshme për këtë proces”, ka theksuar ministri i integrimit Evropian.
Një zhvillim tjetër shumë i rëndësishëm për Kosovën javën e kaluar ishte ratifikimi në Parlamentin Evropian i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015, në Strasburg, nga kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në 2 nëntor 2015.
Qeveria kosovare ka vlerësuar se, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një sukses shumë i madh i Kosovës, është një mundësi e shkëlqyer për fuqizimin e gjithanshëm të dialogut politik, të marrëdhënieve tregtare dhe të bashkëpunimit të shumanshëm me Bashkimin Evropian.
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e saj për thellimin e mëtejshëm të reformave, për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetit, në partneritet të plotë me vendet mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera të BE-së.
Në 2 nëntor 2015, ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës u miratua me më shumë se dy të tretat e votave, me 86 vota pro të parlamentit 120 anëtarësh, por pa praninë e opozitës së bashkuar të tre partive me gjithësej 31 deputetë, e cila me këtë rast nuk bllokoi seancën, ndërsa u largua nga salla plenare pasi paraqiti qëndrimet e veta.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por nuk u përcaktua ndonjë datë për seancë plenare, ndërkohë që Kuvendin, me shumë humbje kohe edhe pas zgjedhjeve edhe pas konstituimit, e presin shume punë. Së shpejti duhet të ndodhë edhe zgjedhje e Presidentit të Republikës së Kosovës, që sipas Kushtetutës bëhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë. “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në Kushtetutë, ndërkohë që mandati i Presidentes aktuale, Atifete Jahjaga, përfundon në 6 prill 2016.
Por, Kuvendi i Kosovës, i zgjedhjeve të parakohëshme të 8 qershorit 2014 e i konstituuar me vonesë pas plot 6 muajëve, prej më shumë se 4 muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit 2015, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar, 13 sipas opozitës, ndërkohë që ka ndodhur edhe lirimi i tyre.
Situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, ndërkohë që opozita ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme “kundër ‘zajednicës’ (bashkësisë së komunave serbe), kundër demarkacionit me Malin e Zi, dhe për largimin e kësaj qeverie që e ka shkelur Kushtetutën” për datën 17 shkurt, kur është 8-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe në një ditëfeste tjetër pas asaj të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit e të pavarësisë së Shqipërisë, të zhvilluar në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës është shprehur se, “Kauzat e opozitës kanë dalë që janë të paqëndrueshme, sepse Gjykata Kushtetuese ka përfunduar se Asociacioni duhet të themelohet, sepse është kategori juridike në Kosovë dhe duhet të bëhet sipas marrëveshjes së parë, ndërsa Departamenti i Amerikan i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konstatuar se vija kufitare me Malin e Zi është përcaktuar në vijën në të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës”. Qeveria është shprehur pro “që të formohet një komision ndërkombëtar në mënyrë që të sqarojë çdo dyshim dhe çdo pretendim lidhur me këtë vijë kufitare dhe ajo pastaj të zgjidhet në bashkëpunim me Malin e Zi”.
Në këtë vit të dytë me protesta të opozitës, në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas tre partive opozitare, ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në 28 nëntor 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.
“Qeveria e gatshme për emisar ndërkombëtar, opozita kundër”, thekson sot shtypi i Kosovës në një kryetitull balline.
Raportohet se, qeveria dhe opozita kanë qëndrime të kundërta përkitazi me mundësinë që ndërmjetës ndërkombëtarë t’i ulin në një tryezë për ta zgjidhur krizën politike.
Sipas gazetës Koha Ditore, derisa zyrtarë qeveritarë janë shprehur të gatshëm të pranojnë çfarëdo emisari, nga kampi opozitar kanë thënë se nuk ka nevojë për ndërmjetësues dhe se kthimi i normalitetit në vend mund të bëhet vetëm nëse anulohen marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.
Për analistët zgjidhja e vetme mund të jetë përmes ndërkombëtarëve, por nëse ata mbështesin liderë me integritet e aftësi, e jo të tillët që aftësi të vetme kanë dëgjueshmërinë karshi ndërkombëtarëve.
Ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, mbi propozimin e të cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës, politikani suedez Carl Bild dhe së fundi ndihmëssekretari amerikan për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee, janë emisarët e përfolur për mundësinë e ndërmjetësimit mes pozitës dhe opozitës në Kosovë.