• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova para 24 viteve përgatitej për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare

May 15, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë/

-Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim/

-Në rrethana të rënda okupimi, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës – votuesve të regjistruar votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës, Dr, Ibrahim Rugovën dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Maj 2016/ Kosova para 24 viteve përgatitej për zgjedhjet e 24 majit 1992,  të parat pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda okupimi nga regjimi i dhunës serbe.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në Referendum dolën 914.802 veta – 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

NË 2 MAJ 1992 KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS SHPALLI ZGJEDHJET E PARA SHUMËPARTIAKE

Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli zgjedhjet shumëpartiake për deputetë në Parlament dhe për Kryetarin e Republikës për datën 24 maj 1992.Në Prishtinë, më 8 maj 1992, Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi shqyrtoi edhe njëherë çështjen e zgjedhjeve shumëpartiake në Kosovë, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, nevojën, mundësitë, implikacionet dhe detyrat e LDK-së në zgjedhje, nxori konkluzione, ku mes tjerash theksohej:

“Në Kosovë janë rrënuar të gjitha institucionet legale. Zgjedhjet shumëpartiake, të parat zgjedhje në Kosovë që nga       aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë, si shprehje e vullnetit      politik dhe si konstituim i organeve të reja përfaqësuese dhe ekzekutive të Kosovës, janë të domosdoshme për përtërirjen dhe të institucioneve legale.
Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve shumëpartiake dhe do të angazhohet plotësisht në organizimin dhe me realizimin e tyre.

  1. Në Kosovë janë rrënuar të gjitha institucionet legale.
    Zgjedhjet shumëpartiake, të parat zgjedhje në Kosovë që nga       aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë, si shprehje e vullnetit      politik dhe si konstituim i organeve të reja përfaqësuese dhe ekzekutive të Kosovës, janë të domosdoshme për përtërirjen dhe të institucioneve legale.
    Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shpalljen e zgjedhjeve shumëpartiake dhe do të angazhohet plotësisht në organizimin dhe me realizimin e tyre.
  2. Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës.”

RAPORTI I KOMISIONIT QENDROR PËR ZGJEDHJET

Në publikimin e Qendrës për Informim të Kosovës për Zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale e parlamentare në Kosovë më 1992 është dhënë edhe Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet:

Zgjedhjet janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor. Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke.
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind.
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament.
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon:

Lidhja Demokratike e Kosovës         96 deputetë

Partia Parlamentare e Kosovës         13 deputetë

Partia Fshatare e Kosovës        7 deputetë

Partia Shqiptare Demokristiane   7 deputetë

Kandidatët e Pavarur               2 deputetë

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez.
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës.
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor.
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga SHBA dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota.
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve.
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci.(Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, Prishtinë, 15 qershor 1992).

VËZHGUESIT E HUAJ PËR ZGJEDHJET E 1992

Në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, vëzhguesit e huaj mbajtën një konferencë me gazetarë, në të cilën shfaqën përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Gjatë këtyre vëzhgimeve, që bëri ai, nuk ka hasur në ndonjë parregullsi. Veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë.
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, para gazetarëve shfaqën përshtypjet dhe vlerësimet e tyre rreth zgjedhjeve. Ata thanë se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. Zgjedhjet, thanë ata, janë mbajtur me efikasitet të madh, kurse edhe ata i ka i mpresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet, duke i kontrolluar ato dhe duke arrestuar njerëz. Kështu, bie fjala, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar. Konrad Hubers, që i printe këtij delegacioni, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën.
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyeshme nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve. – U mrekulluam, – tha ajo – nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve, duke mashtruar edhe policinë. Ajo falenderoi për këtë përvojë. Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës. Prandaj, vlerësimi më i mirë është se zgjedhjet ishin të rregullta dhe fer. Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupim, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilën nuk e ka pasur kurrë.

(Informatori ditor i Qendrës për Informim të LDK-së, nr.117)

NË KOSAVË, 24 MAJI ME SIMBOLIKË SHTETFORMUESE – DITA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

Në Kosavë, 24 maji me simbolikë shtetformuese nisi të shënohej si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të vitit 1992 të Presidentit historik Ibrahim Rugova.Po në 24 majin 1992, të para 24 viteve, raportimet me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Raportimet bëheshin nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës ishte korrespondenti prej atëherë – nga fillimi në Kosovë i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, aktualisht korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI.

Në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, para të cilit para një viti, në 23 maj 2015, u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit, ishte edhe Zyra e ATSH-së, të cilën në 1 tetorin e vitit historik të lirisë 1999 korrespondentit në Prishtinë ia dha qeveria e përkohëshme e Kosovës, edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova edhe kur kjo dukej thuaja e paimagjinueshme dhe e pamundshme, e ishte edhe ndaluar nga regjimi okupator.

SHTËPIA E PAVARËSISË DR. IBRAHIM RUGOVA

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para 22 vitesh, në 1994,  në intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në, ku fliste për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve” dhe e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, falenderonte dhe vlerësonte ATSH-në për informimin nga Kosova e për Kosovën.
“Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti  historik Rugova derisa bisedonim gjatë në intervistën që kam zhvilluar ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë.

Intervista u realizua në trevjetorin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës dhe pas Kuvendit të Dytë të LDK-së, që më shumë se parti kishte lindur si lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, ku u miratua një Deklaratë Politike e rëndësishme për vizionin e ardhmërisë së shtetit të Kosovës.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK në 23 Dhjetor 1989, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, të zgjedhjeve të para të 24 Majit 1992…

“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Kosova para 24 viteve, zgjedhjet e para parlamentare

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT