Presidenti i Kosovës dhe Kryeparlamentari takuan kryetarin e Ulqinit/
-Presidenti Thaçi: Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve/
PRISHTINË, 21 Prill 2016/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu, i cili është edhe kryetar i partisë kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi, Forca e Re Demokratike.Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit se shqiptarët e Malit të Zi do të kenë vazhdimisht mbështetjen e tij personale dhe të Republikës së Kosovës, duke e uruar atë për rimarrjen e detyrës së kryetarit të komunës, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi.
“Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi gjithnjë e më shumë janë duke u përmirësuar dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi është një urë e rëndësishme komunikimi dhe lidhjeje mes dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.Ndërsa, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pasi uroi presidentin Thaçi për marrjen e detyrës së re, mirëpriti qetësimin e situatës politike në Kosovë. “Kur Kosova është qetë, edhe shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në shtetet e tjera qetësohen, mirëpo kur Kosova është e tensionuar, ata ndihen shumëfish të shqetësuar”, tha kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu.Kryetari i Ulqinit e njoftoi presidentin Thaçi edhe për gjendjen sociale dhe ekonomike të komunitetit shqiptar dhe për zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi.Ai, gjithashtu, kërkoi ndihmën e presidentit Thaçi për të lobuar pranë Tiranës dhe Podgoricës, që të lehtësohet kalimi i pushuesve dhe mërgimtarëve kosovarë në pikën kufitare të Muriqanit, ku radha e makinave gjatë sezonit veror është shumë e gjatë dhe qytetarët qëndrojnë me orë të tëra në pritje të kalimit të kufirit.Presidenti Thaçi e siguroi kryetarin e Ulqinit, se do ta trajtojë këtë çështje me vëmendje dhe do ta diskutojë me përfaqësuesit e vendeve fqinje, në rastet më të afërta që do të takohet me ta.
Gjithashtu, presidenti Thaçi e njoftoi kryetarin e komunës së Ulqinit, që në të ardhmen e afërt do të ketë vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe si qytetar nderi i Ulqinit, padyshim që do të vizitojë sërish edhe Ulqinin./b.j/
****