• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova kadetë të rinj në akademitë ushtarake Amerikane

April 29, 2021 by dgreca

-Kosova edhe këtë vit me kadetë të rinj në akademitë ushtarake të SHBA-së – Komunikatë për media  e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës/ 

PRISHTINË, 29 Prill 2021-Gazeta DIELLI/ Në kuadër të bashkëpunimit, partneritetit  dhe mbështetjes së vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe pas një procesi të konkurrencës shumë të fortë nga qindra konkurrentë nga shumë shtete të ndryshme të Botës, kandidatët Enderon Vuthaj  dhe Arlind Shefiku janë dy studentë-kadetët e radhës të përzgjedhur të Kosovës  për të studiuar në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake të SHBA-së West Point.  

Studentë-kadetët e rinj, Enderoni dhe Arlindi, me suksesin e tyre kanë nderuar dhe bërë krenar Kosovën dhe urojmë që pas katër vite të studimeve me dijen dhe shkathtësitë e tyre të kthehen për ti shërbyer vendit tonë. 

SHBA, si partneri ynë kryesor strategjik vazhdon përkrahjen gjithëpërfshirëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga fusha e arsimimit dhe trajnimit, donacionet në pajisje, këshillime profesionale e deri te stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta. 

Filed Under: Featured Tagged With: Kadete te rinj, kosova

Kosova shënon Ditën e Kushtetutës, në 22 vjet Liri e 13 Pavarësi

April 9, 2021 by dgreca

-“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”/

-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Prill  2021/ Kosova në 22 vjet Liri e 13 Pavarësi shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 13 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  – Agjencinë Telegrafike Shqiptare /ATSH/ në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.


“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.

 Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.


Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 13 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 13 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 32 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

 Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para tre vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga atëherë presidenti Hashim Thaçi.

Trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

——-

Raportim që bëja  për  Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  para 13 viteve-9 Prill 2008:

PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.
Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti  Sejdiu.
”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.
Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Kryeministri  Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve. 
“
Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.
“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.
”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.
“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.
”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.
Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./
a.jor.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Kushtetutes, kosova

KQZ çertifikon rezultatet e zgjedhjeve te 14 Shkurtit

March 13, 2021 by dgreca

Vetëvendosja në krye me 50.28% dhe 58 ulëse në Kuvend-

Partia Demokratike e Kosovës me 17 përqind të votave ka siguruar 19 ulëse në Kuvend. Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.73 përqind ka siguruar 15 ulëse në Kuvend.

Hedhja poshtë e ankesave të partive politike nga Gjykata Supreme i liroi rrugën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë certifikimin e rezultateve finale të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Përfundimisht, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese ngase mori gjysmën e votave në krejt Kosovën. Ajo u radhit e para me 50.28 % pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17 %.

Lidhja Demokratike e Kosovës mori vetëm 12.7 % të votave, rezultat ky që është më i dobëti që prej ekzistencës së kësaj partie.

Vendin e katërt e zuri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7 %, derisa Nisma Socialdemokrate nuk arriti ta kalojë pragun me vetëm 2.5 % të votave të fituara.

Filed Under: Kronike Tagged With: çertifikon rezultatet, kosova

Kosova nis kontingjentin e parë ushtarak në operacione paqeruajtëse

March 9, 2021 by dgreca

-Ceremonia e dërgimit të kontingjentit të parë të trupave ushtarake të FSK-së në misionin paqeruajtës në kuadër të trupave ushtarake amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s 

PRISHTINË, 9 Mars 2021- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Në ambientet e Kazermës “Adem Jashari” u  zhvillua sot ceremonia e dërgimit të kontingjentit të parë të trupave ushtarake të FSK-së në misionin paqeruajtës në kuadër të trupave ushtarake amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s.  

Në ceremoninë përkatëse, të pranishëm ishin U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës,  Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe zyrtarë diplomatikë e ushtarakë vendor e amerikan si dhe shteteve tjera partnere.  

Pas lutjeve të kapelanit të FSK-së, rreshter major Agim Gashi, për ushtarakët e kontingjentit për dislokim, U.d. Presidentja Osmani në fjalën e saj shprehu impresionet e saj për këtë ngjarje historike për vendin dhe partneritetin strategjik me SHBA-në. 

Sikur ajo edhe ministri Quni dhe gjeneral Rama, theksuan rëndësinë historike të ngjarjes së sotme për vendin dhe popullit tonë si dhe FSK-në dhe të ardhmes së saj. 

Ata shprehën mirënjohjen e lartë për mbështetjen e pakursyer të shtetit, kombit dhe forcave amerikane për të arriturat e deritashme të FSK-së në forca moderne ushtarake me standardet më të larta profesionale. Kjo mbështetje nga të tre u vlerësua jetike për FSK-në që të jetë e gatshme për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ligjore të saj, ndër të cilat edhe pjesëmarrjen efektive në misionet paqeruajtëse dhe stabilitetit jashtë vendit. 

Ata kërkuan nga ushtarakët e kontingjentit për dislokim që të udhëhiqen gjithmonë nga vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakut që janë të përputhshme plotësisht me vlerat historike të kulturës dhe traditës sonë kombëtare si: besnikëria, detyra, respekti, shërbimi vetëmohues, nderi, integriteti dhe guximi personal. Këto u vlerësuan fuqia e natyrshme e ushtarakut në shërbim të drejtësisë,  lirisë,  barazisë dhe demokracisë, vlera këto të përbashkëta të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës. 

Përmes video-mesazhit të pranishmëve iu drejtua edhe komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major Benjamin J. Corell, i cili theksoi se bashkë-dërgimi i kontingjentit të Forcës së  Sigurisë së Kosovës me forcat amerikane të udhëhequra nga ai demonstron fuqishëm gatishmërinë e FSK-së për të ofruar kontributin për paqen, sigurinë dhe stabilitetin kudo në botë. 

Krahas lutjeve edhe të kapelanit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, major Sleton, në fund të gjithë uruan ushtarakët e kontingjentit që të shërbejnë me dinjitet dhe profesionalizëm për të nderuar Atdheun, Kombin, Flamurin dhe Emblemën e FSK-së si dhe besimin e përjetshëm të miqve tanë amerikan. 

Forca e Sigurisë së Kosovës,  përkatësisht një njësi e saj do të marrë pjesë në misione paqeruajtëse jashtë vendit krahas ushtrisë amerikane. Kjo marrëveshje, dy muaj më parë u ratifikua në Parlamentin e Kosovës dhe shënon për herë të parë angazhimin e trupave të saj në një mision ushtarak paqeruajtës jashtë vendit. 

Kontingjenti i FSK-së, i integruar në trupat e Gardës Kombëtare të Iowa-s, do të operoj në Komandën Qendrore të Forcave Amerikane, e cila ka përgjegjësi në zonën gjeografike ku përfshihet Lindja e Mesme, një pjesë e Azisë Jugore dhe Afrika Verilindore. 

 *** 

DR. VJOSA OSMANI: Valëviteni lartë e me krenari flamurin tonë të dashur!

-Fjalimi i u.d. presidentes Osmani në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit(Lexoje te plote ne Dielli online www.gazetadielli.com)

Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Kryeministër në detyrë, z.Hoti

Z. Ministër i Mbrojtjes, z.Quni

I nderuar Komandant i Forcës, Gjeneral Rrahman Rama

Të nderuar përfaqësues diplomatik në vendin tonë,

Shumë të nderuar përfaqësues diplomatik e ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atashe ushatarak

Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq e të pranishëm,

Ndihem e nderuar sot që në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës të jam këtu bashkë me ju në përcjelljen e kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës sonë për në Shtetin e Kuvajtit.

Mesazhi për të cilin kam ardhur këtu për ta dhënë në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në këtë ditë historike për shtetin tonë është shumë i thjeshtë: kam ardhur t`u them Zoti ju ruajt dhe faleminderit! 
Teksa jam këtu para jush, nuk mund ta lë pa e përmendur në këtë ditë historike se nga të gjitha privilegjet dhe nderin që kam pasur për të shërbyer në këtë kapacitet, asgjë nuk i afrohet nderit që të shërbej si Komandante Supreme e kësaj Force. 
Më 5 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës votoi unanimisht dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Një ditë më pas, ndihem krenare që kam nënshkruar autorizimin për dërgimin e këtij kontingjenti në  këtë mision të parë, krah për krah me miqtë tanë amerikanë.

Ky mision gjashtë mujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, respektivisht me Ushtrinë Amerikane, ndaj paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik.

Programi i partneritetit shtetëror me Ushtrinë Amerikane ka qëllim afatgjatë, dhe ka për qëllim krijimin dhe zgjerimin e partneritetit me FSK-në, në funksion të promovimit të sigurisë rajonale, por edhe më gjerë.

Sot, një nga këta objektiva po nisë përmbushjen e tij. Këta djem që po përcjellim sot, e së shpejti edhe vajza ushtarake do të jenë nderi dhe krenaria jo vetëm e jona, por edhe e partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

22 – vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme se ushtarët tanë do të mund të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës në botë. Sot kjo gjë po bëhet realitet, sepse ne e bëmë lirinë dhe e ndërtuam paqen bashkë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Tashmë erdhi koha që t`ua kthejmë një pjesë të kontributit të tyre, duke u bërë partner në ndërtimin dhe në ruajtjen e paqes.

Nga një vend që dikur importuam trupa paqeruajtëse, sot po transformohemi gradualisht në një vend që po eksporton trupa paqeruajtëse.

Ky kontingjent që po e dërgojmë në Shtetin e Kuvajtit është i vogël në numër, por i madh në përmbajtje dhe në mesazh. Këta djem po e shkruajnë historinë e re të Forcës sonë. Megjithëse e krijuar së voni, Forca ka trashëguar një pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes e idealit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e më vonë edhe nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. E sot, Forca jonë po merr rol në sigurinë dhe paqen globale.

Me aleatët tanë ushtarak, na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. Jam e sigurt  se ju do ta bëni të pamundurën që me profesionalizëm e dedikim t`i jepni shanse paqes, jo vetëm aty ku po shkoni sot, por kudo që u besohet kjo detyrë.

Ky mision nuk do të ishte i mundshëm pa mbështetjen e Ushtrisë Amerikane.

Prandaj, të nderuar përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këta djem janë edhe djemtë tuaj. Misioni juaj është edhe mision i yni! Është paqja dhe besimi në vlera të përbashkëta që na bëri bashkë dhe ato t’i bëjmë të mundshme! 

Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tona e vlerat në të cilat besojmë, por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve tanë të tjerë. Pra, që të jemi të qartë, kush do që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovën, Amerika e aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal!

Të dashur ushtarakë,
Ju po niseni drejt një sakrifice të re, e cila nuk do të jetë vetëm e juaja, por edhe e familjeve tuaja dhe e gjithë shtetit. Do të ndihemi krenar me kontributin tuaj dhe prej këtu ju shprehë gatishmërinë time për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale edhe me pajisjeve moderne, përmirësimin e përkujdesjes dhe rritjen e motivimit tuaj.

Me këtë mision, juve po ju jepet mundësia që ta dëshmoni dinjitetin, profesionalizimin dhe aftësitë ndërvepruese, rrugë të cilën e keni nisur që nga viti 2018 kur keni filluar transformimin në ushtri moderne, por edhe shumë më herët në çdo hap që keni bërë.

Ky proces parashihet të zgjasë tetë vjet, ndaj ky mision paqeruajtës do të jetë edhe në funksion të testimit të kapacitetit të ushtarëve tanë për të shërbyer në kuadër të forcave paqeruajtëse, e pse jo edhe për ta shkurtuar afatin kohor të transformimit të FSK-së dhe arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale. Nuk kam asnjë dyshim se përgatitja taktiko-fizike dhe operacionale e ushtarëve tanë do të jetë në nivelin më të lartë dhe konform standardeve të kërkuara.

Ju, të dashur ushtarakë nuk do të jeni vetëm paqeruajtësit tanë të parë, por edhe ambasadorë të paqes! Do të jenë imazhi i shtetit tonë, do të jeni mburrja dhe krenaria jonë!

Forca jonë kultivon dhe sublimon vlerat dhe standardet më të larta të doktrinës moderne perëndimore. Përveç misionit tonë kryesor për mbrojtjen territoriale dhe sovranitetin shtetëror të vendit e mbrojtjen e qytetarëve tanë, kjo Forcë pasqyron edhe diversitetin etnik, kulturor, fetar në të gjitha dimensionet e shoqërisë sonë si vlerë të patjetërsueshme.

Forcat tona janë duke u ndërtuar sipas standardeve të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s që të jenë të ndërveprueshme dhe të gatshme që të marrin pjesë në operacione paqeruajtëse në kuadër të forcave të përbashkëta shumëkombëshe, në kuadër të operacioneve me forcat amerikane sot, në Programin për Partneritet për Paqe nesër, apo si anëtarja me e re e NATO-s në një të ardhme të afërt.

Ky është misioni dhe detyra jonë kushtetuese e ligjore, ky është vizioni dhe objektivi ynë strategjik!

Të nderuar të pranishëm,

Si politikanë, ne edhe mund të mos pajtohemi mes vete për shumë tema, të debatojmë dhe të diskutojmë ndoshta edhe ashpër ndonjëherë – kjo është pjesë e demokracisë sonë, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, kur bëhet fjalë për ju, për familjet tuaja, për ushtrinë tonë, si politikanë, por mbi të gjitha si qytetarë të kësaj Republike ne qëndrojmë të gjithë bashkuar. Ne të gjithë jemi krenar me ju.
Të dashur paqeruajtës, kam besim të plotë se ju do ta lartësoni emrin e shtetit të Republikës së Kosovës dhe dinjitetin e Forcës sonë!

Valëviteni lartë e me krenari flamurin tonë të dashur, 

Suksese e u kthefshi  faqebardhë e shëndosh nga misioni juaj!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë e përhershme me ta!

Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Nis kontigjent

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu

March 4, 2021 by dgreca

PRESS RELEASE/

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu/

VATRA is concerned with the pressure tactics on the Prime Minister elect of Kosova, Albin Kurti. The congratulatory message by the Israeli PM Benjamin Netanyahu and invite to meet in Israel at the inaugural opening of the Embassy in Jerusalem which prompted fierce reactions by Turkey, Palestine and the Arab League and even European Union should not deter or intimidate Kosova, the upcoming administration, its institutions and political class. 

The young Kosova state has no time to experiment on withdrawing from the Washington agreement of September 4, 2020 procured under President Trump and the official signings of diplomatic relations between Kosova and Israel on February 1, 2021.

The European Union has had sufficient time to facilitate Kosova’s integration yet it has opted to isolate the new state by blocking the traveling of its citizens, a measure imposed on Kosova’s aggressor, Serbia – Brussels’ pet project. 

VATRA appreciates Mr. Kurti’s non-rushed approach to encounter the pressure exerted by the EU yet the delay does not benefit him, his upcoming administration nor the citizens of Kosova. While his earlier statements that the establishing of diplomatic relations between Kosova and Israel is an important and positive step towards development were promising, his announcement that he will review the issue whether Tel Aviv or Jerusalem will be the location of Kosova’s embassy at the meeting with the Turkish Ambassador in Prishtina, Çağri Sakar on March 1, 2021 sows doubts and ambiguity. These decisions do take time yet as the expression goes: Well begun is half done! Washington was clear on the opening of the Embassy in Jerusalem, where the US offices are located. The new administration has approved the move and released the funds for the US Embassy in Jerusalem. Case closed!

In considering the dilemma of listening to the Americans to set up the embassy in Jerusalem versus the threats by Europeans to settle it in Tel Aviv, Kosova should apply a balanced practical and diplomatic sense in saying “YES” to the former and “NO” to the latter. Logic and international diplomatic relations’ practices relieve Mr. Kurti of his responsibility since the decision was made by his predecessors and secondly, the location of Kosova’s embassy is determined by the host country rather than Kosova. 

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu!

Executive Board of Pan-Albanian Federation of America Vatra

President

Elmi Berisha

Filed Under: Politike Tagged With: Izrael, kosova, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 106
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT