-Deklaratë në emër të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara: Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Axhendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës/
PRISHTINË, 14 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/-Do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht, theksohet në një “deklaratë në emër të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara”, dërguar sot, pak më pare, nga ambasada e SHBA në Kosovë.
“Kemi parë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne poashtu rikujtojmë të gjeturat fillestare të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe presim që Kuvendi i ri të vëjë si prioritet përgjigjen e vet ndaj rekomandimeve të këtij Misioni”, thuhet fillimisht.
Ne, vijohet më tej, poashtu dëshirojmë të japim qëndrimin e shteteve tona lidhur me formimin e Qeverisë. “Ashtu siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht – qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Axhendën Evropiane për Reformë, dhe perspektivën më të gjerë Evropiane të Kosovës. Ne nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshhme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërheqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike”, thekson deklarata e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne poashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që të procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve”, përfundon deklarata e ambasadave të Quintit.