-Tubim i përfaqësuesve serbë në veri, përalajmërojnë formimin e Asociacionit-Bashkësisë së Komunave Serbe në 20 prill./
“Nëse Prishtina nuk do jetë e gatshme që në tre javët e ardhëshme të fillojë punën për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, komunat serbe dhe institucionet do fillojnë vetë formimin e Bashkësisë, trupave dhe institucioneve të saj”, thuhet mes tjerash në konkluzionet e miratura./
-Shqiptarët 92.93 %, serbët 1.47 % sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011 në Kosovë, pa katër komunat e veriut – Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviçin e Zubin-Potokun, ku serbët e refuzuan regjistrimin. Në Kosovë nga gjithësej 38 komuna, 27 me shumicë shqiptare, 10 me shumicë serbe e 1 turke/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PPRISHTINË, 28 Mars 2018/ Në një tubim të serbëve, të sapombajtur sot në veri të Mitrovicës, të këshilltarëve serbë të 10 komunave kosovare ku e bëjnë shumicën e banorëve e përfaqësuesve tjerë, u paralajmërua formimi nga vetë ata i Bashkësisë-Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë në 20 prill, pas 5 vjetësh të Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të nënshkruar në Bruksel.
“Nëse Prishtina nuk do jetë e gatshme që në tre javët e ardhëshme të fillojë punën për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, komunat serbe dhe institucionet do fillojnë vetë formimin e Bashkësisë, trupave dhe institucioneve të saj”, thuhet mes tjerash në konkluzionet e miratura.
Para pesë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohej nga opozita kosovare.
Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja” theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në raundin e 30-të, të fundit kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016, ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe atëherë kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Në 23 mars 2018 presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, vijuan bisedimet në Bruksel me lehtësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht ka takuar ndaras krerët e dy shteteve para takimit trilateral, ku është biseduar edh për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas takimit, thuhej se diskutimet u zhvilluan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe “përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.
Presidentët shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të grupeve punuese të mbajtura në Bruksel.
“Përfaqësuesja e lartë Mogherini theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pastaj zbatimin e marrëveshjes për energjisë dhe përfundimin e punimeve për rivitalizimin e Urës mbi Ibër në Mitrovicë”, thuhej në deklaratën, të cilën e ka bërë publike zëdhënësja Kocijançiç.Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka rikujtuar se përparimi i të dyja vendeve në axhendat e tyre integruese në BE është i lidhur fortë me përparimet në dialog.Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Pas takimit presidencial në Bruksel, në Prishtinë në 26 mars 2018 krerët e shtetit të Kosovës në një takim të përbashkët kanë biseduar për zhvillimet aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili, siç u tha, do të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obligative në mes të dy shteteve.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, si dhe kryeministrin Ramush Haradinajn.Ata u pajtuan që dialogu i Kosovës me Serbinë është interes nacional i Kosovës, që duhet të bashkojë të gjithë spektrin politik të Kosovës.
Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në të njëjtën ditë, në 26 mars, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur pasdite në një takim të përbashkët ambasadorin e SHBA-së, Greg Delaëie, atë të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadorin e Francës, Didier Chabert, atë të Italisë, Piero Cristoforo Sardi, shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, si dhe Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionittë komunave me shumicë serbe.“Kosova zotohet dhe do të jetë e përgjegjshme në funksionalizimin e Grupit Punues, që do të fillojë punën në draftimin e Statutit të Asociacionit”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën, me ligjet e Kosovës dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.Ambasadorët ndërkombëtarë theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale në realizimin e këtij obligimi që Kosova ka marrë në Bruksel.Në 27 mars 2018, pas një takimi në Beogard me presidentin e Serbisë Alaksandar Vuçiç, Lista Serbe deklaroi se del nga qeveria e Kosovës, ndërsa 10 komunat me shumicë serbe do formojnë në 20 prill Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë.Lista Serbe ka grupin parlamentar prej 10 deputetësh në Kuvend e kishte 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve edhe zëvendëskryeministër. Një nga deputetët në këtë grup parlamentar është goran, i cili në momentin e fundit e fundit shkoi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës dhe votoi pro ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi duke siguruar edhe votën e 80 të duhur për ta kaluar me dy të tretat e parlamentit 120 anëtarësh, derisa Lista Serbe nuk mori fare pjesë në seancë.Në Kuvendin e Kosovës është edhe një deputet serb – nga Partia Liberale Serbe, i cili është pa grup parlamentar dhe edhe para votimit u deklaruar pro ratifiimit të demarkacionit.Maxhoranca në Kuvendin e Kosovës, bashkë me grupin parlamentar të Listës Serbe, kishte gjithësej 61 deputetë – vetëm një më shumë se gjysmën, e pas kalimit të një deputje të LVV në AAK arriti të ketë 62 deputetë. Tash pa Listën Serbe koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.
Vite më parë, në 2015-tën, përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvend dhe në qeverinë e Kosovës bojkotonin rreth tre muaj, prej 3 shkurtit, kur kryeministri Kosovar atëherë Isa Mustafa shkarkoi ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, pasi deklarata e tij ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira” shkaktoi shumë reagime dhe protesta, madje edhe të dhunëshme.Kosova ka gjithësej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special tëOKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.