Sipas kronikave të publikuara nga “Gazeta e Korçës” më 1920/
Nga Vepror Hasani/
KORÇË- “Ishte dit’ e dielë, 22 tetor 1916, shkruante “Gazeta e Korçës”, një dëborë kishte zbardhur tërë faqen e kazasë së Korçës, kur pasdarke hyri në Korçë ushtria franceze. Ishte i pari regjiment i kalorësve të gjatorëve të Afrikës, nën komandën e kolonel De Burnazel, i cili pasi zaptoi gjysmën e katundarisë, (bashkisë së Korçës), dhe vuri karakoll atje, deklaroi që erdhi të shkelë Korçën në emër të kryekomandantit të ushtrisë aleate dhe urdhëroi komandarë dhe prefektin grek të Korçës të xbrazin qytetnë, dyke larguar ushtrinë, (të 42 regjiment grek), si dhe xhandarmërinë, mbretëroren, drejtim për në Janinë; të paktët ushtarë venizelistë mund të drejtoheshin për në Selanik ose mund të rrinin të prisnin në Korçë. Sa për nëpunësit grekër, mbretërorë, komandanti frëng pas udhëheqjet e Venizelos ndaloi për të ikur në Athinë dyke pandehur që do shtrëngoheshin të ktheheshin venizelistë dhe të mbeteshin në Korçë; po u gënjye. Kështu u ngrys e diela e 22 tetorit 1916 dhe populli i Korçës e kuptoi që qeveria greke po ngriheshe megjithsej nga Korça, dhe çështja ishte, çfarë lloj qeverie do ta zinte vendin e saj. Ca thoshin që vijnë venizelistët, të tjerë, që do ta marrin qeverinë shqiptarët, ca që do të vijnë italianët, dhe ca të tjerë, ata më të dalldisurit, thoshin që do të vinë austro-bullgarët për të përzënë francezët nga Korça. Por që të gjithë më një mendje ishin, që: me ardhjen të ushtrisë franceze në Korçë, arriti dhe lufta evropiane këtu, dhe që më parë ose pastaj, bombat e aeroplanëve, gjylet e topave, dhe plumbat e fishekët do të binin mbi çatitë të Korçës ose fshatrave të saj. Me një fjalë, Korça ndodheshe në rrezik, buzë prishjes; gjë e tmerruar dhe e keqe për të gjithë po thua, po jo dhe për ata të paktit që kuptonin nevojat ushtarake dhe kishin hyrë brenda në të fshehtat të politikës ballkanike dhe më tepër shqiptare”. Kështu shkruante “Gazeta e Korçës”, e datës 16 nëntor 1920 dhe e ditëve në vijim, e cila po i sillte ngjarjet e vitit 1916 në formën e kujtimeve. Autoritetet mbretërore greke të Korçës, dyke kuptuar që prej kohe të ardhurit e afërm të francezëve, kishin marrë tërë masat e duhura që me kohë. Një javë më parë zunë të heqin ushtrinë nga kufijtë perëndimore në qytet. Shitnë tërë të ngrënat e ushtrisë, dërguan arshivat dhe çdo send me vleftë në Janinë dhe po prisnin me duar kryq francezët; kështu që kur erdhë këta dhe urdhëruan për të xbrazur Korçën, ata më 24 orë e sipër ngarkuan plaçkat që u kishin mbetur dhe me ushtrinë xhandarme përpara, muarë udhën e Kolonjës, Janinës. Të gjithë pothuaj, Korçarët e krishterë të rekrutuar në ushtrinë greke të Korçës, u xhveshnë dhe mbetnë në Korçë se kaq (shumë) u ishte mërzitur greqizma”.
USHTRIA MBRETËRORE NGARKON PLAÇKAT
“Me të lënët të kufijve prej ushtrisë greke, çetat shqiptare po pregatiteshin të zaptonin vendet e zbrazura për të afruar (kapur) Korçën, ku dhe të hynin bashkë me austro-bullgarët, vijon me rrëfimin e saj gazeta në fjalë të cilin po e rendisim më poshtë të plotë. Kësisoj, kur më 24 tetor 1916, i fundit ushtar grek kishte ikur, nga ura e Maliqit dhe nga tërë fshatrat e fushës së Korçës, Themistokli Gërmenji atë ditë, vet’ i dytë niset që nga Pojani dhe i bie përmes fushës së Korçës nga Pendavini, Tërova, Orman-Çiflig, Bulgarec, dhe xhadesë del në Maliq, dyke lajmëruar kudo popullin, që e shkeli vendin në emër të Shqipërisë. Gjithë atë ditë, një patrullë prej 25 kalorës francezë hynë për të parën herë nga mal’ i Moravës në Korçë për të kthyer prapë pas 3 orë andej nga ardhë. Mbrëmanet të asaj dite, 24 tetor, Themistokli Gërmenji niset nga ura e Maliqit, ku ndodheshin bullgarët, vet i katërt dhe hyn më ora 10 allafranga fshehurazi në Korçë për të pregatitur ardhjen e tij të afërme dhe zyrtare në qytetin e vet, dhe në mes të natës kthehet prapë për në Maliq. Kështu Korça, të hënë, më 23 tetor 1916, përnjëherësh dhe pa dyfeg u zbraz prej grekëve dhe mbeti e lirë e pa qeveri. Atëherë, Gaqi Th. Viso, në emrin e patriotëve shqiptarë korçarë çfaqet përpara Efrim Gjinit, të cilin e njihte fort mirë dyke me patur kaq herë më parë udhëtuar së bashku në Maliq dhe Leshnicë për të hasur me Themistoklinë, dhe e pyet në do t’i kundërshtoheshe të ngriturit të flamurit shqiptar dhe formimit të një qeverie shqiptare, posa që e quan vehten e tij shqiptar dhe i kishte dhënë fjalën Themistokliut që do të punonte për Shqipëri!”
TENTON ARDHJEN USHTRIA VENIZELISTE
“Efrem Gjini nuk pati guximin të përgjigjet dreq, po i shtiri sytë Gaqit, lojti supet dhe dyke nënqeshur i thotë: E pa të shohim; po francezët janë aleatët e Venizellos dhe nuk e njohin Korçën për Shqipëri. Po kur Gaqi e kundërshtoi, që vetë oficerët francezë me të hyrë në Korçë thanë që po shkelnin në vend të Shqipërisë, Efremi u zemërua, kthehu krahët dhe u largua. Që atë orë çoi letër në Kostur dhe Follorinë, ku kërkoi që të dërgonin një orë e më parë ushtri venizeliste për të mbrojtur kufijtë dhe për të formuar një qeveri venizeliste në Korçë; u çkoqitte edhe në letër që populli i Korçës është gjoja gati të bashkoheshe me këtë ushtri dhe me francezët për të goditur dhe prapsur çetat shqiptare. Po gjer sa letra të arrinte në vend dhe të vinte ushtria e kërkuar, komandari frëng ishte i detyruar me ushtrinë e tij të mbroheshe nga armiku dhe të na mbante qetësinë e vendit. Se sido që prefekti grek i mbretërisë mbeti në Korçë dhe pak ditë, po nuku vështronte asnjë detyrë se me mos patur më fuqi dhe të tjerët nëpunës mbretëristë sa nuk ikën dot në Janinë, i mbylli frëngu në arraba dhe i dërgoi në Selanik. Të katër ditët e para, 22-26 nëntor, sa ishte vetëm ushtria franceze në Korçë, populli i këtushëm u suall fisnik kundreq kësaj ushtrie dhe nuku i solli as nonjë ndalim në veprimin e detyrave ushtarake të saja. Kalorës francezë dilnin patrullë udhës së Maliqit dhe përpiqeshin (përballeshin) me kalorës bullgarë; çkrehnin ca dyfegje dhe largoheshin; fshatarët tanë as ruheshin, po bënin sehir. Po fillimi i të mbledhurit e një ushtrie venizeliste me formë andarësh në Korçë nga ana e francezëve dhe hajdutllëket e të vetëquajturit oficerit Konduli, si dhe kërkimi i patriotëve shqiptarë të Korçës që ditët e para nga koloneli francez për formimin e një qeverimi shqiptar dhe ndalimi i këtij, si dhe të kapërcyerit e kufijve të vjetra prej çetave shqiptare, të gjitha këto ngjarje shkaktuan përnjëherësh një lëvizje dhe një paqetësi midis popullit, i cili zuri të marrë masat për shpëtimin dhe mbrojtjen e tij”.
VENIZELISTËT NË VOSKOPOJË, SI DHËNDRI TE VJEHRRA
“E ardhura më 26 nëntor 1916 e ushtrisë venizeliste prej 120 vetash nga ana e Moravës, xhadeja e Bilishtit, bëri më të ligën përshtypje në Korçë. Hyrja (u bë) nga fshatrat e krishterë afër kufijve, për të kuptur gjendjen e këtushme, dhe kur panë kavalerinë franceze që nuk përparonte nga Korça përveçse gjer në lumi i Dunavecit dhe ushtrinë venizeliste të pakët dhe të handakosur, (të krishterët) ishin gati të ktheheshin prapë në fshatrat e tyre për të ngritur flamurin e Shqipërisë dhe për të pritur miqësisht çetat shqiptare, të cilat duhet kuptuar, nuk kishin as nonjë qëllim të lig kundër ndenjësve vëllezër. Por, të vetëquajturit kryetarë venizelistë të Korçës, i trembnë dhe i gënjyen fshatarët e krishterë. Ju dhanë nga një barrë armë, i urdhëruan të kthehen prapë në vend për të luftuar çetat shqiptare dhe i siguruan gjoja, se një ushtri e shumtë venizeliste dhe franceze me topa dhe mitraloza dhe një tufë prej andarësh do t’u vinte për ndihmë
Po i gënjyen dhe i morën në qafë. Dërguan ndo 20 ushtarë në Panarit, aq të tjerë në Marjan dhe kusuri ndo 100 venizelistë vajtën në Voskopojë, ku ia shtruan si dhendri të vjehrra! As top, as mitraloz nuk u duk gjëkundi. Çetat shqiptare në përparimin e tyre xbuluan lehtë venizelistët e Panaritit dhe Marjanit, të cilët dyke kthyer nuku harruan të ngrehin dhe tërë fshatrat e krishterë të asaj ane për të shpëtuar, po gjetën kundërshtim në Voskopojë, ku venizelistet kishin mvarur tërë shpresat e mbrojtjes dhe të fitimit të luftës”
VENIZELISTËT TË DEHURA NGA MISHI DHE VERA
“Sali Butka, komandar i çetave shqiptare të Oparit lajmëroi voskopojarët të përzënë venizelistët dhe të grehin flamurin kombëtar, duke u zotuar që asnjë njeri nuk do të pësonte gjësendi. Por voskopojarët me venizelistët të dehur nga vera dhe qejfet u kthyen dyfek shqiptarëve, të cilët,(shqiptarët), për të ruajtur nderë e armëve, bënë hyrysh dhe i ranë Voskopojës (29 nëntor 1916), ndenjësit e së cilës si panë rreziknë mbi kokë ngritnë nga pak plaçkë dhe muar udhën e Korçës. Ushtarët francezë, të cilët nuk e kishin gjetur për të mbarë të vinin për të luftur në Voskopojë, kishin dalë në Gjonomadh dhe prisnin atje muhaxhirët e Voskopojës dhe i dërguan në Korçë. Dhe si mbaruan këtë detyrë u kthyen prapë në qytet pa zbrazur asnjë dyfek. Është për të treguar që Sali Butka u rrëfye fisnik në luftën e Voskopojës se nuku la të trazoheshe asnjë grua, asnjë fëmijë, po me të plasur dyfeku u lëshoi të lirë udhën e Korçës. Gjithë kështu u suall dhe për ata burra që dorëzuan armët dhe nuk kundërshtuan. Pas luftës së Voskopojës ushtria venizeliste pa shënuar (fitore) dhe me kokën unjur u kthye në Korçë. Sali Butka me çetat e tij zaptoi tërë fshatrat në jugperëndim të Korçës gjer në Boboshticë pa bërë dëm asgjëkundi
Nga ana e Maliqit, gjithë ato ditë, Themistokli Gërmenji me shokët e tij që formonin një ushtri prej 800 vetash të armatosur zaptoi teqenë e Melçanit ( e cila ishte në përkrahje të çetave shqiptare), ku ngriti flamurin e Shqipërisë dhe ardhi gjer në Vashtmi dhe Dunavec. Atëherë Themistokliu shkrojti tekstin e letrës së parë, të cilën ia dërgoi Sali Butkës për të nënshkruar, dhe i cili pastaj nga ana e tij ia çoi kumandarit francez në Korçë”
LETRA DËRGUAR FRANCEZVE
“Në përmbajtjen e asaj letre i kujtoheshe ( i vinin në dukje) komandarit frëng se pas traktatit të Konferencës së Londrës, të nënshkruar dhe prej përfaqësonjësit frëng, se kaza e Korçës bën pjesë të pandarë të shtetit Shqiptar, dhe se pas atij vendimi nuk duheshe të harronte se ushtria e tij kishte shkelur në tokë shqiptare. Prandaj, mbi bazën e këtij akti ndërkombëtar të parrëzuar me ndonjë vendim tjetër, i kërkoheshe në letër që të përzinte ushtrinë greke dhe andartët nga kaza e Korçës dhe të mos ndalonte të ngriturit të flamurit shqiptar dhe të formuarit e një qeverie shqiptare në Korçë. E përmbushura e këtyre kërkimeve do të kishte për çpërblim zotimin e shqiptarëve të mos goditnin Korçën dhe liriveprimi në veprimet dhe lëvizjet të ushtrisë frënge kondra austro-bullgarëve
Komandari freng i atëhershëm, leitant kolonel De Burnazel e mori ndër sy këtë letër dhe pasi e çoi në kryegjenerali Sarrail në Selanik, i ktheu përgjigjen Sali Butkës me një letër në gjuhën shqipe, ku i shkruante se nevojat ushtarake e suallë në këto vise e jo për të lëftuar me shqiptarët, kundra të cilëve nuk kishin as ndonjë armiqësi, por për të lëftuar kundër austro-hungarezëve që kishin arrirë në këtë qark, dhe kërkonte të kishte udhën hapur në lëvizjet e tij ushtarake, se tjatër soj do të quante atë si gjithë çetat shqiptare, si çeta hajdutësh dhe do silleshe kundreq tyre pa mëshirë e pa marrë ndër sy nomin (ligjin) ndërkombëtar të luftës”.
TË PËRZËMË EDHE FRANCEZËT!
“Ishte ditë e premte, 3 nëntor 1916, kur e mori vesh populli i Korçës dërgimin e letrës të Sali Butkës në kolonel De Burnazel, si dhe të një letre tjatër në Dhespoti dhe Katundari (bashki) dhe me që u kuptua se frëngjit nuk kishin ndërmend të sillnin fuqi të tjera e as që të linin të ngriturit të flamurit shqiptar, po përkundrazi po bënin tabje (plane) dhe mure më të dalë të udhëve nga perëndimi i qytetit, me qëllim, sheshazi, që të kishte ku të mbaheshe ushtria frënge e të lëftonte po ta deshte nevoja brenda në udhët e Korçës më ndonjë goditje eventuale nga an’ e shqiptarëve; vendosi në mendjen e tij populli i Korçës që t’i binin Korçës për të përzënë francezët dhe venizelistët. Dhe për të mos u dhënë kohë francezëve të forcohen edhe më tepër, u përhap vet-vetiu atë ditë midis popullit, që çetat shqiptare do të hynin në Korçë të nesërmen, të shtunë, në mes të ditës. Të gjitha këto të pandehura që mund të ngjisnin i futnë në mejtim të thellë gjithë korçarët e më tepër tregtarët, të cilët u mblodhë atë ditë pasdarke për të çkëmbyer mejtime mbi gjendjen e rrezikshme, në zyrë të klubit tregtar. Në këtë mbledhje, pasi foli si cilido mentimin e vet dhe pasi u dëgjuan dy tregtarë të dëgjuar, njëri prej Themistokliut dhe tjatri prej Sali Butkës, për t’u treguar korçarëve udhën e shpëtimit që duheshe nisur, dhe pasi u bisedua gjer’ e gjatë mbi letrat e sipërshënuara dhe u muar ndër sy rreziku q’i mvaresh Korçës dhe fshatrave të saj, u vendos në atë mbledhje prej tërë tregtarëve që të ngriheshe flamuri shqiptar dhe të bëheshe lutje komandarit francez të mos ndalonte flamurin kombëtar, po të përzinte venizelistet dhe të mos godiste shqiptarët. U ngrit komisioni prej dy vetash e vajti në kumandari frances, në Katundari, (bashki), që i njoftuan vendimin e sipërshënuar të mbledhjes së tregtarëve. Në fund të kësaj mbledhjeje u vendos që atë mbrëma të vinin të gjithë në Mitropoli për të paraqitur këto vendime përpara dhespotit dhe përfaqësonjësit të qeverisë venizeliste z. Argjiropulos që do të arrinte atë mbrëma nga Selaniku. U lajmërua edhe populli që të ndodheshe atë mbrëma në Mitropoli”
DHESPOTIT MASHTRON BESIMTARËT
“Atë mbrëma, më ora 9, të dy patomat e Mitropolisë ishin mbushur plot njerëz, në të sipërmen ndodheshe dhespoti Argjiropulli dhe tërë parajsa e Korçës. Argjiropuli si përfaqësonjës i qeverisë venizeliste në Korçë i kishte marrë vesh tërë lëvizjet e shqiptarëve dhe e kishte shkuar ndërmend që mund këta ta fitonin Korçën me që ishin një shumicë e madhe dhe përkraheshin prej tërë popullit dhe mbaso në zemrën e tij deshte që të linte të lirë shqiptarët të ngrinin flamurin kombëtar dhe të formonin një qeveri të tyre, po detyra e tij si përfaqësonjës i qeverisë e ndalonte nga kësilloj vepër fisnike dhe vendosi që të mbajë lart autoritetin e Greqisë në Korçë dhe të prapsë çfardo paramendim tjatër. Prandaj në këtë mbledhje në Mitropoli, Argjiropuli e mori vetë fjalën dhe e mbajti pa reshtur që në krye e në fund, dyke mos lënë asnjeri tjatër të flasë; dhe në iu kundërshtuan ca të pakët, ay u priste fjalën dhe i ndalonte të zgjateshin më tepër. Nga tërë fjalimi i tij u kuptua që ay ishte i mendjes të forcoheshe qeveria e ushtria venizeliste në Korçë dhe së bashku me francezët t’u bënte ballë dhe çetave shqiptare. Siguroi dhe popullin me fjalët, të ishte i qetë, të mos kishte frikë dhe të mos ikte nga Korça
Kështu u përndanë të gjithë dhe vajtnë nëpër shtëpitë të frikësuar tepër dhe të menduar se ç’më të keqe do të sillte e nesërmja kur të hynte më drekë Sali Butka në Korçë se ky mendim nuk i hiqeshe popullit nga mendja”
ALARMOHEN VENIZELISTËT
“U gdhi e shtunë, 4 nëntor 1916, ditë pazari. Pazarakë nuk kishte shumë, po pazari ishte mbushur mjaft me bereqet dhe dyqanet tërë ishin të hapura. Më drekëherë tamam, kur tërë çarshia kishte rënë pas blerkave dhe shitkave, mjafton e përfolura e një tregtari me një myshteri dhe përhapja në tërë tregun se ardhi Sali Butka, përnjëherësh gjithë tregtarët lanë mallë në shesh e dyqanet e hapura dhe muarë të rendur me të katra lart nga Varoshi
Që atë minutë, dhe posi elektrik u përhap paniku në gjithë Varoshë (lagjet ortodokse) dhe gratë me të vegjlit në duar dhe fëmijën zbathur, lanë shtëpitë dhe muar të ikur lart nga vreshtat. Udhët e Korçës u mbushnë plot burra, gra dhe fëmijë dhe të gjithë po iknin me nxitim pa mos ditur se ku do vinin, po largoheshin ashtu si ca të marrë, dyke lënë prapa tërë gjënë e mallë nga frika e madhe që u kishte hyrë për zemre. Dhe nuk dihet sa prishje e madhe do të ngjiste po të mos ishin ndodhur ca të mençëm, të cilët rendë për të qetësuar dhe siguruar popullin të ktheheshe prapë në dyqane ose në shtëpi se nuk kish gjësendi. Kjo e ikur e këtij paniku mbajti një të katërtën të orës dhe lebetija ishte kaq e madhe sa më pastaj po të dëgjoheshe fjala “ardhë, ardhë” i dridheshe zemra sicilido, se kaq u kishte hyrë frika për palcë. Policia venizeliste burgosi atë ditë mjaft shqiptarë, dyke pandehur këta për shkaktarët e panikut. Po me të kuptuar që kësilloj me mënyra të rrepta e të padrejta nuk do t’u delnin për mirë, i lëshuan prapë. Se edhe patriotët shqiptarë nuk rrinin me duar kryq; zunë t’u afroheshin francezëve dhe të njiheshin me ata drejtpërdrejt dhe përgatitnë për në komandari francez një shkresë, e cila përnjëherësh u mbush me nënshkrime ku i kërkonin të përzënit e venizelisteve dhe të çpallurit e vetëqeverimit shqiptar në Korçë.”
HARROHEN ARMIQËSITË E VJETRA
“Tërë këto ngjarje dhe ndryshime të papandehura që po zhvilloheshin me shpejtësi njëra pas tjatrës e bënë popullin e Korçës të paqetë dhe të pashtruar në punërat vetiake. Përveç shumicës së fshatrave kufizore, zunë po vinin në Korçë edhe shumë ndenjës nga fshatrat e fushës me gjithë bagëti, drith etj. Tregtarët nga frika se mos me rastin e parë prisheshe çarshia, zunë po ngrinin tërë sendet e vyera nga dyqanet dhe i ngjitnin nëpër shtëpitë në Varosh. Po edhe Varoshi edhe Kasabaja dyke mos ditur se ç’të papandehura mund të sillte e nesërmja zunë po merrnin tërë masat për çdo prishje eventuale. Siclido pas gjykimit të tij, kishte vendosur ose pregatitur për të vendosur plaçkat e vyera më ndonjë shqiptar ose grekoman. Shumë veta nuk flinin në shtëpitë e tyre dhe shumë familje dyke mos ditur ç’mund të pillte nata mblidheshin me radhë shtëpi më shtëpi për të gdhirë natën së bashku dhe për të dhënë gajret njëri-tjatrit. Tërë këto frikëra nga rreziku që mvaresh mbi kryet, tërë këto masa dhe lëvizje për të siguruar jetën dhe për lëvizje për të shpëtuar kamjen nga prishja, e bënë popullin e Korçës të harrojë armiqësitë e vjetra, të afrohen njëri me tjatrin pa ndryshim ndjenje për të shpëtuar nga çdo e keqe që mund të vinte nga ndonjë anë dhe kështu pakë nga pak të bëhet vetvetiu një bashkim i papandehur midis të gjithëve”
DHESPOTI IKËN NATËN, VENIZELISTËT ËNDËRROJNË…
“Në mes të këtyre trazirave, dhespoti i atëhershëm i Korçës që përgjigjeshe me emrin Gjermanos, si kondravenizelist që ishte, me dijen e Argjiropulit ngarkoi një natë plaçkat dhe natën tjatër la Korçën fshehurazi dhe mori udhën për në Athinë. Pas tij zunë të shkojnë dhe ca të tjerë, dhe mjaft familje po përgatiteshin për të larguar përkohësisht nga Korça. Po të mos ishin ndaluar nga Argjiropuli, i cili i siguroi që të mos kenë frikë dhe u zotua se për pak ditë do të shtrëngonin çetat shqiptare për t’i prapsur. Për të dhënë prova të vërteta me fuqinë e qeverisë venizeliste, Argjiropuli, kurdisi dhe zyrat e ndryshme të Prefekturës së Korçës. Vetë ay si përfaqësonjës i qeverisë, mori kryesinë dhe qeverimin mbi tërë zyrat e Korçës dhe emëroi nëpunës të rinj në Prefekturë, në Polici në Gjykatë, në Financë etj, dyke caktuar rroga të mëdha për të qasur njerëz me vehte. Deshte që në krye të formonte një komision prej 12 vetash për të qeverisur bashkë me të, po përveç dy vetave, të tjerët korçarë q’u proponuan nuk u afruan fare. Por, për të dhënë prova më të çquara mbi të forcuarit dhe të shënuarit venizelistë në Korçë, dhe për të ngritur moralë e popullit, kryetarët venizelistë të Korçës së bashku me komandarë francezë vendosnë që të goditnin çetat shqiptare. Më 7 nëntor pra, ca ushtarë venizelistë së bashku me andarë dhe kalorës francezë me dy topa të mushkave, u nisnë që në mëngjes kundreq Melçanit. Vajtnë gjer nga Dunaveci, shtinë ca dyfegje dhe gjyle, po si s’gjetnë kundërshtim të fortë nga ana e Themistokliut u kthyen prapë në Korçë, pa fituar asgjë”
VENIZELISTËT U SERVILOSEN FRANCEZËVE
“Më 8 nëntor, ditën e “Shën Mërtirit” u kremtua në Korçë fitimi i luftës së francezve në ballë (front) të Manastirit. Kryetarët venizelistë të Korçës e lusën atë ditë me një bujë të patreguar për të bërë rekllamë të madhe, u ranë kambanave dhe përpara drekës u bë një falje në kishën e “Shën Gjergjit”, ku muarrën pjesë përveç zyrtarëve francezë dhe venizelistë dhe një shumicë e madhe prej shqiptarësh. Si doli nga kisha, komandari francez me ca të tjerë të vetëqojtur kryetarë korçarë, vajtën në Katundarie, nga ballkoni i së cilës manifestuan… (gazeta e dëmtuar nuk lexohet), por kuptohet se është folur për greqishten dhe shkollat greke. Ndërsa më pas vijon: Prej Efrimit me shokët e tij, këta deshnin të tregonin atë ditë që populli i Korçës ishte thjesht venizelist; që simpathiste aleatët dhe veçanërisht francezët; që gjeromano-bullgarët ishin thyer megjithsej në ballën e Manastirit; që qeveria venizeliste do të zinte rrënjë në Korçë, dhe përhapnë një fjalë që gjoja çetat shqiptare do të përndaheshin për pakë ditë. Po edhe këtë lodrë venizeliste s’e fituan dot, se asnjëri prej popullit të Korçës nuk mori anën në atë manifestasion udhëve, po vetëm fëmijët e vegjël, çuna dhe goca të shkollave të tyre, (greke), të cilët i gënjyen me ca llokume dhe me nga ca flamurë të vegjël prej greku. Ishte pregatitur të mbaheshe dhe një fjalë panagjirike nga ballkoni i Katundarisë me rastin e këtij fitimi të armëve aleate, por edhe oratori, sido që frakofil i flaktë, kur e pa që populli nuku u bashkua në këtë kremtim me venizelistet, hoqi dorë nga të mbajturit e fjalës”
VENIZELISTË DHE FRANCEZË BËHEN BASHKË
“Argjiropuli dhe të katër kryetarët venizelistë të Korçës, dyke parë që nuku ishte e mundur ta fitonin popullin me vehte me politikë, me gënjeshtra dhe me të taksura të mëdha, pregatitnë bashkë me komandarë francezë një goditje tjatër kondra çetave shqiptare, dyke pandehur se këtë radhë do t’i thyenin dhe do t’i largonin nga fusha e Korçës dhe do të prapsnin rrezikun. U nisën pra, më 10 nëntor 1916 pa gdhirë, ushtria e tërë venizeliste nja 200 veta bashkë me francezët dhe topa të mushkave në drejtim, këtë radhë të Boboshticës. U bë dyfek i fortë, topi kërciti tri orë pareshtur, po shqiptarët, sido pa top, u kundërshtuan burrërisht dhe nuk lanë asnjë pëllëmbë vend. Venizelistët, sido që humbnë dhe këtë luftën e Boboshticës, prapë nuk vunë mend; në vend që të mblidhnin bishtin dhe të shkonin andej nga ardhë, ata po mblidhnin edhe të tjerë shokë dhe pregatitnin tjatër goditje kundër shqiptarëve”.
FLAMURI VALONTE MBI TEQENË E MELÇANIT
“Kështu, më 13 nëntor nisnë përsëri tërë ushtrinë venizeliste për mbi 400 këtë radhë, bashkë me ushtrinë franceze dhe me topa, udhës së Maliqit kondra çetave shqiptare të komandura prej Themistokli Grëmenjit. Kjo është më e madhja luftë midis franko-grekëve më një anë, dhe çetave shqiptare më tjatër anë.
Venizelistët me francezët, siç kapërcyen lumin e Dunavecit afër Bulgarecit, bënë yrysh për mbi Vashtiminë, të mbrojtur prej një tok të vogël shqiptarësh, të cilët e zaptuan dhe vunë zjarrë më shumë shtëpi. Lufta u ndez që në ura e Turanit gjer afër Pocestës. Që nga Korça dukeshin gjylet kur binin mbi Lumalas dhe mbi Teqenë e Melçanit, mitralozat dhe dyfegjet punonin pa reshtur. Venizelistët bënë sulme mbi sulme dhe u pandye njëherë se shqiptarët u thyen, po nuku ishte kështu, se këtu u prapsën sa pak nga mesi, si ay rrethi prej llastiku’ po jo që të çpohet dhe të këputet fronti. Themistokliu tërë atë ditë, hipur mbi kalë, vizitonte nën breshëri të plumbave frontin, dyke dhënë urdhër ku të mbahen e ku të prapsen, dhe dyke dhënë kurajo shokëve të tij, për të mos kursyer gjësendi dhe për të mbrojtur flamurin kombëtar që valonte mbi Teqenë e Melçanit. Dhe me të vërtetë shqiptarët nuk u tundnë, por i nderuan armët. Mbrëmanet venizelistët me humbje të mëdha dhe pa ndonjë fitim u kthyen prapë, dyke sjellë ngarkuar dhe trupnë të një kapedani të tyre të vrarë” Kështu e përfundon rrëfimin e saj, Gazeta e Korçës, e cila ngjarjet e asaj kohe i ka sjellë në formën e kujtimeve”
Përgatiti Vepror hasani
(Shënim: Materiali i mësipërm u referohet kronikave të datave 16, 20, 24 dhe 28 nëntor si dhe kronikave të datave 1, 4 , 11 dhe 18 dhjetor të vitit 1920. Titulli në origjinal: “Kujtime historike të Korçës”. Nëntitujt janë vendosur nga ana jonë V.H)
10 dhjetor 1916 shpallet krahina autonome e Korçës
Anëtarë të Këshillit Qeveritar u zgjodhën 14 veta: 7 myslimanë dhe 7 ortodoksë
1. Shaqir Shabani, 2. Tefik Rushiti, 3. Hysen Dishnica, 4. Emin Rakipi, 5. Qani Dishnica,, 6. Sali Babani, 7. Haki Shemshedini
1. Vasil Singjello, 2. Kostandin Noçka, 3. Rafail Avrami, 4. Nikolla Evangjeli, 5. Eftim Cale, 6. Vasil Kondi, 7. Llambo Mborja
Përveç këtyre u zgjodh dhe z. Petro Harizi Sekretar i Përgjithshëm
Kryetar i Këshillit Qeveritar u zgjodh Tefik Rushiti
Nënkryetar z. Cale
(Gazeta “Adriatiku”, 12 dhjetor 1916)
Protokolli i nënshkruar nga dy palët
“I. Në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar të shprehur nëpërmjet delegatëve të tij, kazaja e Korçës me rrethet e varura prej saj të Bilishtit, të Kolonjës, të Oparit dhe të Gorës formohet si krahinë autonome e administratës nga njerëz shqiptarë nën mbrojtjen e pushtimit ushtarak francez
II. Administrata e kazasë i besohet një këshilli prej 14 anëtarësh, gjysma të krishterë dhe gjysma myslimanë. Ky këshill ngarkohet: 1) me studimin e të gjitha masave të nevojshme për një administrim të mirë të kazasë së Korçës dhe të rretheve të varura prej saj. 2) me kontrollin e funksionimit të të gjitha shërbimeve publike.
III. Këshilli do t’i parashtrojë për miratim pushtetit ushtarak francez emrat e titullarve të nëpunësive të ndryshme. Emërtimet për këto nëpunësira do të bëhen nga pushteti ushtarak francez
IV. Do të krijohet nën autoritetin e një prefekti policie një trup xhandarmërie-policie me detyrën e ruajtjes së rendit të brendshëm.
V. Do të krijohet një trupë “xhandarmërie e lëvizshme shqiptare” me detyrën që të ruajë pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve të saj
VI. Do të mund të krijohen gjithashtu, për të njëjtin qëllim, njësi të rregullta vullnetarësh, efektivi i të cilave do të varet nga rrethanat dhe nga kreditë e disponueshme
VII. Kur do të urdhërohen të veprojnë forcat e policisë, gjendarmëria lëvizëse dhe trupat e vullnetarve do të jenë nën autoritetin e epërm të oficerit francez, që është komandant i rrethit të Korçës
VIII. Gjuha Zyrtare do të jetë shqipja
IX. Flamuri i kazasë së Korçës do të jetë flamuri tradicional i skënderbeut me shiritat tringjyrësh të flamurit francez.
Për autoritet ushtarke franceze; Kolonel Dekoen, komandant i sektorit të Korçës
Për popullin shqiptar, delegatët: Vasil Singjello, Kostandin Noçka, Rafail Avrami, Nikolla Evangjeli, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Eftim Cali, Vasil Kondi, Qani Dishnica, Sali Babani, Haki Shemshedini, Llambro Mborja
(AQSH, F.617 (Pref. e Korçës), D.14, fl. 1-2, përkthim nga origjinali në frëngjisht).
Marrë nga libri “Shqiptarët dhe francezët në Korçë, 1916-1920 i Muin Çamit
Përgatiti Vepror Hasani