-Përurohet libër faktografik për krimet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kohën e luftës, i autorit Dr. Salih Krasniqi/
-Prof. Dr. Ismet Salihu: Vrasjet, keqtrajtimet, mosdhënien e ndihmës mjekësore dhe krimet e tjera ndaj pacientëve dhe personalit mjekësor shqiptar i argumenton edhe Grupi amerikan për të drejtat e njeriut me seli në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kishte bërë në atë kohë hulumtimet në Kosovë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 17 Prill 2018/ Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, sot në Prishtinë, promovoi librin “Krimet dhe keqtrajtimet e pacientëve dhe personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga forca policore dhe ushtarake të Serbisë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999”, të autorit Dr. Salih Krasniqi.“Në këtë libër autori me fakte e prova të pakontestueshme, si dëshmitar okular, ia prezanton opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar krimet më mizore nga forcat policore dhe paramilitare serbe, edhe krimet e personelit mjekësor serb ndaj paciantëve dhe personelit mjekësor shqiptar”, tha Prof. Dr. Ismet Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe recensent i librit.
Ai shtoi se ky libër do të jetë një monument i përhershëm për të ruajtur në kujtesë sakrificat e shumta për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.“Vrasjet, keqtrajtimet, mosdhënien e ndihmës mjekësore dhe krimet e tjera ndaj pacientëve dhe personalit mjekësor shqiptar i argumenton edhe Grupi amerikan për të drejtat e njeriut me seli në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kishte bërë në atë kohë hulumtimet në Kosovë”, theksoi Salihu.
Recensenti tjetër, Prof. Dr. Azem Hajdari tha se libri posedon referenca dhe burime të rëndësishme përmes të cilave janë paraqitur në mënyrën më të besueshme të mundëshme nivele të dhunës serbe të ushtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe më gjerë.
“Konsideroj se përmes këtij libri monografik autori u ka bërë një shërbim të mirë, mbase të pazëvendësueshëm, edhe institucioneve të sistemit të drejtësisë penale, drejtësisë përgjithësisht”, u shpreh ai.Pjesëmarrës në përurimin në Bibliotekën Kombëtare, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi tha se libri i dokrorit që është personalitet i dyzuar, humanist dhe historian, është një histori me fakte që tregojnë se çka ka ndodhur në Kosovë.“Asnjëherë doktori nuk harroi të marrë shënime për ta bërë efektive dhe më të bindshme faktografinë për terrorin serb në Kosovë”, theksoi ai.Ndërsa vetë autori, Salih Krasniqi, shprehu besimin se ky libër i tij do jetë thirrje dhe rikujtues për vendorët dhe ndërkombëtarët, si dhe një apel që duke u bazuar në faktografitë që i kanë shkruar vetë serbët në Spitalin e Prishtinës të nriten padi për ato krime të kohës së luftës në Kosovë.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, gjatë luftës në Kosovë të përfunduar në qershor 1999, forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentonte më shumë se 6000 të zhdukur.