Nga Frank Shkreli/
Radio Vatikani njoftoi dje se Papa Françesku ka autorizuar botimin e dekretit përmes të cilit shpalli të “Lum Shërbëtorin i Hyjit, Vinçenc Prenushin, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë martirë, të vrarë ndërmjet viteve 1945-1974, gjatë regjimit komunist”. Radio Vatikani e cilëson 27 prillin, 2016 si një, “Ditë e shënuar për Kishën dhe për mbarë popullin. 38 martirët e parë shqiptarë, vrarë gjatë komunizmit, ndërmjet viteve 1945-1974, për të cilët prej vitesh ishte hapur çështja e kanonizimit kishtar, tani njihen nga Papa dhe Selia e Shenjtë të Lum”.
Listës së martirëve shqiptarë të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe tani të shpallur të Lum nga Papa Françesku, i prinë emri i Imzot Vinçenc Prenushit, dinjiteti kishtar i të cilit, “I kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës Shqiptare i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqsuesve të Kombit”, shkruante Profesor Dr. Arshi Pipa, një bashkvuajtës i Imzot Prenushit në burgun e Durrësit.
Të shpejta ishin edhe reagimet e udhëheqsve të lartë të politikës shqiptare ndaj njoftimit të Vatikanit, ndërkohë që në përgjithësi e vlerësuan vendimin e Papës për të dekretuar martirizimin e klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare të vrarë nga komunizmi, si “një krenari kombëtare për shqiptarët”. Një tjetër e cilësoi këtë ditë si “një ditë historike për mbarë kombin shqiptar” dhe dekreti i Papa Françeskut u karaketerizua nga një tjetër si një, “vendosje e një drejtësie të shumëpritur për vuajtjet e klerikëve dhe për torturat që ata kaluan në ferrin komunist”.
Krenari kombëtare për shqiptarët, ditë historike për mbarë kombin shqiptar dhe vendosje më në fund e një drejtësie të shumë pritur për klerikët e vuajtur e të vrarë të komunizmit! Kjo është përmbledhja e reagimeve të klasës politike shqiptare që kam parë deri tani në lidhje me njoftimin e djeshëm nga Vatikani. Shumë bukur. Këto reagime ndaj vendimit të Vatikanit do të ishin krejt normale, të mirëpritura dhe të natyrshme për përfaqsuesit politikë të një shteti siç është Shqipëria, nëqoftse gjatë 25-viteve të fundit do të kishin bërë atë që kanë bërë të gjitha ish-shtetet komuniste të Europës Lindore, duke njohur dhe duke denoncuar zyrtarisht krimet e diktaturës komuniste. Por jo, Shqipçëria nuk e ka bërë një gjë të tillë,
Duke i shpallë të Lum klerikët e Kishës Katolike Shqiptare, Vatikani shpalosi edhe njëherë para botës vuajtjet dhe vrasjet e këtyre 38-viktimave nga regjimi komunist enverist. Por është vet Shqipëria ajo që në mënyrëne vet duhet të kujtojë zyrtartarisht mijëra viktima të tjera të komunizmit, nga të gjitha profesionet dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Kjo nuk është detyrë e Vatikanit, por ashtu siç kanë bërë edhe vende të tjera europiane, mund dhe duhet t’a bëj vetëm qeveria dhe shteti shqiptar, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet, rezoluta të cilat bëjnë thirrje për dënimin e ish-regjimeve komuniste dhe për rivlersimin e historisë së komunizmit. Për më tepër, anë e mbanë Europës, vendet ish-komuniste kanë caktuar data të veçanta vjetore për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe jo vetëm në Europë por edhe në Amerikë dhe Kanada janë ndërtuar monumente në kujtim të tyre. Ndërsa Shqipëria jonë si asnjë vend tjetër, 25-vjet pas shembjes së komunizmit, jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për të ndëshkuar krimet e komunizmit, por ka propozuar nene kushtetuese për ndalimin përgjithmonë të hetimeve të këtyre të krimeve të komunizmit.
Si rrjedhim, reagimet e politikanëve shqiptarë ndaj vendimit të Papës për të shpallur të Lum klerikët shqiptarë, nëqoftse asgjë tjetër, atëherë venë në dukje përsëri, siç ka ndodhur shpesh gjatë këtij çerek shekulli post-komunizëm në Shqipëri se dallimet — midis qëndrimeve të klasës politike shqiptare të pas 1990-ës me botën tjetër të qytetëruar, përsa i përket krimeve të komunizmit – janë ndryshime të një rendi të lartë moral, politik dhe juridik, që duket se janë të papajtueshme.
Në njërën prej reagimeve nga Tirana thuhet se me njohjen nga Vatikani të këtyre viktimave të komunizmit në Shqipëri, më në fund, drejtësia e shumë pritur ndaj tyre u rivendos. Po nga kush u rievndos, nga Vatikani?! Vatikani nuk ka mundësi as jurisdikcion politik as juridik që të “rivendosë” drejtësinë ndaj viktimave të komunizmit në Shqipëri. Vatikani bëri atë që i takon për klerikët katolikë, por Papa Françesku nuk mund të merret me pandëshkueshmërinë dhe me vendosjen e drejtësisë për krimet e regjimit të Enver Hoxhës.
Këto viktima kanë qenë shqiptarë, përfaqsues të tre besimeve në Shqipëri, nga të gjitha udhët e jetës, viktima të një regjimi barbar shqiptar. Është detyra e juaj të nderuar politikanë shqiptarë që jo vetëm për hir të historisë, por edhe të përgjegjësisë morale personale tuajen dhe të moralit njerëzor në përgjithësi, të rivendosni drejtësinë ndaj këtyre viktimave dhe të denonconi dhe të ndëshkoni njëherë e mirë krimet e komunizmit. Të njihni dhe të kujtoni vuajtjet dhe viktimat e shumëta të atij regjimi, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste anë e mbanë Europës. Krimet shtetërore nevojitin një ndëshkim dhe drejtësi shtetërore!
Por jo, arroganca dhe hipokrizia politike dhe morale e kësaj klase politike që udhëheq Shqipërinë nuk pushon kurrë të habisë, ndërkohë që arrijti kulmin kohët e fundit. Në vend që të denoncojë zyrtarisht krimet e komunizmit ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste në Europë – qeveria shqiptare si pjesë e reformës në drejtësi, propozoi pak kohë më parë, miratimin e një neni kushtetues i cili do të ndalonte përgjithmonë hetimin e krimeve të regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës. Një përçudnim i vërtetë i fjalës “reformë” në drejtësi! Unë nuk e kam të qartë se për çfarë krenarie kombëtare, ose për cilën ditë historike u shprehën pardje udhëheqës dhe ish-udhëheqës shqiptarë.
Kjo tregon se historia e pandëshkueshmërisë juridike dhe politike ndaj krimeve të komunizmit dhe jo vetëm, vazhdon në Shqipëri ashtu siç vazhdon edhe hipokrizia politike, kur vjen fjala për këtë periudhë të errët të kombit shqiptar. Të gjithë viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur në Shqipëri – për 25 vjetë tani presin gjithnjë që ndaj tyre të rivendoset drejtësia — jo nga Vatikani, megjithëse Papa Françesku e bëri atë që i takon me rastin e 38-viktimave të komunizmit — por presin që një gjë të tillë ta bëjë qeveria dhe shteti shqiptar. Udhëheqsit shqiptarë të këtij çerek shekulli nuk ishin në të njëjtën faqe të historisë me pjesën tjetër të Europës dhe nuk e kutpuan ose nuk deshën ta kuptonin kurrë se, “Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding.
Ndëshkimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri është pra përgjegjësi politike dhe detyrim moral i pozitës dhe opozitës së sotëme dhe të djeshme politike shqiptare ndaj të gjitha viktimave të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. Vetëm atëherë udhëheqsit aktual të politikës shqiptare, me të drejtë, do të mund të shpreheshin për një “krenari kombëtare për shqiptarët”, për një “ditë historike për mbarë kombin shqiptar” dhe për “një vendosje më në fund të një drejtësie të shumëpritur”, për të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri. Mijëra viktima të komunizmit shqiptar – të gjallë e të vdekur – e presin këtë ditë kur ju, zyrtarisht, do të keni kurajon morale dhe përgjegjësinë politike të ndëshkoni krimet e komunizmit dhe të kujtoni viktmat e komunizmit. Ajo do të jetë me të vërtetë një ditë krenarie kombëtare për shqiptarët dhe ditë historike për mbarë kombin shqiptar dhe ditë drejtësie e shumë pritur për të gjitha viktimat e regjimit enverist. Me njoftimin e vet, Vatikani e bëri 27 prillin 2016 një ditë të shënuar në historinë e Kishës dhe të popullit shqiptar. Presim që edhe ju të shpallni ditën historike të krenarisë kombëtare, kur Shqipëria zyrtarisht do të ndëshkojë, të denoncojë dhe të rivlersojë një ndër kapitujt më të errët të historisë së saj. Ky do të ishte nderimi më i madh që ju mund t’i bëni vetes suaj dhe njëkohsisht edhe viktimave të sshumëta të komunizmit në Shqipëri.