• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUZIKA DHE ATDHEDASHURIA – NJЁ BINOM I FUQISHЁM QYTETЁRIMI

November 7, 2021 by s p

Mbi librin “Banda Kombëtare “VATRA” një histori unike shqiptaro-amerikane”  të  Prof. Vasil S. Tole

Kristaq BALLI, studiues

Historia e krijimit dhe veprimtarisë muzikore të “Bandës Kombëtare Vatra” ka qenë një objekt i gjithhershëm i studiuesve, muzikologëve, historianëve, dëshmitarëve  e kujtimtarëve për rolin që ajo ka luajtur në evolucionin  e muzikës kombëtare shqiptare dhe mbështetjen patriotike  e frymëzuese  që ky formacion i ka kushtuar luftës e përpjekjeve të popullit shqiptar kundër pushtuesve për një vend të lirë. Por, të marra e konsideruara  veç e veç, pavarësisht faktit që këto memoare kanë qenë gjithmonë vlerësime të padiskutueshme pozitive, ato mbeten fragmente ishullore e nga këndvështrime jo aq shumëplanëshe e përgjithësuese shkencore si nga ana muzikore edhe nga ajo historike. Ajo që studiuesin akademik Prof. dr. Vasil S. Tole e bën të veçantë e autentik në këtë “histori shqiptaro-amerikane” është se ai, me përvojën e tij të gjatë e të thellë në fushën e historisë së muzikës dhe muzikologjosë, ka arritur që ta konceptojë e sendërtojë këtë subjekt si një fenomen gjithëpërfshirës e rrezatues shqiptar e thuajse shterues nga shumë këndvështrime, ngjarje, fakte, personazhe, ide, dokumente e ilustrime,  të lidhura bashkërisht me valenca të forta midis të vërtetave dhe aftësive  të sprovuara të tij për t’i rivitalizuar, përgjithësuar e dëshmuar ato në një vepër voluminoze e me vlera unike.

Ёshtë e vërtetë se “Banda Kombëtare Vatra”  dhe Thoma Nassi (Nashi), pavarësisht se kanë vepruar në periudha e situata të ndryshme e konfliktuale historike (nganjërë armiqësore, apo të politizuara skajshmërisht) nuk është kontenstuar nga asnjë formacion shtetëror, politik e ideologjik (përveç gjatë pushtimit nazist, f. 396)  që  prej krijimit e deri në përfundimin e misionit të saj), madje  edhe gjatë sistemit totalitar (por duke “harruar”  emrin e Th. Nassit). Kjo ka bërë që autori të ketë në pëllëmbë të dorës, pa kufizim, një material origjinal, të padeformuar e të pasur nga çdo pikpamje hulumtuese, por nga ana tjetër është sqima, talenti, pasioni dhe përvoja e tij e konsoliduar dhe e vërtetuar nga krijimtaria e tij e mëparshme, që me këmbëngulje  e virtytin e durimit si art mençurie e suksesi,  para të cilit pengesat e vështirësitë zhduken, të gjurmojë, kërkojë, studiojë shumë, shumë  për të  mos e ‘humbur betejën’ me veten, pra për të arritur  synimin e një interpreti të thukët shkencor e artistik të një eposi madhor në Historinë e Muzikës Shqiptare, si dhe në rolin e saj frymëzues e atdhedashës në rrethana të vështira gjeopolitike e historike.

Libri përfshin një subjekt i cili zhvillohet në një hark kohor të gjatë, duke patur zanafillën qysh me fillimin e emigracionin shqiptar në Amerikë në fund të shek. XIX, me format e organizimit dhe krijimit të shoqatave të veçanta bamirëse e atdhetare  për vëndlindjet e tyre, më pas me bashkimin  e disa prej tyre në nën Federatën Kombëtare “Vatra” (Prill 1912), e cila u bë zëdhënësja kryesore e idealeve të mbrojtjes së çështjes shqiptare në SHBA, por edhe në influencën e programit të saj patriotik tek qytetarët e Shqipërisë. Hollësisht evidencohen formacionet e shumta muzikore si bandat, mandolinatat, orkestrinat, grupet muzikore që funksiononin në kolonitë shqiptare në Amerikë. (f.20)  Midis tyre, krijimi dhe veprimi muzikor i Bandës Kombëtare “Vatra” (Themeluar në Dhjetor 1916) për qëllime kulturore e atdhetare, përkoi në vitin 1920 me një ngjarje të rrezikshme për parcelizimin e Shqipërisë nga Italia, ose ndryshe  që njihet si “Lufta e Vlorës” për çlirimin e krahinës së saj dhe Gjirokastrës nga pushtuesit italianë. Ky ishte një precedent i rrezikshëm historik që do të shënonte një prej kulmeve të veprimtarisë së Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe të Bandës Kombëtare “Vatra” në SHBA për të marrë një prej prej aksioneve të tyre më domethënëse në mbrojtje tërësinë territoriale shqiptare. Prej  këtej, narracioni zhvendoset në Shqipëri, pasi një formacion vullnetarësh shqiptarësh emigrantë në SHBA, së bashku edhe me Bandën “Vatra” të organizuar si një trupë e  vetme mbërritën në Shqipëri për të marrë pjesë aktivisht në mbështetje të formacioneve shqiptare të çlirimit të krahinës  së Vlorës dhe për të ngritur nëpërmjet “muzikës e marsheve” moralin e luftëtarëve me mbështetjen e solidaritetin e tyre. Paraprakisht, ndërsa zhvilloheshin bisedime ndërkombëtare për çështjen e përkatësisë shqiptare të Vlorës, Banda Kombëtare Vatra realizon paraqitjen dhe turneun e saj në disa qytete e fshatra të Shqipërisë si në Durrës, Tiranë,  Shkodër, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Përmet, Kolonjë, Korçë, Dardhë (vendlindja e TH. Nassit), etj., itenerar të cilin autori e pasqyron nëpërmjet dokumentesh, fotosh e artikujsh të shumtë të shtypit shqiptar të kohës, si dhe kujtimeve të dëshmitarëve okularë.

Këtë qëllim e përmbushi edhe Banda Kombëtare “Vatra” si pjesë e këtij aksioni luftarak.  Krahas të tjerash gjatë këtyre ngjarjeve u krijua edhe një prej këngëve të njohura patriotike si “Vlora, Vlora” (Kompozitor Thoma Nassi, teksti Ali Asllani) që shërbeu si një himn i kësaj lufte dhe që u përhap  në të gjithë Shqipërinë brenda pak ditëve. 

BANDA VATRA WORCESTER PERF.jpgPaskëtaj arena e veprimit muzikor e Bandës Kombëtare “Vatra” bëhet Korça, ky qytet që sipas  Mihal Gramenos “…ishte qendra e ndjenjave kombëtare..” dhe sipas Faik Konicës   “…një vatër drite midis barbarizmës rreth e rrotull”. Sipas autorit ky terren e realitet i favorshëm qytetar  i emancipuar përbënin prerogativën e një zhvillimi shpërthyes të aksionit për jetësimin e  sigurt të një fryme të re e shumë më të përparuar të ngjarjeve të reja e të rëndësishme kulturore e artistike. Ato ardhën shumë shpejt me fermentin shpirtëror artistik të profesorit të muzikës dhe drejtuesit të Bandës Kombëtare “Vatra”,  Thoma Nassi, që kish studiuar, që ishte kultivuar dhe provuar kombëtarisht e profesionalisht në SHBA. Me shumë  fakte, shembuj, ilustrime, partitura, medie, por më shumë me veprimtari konkrete të njohura apo zbuluar rishtazi, profesor Tole i bën një tërtherrje të imët ontologjike gjithçkaje që lidhet me situatën kulturore, shoqërore e patriotike që induktohet tek populli i thjeshtë, institucionet, opinioni, e tërë jeta e njerëzve të çdo niveli e përkatësie dhe jo vetëm në Korçë, por edhe jehonën e sinergjinë magnetike  që ajo përçoi  në të gjithë hapësirën shqiptare. (f. 115-205) Ndoshta më i rëndësishmi, kapitulli Banda “Vatra” në Korçë përbën një tablo të plotë e të hollësishme të zhvillimeve dhe përparimeve kulturore e veçmas muzikore, apo  teatrore në Korçë, por edhe influencën dhe timbrin social, qytetar e   patriotik  që ajo rrezatonte në të gjithë Shqipërinë. Koncertet e dendura të bandës “Vatra” në natyrë, apo mjedise festive, veçanërisht krijimi i shoqërisë së “Arteve të Bukura” (themeluar më 10 Dhjetor 1920) me nuklin e Bandës “Vatra”, organizimi i një bande tjetër  të bashkisë, shfaqjet teatrale, koncertet  vokale-instrumentale, disa artikuj të  Thoma Nassit e Sotir Kozmos mbi domosdoshmërinë e rritjes së nivelit apo një fizionomie të re të muzikës popullore e qytetare, si dhe nevojën e njohjes e interpretimit të muzikës klasike botërore  dhe krijimit të formacioneve moderne, etj, përbëjnë disa prej kontributeve madhore të Bandës “Vatra” e Shoqërisë së “Arteve të bukura” e drejtuesit të tij të palodhur Thoma Nassi. Më në fund   realizimi i ëndrrës së tij për krijimin e orkestrës simfonike si “…forma më e lartë e veprimit muzikor (f. 136) u bë realitet më 6 Prill 1924, ndaj për këtë studiuesi V. Tole konsideron se “do të shkruhen një ditë me gërma ari në historikun e orkestrave simfonike dhe të muzikës s kultivuar në Shqipëri” (f.141)

Për shkak të rrethanave të reja politike e historike, rruga e Bandës Kombëtare “Vatra” do të merrte kthesa e drejtime të reja më gjithëpërfshirëse paralel me  rrugën e evoluimeve të shtetit shqiptar. Kështu misioni i saj në Korçë mbyllet në vitin 1925, kur në Mars të po këtij viti  ajo thirret në Tiranë për për t’u bërë bandë protokollare shtetërore e “republikës së parë shiptare” apo bandë presidenciale, më tej Bandë Mbretërore (më 1 Shtator 1928, f, 243) nën emrin e së cilës vijoi aktivitetin deri në vitin 1939, kur vendi ynë u pushtua nga Italia fashiste, e cila e lejoi ende veprimtarinë e saj kryesisht për ngjarje në shërbim të qeverive kukulla të kohës. Përkundrazi, gjatë pushtimit nazist, autori njofton se gjermanët  i ndaluan veprimtaritë e  saj e kështu në vitin 1943 banda zyrtare shqiptare u shpërnda.

Në një  nënkapitull të veçantë pasardhës(11.1) Vasil Tole i përqëndron kërkimet e tij në krijimin e formacioneve muzikore gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare bazuar në këngët dhe  muzikën patriotike të bandës “Vatra” si “Vlora-Vlora”, “Himni Kombëtar” si dhe në krijimin e “këngëve të reja partizane”, “këngët e rinisë”, “këngët e  luftës çlirimtare” (f. 389) të kompozuara e interpretuara nga artistë e muzikantë të shquar si  Dh. Leka, K. Kono, M. Krantja, G. Avrazi, F. Gjata, A.Varfi, K.Jakova, etj.,  të cilat çuan në formimin e formacionit  muzikor “Orkestra Frymore e Ushtrisë Popullore” 0FUP në fshatin Priskë të Tiranës më 18 Tetor 1944  me dirigjent ish liceistin korçar, muzikantin profesionist  Kristaq Panduku (f.396-397), e cila promovoi daljen e parë zyrtare më 18 Nëntor 1944, të nesërmen e çlirimit të Tiranës. “Ky ishte shndërrimi i katërt i Bandës Vatra “.(V. Tole, f. 401).

Pas çlirimit kjo orkesër frymore  ushtarake ku kishte ende edhe pjesëtarë të Bandës Kombëtare “Vatra” që përbënin thelbin e saj, por i përforcuar profesionalisht e artistikisht  u cilësua si formacioni i aktiviteteve më të rëndësishme festive e protokollare të shtetit të ri shqiptar.(cit. Alba Musaraj, f. 410). Riorganizimi, ngritja dhe lançimi i formacioneve korale e muzikore dhe i institucioneve të reja madhore e bashkëkohore gjatë viteve 1950-1990 e në vijim dhe jo vetëm në Tiranë përbëjnë edhe pasazhet e fundit të librit, me çrast në mënyrë imtësisht të provuara me dokumente origjinalë, faksimile, fotografi të shumta plotësojnë njëmendësinë letrare e imazherike të këtij fenomeni artistiko- patriotik që përfshin pra periudhën e gjatë kohore prej fillimit të shek. XX e deri në ditët e sotme në Shqipëri e Amerikë.

IMG_5719 +.jpgSigurisht duhet theksuar se subjekti  librit ka edhe shumë personazhe realë, por heroi i tij qendror mbetet Thoma Nasssi, shqiptari, patrioti dhe muzikanti  i thekur shumëplanësh. Roli i tij është në këtë libër vlerësohet si përcaktues, sublim në shumë aspekte të Historisë së Muzikës Shqiptare, por edhe të angazhimit të tij të drejtpërdrejtë patriotik në marrëdhënie me konceptin e tij largpamës se si ndikon edukimi emancipues kulturor e artistik në zhvillimin e ndërgjegjes dhe frymëzimit kombëtar. Për këtë, në libër aludohet paravolia se ndikimi i veprimit muzikor të Nassit tek entiteti shqiptar mund të krahasohet me rolin dhe influencën që patën kompozitorë të famshëm të tillë si Bet’hoven, Mozart, Verdi,  Liszt, Çajkovski, Shtraus, Puçini, Stravinski, Dvorak, Sibelius, etj. në rritjen dhe forcimin e identitetit dhe krenarisë së kombeve të tyre. Me të drejtë, sepse edhe përfshirja e Th. Nassit në arenën kombëtare të zhvillimeve muzikore shqiptare (edhe pse në një periudhë më të vonë se gjetkë), sidomos në fushat e kompozimit të këngëve patriotike e himneve, këngëve qytetare e lirike  me rrënjë të forta në traditën muzikore  qytetare e popullore shqiptare, si dhe sjelljes ndaj  muzikës simfonike,  por duke e ridimensionuar atë;  apo aftësia dhe pasioni i tij  e tij për të organizuar shoqëri kulturore artistike, banda, formacione të tjera muzikore e kulturore patën në të gjithë kombin shqiptar tërheqjen magnetike të një fuqie e rrezatimi  centripet të shpejtë e të gjerë në çdo skaj të vendit e popullit tonë.

 Por Th. Nassi, konfirmohet në këtë libër edhe si muzikanti i parë shqiptar i shkolluar në SHBA, gjithashtu si teoricieni, studiuesi, vlerësuesi e parashikuesi i zhvillimeve të muzikës bashkëkohore shqiptare, si botuesi i disa prej perlave të këngëve e muzikës shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX, si edukatori dhe pedagogu i disa brezave e   shkollave muzikore dhe evidentuesi i artistëve të talentuar shqiptarë; pse jo edhe si shkrues  e orator erudit i artikujve e fjalimeve entusiaste e manifeste të botkuptimit të tij properëndimor, ku veçohet psh. fjalimi i tij në Universitetin e Harvardit, Cambridge Mass. me studentët shqiptaro-amerikanë në vitin 1960, i cili mund të konsiderohet edhe si  testamenti moral që ai i linte bashkëkombasve të vet  në atdhe, apo mërgim për rolin dhe detyrimin e madh që duhet të marrë çdokush me kontributin  intelektual e   profesional   ndaj zhvillimit e prosperitetit kombëtar.  etj. Njeri i lëvizjeve dinamike, i fantazisë, i zhdërvjelltësisë, armik i qetësisë, i rutinës dhe plogështisë, artist me talent e intuitë të hollë  për misionin e tij artistik e qytetar, promotor,  aktiv e me një trysni të madhe përgjegjësie ndaj vetes.  Për Bandën “Vatra” dhe Th. Nassin, studiuesi V. S. Tole konkludon se “Ngado që ta shohësh dhe nga çdo anë që ta kapësh, veprimtaria e bandës “Vatra” ishte në thelb një proces shoqërizimi dhe edukimi qytetar përmes muzikës, i cili drejtohej nga dirigjenti Thoma Nassi, lideri  absolut i këtij procesi emancipues” (f.166).

I vlerësuar nga disa këndvështrime si periudha e gjatë kohore që  përfshin, numëri i madh i personazheve, ngjarjeve shumë të rëndësishme politike e kulturore kombëtare që interferojnë e hapin shumë brazda të reja, dokumentimi shkencor e letrar i tyre, interpretimet logjike e profesioniste, dokumentet, ilustrimet e fotot e pafund, shumica e të cilave dalin në dritë për të parën herë, densiteti dhe ritmi i lartë e I rrjedhshëm,  por edhe përvoja e gjatë dhe e suksesshme e Prof. Vasil S. Toles në fushën e muzikës dhe muzikologjisë, bën që libri i tij  akademik “Banda Kombëtare “Vatra”…”  t’i qaset një sage shqiptare me shumë synime e vlera të mirëvërtetuara referimi e besueshmërie shkencore  për një periudhë të rëndësishme historike të Shqipërisë e  për   Historinë e Muzikës Shqiptare në veçanti. Ndryshe, një manifest frymëzues kombëtar që ia vlen të lexohet nga të gjithë. 

▪▪▪▪

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kristaq Bali

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT