• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE RREZIKOHET(EDHE NJËHERË) BASHKIMI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE?

April 6, 2014 by dgreca

Opinion nga  Kristo Zharkalliu/ Athinë/

Kohët e fundit kam filluar të humbas besimin  ndaj vetvetes. Herë pas here pyes veten se në se është e mundur të kem dyshime ndaj besimeve  dhe shpresave të mia të së kaluarës. Madje shumë here duke ndryshuar opinion ndaj dukurive bashkëkohore por edhe ndaj  njerëzve të caktuar. Dy gjëra që më shqetësuan seriozisht për drejtpeshimin tim mendor janë se papritur e pakujtuar (jo saktësisht) më kanë pëlqyer shkrimet e dy  shqiptarëve të cilët deri dje i kisha kritikuar ashpër, duke besuar se me shkrimet e tyre këta dëmtonin “imazhin” e shqiptarit të së kaluarës dhe të sotëm. Fjala është për politikanin –shkrimtar socialist Ben Blushin, të cilin, qëkurse u përpoq të nënvleftësonte figurën madhështor të Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, më ishte bërë halë në sy dhe nuk lija rast pa përmendur “marrëzitë” e tij duke e sjellë si shëmbull për t’iu shmangur përsa i përket së kaluarës dhe historisë së kombit arbëror. Nuk kam lexuar librat e tij- e pohoj- dhe komentet negative  që janë bërë nga unë kishin të bënin me intervistat dhe komentet që ai vetë bënte në mënyrë të papërgjegjëshme duke paraqitur  shkrimet e tija. Kohët e fundit pra po paraqet një libër të ri me titullin (më sa më kujtohet!) “Hëna e shqiptarëve” ku në përgjithësi (megjithëse socialist!) bën profeci për 100-200 vitet e ardhëshme për kombin shqiptar. Nga të gjitha ato që u thanë(mjaft marrëzira profetike) mua më bënë përshtypje ato që ai tha për fenë dhe për bashkimin kombëtar (se sa do të jetë e mundur një gjë e tillë!). Për çështjen e fesë  pajtohem plotësisht me të. Populli dhe kombi shqiptar duhet me çdo kusht të distancohet, ose më mire të heqë qafe besimet fetare. Ai ka të drejtë kur thotë se këto besime në të ardhmen mund të bëhen faktor denigrues dhe përçarës të popullit dhe të kombit. Nuk ka asnjë dallim  në se  besimi është i krishterë, ortodoks,katolik ose mysliman. Vitet e fundit pas shëmbjes së diktaturës, shumë të huaj u aktivizuan të “rimëkëmbnin” besimet dhe tempujt fetarë në Shqipëri, thua se të huajt i hante kaq shumë meraku për besimet fetare në Shqipëri. Mund të themi se më i “urtë” deri tani është treguar kleri dhe besimtarët katolikë, megjithë përpjekjet që janë bërë dhe po bëhen për “shënjtërimin” e këtij klerit, madje për këtë kanë aktivizuar dhe kryeminisrin më të korruptuar i Europës, Berluskonin (nuk e di se sa e bekon kisha katolike dhunën seksuale ndaj femrave të mitura që ka kryer  Silvoja me paratë e tij, por, megjithatë, dikush nga Shqipëria, don t’i dhurojë stilografin e një ish priftit të shënjtëruar shqiptar!) Sidoqoftë ky kler nuk ka pasur aktivitete antikombëtare si ngjet me të dy besimet e tjera si janë ai ortodoks dhe ai mysliman. Ben Blushi shqetësohet se si mund të krijohen parti përçarëse antikombëtare fetare dhe kjo është më se realiste po të kemi parasysh dukuritë ekstremiste të disa myslimanëve shqiptarë që e quajnë veten  talibanë. Këta kishin arritur të mobilizonin dhe të dërgonin në Siri besimtarë shqiptarë për të luftuar përkrah ekstremistëve myslimanë dhe kjo bëhej nën hundën e orgneve shtetërore të të dy shteteve shqiptare. Këto dukuri janë më të theksuara në Kosovë, madje, disa kalemxhinj shqiptarë nuk harrojnë të përmendin dhe përkatësinë fetare të kryeministrit shqiptar, pamvarësisht në se ai është besimtar ose jo. Kur kishte ndodhur më parë kjo pra? Pse disa harrojnë se kur bëhej lufta në Kosovë, kryeministër shqiptar ishte një “ortodoks” Pandeli Majko?(Edhe para 90 vjetëve kur u bë kryeministër një epishkop shqiptar, Fan Noli i pavdekëshëm, askush nuk guxoi ta akuzonte atë për përkatësinë fetare!) Apo e kanë harruar dhe në Kosovë…se kohët e fundit po shpallin disa here…Lulzim Bashën si qytetar nderi dhe kanë harruar Majkon? Me këto nuk dua të them kurrsesi se kisha ortodokse shqiptare ka treguar patriotizëm të pastër këto vitet e fundit dhe se nuk e ka dëmtuar bashkimin kombëtar të vendit, madje mund të themi se edhe këtu kemi pasur tedenca të theksuara përçarëse,por kjo nuk ka fuqinë as mbështetjen që mund të ketë besimi mysliman në  Kosovë dhe në trojet e tjera arbërore në ish Jugosllavinë.  Kam frikë se në Kosovë po ngre krye tedenca e rrezikëshme të “një kombit kosovar” çka u pëlqen shumë sërbomëdhenjve dhe kjo nuk është e veçuar nga përpjekja që po bëhet për  ndarjen e gjuhës në toskërishte e gegënishte nga disa pseudointelektualë. Lufta që i bëhet pra gjuhës së njësuar, ose standarte si quhet kohët e fundit, bën pjesë pikërisht në ndarjen e kombit në Veri-Jug dhe kjo ka qënë dhe mbetet doktrina përçarëse të shovinistëve fqinjë dhe të armiqve të tjerë të kombit shqiptar. (pas Arshi Pipës  teoria antikombëtare e  dy gjuhëve- dy dialekteve dhe ndarja në Veri- Jug, flamurin e kësaj teorie famëkeqe e ka marrë një intelektual nga  Australia i cili ka emrin e çuditëshëm Fritz Rodovan!) Nga këto ka frikë dhe Ben Blushi dhe këtu ai më gjen të pajtohem  me të se nuk është e mundur të kundërshtojmë njeri thjetrin në të gjitha drejtimet… Për të tjerat çka shkruan libri i tij do të kemi kohë më vonë ta analizojmë dhe, pse jo, ta kritikojmë… në se do të kemi fatin dhe durimin ta lexojmë.

FATOS Lubonjën nuk e kam përkëdhelur në shkrimet e mia. Sigurisht që disa here jam indinjuar me mendimet e tij “radikale” por me dy shkrimet e fundit  më bëjnë jo vetëm të pajtohem me “opinionin” e tij por edhe ta përgëzoj. Shkrimi i parë bënte fjalë për korrupsionin ose më mire për pasurimin e  shpejtë dhe të pajustifikueshëm të disa politikanëve shqiptarë në kurriz të popullit më të varfër të Europës.Konkretisht fliste për ditlindjen e një nga shtyllat e pushtetit shqiptar këta 23 vite. Asnjë qeveri nuk ka mundur të qëndronte më këmbë pa mbështetjen e tij dhe ai nuk ka munguar nga asnjë qeveri, e djathtë ose e majtë qoftë. Për këtë nuk mund ta akuzojë ose ta shajë askush. Duket se ka aftësi të çuditëshme që ky njeri që sapo mbushi 45 vjeç të ketë qënë,gjatë gjithë kësaj kohe dhe të jetë akoma faktor i rëndësishëm e atij që quhet akoma tranzicion shqiptar. Duke qënë i tillë pra me të drejtë të festonte ditlindjen e tij mes shokësh dhe miqsh nga të gjitha palët politike shqiptare. Kjo do të ishte lavdëruese, por,mjerisht, festa e  ditlindjes së tij na kujtoi festat madhështore të Shahut Pehlevi të Përsisë,(Iranit të sotëm!) në 1000 vjetorin e dinastisë së  familjes së tij. Kështu kishte ngritur dhe ai çadra dhe tenda madhështore për të ftuarit! Por këtu u duk historikisht se ai ishte shahu i fundit i dinastisë, se në mënyrë arrogante, bënte festa madhështore në kurriz të një popullit që vuante për bukë. Për këtë pra e kritikonte Fatosi politikanin shqiptar dhe unë  nuk mund të mos e përgëzoj për kurajon se , në fund të fundit, ai vetë jeton në Shqipëri. Në shkrimin e dytë ai  vëren se politikanët shqiptarë nuk bashkëbisedojnë si kërkon Europa se nuk u a ka shumë ënda të hyjnë në Europën e Bashkuar! Me të vërtetë  mendimi i tij më befasoi se deri tani besoja se të gjthë-akoma dhe klasa politike shqiptare- donin të bëheshin “Si Europa!”! Fatosi na thotë se nuk kanë aspak dëshirë të hyjnë në Bashkimin Europjan se kështu do të kontrollohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjëshëm i politikanëve dhe rrezikojnë- shumë prej tyre- të detyrohen të japin llogari se si u pasuruan kaq shumë dhe kaq shpejt!

Ajo që brengos më shumë është se shqiptarët nuk kanë kuptuar çastet historike që përjetojnë. Është koha më e favorëshme që kombi shqiptar të tregohet i bashkuar se kështu do të fitojë të ardhmen. Përçarja ka qënë dhe mbetet mallkimi i këtij kombit. Sot po të bashkohet do të jetë kombi më i fuqishëm në Ballkan dhe e ardhmja e tij do të jetë e sigurtë, e mire e respektuar. Por ai akoma është i përçarë, më i përçarë se kurrë, se duket se nuk ka kuptuar se kombi më i favorizuar të pas shëmbjes së kampit Lindor, ka qënë ai shqiptar dhe se,për herë të pare në histori, e gjithë bota demokratike u bashkua për shpëtimin dhe çlirimin e gjysmës tjetët të këtij kombit, Kosovës. Është e dhimbëshme të shikosh se akoma dhe sot shqiptarët janë të përçarë…sa habitesh se si  në ish Maqedoninë jugosllave, shqiptarët, në vend që të jenë të bashkuar në një parti kombëtare për të treguar fuqinë e tyre në mbajtjen më këmbë të atij shtetit artificial, janë përçarë në disa parti duke u lënë dorë të lire sllavëve edhe njëherë t’i shtypin dhe t’i diskreditojnë. Por për këtë do të flasim në shkrim të ardhëshëm…

Kristo Zharkalli           Athinë 6 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkimi i shqiptareve, KRISTO ZHARKALLIU, Pse rrezikohet

“MIRËKUPTIMI” ME GANI MEHMETAJ DHE KËRCËNIMET “VLLAZËRORE”!

March 25, 2014 by dgreca

 NGA   K R I S T O   Z H A R K A L L I U/

Kur  riprodhova e fjalët  për demokracinë të mendimtarit të shquar francez, Volterit, se  do të “jap dhe pikën e fundit të gjakut që ti të kesh të drejtë të thuash mendimin tend “ ndonse kundërshtari i tij e shante egërsisht, kisha besuar se me këto fjalë do t’i jipej fund polemikës “armiqësore” ndaj meje nga “vëllezërit” kosovarë, megjithëse kisha pasur një përvojë të hidhur se si e konceptojnë lirine e fjalës dhe demokracinë disa “pseudodemokratë”  shqiptarë të kohës sonë. Kjo,sigurisht, nuk ndodh vetëm në truallin  arbëror  Para se të arratisesha në Greqi më 24 mars 1961, në shtypin komunist shqiptar bëhej zhurmë e madhe për proçesin gjyqësor që zhvillohej në Athinë kundër një gazetarit dhe “heroit” grek, Manolis Glezos. Sigurisht se nuk dija hollësira as saktësi pse po bëhej ai gjyq, por kisha bindjen se në një vend demoktratik nuk duhej të dënoheshin  njerëzit për bindjet e tyre politike si ngjiste në diktaturën komuniste.  Prandaj kur kalova kufirin besova se kisha kjaluar në botën e lire perendimore. Veçse në Greqinë e asaj kohe demokracia ishte e mangët, e çalë. Ishte një demokracia ballkanase. Në Janinë ku na mbanin disa muaj në hetime- atje u njoha  me mikun tim të pare verior, Kamber Merdinin nga Sohodolli i Peshkopisë- na bënin lloj lloj pyetjesh gjë që nuk na habiste për natyrën e marrëdhenieve të të dy vendeve dhe të të dy botëve të asaj kohe. NJë ditë pra një officer fanatik më pyeti: “Ç’mendim ke ti për gjyqin që bëhet kundër Manolis Glezosit?” U befasova dhe në fillim nuk dija si t’i përgjigjesha. Si u mendova pakëz u përgjigja: “Nuk e di pse po gjykohet Glezoja, dhe nuk mund të kem një mendim të prerë” Ai më vështroi i habitur dhe tha:”Por ai është komunist! Nuk mjafton kjo?” Dhe unë duke qënë i ri dhe naiv i u përgjigja : “Po është se dënohet për bindjet e tij politike, nuk pajtohem me këtë gjyq. Gjyqe të tilla bëhen në diktaturat komuniste dhe jo në vendet demokratike. Po të bëjmë dhe ne kështu, ç’ndryshim do të kemi nga ata,komunistët?!!  Afërmëndsh se për demokracinë e cunguar greke të asaj kohe-të mos harrojmë se Greqia kishte dale nga një luftë e përgjakëshme vëllavrasëse vetëm dhjet vjet më pare- fjalët e mia u keqkuptuan dhe oficeri fanatik shkrojti në dosjen time se qënkesha komunist, thua se komunistët mbronin idetë pluraliste! Sigurisht ky mallkim më ndoqi se atëhere çdo mendim që nuk pajtohej me qeverinë në pushtet ishte…komunist. Më vonë u njoha nga afër me Glezon, madje se bashku u gjëndëm të internuar nga junda fashiste më ishullin e vdekjes të Jaros. Miqësia jonë mbajti mjaft vite deri kur, para 15 vjet NATO filloi ndëshkimin e Sërbisë për çlirimin e Kosovës. E majta greke aso kohe përkrahte Sërbinë  e Milosheviçit dhe akuzonte kosoavarët dhe UÇK-në si agjentë të imperializmit amerikan. Në një takim pra me  Glezon- i cili edhe sot në moshën 90 vjeçare është deputet tepër aktiv në parlamentin grek- u grindëm keq për çështjen e Kosovës…Megjithatë ai nuk më kërcënoi, nuk më kërkoi ta mbyllja gojën, thjesht më kundërshtoi

Ndoshta këto  që po shkruaj këtu të duken të pakuptimta. Kohët e fundit nëpërmjet shtypit elektronik patëm një “polemikë” me zotin Gani Mehmetaj, kryesisht për mendimet e mia për Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen. Në shkrimin e fundit-për barrikadat- zoti Gani, megjithse nuk pajtohej me mendimet e mia- e drejta e tij- më shtrin dorën dhe më konsideron mik, çka më bëri të besoja se polemika midis nesh kishte marrë fund, madje më pëlqeu dhe shkrimi i tij i fundit për ilirët…(Duket se ky shkrim është  shkruar në kohën e Jugosllavisë, prandaj ka disa mangësi dhe më lindi dëshira t’ja vija në dukje…Ai flet për personalitetet e shquar ilirë që kishin lindur në Dalmaci dhe ka harruar-ka të ngjarë që të mos e dinte se  në atë kohë njohuritë tona ishin tejet të kufizuara- figurën më të madhe ilire  që kishte lindur në Dalmaci. Fjala është për Konstandinin e Madh, ose “Shën Konstandini” i cili konsidetrohet  Perandori që u dha lirine të krishterëve të cilët deri atëhere ndiqeshin si armiq të perandosrisë dhe, kryesorja i dha emrin e tij  qytetit më të bukur e të famëshëm të lindjes. Konstandinopojës, Stambollit të sotëm) Edhe tani besoj se mospajtimi politik dhe kulturor nuk i bën dy njerëz armiq, dhe kjo është bukuria e demokracisë. Veçse andej nga Kosova- dhe nga Shqipëria- demokracinë e kuptojnë në mënyrë të njëanëshme dhe kjo tregon se kanë akoma mbeturina të diktaturës komuniste, ose fashiste në konceptet e tyre. Nuk e kam fjalën për intelektualin Gani Mehmetaj. Ai përpiqet të argumentojë kundërshtimet e tija dhe kjo është e pranueshme. (U brengosa pak se vë në të njëjtin kandar(si do të thoshte dhe Arshi Pipa!) Fan Nolin me Ahmet Zogun se si erdhën këta të dy në pushtet. Dihet se Noli nuk pati asnjë ushtri të huaj, as bëri pazarllëqe me fqinjët për ta sjellë në pushtet, por kjo është diçka që duhet ta bisedojmë më gjatë dhe me gjakftohtësi!)

Nuk e kam pasur zakon t’u përgjigjem “komentuesve” të ndryshëm që, falë internetit, mund të shprehin mendimet e tyre, akuzat dhe sharjet e tyre ndaj shkrimeve që nuk janë të pëlqimit të tyre .Fanatizmi i tyre shumë here kapërrcen etikën e mirësjelljes,duke arritur në skajin e verbër të gjakmarjes! Deri tani janë katër mbrojtës të Ganiut tone-thua se ai nuk mund të mbrojë veten- por edhe të Rugovës  dhe domosdo shares të ulët të Rexhep Qosjes. Por, më e keqja, arrijinë në skajin ekstremist të kërcënimeve ndaj meje! Vetëm në kohën e diktaturës më kishin kërcënuar të mbyllja gojën, si më kishin kërcënuar fashistët dhe shovinistët e të gjitha ngjyrave! Dhe ja tani erdhi koha që të më kërcënojnë “vëllezërit” tanë kosovarë…

Por le t’i zëmë me radhë.Njëfarë çami më akuzon pse nuk shaj Janullaton për kishën autoqefale shqiptare. Kryesisht besoj se ky nuk e ke lexuar shkrimin tim përsa i përket Nolit tone. Por përse duhet të akuzoj Anastas Janullatosin unë? Ç’faj ka ai? Ai e ktryen më së miri punën e tij, madje mund të them se si i huaj, nuk i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i ka dhënë shteti shqiptar-Berisha- që i dha kishën ortodokse shqiptare në pjatë. Ç’faj ka pra kryepeshkopi Janullatos? Pse nuk shikojmë verbërinë tone, marrëzinë shqiptare por dime vetëm të  shajmë dhe të akuzojmë të huajt se bëjnë punën e tyre? Nëqoftëse nuk do të bëhemi të vetëdijëshëm se të huajt punën e tyre bëjnë dhe se ne duhet të bëjmë tonën, në se ngahera do të presim nga të huajt të na ndihmojnë dhe të na përkëdhelin, do të mbetemi përherë nëç errësirën shekullore…Pastaj na vjen dikush që nuk din se emrat shkruhen me shkronja të mëdha, madje  quan veten…leka-duket është pasardhës i të ndierit Leka, prandaj nuk ka mësuar të shkruajë dhe të flasë shqip, por nuk mungon të më kërcënojë se po guxova here tjetër të akuzoj Rugovën dhe të mbroja Qosjen ai… Nuk e di se  ç’do të bëjë…Do të vijë në Athinë dhe të më gjejë? Thua të kem rënë në gjak me të? Sadik Elsani merr në mbrojtje Ganiun, sikur ky nuk di të mbrojë veten dhe na numëron veprat që ky ka botuar,kur ai nuk ka parasysh asnjë libërin tim…Do ta ftoja të vinte të banonte në Athinë 53 vjet dhe të botonte disa libra shqip këtu dhe jo tani në kushtet e demokracisë, por  në kohën e diktaturës.. Por duke pasur ngrohtësinë familjare, duke pasur përreth njerëzit e një gjaku e një gjuhe, bëhet kushdo trim dhe, kur i ka xhepi mund të bëhet edhe intelektual, edhe shkrimtar dhe, pse jo, Akademik!!!… Atëhere do ta shikoja se sa  do t’i vlente lëkura se në vendin e tij dhe në anonimi bëhet kushdo trim, madje….intelektual! Nga ana tjetër unë nuk “u mburra” asgjëkundi se qënkam “shkrimtar i madh” “Intelektual” as….akademik! Hodha në letër vetëm mendimet e mia , sa më thjesh kisha mundësi! Fazli Hajdari më informon se e njeh nga afër familisht Rexhep Qosjen (bravo i qoftë se unë nuk e njoh!) dhe e di fort mire sa i poshtër është (!!!)dhe këtu hedh dhe  shigjetat e tij helmuese…Më shan për komunist, për admirues i Enver Hoxhës(sic!) e të tjera, pa munguar dhe ky të më thotë se andej nga malet e tyre nuk i falin njerëz si unë dhe ka mundësi-mendova unë- të marrë koburen dhe të vijë të më bëjë atë që dikur i bënë Hasan Prishtinës në Selanik! Në këtë mënyrë të gjithë këta trehgojnë se sa demokratë na qënkan!

Por le të  flasim seriozisht. E them edhe njëherë se nuk jam marrë as do të mirrem here tjetër me “komentues” injorantë që nuk dine çdo të thotë të kuvendohet qetësisht, me argument, bindëshëm. Kam mendimin dhe dëshirën se me Gani Mehmetaj mund të mirremi vesh dhe t’i japim dorën njeri tjetrit. Askujt nuk i hyjnë në punë grindjet, urrejtjet dhe hakërrimet. Prandaj e përsëris se më pëlqeu shkrimi i tij i krijuar në rrethana tejet të disfavorëshme për shqiptarët e ish Jugosllavisë. Jam i vetëdijëshëm se ëndrra ime që dikur të shkoja në Kosovën e çliruar, nuk ka për t’u realizuar kurrë, sidomos  tani me kushtet e disfavorëshme që janë krijuar për mua. Prandaj dua ta mbyll këtë shkrim duke I shtrirë dorën miqësisht zotit Gani Mehmetaj, pa i kërkuar kurrë të ndryshojë qëndrim dhe të pajtohet me mua por edhe ai të mos besojë se unë, në këto rrethana mund të bëhem admirues, ose ithtar të disa figurave që nuk më kanë pëlqyer. A nuk është kjo e drejta ime, kur, tekefundit, nuk dëmtoj njeri? Mjafton që Kosova shqiptare të ecë përpara dhe të mos harrohet e të vonohet bashkimi kombëtar gjë që duhet të jetë në mëndjet dhe zëmrat e shqiptarëve kudoqfshin, akoma dhe në megrim ose në diasporë si quhen vitet e fundit..

Kristo Zharkalli, Athinë 25 mars 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: kercenimet vellazerore, KRISTO ZHARKALLIU, Mirekuptimi me Gani mehmetaj

“MOSINFORMIMI” IM DHE …MIRËSJELLJA E GANI MEHMETAJ…

March 16, 2014 by dgreca

 NGA KRISTO  ZHARKALLIU/Para disa ditësh postova  shkrimin tim “Ç’po ngjet në Kosovën…rugoviane?” duke marrë shkas nga disa dukuri të çuditëshme që po botohen në shtypin e ditës dhe atij elektronik prej disa intelektualë kosovarë, të cilat po bëhen më të dëndura  nga dita në ditë. Në këtë shkrim prekja mjaft nga këto dukuri negative, por edhe sulmet që po bëhen ndaj Akademikut Rexhep Qosja nga një klan politik që ka uzurpuar dhe AASHK i cili e ka shndërruar këtë intstuticion të rëndësishëm si përfaqësues i një partie politike, ndërsa duhej të ishte në shërbim të kultures dhe të shkencës mbarëkombëtare dhe jo në shërbim të një politike lokaliste, thua se Kosova nuk përbën një pjesë e pandarë e Kombit shqiptar. Ajo që brengos më shumë është veprimtaria përçarëse në mes të kombit dhe jo qëndrimi negative ndaj një antarit të kësaj Akademie si është Rexhepn Qosja i cili, tekefundit mund të mbrohet vetë, ashtu si nuk mund të shuhet as të përjashtohet nga krijimtari letrare historike e Kombit. Sigurisht ai nuk ka nevojë për mbrojtje, di të mbrohet vetë, prandaj sot nuk do të mirremi me sulmet e pashëmbëllta ofenduese kundër tij nga ata që nuk kanë krijuar asgjë ose shumë pak që të mund të maten me të, edhe se pse kanë mbështetjen e një ose dy parti shqiptare nga të dy anët e  dy shteteve (o zot, dy shtete shqiptare! A mund të imagjinohet?!!!) por me një “përgjigje” që më dha (duke ma mbyllur gojën!) zoti Gani Mehmetaj, krejt i panjohur e i padëgjuar prej meje. Shkrimi i tij u botua në faqet elektronike të gazettes “Dielli”, ku unë dikur shkruaja në faqet e saj prej letre. E pranoj se shkrimi i zotit Gani ishte plot mirësjellje dhe nuk kishte sharje brutale, nga ato që i drejtohen Rexhep Qosjes zakonisht, por, me mirësjellje gjithnjë më “informonte” se unë qënkam “i keqinformuar”, sidomos përsa i përket mosmarrëveshjet ose sharjet ndërmjet akademikëve kosovarë. Ndoshta të besojë se, meqënëse unë jetoj  gati 53 vjet në Athinë, të mos kem informacion të mjaftueshëm për ato që ngjasin në Kosovë akoma dhe në Shqipëri (Ndryshe a nuk duhej ta dija se Xhunga na qënkej mbesë e…Josif Stalin (Xhungëshvili?!) por për ato që shkruaj jam plotësisht i vetëdijëshëm. Prandaj dua t’i them  Ganiut (bashkëkombësit tone) se me shkrimin e tij  kreu një akt  të papranueshëm dhe i pamoralëshëm dhe më vjen keq se edhe njëherë Dielli vepron në mënyrë…agjenturore. Ai i u përgjigj një shkrimit të pabotuar akoma, gjë që nuk është dëgjuar ndonjëherë! Dielli (nuk e di në se ka lidhje me Diellin e vjetër të Bostonin ku unë bashkëpunoja normalisht para shëmbjes së diktaturës), para se të botonte shkrimin tim ja dha zotit Mehmetaj që ta “kontrollonte” “çensuronte” apo ta “kritikonte” para se ta botonte?  Ai nuk thotë burimin e gjetjes së shkrimit tim (u botua në Kritika dhe Fjalaelire) dhe duket qartë se redaksia i besoi shkrimin para se ta botonte, ndoshta për të marrë pëlqimin e tij. Sigurisht Dielli u detyrua ta botonte më vonë si shtojcë ose si koment me shkronja të vogla pas komentit të Abdurahim Ashikut, por kjo nuk e zvogëlon fajin e zotit Gani ose dhe të redaksisë.

Por le të kuvendojmë qetë dhe gjakftohtë. Për Rugovën unë kam mendimin tim  dhe nuk e ndryshoj se kam pasur fatin “e keq” të ndjek veprimtarinë e tij që në fillim deri në fund. Madje-që ta dijë zoti Gani, kreva dhe detyrën e përkthyesit të tij në një intervistë televizive në Athinë, që mjerisht në fund nuk u transmetua. (për arsye të njohura me Sërbinë….) Por  le të flasim pak për trajtimin e figurave historike, sidomos të Rilindjes dhe të shtetit të pare shqiptar ndaj të cilave vitet e fundit është bërë një shtrrëmbërim antikombëtar. Ganiu e pranon se sulmi kundër poetit të madh Çajupit është bërë nga një jo intelektual, por ndërkohë sulmon gazetat dhe televizionin shqiptar (Xhunga!) se publikon mendimet e këtyre “turkoshakëve”. Unë nuk do ta ndaja kurrë Tiranën nga Prishtina, se ato duhet të jenë një dhe së bashku,por le ta zëmë se mendimet antikombëtare gjejnë tribune vetëm në Tiranë (ku nuk është më në pushtet Berisha…) por pse këto kërpudha të helmuara mbijnë në tokën e përgjakur të Kosovës? Ndërsa na thotë se “partia rugoviane “ është garanci kombëtare, dhe unë dua ta besoj me gjithë zëmër, ai, Ganiu ynë, pohon se disa deputetë të kësaj partie janë anadollakë, turkoshakë dhe të shitur me lira nga Stambolli. Si bëhet pra që kjo parti  atdhetare, mban në gjirin e saj tradhëtarë të tillë? Kush mund të më  bindë mua se këta “turkoshakë” nuk do të marrin nesër në duart e tyre udhëheqjen e partisë dhe, pse jo, pushtetin në Kosovë, duke e larguar nga trungu kombëtar, duke shojtur ëndrrën shekullore për bashkim kombëtar? Për këtë , ma merr mëndja nuk e ka fajin televizioi shqiptar as ato paçavurat e Shkupit si i quan ai, por vetë partia rugoviane që i mban në gji, u jep imunitet dhe të drejtën të ngrejnë gurin kundër çdo vlerë kombëtare, akoma dhe kundër Gjergj Kastriotit! Mos edhe për këtë unë qënkam I keqinformuar?

Por le të hidhemi pak nga Tirana dhe  Berishën, të cilin adhuruesit e Rugovës e kanë tepër për zëmër. Këtu do t’i kap unë të painformuar. Politika berishianë njizet e ca vitet e fundit ka qënë thellësisht antikombëtare, antishqipatare. Këtu nuk do të flasim për marrëveshjet me fqinjët- Sërbinë e furnizonte me karburant, ndërkohë kur burgoste Adem Jasharin, kur sekuestronte armët që duhej të dërgoheshin për UÇK-në, vrapont të bënte Shqipërinë antare e botës ismlamike,çka dëmtoi shumë çështjen e Kosovës  dhe, shkatërroi fuqinë mbrojtëse të vendit por kryesorja përdhunoi një nga figurat më të  shquara shqiptare, atë të Fan Nolit. Kur u nderua nga Sali Berisha demokrati i shquar Fan Noli? Jo, nuk i leverdiste. Përderisa kisha ortodokse shqiptare duhej të dorëzohej tek të huajt, a mund të nderohej dhe të kujtohej arkitekti i kishës autoqefate shqiptare? Fan Noli,megjithse jetoi shumë pak kohë në  Atdhe,ishte nga intelektualët më të pastër shqiptarë, ai përdorte gjuhën  shqipe më të kulluar në shkrimet e poezitë e mrekullueshme të tij; ai përktheu ose shqipëroi kryeveprat e letërsisë botërore dhe librat e shënjta të krishtërimit që klerikët shqiptarë të predikonin fenë në gjuhën amtare,ashtu si përktheu margaritarët  e Omer Khajamit ; ai  ishte demokrati i pare shqiptar që ëndërroi një dempokraci të tipit amerikan, gjë që askush në Ballkan nuk mund ta imagjinointe për atë kohë. Dhe ndoshta do t’ja kishte arritur në se nuk do t’i kundërvihej përfaqësuesi i feudalëve shqiptarë dhe të interesave sërbomadhe, Ahmet Zogu. Por Berisha, si njeri thellësisht antidemokrat, nuk mund të nderonte Nolin por Zogun! Të gjithë e dime se si rrëmbeu pushtetin e Ahmet Zogu- me armët e sërbëve dhe të bjellorusëve duke i falur Sërbisë Shën Naumin dhe Vermoshin…Megjithatë unë nuk do të isha kundër rishikimit të historisë ndaj Zogut i cili, megjithë të këqiat e tij, mundi të bënte dhe të konsulidonte shtetin e pare shqiptar, por ngritja e tij në qiell nga politika berishiane dhe shuarja e Nolit nga kujtesa e shqiptarëve-kështu besojnë të gjithë diktatorët- ishte dhe mbetet një krim antikombëtar. Çfarë bënë partiakët rugovianë për mbrojtjen e Nolit? Mos dhe për këtë e kanë fajin…talibanët që janë futur në këtë parti? A janë rastësi të gjitha këto i dashur bashkëkombës Gani? Dhe ç’bëtë ju në Prishtinë për të mbrojtur figurat e Rilindjes dhe të historisë? Berisha nderon Zogun dhe…thotë dhe disa fjalë për Hasan Prishtinën të cilin e vrau dora gjakatare e Zogut si do të vriste dhe Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin e shumë të tjerë. Çfarë bëri partia kombëtare e Rugovës për këto? Më sa di unë as Adem Jasharin nuk nderoi ndonjëherë! Dhe ti më thua se qënkam i painformuar? Apo qënkam i painformuar për qëndrimin e Ibrahim Rugovës ndai UÇK-së? Por thamë, nuk do të mirremi me  presidentin e parë kosovar, madje disa  theksojnë si pretekst se  ai tashmë është i vdekur. Edhe Zogu ka vdekur shumë më herët, akoma dhe diktatori Enver Hoxha ka vdekur tridhjet vjet më pare, por kjo nuk i pengon kalemxhinjtë, analistët dhe opinionistët shqiptarë të mbushin çdo ditë faqet e gazetave he hostorira, shumë here të imagjinuara që të mos harrojë populli diktaturën. Është më se  normale dhe e domosdoshme që populli të mos harrojë se një komb pa kujtesë nuk mund të mbijetojë. Por dikur historia më e re shqiptare duhet të shkruhet dhe të paraqitet me objektivitet dhe është më se e vërtetë se gazetarët dhe pseudoanalistët asnjëherë nuk mund të shkruajnë histori objektive….

Por, bashkëkombësi im Gani Mehmetaj, duket mjaft i ri dhe duket se nuk ka dëgjuar asnjëherë emrin tim dhe kjo jo për fajin e tij. Prandaj e ndiej të nevojëshme t’i them disa gjëra rreth personit tim të…keqinformuar. Gjatë gjithë kohës si mërgimtar, i arratisur dhe si armik i popullit, si isha shpallur nga diktatura, i isha kushtuar çështjes kosovare (po të kishte lexuar shkrimin tim për Shkëlzen Raçën, diçka do të kishte kuptuar). Shkrimet e mia kishin ngahera në plan të pare luftën e vëllezërve kosovarë kundër shovinistëve sërbomëdhenj. Vitet e fundit u bë një përpjekje e vogël që të botoheshin disa nga këto shkrime me titullin “Motive nga Kosova” të krijuar nga viti 1981 deri në vitin 1991, por pa sukses. Ma merr mëndja se gjënden në arkivin e Shkëlzenit. Nuk do të flasim këtu për shkrimet e pabotuara (një romanin tim me titullin “Bombardoni Beogradin” u bë gati për botim se ishte pëlqyer, por në çastin e fundit shtëpia botuese në Tiranë ndërroi mëndje duke u justifikuar se….libra për Kosovën nuk shiten…! Romani i dytë që u refuzua për çështjen e Kosovës ishte “Simboli” dhe unë besova se ndalimi I botimit të shkrimeve të mia e kishin burimin tek ndalimi nga diktatura)…Por kjo nuk më brengos as do të bëj here tjetër përpjekje për botimin e tyre, ose të ndonjë shkrimi tjetër të së kaluarës. Mosha ime nuk më lejon më të mirrem me përjetimin e emrit tim në letrat shqiptare. Por, sigurisht, do të më pëlqente të kisha do miq në Prishtinë ose në Tiranë…Ka mundësi që, një nga këta të jetë bashkëkombësi i porsa njohur nëpërmjet shkrimeve, zoti Gani Mehmetaj! Pse jo? Shumë miqësi kanë filluar pas një grindje…Veçse unë nuk kam shumë kohë. Megjithatë, përsa vite do të kem mundësi mendore dhe fizike të shkruaj dhe të shpreh mendimin tim-qoftë dhe i gabuar për disa bashkëkombës- do ta bëj pa kompromis. Nuk është aspak mire që të gjithë të kemi të njëjtin këndvështrim për ato që na rrethojnë.  Demokracia e vërtetë këtë  të mire ka: të ketë mendime të ndryshme dhe të bashkëjetojnë. Si thoshte një mendimtari i madh ftancez kur një kundërshtar i tij e  sulmonte në mënyrë arbitrare: “E DI SE NUK KE TË DREJTË ME ATO QË THUA, POR DO TË JIPJA DHE PIKËN E  FUNDIT TË GJAKUT QË TI TË KESH TË DREJTË TË THUASH MENDIMIN TËND…”(K.Zharkalli) 16-3-2014.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: KRISTO ZHARKALLIU, miresjellja e gani mehmetaj, Mosinformimi

DJALI YNË SHKËLZEN RAÇA

February 27, 2014 by dgreca

NGA  KRISTO  ZHARKALLIU /Athinë/

Shumë herë përpiqemi të kalojmë dhimbjen duke i u kthyer kujtimeve. 25 shkurti ishte një ditë e rëndë, një ditë që na shkaktoi dhimbje të thellë nga vdekja e papritur e  “djalit” tone, historianit të njohur Shkëlzen Raça. Lajmin e zi nga Prishtina e mësova nëpërmjet internetit (si zakonisht, vitet e fundit, askush nuk u kujtua të më lajmëronte mua!)- se historian i shquar vdiq në moshon 62 vjeç. Është e natyrëshme dhe e kuptueshme që ndokush të pyesë: Pse duhej të të lajmëronin ty? Ç’lidhje mund të kishe ti me historianin dhe  punonjësin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, kur banon më shumë se gjysmë shekulli në Athinë?  Por kjo pak rëndësi ka. Humbja ishte e njëllojtë, e madhe. Shkëlzeni na braktisi në kulm të krijimtarisë së tij, kur kishte grumbulluar materiale të çmuara për historinë e Kombit Arbëror, duke mos arritur t’i nxjerrë të gjitha në dritë. Megjithatë ai na la botime të çmuara historike, sidomos për marrëdhëniet, lidhjet, bashkëvuajtjet dhe bashkëluftimet të shqiptarëve dhe grekëve. Ai rrëmoi dhe zbuloi arkiva dhe ngjarje historike të panjohura deri tani, për të cilat do të flasim më poshtë.

Shkëlzen Raçën e njoha  aty nga fillimi i vitit 1981. Një mbasdite më trokit në derë dhe ,kur e hapa më tha, këshu thjesht, me dialektin e tij kosovar të asaj kohe: Jam student nga Prishtina dhe nuk di aspak greqisht. Më dërgoi tek ju arvanitasi Jani Profis i cili më tha se jeni i vetmi shqiptar që ai ka njohur në Athinë” Pa thënë asgjë pak i hutuar-jo se nuk isha mësuar të më vizitonin shqiptarë se aso kohe çdo shqiptar që do të kalonte nga Athina do të kërkonte të takohej me mua, (madje, si për të qeshur ca miq grekë më kishin ngjitur nofkën “ambassador shqiptar në Greqi” shumë më pare se të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike të të dy vendeve), por për faktin se ishte student dhe  nga Prishtina, gjë që nuk kishte ngjarë më pare.Ishte djal i ri aso kohe Shkëlzeni. Gjëja e pare që më bëri përshtypje tek ai ishte thjeshtësia dhe ai afrim i pa shtirur duke menduar se ishte i sigurtë se ndodhej në një shtëpi miqësore, në një shtëpi ku kishte të drejtë të hynte, ndonse nuk dinte shumë gjëra për mua. Më informoi se kishte fituar një burse studimore në Institutin e Gadishullit  të Ballkanit në Athinë që drejtohej nga albanologu i njohur grek Titos Johallas dhe se nuk njihte asnjë njeri në Greqi dhe se Janis Profisin e kishte takuar në aeroport dhe i kishte kërkuar ndihmë. Profis ishte arvanitas dhe dinte disa fjalë shqip-gjë që ndihmoi shumë Shkëlzenin- dhe kur pa se studenti nga Prishtina nuk dinte nga t’ja mbante e mori në shtëpi në Koropi dhe  atje i kishte rekomanduar të më drejtohej mua për ndihmë duke i dhënë si telefonin tim ashtu dhe adresën e shtëpisë. Ai nuk mori telefon duke menduar se ishte më mire të më paraqitej përpara që të më befasonte gjë që ja arriti si jo më mire.Më hyri në zëmër ai njeri që në çastet e para. E inkurajova dhe  i thashë se e njihja Tito Johallën si të vetmin albanolog të vërtetë në Greqi. Ai  hapi çantën dhe më dha disa kopje të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës gjë që për mua në atë kohë ishin një dhuratë e çmuar…

Miqësia jonë u bë e vazhdueshme vitet që do të vinin. Lidhjet e mia me Kosovën që kishin nisur aty nga fundi viteve 60 kur kisha takuar një familje kosovare në Llavrio (deri atëhere shumë pak që të mos themi aspak – gjëra njihja për Kosovën dhe kosovarët) që më la mbresa të pashlyera duke më bërë të betohem me veten times se do t’i kushtohesha plotësisht në të ardhmen “çështjes kosovare”.Prandaj  ardhja e Shkëlzenit ishte një dhuratë e çmuar për mua, sikur po më binte nga qielli…Prej tij do të mësoja gjëra që nuk kisha mundur as të imagjinoja më pare për shqiptarët e Jugosllavisë së atëherëshme. Nga ana tjetër brënda atij vitit do të zhvilloheshin trazirat studentore në Prishtinë ku kishin filluar reprezaljet e egra të sërbomëdhenjve. Fatmirisht kjo nuk ndikoi në bursën e dhënë Shkëlzenit, i cili, përderisa  ndodhej në Athinë nuk mund të akuzohej për pjesmarrës në trazirat kosovare.Ndërkohë mundëm të krijonim nëpërmjet tij dhe disa shokëve të emigracionit lidhje të vazhdueshme me Prishtinën dhe me trevat e tjera të banuara  me shqiptarë në Jugosllavi. Sigurisht se  çështja e Kosovës ishte në plan të pare të shqiptarëve të emigracionit që, pothuajse kishin harruar sistemin komunist të Tiranës. Ishte e natyrëshme. Në brëndësi të shtetit sllav shqiptarët shtypeshin e terrorizoheshin nga pushtuesit e huaj, nga armiqtë shekullorë të shqiptarizmit që ishin shovinistët e egër fashisto-komunistë sërbomëdhenj. Ndërkohë dhe unë të gjitha shkrimet e mëpastajshme do të kishin objekt të vetëm: luftën për çlirim të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëherëshme, e cila akoma ishte vendi i përkëdhelur i perëndimasve .Dikush kishte thënë: Shthurja e shtetit jugosllav ka filluar në Kosoavë dhe atje do të mbarojë. Sa të drejtë kishte pasur!..

Ndërkohë Shkëlzeni punonte papushim që të mësonte gjuhën greke dhe krahas me studimet në Institutin e Tito Johallës, nisi të  bënte kërkime në arkivat e shumta të Athinës, duke filluar nga ato muzeale. Duke mos njohur akoma mire gjuhën  greke, vazhdimisht kërkonte ndihmën time duke m’u lutur shumë here t’i përktheja materialet e zbuluara në arkivat greke.Me nxitjen time gjeti shkrimet më të herëshmne të Fan Nolit të botuara në revistën greke “NOUMAS” me pseudonimin Mavromatis. Këto shkrime filozofike-shoqërore ja përktheva dhe ai i botoi në Prishtinë (më vonë do të botoheshin dhe në Tiranë, pa përmendur sigurisht emrin e përkthyesit!!!) Ndërkohë ai udhëtoi në Trakë ku takoi motrën e Nolit, Sulltanën e cila rronte akoma. Ai bënte një veprimtari të dendur si në Athinë ashtu dhe në Prishtinë ku herë pas herë botonte në revista dhe gazeta studimet dhe zbulimet e tij historike nga arkivat e pasura dhe të pacënuara greke. Mund të themi plot goje se ishte studjuesi i pare shqiptar që mundi të hynte në arkiva e “mbyllura” të Ministrisë së Jashtëme greke, ku zbuloi dhe botoi dokumenta të panjohura të shtetit grek që kishin të bënin me të ashtuquajturën “Çështje Shqiptare”. Nga kjo punë intensive erdhi dhe libri parë i tij:  “MARRËDHËNIET SHQIPTARO –GREKE (1829-1881) Prishtinë 1990. Instituti Albanologjik. Ky botim para se të  jipet për botim e kishim shoshitur të dy me hollësi. Madje, për këtë ai më kishte sjellë që në vitin 1987 desertacionin për diplomim- doktoratën që kishte të njëjtin titull në të cilin unë i bëra mjaft vërjetje të cilat ai i mori seriozisht parasysh. Pas kësaj ai e hapi rrugën vetë- edhe më pare materialet i zbulonte vetë dhe dua të theksoj se ndihma ime ishte më tepër  morale, ose e pjesëshme përsa i përket gjuhës greke. Me kalimin e kohës ai bëri dhe miq të tjerë grekë dhe arvanitas në Greqi ku shpesh udhëtonte për takime dhe kërkime të materialeve. Në një nga udhëtimet tona  nga Athina nç Korfuz duke kaluar në luginën e famëshme të Margëllëçit, ai më pyeti se si quhej më parë një fshat (shumica e fshatrave në atë zone kanë ndërruar emra) I thashë se quhej Laurat. Pas një viti kur I lindi djali ai i vuri emrin…LAURAT! Si rrjedhojë nënjëfarë mënyre jam emërvënësi i djalit të tij të cilin shpresoj diku ta takoj dhe ta ngushëlloj….

Në vitin 2004 ai botoi librin e dytë historik: “Shtegëtimet dhe Ngulimet e shqiptarëve në Greqi në shekujt XIII-XIV”   Prishtinë 2004. Libri i tij i fundit që më ra në dorë është: “GJURMË  NË HISTORINË SHQIPTARE” dhe shumë artikuj  përkatës të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme akoma dhe në ato greke. Ndërkohë takimet tona po rralloheshin- ai ishte larguar nga Athina  dhe punonte në Prishtinë. Sa here udhëtoi në Athinë me grupe pune ai më lajmëronte të takoheshim ndonse në përgjithësi ai më vinte në shtëpi dhe  ne e konsideronim si djalin tone. Madje na hyri në zëmër dhe e shoqja, Remzia të cilën e kujtojmë me dashuri. Kisha shpresë se pas  fitores kundër sërbomëdhenjve dhe pas shpalljes së pavarësisë do të kisha dhe unë fatin të udhëtoja në “Kosovën time” për të cilën kaq kisha “luftuar” e shpresuar. Mjerisht u “harrova”plotësisht në një kohë ku herëpasherë organizoheshin mbledhje”seminare” takime me shqiptarët e Greqisë (domethënë emigrantët e ardhur pas  shëmbjes së komunizmit në Shqipëri) të cilët i quanin…diasporë. Nëpërmjet tyre dhe veçanërisht nga gazetari i njohur Abdurahim Ashikut, i cili ka udhëtuar në Prishtinë disa here me këto grupe të ftuara, mësoja të rejat e Kosovës dhe për miqt e mi atje, sidomos për Shkëlzenin tone. Herën e fundit, në vjeshtë e kaluar, më tha se nuk kishte mundur të takohej me Shkëlzenin se kishte qënë pak i sëmurë. Kjo më shqetësoi shumë dhe, duke mos pasur mënyrë tjetër komunikimi i dërgova një e mail. M’u përgjigj se nuk ishte gjë serioze, por më vonë më tha se do të udhëtonte në Stamboll për një ndëhyrje kirirurgikale.  i u përgjigja duke i u lutur të më lajmëronte nga Stambolli, ose si të kthehej në Prishtinë se isha shumë i shqetësuar…

Mesazhin e fundit e mora prej tij më 4 janar 2014. Më thoshte se shkonte mire…Dhe lajmi i kobëshëm më erdhi nëpërmjet internetit në shtypin kosovar…Shkëlzeni na “tradhtoi”! Ai na mori radhën duke harruar se ne e konsideronim “djalë” akoma. Dhe ishte vetëm 62 vjeç!! U nxitua së tepërmi Shkëlzeni ynë…nuk i kishim ne faj që të na lëndojë, të na japë kaq dhimbje kur ndërsa unë prisja që ai dikur  të kujtohej të shkruante për mua, detyrohem unë të  shkruaj kujtimet për të. Jeta është shumë e padrejtë,ç’të bëjmë?

QOFTË I PËJETËSHËM KUJTIMI YT I DASHUR SHKËLZEN! NJERËZIT E TU TË RROJNË DHE TË TË KUJTOJNË!

Kristo Zharkalli, 27 shkurt 2014, Athinë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: DJALI YNË, KRISTO ZHARKALLIU, SHKËLZEN RAÇA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT