Ndodhem në familjen e Jasharëve,
atje ku nisi një flakë e madhërishme,
flaka e lirisë, që e ndriçoi krejt Prekazin,
e pas tij Drenicën e pas tij mbarë Kosovën.
Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën dhe botën.
Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë
për të nuk zbehet kurrë.
Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallë herë në jetën time.
Marr prej kësaj shtëpie një kumt që çdo njëri kujton se e di,
por që ka nevojë që përherë të përsëritet.
Ju faleminderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë./
Ismail Kadare/
dt. 20 nëntor, 1999/
Nga Muhamet Mjeku-New York/
Sivjet po kremtojmë 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, epokën që shembi robërinë serbe në këtë hapësirë ballkanike dhe la pas shumë vuajtje të shqiptarëve duke hapur një kapitull të ri mbi një histori të dhunshme serbe.
Në anënë tjetër, vetëm para pak muajsh, në mynyrë dinjitoze u shënua 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje që mund të përsëritet vetëm një shekull pas, atëherë kur ne s’ do të jemi as spektatorë. Prandaj, këta dy përvjetorë t’ i përjetojmë si gëzim, fat dhe si motiv për një të ardhshme më të konsiliduar shqiptare. Të gjitha këto s’ duhet t’ i shohim vetëm si histori, por edhe si projektim të një shoqërie shqiptare tjetër nga ajo që ka qenë dhe nga kjo që është. Shumëçka ka ndodhur në këtë hapësirë jashtë Shqipërisë londineze dhe brenda saj. Pjesa e pushtuar nga serbët, malazezët dhe grekët, përjetoi shumë dhunë dhe shumë vuajtje. Edhe përkundër mizorive që ngjanë, lufta për liri nuk u ndal asnjëherë. Me gjithë përpjekjet, fati deshi të mos jetë aleat i ynë. E ardhshmja e një populli të vogël, siç jemi ne shqiptarët, gjithnjë është varur edhe nga rrethanat e jashtme, duke mos mohuar edhe faktorin e brendshëm, i cili ka qenë i egër dhe përçarës. Një popull i vogël pa miq gjaku, i rrethuar me armiq të vjetër e ka pasur të vështirë mbijetesën historike. Dhe, pas shumë përmbysjeve shekullore, fat i shqiptarëve buzëqeshi me luftën dhe sakrificën e tyre, me mbështetjen e parezervë të Washingtonit dhe të disa vendeve të Evropës Perëndiimore.
***
Më 28 nëntor 1955, kur lindi Adem Jashari, Kosova ishte në dëshpërim të thellë nga mizoritë e policisë shtetërore dhe asaj sekrete serbe të kriminelit Rankoviq, dhe kush do të mendonte se, në këtë kohë të egër, djepi që po rriste këtë fëmijë në Prekaz të Drenicës, pas 43 vjetësh do të ndryshonte historinë e Kosovës dhe të një pjese të Ballkanit. Po nga Prekazi, kishin nisur edhe histori e luftërave tjera. Nga frangjitë e kullës së Ahmet Delisë, kishte filluar lufta kundër xhonturqve për çlirimin e Shqipërisë, më 1945 ishte likuiduar shtabi i çetnikëve nën maskën e partizanëve, ndërsa më 13 maj 1981Tahir Meha me forcë kundërshtoi policinë jugosllave në mbrojtje të dinjitetit kombëtar të familjes së tij, pas demostratave në Kosovë të vitit 1981, duke tronditur Jugosllavinë e AVNOJ-it. Me Prekazin lidhen edhe shumë trimëri që ndodhën në periudha të ndryshme, me motiv të njëjtë, të lirisë. Adem Jashari, është figura më sublime e këtyre ngjarjeve, i cili luftës së Kosovës i dha frymëzim, moral dhe popullaritet. Komandanti i fuqishëm i UÇK-së, hapi portën e lirisë për Kosovën, e cila ishte mbyllur forcërisht që nga viti 1912, kur kjo pjesë shqiptare u shkëput dhunshëm nga ushtria serbe e, një vit më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pa drejtësisht ju dha Beogradit. Liria nuk vjen vetë: një gjë e sprovuar me shekuj. S’ e more, ajo rri larg. Për këtë sllogan, që nga viti 1912 e këndej, në forma të ndryshme për Kosovën, u sakrifikuan shumë breza me idealin e tyre të pa mposhtur, atdheun para vetë jetës.
***
Ngjarjet e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar në Ballkan ishin më të shpejta sesa parashikuesit e tyre. Problemet që ishin grumbulluar për pesëdhjetë vjet në kohën e komunizmit, dhe shumë më tepër nga pushtimi i gjatë serb mbi Kosovë dhe tokat tjera shqiptare- shpërthyen pandalshëm në Jugosllavinë e atëhershme kontraverze. Serbët që dominonin politikën, ushtrinë dhe kapitalin, impononin ligjet dhe forcën mbi të tjerët. Ata s’ mund të pajtoheshin me faktin se po mbyllej dera e joshjeve dhe privilegjeve të tyre. Beogradi fashist asnjeherë nuk ka menduar se një ditë do të humbte Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën, vende këto që në mes të dy luftërave botërore i konsideronte territore serbe. Politika e iluzioneve dhe e miteve serbe, që nga beteja e Kosovës 1389, kishte filluar të përmbysej në fundshekullin e kaluar, jo pse serbët nuk gëzonin admirim nga një pjesë e madhe e Bashkësisë Ndërkombëtare, por për faktin se askush më nuk ishte i gatshëm që brenda Jugosllavisë të jetonte me krimin, urrejtjen, përbuzjen dhe pretendimete tyre ekspansioniste.
Pas shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes dhe Maqedonisë për Kosovën erdhi momenti të jesh apo jo! Kjo thënie mund të lexohej edhe kështu: Liri, me dhe pa viktima”. Në të kundërtën ky sllogan do të interpretohej ikje nga ajo.
Meqenëse në Konferencën e Dayton-it më 1995 u vendos një zgjidhje për Bosnjen, çështja e Kosovës, për shkak të rrethanave politike, nuk u mor fare parasysh. Pas këtij tubimi, opcioni paqësor s’shihej si çështje e zgjidhjes së problemit të Kosovës, dhe kështu nisi intensifikimi i përgatitjeve për kryengritje të armatosur që Adem Jashari me grupin e tij, dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së, i kishin filluar që nga viti 1991. Grupi pas disa stërvitjesh në Shqipëri, kthehet në Drenicë dhe vazhdon ushtrimet në periferi të Prekazit. Policia serbe i bie në gjurmë këtij formacioni që përbëhej nga Adem, Rifat dhe Hamëz Jashari, pastaj Fadil dhe Ilaz Kodra, Sahit Jashari e të tjerë. Më 30 dhjetor 1991 policia serbe mësyen Prekazin, por aty has në rezistencë të këtij grupi dhe tërhiqet. Rifati pas pak ditësh ishte kthyer në Gjermani, ku ndodhej me punë atje. Nga Neë Yorku, për gazetën Illyria, me z. Rifat Jashari, realizova një intervistë, ku përshkruante përpjekjet e policisë serbe për të hyrë në Prekaz, dhe rezistencën e grupit të Adem Jasharit dhe të tjerëve që ju kishin bashkuar. Nuk mund të bësh një vepër të madhe kombëtare pa sakrificë individuale, familjare e kolektive dhe nuk mund të bësh një vepër historike pa e dashur atdheun dhe pa e kuptuar peshën e robërisë. Të tillë, heronj e dëshmorë, që u sakrifikuan për liri, në të kaluarën tonë, ka pasur dhe do të ketë, por sakrifica e familjes Jashari është diçka e veçantë, e pa kompromis dhe unikat në përmasa globale. Nuk ishte e rastit thënia e Bernard Kushnerit, administratorit të parë në Kosovë, pas luftës, se “sikur të ekzistonte çmim nobël për trimëri, do t’ i jipej kësaj familje”.
Adem Jashari ka qenë i bindur se lufta do të ndodhte, dhe se kësaj duhej përgjigjur me të gjitha mjetet, pa marrë para sysh se çfarë haraçi do të paguhej. Atë e ka mbajtur besimi për gadishmërinë e popullit për sakrificë. Ndërgjegja ndaj atdheut ka qenë mbi të gjitha për të, dhe kjo ndërdije s’ u krijua brenda ditës dhe brenda vitit. Në fakt, vetëdija e atdhedashurisë, trimërisë dhe sakrificës u brumos brenda konceptit që kishte vetë familja Jashari, në radhë të parë babai i tij, Shabani, i cili ishte edhe inspiratori kryesor i edukimit të fëmijëve të tij në këtë frymë.
Pas bërjes publike të UÇK-së nga Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi në Llaushë të Drenicës, në nëntor të vitit 1997, me rastin e varrosjes së mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, u u hoq dilema se a ekzistonte apo jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas rënies heroike të Adem Jasharit dhe Jasharajve tjerë në Prekaz, radhët e UÇK-së u shtuan shumë shpejt, jo vetëm në Drenicë dhe jo vetëm në Dukagjinë. Shumë të rinj nga të gjitha viset shqiptare u bënë ushtarë të saj: erdhën edhe nga Zvicra, Gjermania, SHBA dhe vendet tjera perëndimore. Një numër i madh i këtyre të rinjve sistematikisht ishte dëbuar nga një terror i egër shtetëror i regjimi të Millosheviqit. Tani këta po ktheheshin të luftonin për lirinë e atdheut, kundër atij që ua kishte mohuar kthimin në Kosovë. Nga ta, në fushëbetejë, ranë shumë dëshmorë. Ngjarjeve të vitit 1997 u kishin paraprirë edhe shumë të tjera. Me këtë dua të them se lufta për liri ka një kontinutet të gjatë historik. Ky kontinuitet kap shekullin por, fatkeqësisht, rrethanat e jashtme gjithherë ishin në disfavor tonin. Dhe më në fund, edhe përkundër padrejtësisve të mëdha dhe propagandës serbe se shqiptarët janë e keqja më e madhe e Ballkanit, Administrata Amerikane dhe shumë shtete të Evropës perëndimore e kuptuan të vërtetën mbi Kosovën dhe të vërtetën tjetër mb shqiptarët.
Se cila luftë për liri nxjerrë një kryehero, shumë heronj, shumë dëshmorë dhe martirë. Kryeheroi i luftës së Kosovës, është Adem Jashari dhe emri i tjij është simbol, identitet, krenari dhe mburrje për të gjithë shqiptarët dhe historinë tonë kombëtare.
Do të ishte iluzore se, përkundër sakrificës së madhe të popullit shqiptar, pa mbështetjen e sinqertë të SHBA-ve dhe e disa vendeve perëndimore evropiane, nuk do të ishim këtu ku jemi, as Koosova, as Shqipëria e as shqiptarët tjerë që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve.
Vlerat e luftës respektohen vetëm me vlera të ndërtimit të shtetit të ligjshëm, me vlera demokratike dhe me një zhvillim ekonomie të tregut evropian. Kosova në këtë drejtim ka ecje dhe ngecje, por e ardhmja e shqiptarëve do të jetë e tyre.(Dielli, shkurt, 3013) Ne Foto:Permendorja e Heroit Adem jashari