• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HOTI: NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE KOSOVË-SERBI VJEN VETËM PAS NJOHJES RECIPROKE

July 12, 2020 by dgreca

 -Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

-Kryeministri Hoti: Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut/

PRISHTINË, 12 Korrik 2020 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vjen vetëm pas njohjes reciproke, tha sot në Prishtinë kryeministri kosovar, Avdullah Hoti. Ai ka folur gjatë një konference për shtyp për takimin e nivelit të lartë që është mbajtur sot nëpërmjet video-konferencës në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ka ndodhur pas Samitit të Parisit, me ç’rast unë dëshiroj të falënderoj Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel për gatishmërinë e tyre që të ndërmjetësojnë që të fillojë procesi i dialogut pas një periudhe të gjatë”, tha Hoti.

 Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht si qeveri, vijoi kryeministri,  qëndrojmë prapa asaj se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut ne mund t’i zgjidhim çështjet që i kemi me Serbinë.

“Në të gjitha takimet që i kemi pasur deri më tash unë kam prezantuar në emër të Qeverisë së Kosovës, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim, që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, theksoi kryeministri Hoti.

Ai shtoi se, sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut.

“Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv, duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, i cili vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

 Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para zhvillimit të sotëm, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 korrik, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeminsitri Hoti, normalizimi, pas njohjes

HOTI:Interes i Kosovës: Dialogu me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë…

June 27, 2020 by dgreca

-Kryeministri Hoti pas takimeve në Bruksel e anulimit të udhëtimit drejt Uashingtonit kthehet në Prishtinë, në konferencë shtypi sot deklaroi:Është me interes për shtetin e Kosovës që procesi i dialogut me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të tij, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës-

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 27 Qershor 2020/ Kryeministri Avdullah Hoti sot në Prishtinë pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel, tha se është me interes për shtetin e Kosovës që procesi i dialogut me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të tij, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pavarësisht ndryshimeve në axhendën e ditëve të fundit sa i përket dialogut, ne si qeveri mbesim të përkushtuar për procesin e dialogut. Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe dje te zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe e njëjta gjë na është kërkuar nga ata zyrtarë me të cilët jemi takuar”, tha kryeministri i Kosovës në konferencë shtypi.

Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, vijoi kryeministri Hoti,  kemi shtyrë vizitën në Uashington.

“Unë kam pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të Presidentit Amerikan Trump për dialog, ambasadorin Grenell. Pas diskutimeve që kam pasur me të jemi dakorduar përfundimisht që takimin ta shtyjmë për një datë tjetër, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Axhenda e atij takimi mbetet e njëjtë prapë, që t’i japë shtysë mbështetjes së procesit të dialogut përmes një axhende të zhvillimit ekonomik që e ndryshon komplet gjendjen ekonomike në dy vendet, por edhe komplet në rajon”, theksoi Hoti.

Kryeministri Hoti tha se, tanimë janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë.

“Ne kemi dhënë dakordimin tonë si qeveri që jemi të gatshëm për të qenë pjesë e atij samiti që kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në fakt, jemi të nderuar që kemi një fokus dhe një interesim kaq të madh të Presidentit të Francës dhe Kancelares Gjermane për këtë proces. Në ditët e ardhshme ne do të punojmë shumë brenda qeverisë për të funksionalizuar strukturat e nevojshme për procesin e dialogut përmes Këshillit të ekspertëve për dialog, të cilët do të jenë të përgatitur që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave që ngritën në procesin e dialogut”, u shpreh kryeministri kosovar.

Për ditën e sotme, 27 Qershor,  ishte parlajmëruar një takim në Shtëpinë e Bardhë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por në 24 Qershor Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 25 Qershor edhe kryeministri Hoti deklaroi  se, për shkak të zhvillimeve të reja duhej të kthehej në Prishtinë për tu marrë me situatën dhe
bëri të ditur se e ka njoftuar ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë.

    ***

KRYEMINISTRI HOTI: KOSOVA I KA PLOTËSUAR TË GJITHA KUSHTET PËR LIBERALIZIM TË VIZAVE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel, sot në 27 Qershor 2020,

ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.


Kryeministri Hoti theksoi se në këto takime janë diskutuar temat me interes vital për shtetin e Kosovës, duke filluar nga çështja e vizave, luftimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu, për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, anulimi i vizitës në Uashington dhe për përgatitjet për Samitin e Parisit.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencën për media

Ju falënderoj të gjithëve për prezencën, këtë ditë të shtunë!

Ju kemi ftuar për të prezantuar para jush disa çështje lidhur me vizitën në Bruksel, që mendoj se është tepër e rëndësishme për shtetin dhe Qeverinë e Kosovës.


Siç e keni parë nga agjenda e djeshme kemi pasur takime të nivelit më të lartë në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian, duke filluar nga presidenti i Këshillit, Charles Michel, nga presidentja e Komisionit Evropian, znj. Von der Leyen, nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në kuadër të Parlamentit Evropian, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i Partive Popullore Evropiane dhe mik i Kosovës, David McAllister.


Temat që i kemi diskutuar në këto takime, pa përjashtim të gjitha, besoj që janë tema me interes vital për shtetin e Kosovës duke filluar nga vizat. E them me kënaqësi që ka një mirëkuptim të plotë nga ana e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit Evropian, për nevojën që ka Kosova dhe qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm sa më parë.

Pranohet nga të gjithë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që i janë vendosur për liberalizim të vizave. Sigurisht, tash është obligim yni si Qeveri që t’i mirëmbajmë ato kritere që i kemi plotësuar për liberalizim të vizave.


Unë pres që disa prej vendeve anëtare që në të kaluarën kanë qenë pak skeptike në këtë drejtim, me përkushtimin e treguar nga Qeveria e re, për Agjendën e Reformës Evropiane, për zbatimin e MSA-së dhe reformat në drejtësi, të lëvizin sa më shpejt përpara në liberalizim të vizave.


Siç e keni parë, një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian, dje i kanë shkruar Kancelares Merkel, duke qenë se Gjermania nga data 1 korrik e merr kryesimin e BE-së, deputetë nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim dhe kjo neve na bën me shpresë që ka një pajtueshmëri të gjerë te të gjitha grupet e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.


Ne do të punojmë tash në javët e ardhshme, veç e veç, me secilin prej vendeve të BE-së për të treguar përkushtimin tonë për reformat dhe për mirëmbajtje të kritereve që i kemi plotësuar tanimë për liberalizim të vizave.


Çështja e dytë për të cilën kemi biseduar është sigurisht luftimi i pandemisë. Unë i kam falënderuar Komisionin dhe institucionet e BE-së për mbështetjen që na kanë dhënë në luftimin e pandemisë, edhe financiare, edhe teknike.


Ne tash, siç po duket, duhet të bëhemi gati për valën e dytë të pandemisë dhe do të punojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me institucionet shëndetësore që të krijojmë të gjitha kapacitetet e nevojshme që të normalizojmë jetën, biznesin, arsimin dhe institucionet e tjera sa më parë dhe të mësohemi të jetojmë në kuadër të kushteve të pandemisë. Orientimi ynë si qeveri është që të zbatojmë protokollet e Komisionit Evropian sa i përket luftimit të pandemisë.


Çështja e tretë që e kemi biseduar në detaje, është rimëkëmbja ekonomike dhe mbështetja që i duhet krejt Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në veçanti për t’i tejkaluar pasojat ekonomike të pandemisë.


I kam njoftuar institucionet e BE-së për përpjekjet që kemi bërë deri tash, me krijimin e Fondit për rimëkëmbje ekonomike që është afër 400 milionë euro dhe jemi dakorduar që në pjesën e dytë të vitit i gjithë Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, të trajtohet veçmas në një pako gjithëpërfshirëse të mbështetjes ekonomike dhe të rimëkëmbjes që jep Bashkimi Evropian për të gjitha këto vende.

Jemi dakorduar që të rishikojmë agjendën e reformave evropiane edhe një herë, bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por ta rishikojmë duke vendosur kritere të qarta në mënyrë që të mbesim të fokusuar drejt integrimit evropian. Kjo është e para që sot kam dashur të flas para jush dhe para qytetarëve.


E dyta, zhvillimet politike dhe zhvillimet e fundit në veçanti që kanë ndodhur në Kosovë, e kanë ndërruar pak dinamikën e agjendës sonë si qeveri, tash pas njoftimit për dorëzim të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Lidhur me këtë çështje më lejoni t’i them tri shtylla të qëndrimit tonë si qeveri:


E para, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës sigurisht është arritja më e madhe e organizimit tonë për të fituar pavarësinë. Kjo luftë është e shenjtë për popullin e Kosovës, kjo luftë ka sjellë lirinë dhe pavarësinë dhe në fakt akti i shpalljes së pavarësisë që është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, plotësisht e legjitimon luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.


E dyta, duhet të pajtohemi të gjithë ta respektojmë në plotni parimin e drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa nuk ka vendim përfundimtar nga një gjykatë kompetente dhe


E treta, unë jam i bindur që të gjitha institucionet, bartësit e institucioneve në Kosovë do të tregojnë maturi në këtë situatë të re të krijuar, sikur që kemi treguar maturi në të kaluarën për të respektuar plotësisht obligimet tona kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet tona ndërkombëtare që i kemi si shtet.


Çështja e fundit që dëshiroj të flas para jush është procesi i dialogut. Më lejoni edhe një herë të them para jush që pavarësisht ndryshimeve në agjendën e ditëve të fundit sa i përket dialogut, ne mbesim të përkushtuar për procesin e dialogut si qeveri. Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe dje te zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe e njëjta gjë na është kërkuar nga ata zyrtarë me të cilët dje jemi takuar.


Është me interes për shtetin e Kosovës që ky proces të mbyllet sa më shpejt duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të BE-së dhe nga SHBA.


Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, për të cilat fola më lart, ne kemi shtyrë vizitën në Uashington. Unë kam pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të Presidentit Trump për dialog, ambasadorin Grenell.

Pas diskutimeve që kam pasur me të jemi dakorduar përfundimisht që ta shtyjmë për një datë tjetër, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Ju do të njoftoheni së shpejti për datën që do të caktohet për këtë takim. Agjenda e atij takimi mbetet e njëjtë prapë, që t’i japë shtysë mbështetjes së procesit të dialogut përmes një agjende të zhvillimit ekonomik që e ndryshon komplet gjendjen ekonomike në dy vendet, por edhe komplet në regjion.


Tanimë janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit. Ne kemi dhënë dakordimin tonë si qeveri që jemi të gatshëm për të qenë pjesë e atij samiti që kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në fakt, jemi të nderuar që kemi një fokus dhe një interesim kaq të madh të presidentit të Francës dhe Kancelares gjermane për këtë proces. Në ditët e ardhshme ne do të punojmë shumë brenda qeverisë për të funksionalizuar strukturat e nevojshme për procesin e dialogut përmes Këshillit të ekspertëve për dialog, të cilët do të jenë të përgatitur që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave që ngritën në procesin e dialogut.


Besoj që shumë shpejt agjendën për këtë Samit do ta kemi publike dhe do të njoftoheni të gjithë me kohë.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu me Serbine, Kryeminsitri Hoti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT