• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryengritja e Malësisë së Madhe në shtypin Amerikan

March 17, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi-Michigan/

Lufta e popullit Shqiptar të Malësisë së Madhe, por dhe vuajtjet e tij kanë qenë objekt i pasqyrimit të shtypit amerikan, kur përveç gazetave të mëdha si “New York Times”, Boston Globe, paraqitja e gjendjes në Evropë dhe në Shqipëri në Vitet 1911-12 në shtypin Amerikan, kryesisht bëhej në rubrikat e ngjarjeve në botë dhe më shumë janë korrespondenca dhe kabllograme të marra nga shtypi britanik dhe evropian.

Kjo gjë rezulton dhe nga një humlumtim i im, në Librarinë e Kongresit ku gjeta mjaft artikuj edhe në gazeta lokale, pikërisht për ngjarje dhe aspekte të veçanta të kryengritjes të Malësisë së madhe për qendrimit e malësorëve tanë trima, ku veç pasqyrimit të qendrimit heroik të tyre pasqyrohen dhe intrigat e fuqive perëndimore si dhe të Knjaz Nikollës të Malit të Zi. Është interesantë se në artikujt për këtë ngjarje gjejmë jo vetëm në gazetat në anglisht, por edhe në gazeta ne gjuhët e komuniteteve si në italisht dhe gjermanisht.

Po sjellim më poshtë disa tituj dhe organin përkatës “General, on Turco -Mootenegrin Border. HOSPITALS ARE OVERFLOWING “The San Francisco Call. (San Francisco), August 06, 1911, “New Ulm review”. (New Ulm, Brown County, Minn.), October 16, 1912, TURKEY THREATENED BY TROOPS OF MONTENEGRO, Nicholas Prepares to Avenge Atrocities in Albania, “Bismarck daily tribune”. (Bismarck, [N.D.]) October 29, 1912, Turkish Supplies Cut Off, L’insurrezione in Albania, Malafede Turca

La Sentinella del West Virginia., June 03, 1911, etj.

I tillë është dhe artikulli në fjalë i përkthyer nga “ Evening star”. (Washington, D.C.)

i datës, 06 Gusht, 1911 marrë me kabllogram special nga “The Star”.

Pas shëprthimit të Kryengritjes së Malsësisë së madhe në mars, më 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet Turgut pasha me tetë batalione, 5 000 ushtarë, dy bateri malore, një divizion mitralier, 800 kuaj, 10 000 pushkë dhe materiale të shumta luftarake. Në të njëjtën kohë 20 000 ushtarë të tjerë po mobilizoheshin në Anadoll, përveç batalioneve të rezervistëve që do të rekrutoheshin në Rumeli, në Turqinë Evropiane. Ushtritë osmane me rrugë detare erdhën e zbarkuan në Shkodër më 18 prill. Mbërritja e forcave të reja osmane nuk i ndali sulmet e kryengritësve, të Dedë Gjo Lulit në radhët e të cilëve luftonin edhe atdhetarë të tillë, si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi e të tjerë. Më 22 prill dështoi kundërsulmi që forcat xhonturke ndërmorën nga ana e Shipshanikut dhe e Deçiqit.

Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht, kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç se në rast lufte.

Pa pritur të mbaronte ende afati i armëpushimit të caktuar në shpalljen e tij, Shefqet Turgut pasha më 14 maj goditi befasisht malësorët. Ushtria osmane prej 6 000 vetash, e pajisur me artileri e mitraloza, u hodh sërish mbi Deçiq. “Forcat morën këto pozita, – shkruante konsulli austriak në Shkodër, – duke i dëbuar rrebelët pllambë për pllambë”.

Pas këtij operacioni turqit mundën të forcoheshin në vijën Tuz-Deçiq-Kastrat, ku vendosën 6 000 ushtarë në drejtim të Shipshanikut dhe 5 000 të tjerë nga ana e Koplikut. Nga ana e Gucisë vijonte të ushtronte presion mbi kryengritësit në drejtim të Selcës një forcë e komanduar nga Ethem Pasha, e cila kishte arritur në 8 batalione. Ajo i mbajti të ngujuara forcat kryengritëse të Kelmendit pa arritur të bëjë asnjë hap përpara u detyrua të kthehej në Guci.

Përballë këtyre forcave osmane, pa llogaritur trupat e shumta të dislokuara në Fushë të Shtojit pranë Shkodrës, qëndronin vetëm 2 000 kryengritës shqiptarë, të përqendruar në mes të Dinoshës dhe Tuzit.

Shefqet Turgut pasha, duke përdorur artilerinë, shkatërroi të gjitha katundet që bënë qëndresë. Ushtria osmane nuk kurseu as malësorët myslimanë. Për t’u shpëtuar mizorive xhonturke, shumë familje malësore, gra, fëmijë e pleq, vazhdonin të kalonin në Mal të Zi.

Më 17 qershor Shefqet Turgut pasha në emër të sulltanit shpalli edhe një herë amnistinë për kryengritësit që duhej të dorëzoheshin brenda 10 ditëve, duke premtuar gjithashtu 10 000 lira për shtëpitë e djegura. Në shpalljen që nxori me këtë rast thuhej se qeveria turke do të kujdesej për nevojat e vendit, për të shlyer dëmet që u ishin bërë kohët e fundit shqiptarëve, si edhe për të siguruar të mirën e qetësinë e popullit. Por në shpallje nuk bëhej fjalë për asnjë nga të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

Pas shpalljes së 17 qershorit xhonturqit disa herë u përpoqën të hynin në bisedime me kryengritësit, por dështuan, sepse ndeshën në vendosmërinë e tyre për të luftuar deri në fund për të drejtat e tyre kombëtare. Pikërisht kjo situatë dhe mizoritë e pashës turk paraqiten në këtë artikull të “ Morning Star “.

“Vuajtjet e shqiptarëve përtej asaj që mund të besohet

Fajësohet gjenerali turk Turgut Shefqet Pasha përgjegjës për grabitje, vrasje dhe plaçkitje.

Evening star. (Washington, D.C.) 06 Gusht, 1911,

Kabllogram special nga “The Star”

LONDER, 5 Gusht. Vëzhguesit specialë të dërguar në rajonin e trazuar të Shqipërisë raportojnë për një situatë më të rëndë përtej asaj që besohej. Ata thonë, se nëse nuk do të ndërmerren veprime të menjëhershme nga disa kombe të krishtera, këta fise të fuqishme paqësore, shqiptarët e zgjuar punëtorë të zellshëm së shpejti do të do të asgjësohen.

Ata pohojnë se gratë dhe fëmijët po mbajnë barrën e mizorive turke, dhe ata paraqesin një vend të infektuar nga ethet, e mbushur me mizëri me ushtarësh turq të njohur për aftësitë e tyre për grabitje, vrasje dhe përdhosje e mizori të krahasueshme që s’janë dëgjuar qysh nga historitë e luftërave në Tokën e Shenjtë.

Veçanërisht ato paraqesin famëkeqin gjeneralin Turgut Shefqet Pasha, komandantin të trupave ndëshkuese turke, ku sipas raporteve thuhet “dhe pse Turqia ka prodhuar herë pas here gjeneralë të paskrupullt dhe të përgjakshëm, ajo kurrë nuk ka prodhuar edhe një njeri të tillë kaq djallëzor e mizor në aplikimin metodave të vjetra të luftës turke sesa Turgut Shefqet Pashën .” Ata thonë së ai është i mbështeteur nga qeveria turke, që është gjithnjë pas mizorive hakmarrëse të dëshmuar nga turqit në trajtimin e kundërshtarëve të tyre.

Një racë e zgjuar

Në mënyrë që të vlerësojmë rëndësinë e plotë të kësaj tragjedie historike, që është duke u luajtur në këndin juglindor të Europës, është e nevojshme që të kuptojnë se populli që Turgut Shefqet Pasah po shkatërron pa mëshirë, nuk zotëron asnjë nga cilësitë që u vishen turqve, ose të banditëve të operave komike me të cilat ata janë paraqitur zakonisht. Ata janë një pashëm, një racë inteligjente. Katolike nga feja dhe evropianë në thelb nga origjina. Edhe pse për shekuj me radhë kanë qenë nën sundimin brutal të turqve, ata kurrë nuk kanë adoptuar gjuhën turke apo kanë ndërruar fenë apo metodat e jetës së tyre të vjetër.

Lufta të cilën Turgut Shevket po ndërëmerr tani është është një mizori, një grumbullim metodash dhune (urie, tatimesh, plaçkitjesh, shkatërrimit me zjarr dhe një kasapane mizore).

Malësorët janë duke kërkuar që “premtimet e bëra, kurTurqit e Rinj morën pushtetin në Stanboll, duhet të përmbushen, ndërsa Turgut Shefqet Pasha po iu përgjigjet, duke djegur fshatrat e tyre, duke i larguar ata nga malet, duke iu marrë pronat e tyre në zonat malore, duke i detyruar ata të mbijetojnë gjatë verës së nxehtë, të sëmurë në zonat e ulëta malarike, ku delet dhe kafshët e tyre do të ngordhnin; dule u mbyllur të gjitha burimet e furnizimit me ushqime dhe duke i quajtur të gjithë ata që u japin ndihmë atyre atyre “rebelë”.

Të masakruar në male

Gati gjysma e fiseve malore e kanë traditë qysh nga kohërat e lashta të vijnë çdo vjeshtë me kopetë dhe familjet e tyre, në Bregun e Matës dhe të dimërojnë atje. Por në qershor mizëria e madhe e mushkonjave e kthen këtë vend fushor të pabanueshëm, dhe për këtë arsye ata në fillim të verës kthehen në kodrat e tyre. Turgut Shefqet Pasha, duke përfituar nga ky migrimit vjetor nuk ka mënuar t’i shfarosë të gjithë ata malësorë që kishin mbetur në kodra gjatë dimrit, dhe ata që nuk mund t’i kapte i dëboi përtej kufirit në Malin e Zi.

Herët në pranverë ai i zuri gjithë shtigjet e malit nga pritej kalonin barinjtë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, dhe nuk kanë pranuar t’i lënë ata të kthehen. Kështu këto fise janë të përqendruara tani në vendet e ulta malarike “Aty ku ata janë të detyruar të therrin kopetë e tyre, mbi të cilat varet ekzistenca, duke mbetur pa ushqimet e mjaftueshme në ulësirë, ku si njerëzit po ashtu dhe kafshët janë duke vdekur nga ethet e shkaktuara nga janë detyruar të pijnë ujin e ndyrë e të ndenjur të kenetave. Ibrahim Efendi Kjori, një zyrtar i lartë turk në Shkodër, ka deklaruar publikisht se qeveria osmane synon t’i shpopullojë këto kodra në mënyrë që të sjellë aty ardhacakë që kanë më shumë në simpati për qeverinë turke dhe fenë islame. I njëjti zyrtar turk shton me qetësi se qeveria ka ndërmend t’i lerë Malësorët ” të vdesin në Bregun e Matit si derrat në llucë”.

Turgut Shefqet Pasha duket se është pranë arritjes së këtij objektivi. Vetëm një veprim i bashkuar e popujve të krishterë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mund të ndalojë shfarosjen e mijëra krishterëve në veri të Shqipërisë.

E së njejtës kohë vjen raporti i gazetws tw komunitetit Italian “L’insurrezione in Albania, Malafede Turca “ La Sentinella del West Virginia”, 3 June 1911.

“Cettigne, 3 Qershor, Konsulli aktual i Turqisë në Podgoricë bëri shpërndarjen e shpalljes së Turgut Shefqet Pashës që i ftonte kryengritësit malësorë të dorëzonin armët brenda pesë ditëve. Kopje të shumta të kësaj shpalljeje iu dorëzuan nga konsulli guvernatorit- komandant të Podgoritës me lutjen që ato t’i dërgonin në kampin e kryengritësve dhe, që ai të përdorte ndikimin e vet për t’i nxitur rebelët të vepronin në përputhje me urdhrat e Turgut Pashës, duke iu premtuar atyre se nuk do të kishte asnjë sulm nga ana e ushtrisë perandorake para skadimit të afatit.

Edhe pse afati ishte i shkurtër, Guvernatori i Podgoricës e pranoi, mendueshëm, si një fqinj i mirë,(?!) misionin që ofroi konsulli dhe përdori zyrat dhe influencën e tij për t’i nxitur kryengritësit për të marrë në konsideratë apelin e Turgut Shefqet Pashës.

Përpjekje të tilla do të ishin pjesërisht të suksesshme, dhe ai besonte se me 15 Qershor një pjesë e madhe e kryengritësve do të dorëzonte armët në Tuz; por për habinë e të gjithëve, dhe të Qeverisë, dje, të dielën, mes oërs 4 dhe 5 të mëngjesit, ka ndodhur një sulm i ushtrisë turke të ushtrisë në të gjithë linjën e kufiriti, pavarësisht premtimeve dhe garancive të dhëna nga konsulli turk.

Lufta ishte e ashpër dhe zgjati një ditë të tërë. Ende nuk e dihet rezultati, por pabesia nga ana e konsullit turk dhe Shefqet Turgut Pashës, ka dëmtuar shumë projektet e paqes, dhe ka shkatërruar tashmë gjithçka ç’ka ishte efekti i shpalljes. Nga ana tjetër, sulmi i lidh duart gjeneralit Vouktiç, i cili komandon garnizonin në Podgoricë. Ky akt paprecedent ka prodhuar zemërim të gjerë në të gjithë vendin ».

Filed Under: Histori Tagged With: Kryengritja e Malesise se Madhe, në shtypin Amerikan, Rafael Floqi

Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Pavarësia e Shqipërisë-Situata në Shqipëri më 1912 sipas gazetarit anglez të kohës H. Charles Woods

April 4, 2013 by dgreca

“Unë kam rrëfyer mjaftueshëm që pakënaqësia e shkaktuar kryesisht nga politika e pazgjuar e Qeverisë turke, është përhapur tani së fundi edhe në jug të Shqipërisë. Nëse autoritetet përpiqen të bëjnë ndonjë rekrutim ushtarak së afërmi, revolta, edhe nëse nuk ka filluar ende , me siguri do të fillojë. Për sa i përket Veriut, gjendja është mjaft shqetësuese. Fiset në tërësi janë të përgatitur ndoshta më mirë seç ishin vitin e kaluar, dhe disa nga zonat muslimane tani janë më të gatshme të hidhen në kryengritje dhe të bashkohen me të krishterët më ngushtë, seç kanë qenë ndonjëherë më parë” /

Nga Rafael Floqi /

Gazetari, udhëtari dhe shkrimtari i njohur anglez i fillimit të shekullit H. Charles Woods, i cili është autor i disa librave për Ballkanin dhe jepte leksione mbi “Luftën dhe Diplomacinë në Ballkan”, në Lowell Institute, në vite 20-t,  pat shkruar në fillim te shekullit një sërë artikujsh mbi gjendjen e popullsive ballkanike nën Perandorinë Turke, duke parë dhe duke u bërë një simpatizant i çështjes shqiptare, aq sa dhe vetë Fan Noli, kur ndodhej në Londër ia referonte Ismail Qemalit si një gazetar simpatizant i çështjes shqiptare. Ai pat botuar madje në revistën “The Geographical Review” vol. v Prilll. 1918 . 4 një artikull me titull” Albania and the Albanians” ( Shqipëria dhe Shqiptarët). Woods ishte një njohës i mirë i diplomacisë dhe gjeopolitikës. Ai shkroi një sërë librash për Luftën e Parë Botërore dhe Ballkanin. Rëndësia e artikujve te tij, si dhe pjesës së parë të këtij artikulli, ku flitet për Shqipërinë, është se bëhet nje analizë sa historike, aq dhe aktuale e gjeopolitike e Shqipërisë së viteve 1911- 1912, dhe sidomos e rolit dhe ndikimit që Kryengritja së Malesisë së Madhe pati në Pavarësinë e Shqipërisë.

Eshtë me rëndësi fakti, se ai Kryengritjen e Malësisë së Madhe e sheh më gjerë se një kryengritje rajonale, por si një lëvizje që pat implikimin e saj në situatën tërësore të shqiptarëve në veri dhe në jug të Shqipërisë në prag të Pavarësisë dhe implikimin e Malit të Zi në kryengritjen e Malësisë që e sheh me gjerë në kuadër të një gjeopolitike të fuqive të mëdha, pa përjashtuar situatën e brendshme të Perandorisë Osmane.

“Është e vështirë për të përshkruar me saktësi, shkruan ai, se çfarë nënkuptohet me termin e Shqipëri. Për qëllim të këtij artikulli, është e mjaftueshme për të thënë se ata që sulltani i quan arnautë, janë diku midis 1.100.000 -1.200.000 shpirtrave, që jetojnë për pjesën më të madhe në vilajetet turke: të Shkodrës, Janinës, në një pjesë të Kosovës e Manastirit deri në kufijtë e këtyre dy vilajeteve.

Shqiptarët janë të ndarë në dy grupe kryesore: gegë dhe toskë. Ndërsa gegët, ose shqiptarët e veriut, janë të përbërë nga një numër i fisesh luftëtarake, ku secili prej të tyre, ka një organizim praktikisht të veçantë, ata të jugut zakonit janë bazuar në një sistem të bejlerësh apo agallaresh të cilëve njerëzit u drejtohen për udhëheqje dhe për drejtim për të gjitha çështjet me rëndësi. Në gjithë Shqipërinë, dhe, veçanërisht në jug, pavarësisht përpjekjeve të fanatikëve turq dhe priftërinjve të krishterë, arnautët trima janë shqiptarë, para se të jenë një muhamedanë apo të krishterë. Në kohën e sotme kur rreth dy të tretat e shqiptarëve të Turqisë kanë përqafuar Islamin, dëshmohet se ata këtë  (konvertim RF ) e kanë bërë më shumë për arsye laike sesa shpirtërore. Një e treta, e shqiptarëve tw tjerw që mbeten u takojnë të krishterëve të Kishës Ortodokse në jug, dhe besimit katolik në veri.

Në një artikull që u botua në numrin e fundit “The Fortnightly Review”, shkurtin e kaluar unë shkurtimisht aludoja thotë Woods, për situatën në Shqipëri. Përveç pakënaqësive në mesin e fiseve malësore, per shkak të mënyrës se si Turqit e Rinj përmbushën premtimet e tyre që ia bënë kësaj krahine kur ata ngritën krye vitin e kaluar (1911), dhe përveç ankesave të fiseve besnike të kryengritjes të verës së kaluar, të cilët ankohen momentalisht se kanë mungesa armatimi, ekzistojnë dhe rrethana të tjera që e bëjnë të situatën në Veri të Shqipërisë larg së qenit e kënaqshme.

Pagesa e tatimeve të detyrueshme, përpjekjet e turqve për të shkatërruar Kullat shqiptare dhe përpjekjet për t’u hequr privilegjet e përfituara nga shqiptarët gjatë sundimit të Abdul Hamidit, të gjitha këto sollën si pasojë zgjatjen e gjendjes së turbullt në vend. Pavarësisht nga fakti, se qeveria turke hoqi disa nga taksat e rënda të paguara deri kohët e fundit, nga qarqe të caktuara shqiptare, edhe pse ndërtimi disa pak rrugëve filloi, njerëzit aty duket se e urrejnë sundimin turk, sidomos administratën turke, me një furi e tillë, saqë paqja e përhershme duket e pashpresë.

Mënyra sesi u zbatuan koncesionet e premtuara malësorëve gushtin e kaluar nga Qeveria turke lënë mjaft për të dëshiruar. Rreziku më i madh tani për Turqinë është, se jo vetëm se shqiptarët mendojnë se ngjarjet e vitit të kaluar e avancuan me tej çështjen e tyre, por se ata tani po shohin, nëse ky vit do te lejohej të kalonte pa ndonjë demonstrim force nga ana e tyre, e ardhmja e Shqipërisë është e humbur. Të gjitha premtimet për lëshime të bëra nga Qeveria turke dhe veçanërisht, nga Komisioni i Reformës në Shqipëri, padyshim, me synim për të ruajtur për momentin paqen në vend, kanë gjithashtu edhe një efekt tjetër, se këto i bëjnë shqiptarët të mendojnë se ata kanë ende fuqi për të kërkuar koncesione të mëtejshme nga qeveria turke.

Të gjitha fiset e krishtera malësore kanë dhënë “besën” për të mbështetur të drejtat e Shqipërisë. Mirditorët, kryesisht për shkak se ata e kishin të lejuar të mbanin armë dhe janë lënë jashtë detyrimit tw pagimit të taksave, mbeten praktikisht fisi i vetëm krishterë. që pak a shumë i ka mbetur besnik qeverisë turke. Por edhe banorët e këtij fisi janë të përçarë në mes vete, një palë mbështet Prenk Pashën, i cili deri kohët e fundit ishte shpirt dhe zemër me Qeverinë, ndërsa të tjerët, siç është raportuar janë të shqetësuar dhe kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre kunder Turqisë.

Në fund të muajit mars, në mënyrë që të qetësonte pakënaqësitë në mesin e këtij fisi të rëndësishëm, Haxhi Adil Beu, shefi i Komisionit të Reformës Xhonturke bëri një turne në Shqipëri, duke i bërë koncesione të mëdha pyjore Abatit së Mirditës. Në këmbim të këtyre koncesioneve ai i kërkonte Abatit, përdorimin e ndikimit të tij për të ruajtur paqen në mesin e grigjës së vet. Ky veprim mund të ketë pasur rezultate të dobishme për Qeverinë, por fakti që Haxhi Adil Beu, gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, informoi Prenk Pashën që në të ardhmen, ai mund të konsiderohej si kapidani i vetëm i Mirdites, dhe se ai nuk mund të njihet edhe më gjatë si udhëheqës i disa rretheve shqiptare, ku përfshihej Lura, Kthella, dhe zonat malore të Lezhës, me siguri mund të ketë pasur pasoja për xhonturqit. Pa dyshim, ka qenë për shkak të ndikimit të Prenk Pashës që këto zona mbetën të qeta gjatë zhvillimit të Kryengritjes se Malësisë në vitin 1910.

Por megjithate, është e pamundur të parashikohet nëse ky person me pushtet pasi të kishte marrë emërimin e tij me gjithë ndikimit të vet, do të pranonte këtë pozitë apo do të shfrytëzonte rastin, për t’ju kundërvënë Qeverisë Turke.

Në muajt e fundit, ankesa kryesore në rrethet e malësorëve që ngritën krye, ka qenë për një interpretimin juridik të marrëveshjes së nënshkruar në mes të Ministrit Osman në qytein e Cetinjës dhe atyre gushtin e kaluar (1911).

Malesorët kërkonin që qeveria ndërmirrte masa për të paguar jo vetëm dëmet e shkaktuara në shtëpitë dhe ndërtesat e tyre gjatë kryengritjes, por edhe të ishte përgjegjëse edhe për humbjet e pësuara nga fshatarët në “pronat e tyre të patundshme” si në kulturat bujqësore, të mbjellat me fruta dhe pemë, etj Për javë të të tëra të gjitha kërkesat që iu bënë Qeverisë Turke në këtë pikë u refuzuan kategorikisht nga ajo. Komisioni i Reformës me ardhjen e tij në Shkodër, i premtoi popullit se ata duhet të merrnin kompensime edhe për “pronat e paluajtshme” të shkatërruara gjatë kryengritjes së fundit. Sipas qeverisë  një shumë prej 12, 000 LT, do të administrohej nga një komision tjetër, që ishte caktuar për këtë qëllim. Si rezultat i hetimeve të Komisionit të Reformës, demi vlerësohej në 10, 000, LT ndërsa dëmet e bëra në kishat dhe ndërtesat fetare gjatë kryengritjes së fundit, sipas marrëveshjes  Qeveria do të duhej t’i paguante plotësisht. Nëse këto dy shuma, dhe 7,000 LT e premtuara për të mbuluar shpenzimet e shpërndarjen e furnizimit për misrin farë, do të paguheshin nga Qeveria ,vetëm koha do ta tregonte.

Një tjetër ankesë e zakonshme si për myslimanët dhe për shqiptarët e krishterë në veri, si dhe në jug, është qëndrimi i Portës së Lartë ndaj çështjes së arsimit shqip.

Shqiptarët thonë se Qeveria duhet të hapte një numër të madh shkollash shqipe, dhe se ajo duhet të lejonte që gjuha shqipe të ishte gjuha e përdorur nga të gjitha shkollat fillore në Shqipëri, dhe se në shkolla në të gjitha lëndët, kjo gjuhë do të duhej të lexohej dhe të shkruhej me gërma (Latine). Edhe pse në të ardhmen, në bazë të vendimeve të Kongresit të fundit të Komitetit (xhonturk RF ), shqiptarët duhet të lejoheshin të përdornin gjuhën e tyre në shkollat shqipe, si lejoheshin që librat të shtypeshin në gërmat shqipe, deri tani, pak apo asgjë, nuk është bërë për përmbushjen e këtyre premtimeve.

Në dritën e garancive të dhëna nga qeveria ishte e paqartë nëse shumica e shkollave duhet të rihapeshin me gjithë vështirësitë që po u viheshin në rrugën e krijimit të shkollave me kushtet, që kërkonin shqiptarët, do të ishin plotësuar me të vërtetë. Personat të cilët kishin marrë leje për të hapur, ose ishin agjitatorë për hapjen e shkollave shqipe ishin burgosur ilegalisht, dhe kërkesat e tyre bllokoheshin dhe ishin hedhur poshtë nga qeveria me kufizime absurd, edhe pse ata ishin burra të privilegjuar, si profesorë, etj.

Në kohën e udhëtimit tim të fundit përmes Shqipërisë së Jugut kam vënë re  se ka pasur mjaft shkolla për djem shqiptarë, por se vetëm në tre ose katër syresh dhe njëra për vajza, ishte të lejuar të jepnin mësime në shqip. Në fillim të këtij viti, një shkollë shqipe, me pesëdhjetë djem, u rihap në Korçë me pëlqimin dhe ndihmën financiare të qeverisë turke. Unë e kuptoj, gjithashtu, se pas disa muajsh vonese shkolla “Normale” e Elbasanit, për mësuesit shqiptarë, e themeluar në 1909, që u mbyll me urdhër të Qeverisë tetëmbëdhjetë muaj më parë, u rihap përsëri.

Në Veri, por më veçanërisht në jug të Shqipërisë, qëndrimi i Qeverisë ndaj ekzistencës së Klubeve shqiptare, dhe botimit të gazetave Kombëtare, i ka dhënë dhe po i jep shkas rritjes së pakënaqësisë të madhe të popullit. Për shkak të kësaj, Klubet shqiptare e kanë pasur të pamundur të kryejnë punën edukative, për të cilën ato ishin të hapur menjëherë pas rivendosjes së Kushtetutës, pothuajse të gjitha ato institucione, të cilat nuk ishin mbyllur me urdhërin aktual të Qeverisë, kishin pushuar së ekzistuari që kur isha kohët e fundit në Turqi. Ndërsa, gjithashtu, në një periudhë që prej 1908, disa dhjetëra gazeta shqiptare janë botuar. Në fund të vitit të kaluar, kam parë se, për shkak të kundërshtimit tinëzar të Qeverisë, vetëm tre prej këtyre organeve vazhduan të ekzistonin.

Unë kam rrëfyer mjaftueshëm që pakënaqësia e shkaktuar kryesisht nga politika e pazgjuar e Qeverisë turke, është përhapur tani së fundi edhe në jug të Shqipërisë. Nëse autoritetet përpiqen të bëjnë ndonjë rekrutim ushtarak news afërmi, revolta, edhe nëse nuk ka filluar ende, me siguri do të fillojë.

Për sa i përket Veriut gjendja është mjaft shqetësuese. Fiset në tërësi janë përgatitur ndoshta më mirë seç ishin vitin e kaluar, dhe disa nga zonat muslimane tani janë më të gatshëm të hidhen në kryengritje dhe të bashkohen me të krishterët më ngushtë, sesa kanë qenë ndonjëherë më parë.

Problemi kryesor i vërtetë është, nëse premtimet e bëra nga Komisioni i Reformës do t’i kënaqin shqiptarët, dhe nëse jo, atëherë kryengritësit e vitit 1911, mund të marrin armët dhe municione të mjaftueshme dhe tani fiset e tjera janë gati për të ndihmuar, me sa të mundin, malësorët të cilët tashmë janë të armatosur mirë.

Në jug, ku ndienjat e nacionalizmit janë, padyshim, më të plota e më të zhvilluara në mesin e muslimanëve, sesa në mesin e të krishterëve, ka shenja se një luftë e madhe po afrohet mes Patriarkanës dhe shqiptarëve ortodoksë. Kjo luftë do të çojë në bashkimin e të krishterëve me toskët myslimane më shumë seç ka qenë në të kaluarën. Deri tani, për shkak të armiqësive në mes të muslimanëve dhe të krishterëve, shumica e shqiptarëve ortodoksë duket se e kanë ndjerë, ata do të armiqësoheshim me kishën greke, duke mbështetur kauzën e tyre kombëtare, dhe nga ana tjetër se ata kurrë nuk do të pranoheshin si të barabartë me myslimanët e jugut, të cilët janë duke punuar intensivisht për avancimin e mësimit shqip dhe për bashkimin e të gjitha elementeve të popullsisë shqiptare nëse ata nuk do të luftonin kunder turqve. Kështu ata duket se druhen se do të humbasin mbrojtjen e Kishës, për të siguruar vullnetin e mirë të myslimanëve shqiptarë. Kisha greke, në mënyrë të palodhur po kundërshton çdo përparim në kulturën shqiptare, dhe nuk ka lejuar as madje tani mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e saj.

Kisha greke ka nxitur këtë ide, me shpresën e kotë për të shmangur një grindje të brendshme fetare, mes saj dhe shqiptarëve, një grindje që është absolutisht e pashmangshme, nëse Patriarkana nuk vendos t’u bashkohet disa prej kërkesave të shqiptarëve, dhe vend të qendrimeve dashakeqe ajo përpiqet të bindë njerëzit se ata nuk janë të lidhur me të vërtetë me gjuhën e tyre dhe se ata nuk dëshirojnë hapjen e shkollave shqipe. Duke siguruar një farë lirie fetare nga Kisha greke, shqiptarët ortodoksë jo vetëm do të shkëputeshin nga një ndikim i cili tenton t’i vendoste ata kundër bashkatdhetarëve të tyre, muslimanë, por ata edhe do të siguronin një mjet në përdorimin e gjuhës shqipe të paktën në një pjesë të shërbimeve të tyre fetare, duke përhapur njohuritë e gjuhës së tyre amtare edhe në mesin e klasave më injorante të popullsisë.

Pakënaqësitë “fetare” të shqiptarëve për momentin mbështeten nga Lidhja ortodokse, e cila ka selinë e saj në Korçë dhe e cila u themelua menjëherë pas rivendosjes së Kushtetutës. Objekti i i kësaj shoqërie ishte i dyfishtë të merrte disa koncesione nga Kisha greke, dhe për të siguruar “kundërshtarëve” me një organizatë në të cilën ata mund ta përdorin në kohë të jashtëzakonshme. Efekti i mundshëm i një lëvizjeje të tillë mbi të ardhmen e nacionalizmit shqiptar është aq e qartë se nuk kërkon shpjegim të mëtejshëm këtu.

Në shënimet e mësipërme unë kam munduar shumë shpejt të përshkruaj situatën në Shqipëri, për të treguar qëndrimin e pjesëve të ndryshme të popullsisë së Veriut ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Qeverisë, si dhe për të dhënë disa indikacione të shkurtra të kushteve që mbizotërojnë sot në jug të Shqipërisë. Në ç’shkallë rebelim i vogël i cili u zhvillua në verën e kaluar në Jug u organizua në të vërtetë në lidhje me, ose si rezultat i kryengritjes së Malësorëve, dhe në në çfarë mase, në të ardhmen Jugu do të bashkëpunojë me Veriun, këto janë çështje mbi të cilat kjo nuk është e lehtë të formësohet ndonjë mendim i justifikueshëm tani.

Tek disa prej shqiptarëve negociatat formale që u bënë vitin e kaluar mes të fiseve Malësore dhe disa prej bejlerëve të mëdhenj të Vlorës, (Memorandumi i Gërçës R.F ) i kënaqin net pjesë të shqiptarëve duke pohuar pakënaqësinë ndaj qëndrimit të regjimit Xhonturk. Disa prej lidereve jugorë u inkurajuan që të marrin malet të entuziazmuar nga lajmet per sukseset e arritura nga Malësorët. Por pas hetimit të plotë në më shumë se një qendër e rëndësishme, mua më duket , se negociatat midis kryengritëve të veriut dhe atyre të jugut ishin ndoshta të një natyre informale, dhe kjo rritje e revoltës në zonën e Korçës, Kolonjës, dhe Gjirokastrës ka ndodhur për shkak se liderët e tyre mendojnë se çdo lëvizje kryengritëse do të ishte më efektive kur turqit të përballeshim tashmë me më shumë se një aspekt të çështjes shqiptare.

Sa për të ardhmen, informacioni im më i fundit (viti 1912 RF ) është që njerëzit e Veriut dhe Jugut janë tashmë të bindur për vlerën e një lëvizjeje të kombinuar kundër Qeverisë Osmane më shumë seç ishin vitin e kaluar. Por mbetet vetëm për t’u vërtetuar nëse, me gjithë mjetet e këqija të komunikimit, si dhe ndikimet e ndryshme në punë te tyre, gegët dhe toskët,do të jenë në gjendje vërtet për të kryer një kryengritje të përbashkët kundër qeverisë, e cila, nëse do të ndodhë, me siguri do të ketë pasoja të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë dhe për Turqinë, por të paktën, edhe për disa prej atyre Fuqive të Mëdha që shikojnë me interes trendin e ngjarjeve në zonat që kufizohen me brigjet lindore të Adriatikut.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Charles Woods, Kryengritja e Malesise se Madhe, Rafael Floqi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT