“Unë kam rrëfyer mjaftueshëm që pakënaqësia e shkaktuar kryesisht nga politika e pazgjuar e Qeverisë turke, është përhapur tani së fundi edhe në jug të Shqipërisë. Nëse autoritetet përpiqen të bëjnë ndonjë rekrutim ushtarak së afërmi, revolta, edhe nëse nuk ka filluar ende , me siguri do të fillojë. Për sa i përket Veriut, gjendja është mjaft shqetësuese. Fiset në tërësi janë të përgatitur ndoshta më mirë seç ishin vitin e kaluar, dhe disa nga zonat muslimane tani janë më të gatshme të hidhen në kryengritje dhe të bashkohen me të krishterët më ngushtë, seç kanë qenë ndonjëherë më parë” /
Nga Rafael Floqi /
Gazetari, udhëtari dhe shkrimtari i njohur anglez i fillimit të shekullit H. Charles Woods, i cili është autor i disa librave për Ballkanin dhe jepte leksione mbi “Luftën dhe Diplomacinë në Ballkan”, në Lowell Institute, në vite 20-t, pat shkruar në fillim te shekullit një sërë artikujsh mbi gjendjen e popullsive ballkanike nën Perandorinë Turke, duke parë dhe duke u bërë një simpatizant i çështjes shqiptare, aq sa dhe vetë Fan Noli, kur ndodhej në Londër ia referonte Ismail Qemalit si një gazetar simpatizant i çështjes shqiptare. Ai pat botuar madje në revistën “The Geographical Review” vol. v Prilll. 1918 . 4 një artikull me titull” Albania and the Albanians” ( Shqipëria dhe Shqiptarët). Woods ishte një njohës i mirë i diplomacisë dhe gjeopolitikës. Ai shkroi një sërë librash për Luftën e Parë Botërore dhe Ballkanin. Rëndësia e artikujve te tij, si dhe pjesës së parë të këtij artikulli, ku flitet për Shqipërinë, është se bëhet nje analizë sa historike, aq dhe aktuale e gjeopolitike e Shqipërisë së viteve 1911- 1912, dhe sidomos e rolit dhe ndikimit që Kryengritja së Malesisë së Madhe pati në Pavarësinë e Shqipërisë.
Eshtë me rëndësi fakti, se ai Kryengritjen e Malësisë së Madhe e sheh më gjerë se një kryengritje rajonale, por si një lëvizje që pat implikimin e saj në situatën tërësore të shqiptarëve në veri dhe në jug të Shqipërisë në prag të Pavarësisë dhe implikimin e Malit të Zi në kryengritjen e Malësisë që e sheh me gjerë në kuadër të një gjeopolitike të fuqive të mëdha, pa përjashtuar situatën e brendshme të Perandorisë Osmane.
“Është e vështirë për të përshkruar me saktësi, shkruan ai, se çfarë nënkuptohet me termin e Shqipëri. Për qëllim të këtij artikulli, është e mjaftueshme për të thënë se ata që sulltani i quan arnautë, janë diku midis 1.100.000 -1.200.000 shpirtrave, që jetojnë për pjesën më të madhe në vilajetet turke: të Shkodrës, Janinës, në një pjesë të Kosovës e Manastirit deri në kufijtë e këtyre dy vilajeteve.
Shqiptarët janë të ndarë në dy grupe kryesore: gegë dhe toskë. Ndërsa gegët, ose shqiptarët e veriut, janë të përbërë nga një numër i fisesh luftëtarake, ku secili prej të tyre, ka një organizim praktikisht të veçantë, ata të jugut zakonit janë bazuar në një sistem të bejlerësh apo agallaresh të cilëve njerëzit u drejtohen për udhëheqje dhe për drejtim për të gjitha çështjet me rëndësi. Në gjithë Shqipërinë, dhe, veçanërisht në jug, pavarësisht përpjekjeve të fanatikëve turq dhe priftërinjve të krishterë, arnautët trima janë shqiptarë, para se të jenë një muhamedanë apo të krishterë. Në kohën e sotme kur rreth dy të tretat e shqiptarëve të Turqisë kanë përqafuar Islamin, dëshmohet se ata këtë (konvertim RF ) e kanë bërë më shumë për arsye laike sesa shpirtërore. Një e treta, e shqiptarëve tw tjerw që mbeten u takojnë të krishterëve të Kishës Ortodokse në jug, dhe besimit katolik në veri.
Në një artikull që u botua në numrin e fundit “The Fortnightly Review”, shkurtin e kaluar unë shkurtimisht aludoja thotë Woods, për situatën në Shqipëri. Përveç pakënaqësive në mesin e fiseve malësore, per shkak të mënyrës se si Turqit e Rinj përmbushën premtimet e tyre që ia bënë kësaj krahine kur ata ngritën krye vitin e kaluar (1911), dhe përveç ankesave të fiseve besnike të kryengritjes të verës së kaluar, të cilët ankohen momentalisht se kanë mungesa armatimi, ekzistojnë dhe rrethana të tjera që e bëjnë të situatën në Veri të Shqipërisë larg së qenit e kënaqshme.
Pagesa e tatimeve të detyrueshme, përpjekjet e turqve për të shkatërruar Kullat shqiptare dhe përpjekjet për t’u hequr privilegjet e përfituara nga shqiptarët gjatë sundimit të Abdul Hamidit, të gjitha këto sollën si pasojë zgjatjen e gjendjes së turbullt në vend. Pavarësisht nga fakti, se qeveria turke hoqi disa nga taksat e rënda të paguara deri kohët e fundit, nga qarqe të caktuara shqiptare, edhe pse ndërtimi disa pak rrugëve filloi, njerëzit aty duket se e urrejnë sundimin turk, sidomos administratën turke, me një furi e tillë, saqë paqja e përhershme duket e pashpresë.
Mënyra sesi u zbatuan koncesionet e premtuara malësorëve gushtin e kaluar nga Qeveria turke lënë mjaft për të dëshiruar. Rreziku më i madh tani për Turqinë është, se jo vetëm se shqiptarët mendojnë se ngjarjet e vitit të kaluar e avancuan me tej çështjen e tyre, por se ata tani po shohin, nëse ky vit do te lejohej të kalonte pa ndonjë demonstrim force nga ana e tyre, e ardhmja e Shqipërisë është e humbur. Të gjitha premtimet për lëshime të bëra nga Qeveria turke dhe veçanërisht, nga Komisioni i Reformës në Shqipëri, padyshim, me synim për të ruajtur për momentin paqen në vend, kanë gjithashtu edhe një efekt tjetër, se këto i bëjnë shqiptarët të mendojnë se ata kanë ende fuqi për të kërkuar koncesione të mëtejshme nga qeveria turke.
Të gjitha fiset e krishtera malësore kanë dhënë “besën” për të mbështetur të drejtat e Shqipërisë. Mirditorët, kryesisht për shkak se ata e kishin të lejuar të mbanin armë dhe janë lënë jashtë detyrimit tw pagimit të taksave, mbeten praktikisht fisi i vetëm krishterë. që pak a shumë i ka mbetur besnik qeverisë turke. Por edhe banorët e këtij fisi janë të përçarë në mes vete, një palë mbështet Prenk Pashën, i cili deri kohët e fundit ishte shpirt dhe zemër me Qeverinë, ndërsa të tjerët, siç është raportuar janë të shqetësuar dhe kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre kunder Turqisë.
Në fund të muajit mars, në mënyrë që të qetësonte pakënaqësitë në mesin e këtij fisi të rëndësishëm, Haxhi Adil Beu, shefi i Komisionit të Reformës Xhonturke bëri një turne në Shqipëri, duke i bërë koncesione të mëdha pyjore Abatit së Mirditës. Në këmbim të këtyre koncesioneve ai i kërkonte Abatit, përdorimin e ndikimit të tij për të ruajtur paqen në mesin e grigjës së vet. Ky veprim mund të ketë pasur rezultate të dobishme për Qeverinë, por fakti që Haxhi Adil Beu, gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, informoi Prenk Pashën që në të ardhmen, ai mund të konsiderohej si kapidani i vetëm i Mirdites, dhe se ai nuk mund të njihet edhe më gjatë si udhëheqës i disa rretheve shqiptare, ku përfshihej Lura, Kthella, dhe zonat malore të Lezhës, me siguri mund të ketë pasur pasoja për xhonturqit. Pa dyshim, ka qenë për shkak të ndikimit të Prenk Pashës që këto zona mbetën të qeta gjatë zhvillimit të Kryengritjes se Malësisë në vitin 1910.
Por megjithate, është e pamundur të parashikohet nëse ky person me pushtet pasi të kishte marrë emërimin e tij me gjithë ndikimit të vet, do të pranonte këtë pozitë apo do të shfrytëzonte rastin, për t’ju kundërvënë Qeverisë Turke.
Në muajt e fundit, ankesa kryesore në rrethet e malësorëve që ngritën krye, ka qenë për një interpretimin juridik të marrëveshjes së nënshkruar në mes të Ministrit Osman në qytein e Cetinjës dhe atyre gushtin e kaluar (1911).
Malesorët kërkonin që qeveria ndërmirrte masa për të paguar jo vetëm dëmet e shkaktuara në shtëpitë dhe ndërtesat e tyre gjatë kryengritjes, por edhe të ishte përgjegjëse edhe për humbjet e pësuara nga fshatarët në “pronat e tyre të patundshme” si në kulturat bujqësore, të mbjellat me fruta dhe pemë, etj Për javë të të tëra të gjitha kërkesat që iu bënë Qeverisë Turke në këtë pikë u refuzuan kategorikisht nga ajo. Komisioni i Reformës me ardhjen e tij në Shkodër, i premtoi popullit se ata duhet të merrnin kompensime edhe për “pronat e paluajtshme” të shkatërruara gjatë kryengritjes së fundit. Sipas qeverisë një shumë prej 12, 000 LT, do të administrohej nga një komision tjetër, që ishte caktuar për këtë qëllim. Si rezultat i hetimeve të Komisionit të Reformës, demi vlerësohej në 10, 000, LT ndërsa dëmet e bëra në kishat dhe ndërtesat fetare gjatë kryengritjes së fundit, sipas marrëveshjes Qeveria do të duhej t’i paguante plotësisht. Nëse këto dy shuma, dhe 7,000 LT e premtuara për të mbuluar shpenzimet e shpërndarjen e furnizimit për misrin farë, do të paguheshin nga Qeveria ,vetëm koha do ta tregonte.
Një tjetër ankesë e zakonshme si për myslimanët dhe për shqiptarët e krishterë në veri, si dhe në jug, është qëndrimi i Portës së Lartë ndaj çështjes së arsimit shqip.
Shqiptarët thonë se Qeveria duhet të hapte një numër të madh shkollash shqipe, dhe se ajo duhet të lejonte që gjuha shqipe të ishte gjuha e përdorur nga të gjitha shkollat fillore në Shqipëri, dhe se në shkolla në të gjitha lëndët, kjo gjuhë do të duhej të lexohej dhe të shkruhej me gërma (Latine). Edhe pse në të ardhmen, në bazë të vendimeve të Kongresit të fundit të Komitetit (xhonturk RF ), shqiptarët duhet të lejoheshin të përdornin gjuhën e tyre në shkollat shqipe, si lejoheshin që librat të shtypeshin në gërmat shqipe, deri tani, pak apo asgjë, nuk është bërë për përmbushjen e këtyre premtimeve.
Në dritën e garancive të dhëna nga qeveria ishte e paqartë nëse shumica e shkollave duhet të rihapeshin me gjithë vështirësitë që po u viheshin në rrugën e krijimit të shkollave me kushtet, që kërkonin shqiptarët, do të ishin plotësuar me të vërtetë. Personat të cilët kishin marrë leje për të hapur, ose ishin agjitatorë për hapjen e shkollave shqipe ishin burgosur ilegalisht, dhe kërkesat e tyre bllokoheshin dhe ishin hedhur poshtë nga qeveria me kufizime absurd, edhe pse ata ishin burra të privilegjuar, si profesorë, etj.
Në kohën e udhëtimit tim të fundit përmes Shqipërisë së Jugut kam vënë re se ka pasur mjaft shkolla për djem shqiptarë, por se vetëm në tre ose katër syresh dhe njëra për vajza, ishte të lejuar të jepnin mësime në shqip. Në fillim të këtij viti, një shkollë shqipe, me pesëdhjetë djem, u rihap në Korçë me pëlqimin dhe ndihmën financiare të qeverisë turke. Unë e kuptoj, gjithashtu, se pas disa muajsh vonese shkolla “Normale” e Elbasanit, për mësuesit shqiptarë, e themeluar në 1909, që u mbyll me urdhër të Qeverisë tetëmbëdhjetë muaj më parë, u rihap përsëri.
Në Veri, por më veçanërisht në jug të Shqipërisë, qëndrimi i Qeverisë ndaj ekzistencës së Klubeve shqiptare, dhe botimit të gazetave Kombëtare, i ka dhënë dhe po i jep shkas rritjes së pakënaqësisë të madhe të popullit. Për shkak të kësaj, Klubet shqiptare e kanë pasur të pamundur të kryejnë punën edukative, për të cilën ato ishin të hapur menjëherë pas rivendosjes së Kushtetutës, pothuajse të gjitha ato institucione, të cilat nuk ishin mbyllur me urdhërin aktual të Qeverisë, kishin pushuar së ekzistuari që kur isha kohët e fundit në Turqi. Ndërsa, gjithashtu, në një periudhë që prej 1908, disa dhjetëra gazeta shqiptare janë botuar. Në fund të vitit të kaluar, kam parë se, për shkak të kundërshtimit tinëzar të Qeverisë, vetëm tre prej këtyre organeve vazhduan të ekzistonin.
Unë kam rrëfyer mjaftueshëm që pakënaqësia e shkaktuar kryesisht nga politika e pazgjuar e Qeverisë turke, është përhapur tani së fundi edhe në jug të Shqipërisë. Nëse autoritetet përpiqen të bëjnë ndonjë rekrutim ushtarak news afërmi, revolta, edhe nëse nuk ka filluar ende, me siguri do të fillojë.
Për sa i përket Veriut gjendja është mjaft shqetësuese. Fiset në tërësi janë përgatitur ndoshta më mirë seç ishin vitin e kaluar, dhe disa nga zonat muslimane tani janë më të gatshëm të hidhen në kryengritje dhe të bashkohen me të krishterët më ngushtë, sesa kanë qenë ndonjëherë më parë.
Problemi kryesor i vërtetë është, nëse premtimet e bëra nga Komisioni i Reformës do t’i kënaqin shqiptarët, dhe nëse jo, atëherë kryengritësit e vitit 1911, mund të marrin armët dhe municione të mjaftueshme dhe tani fiset e tjera janë gati për të ndihmuar, me sa të mundin, malësorët të cilët tashmë janë të armatosur mirë.
Në jug, ku ndienjat e nacionalizmit janë, padyshim, më të plota e më të zhvilluara në mesin e muslimanëve, sesa në mesin e të krishterëve, ka shenja se një luftë e madhe po afrohet mes Patriarkanës dhe shqiptarëve ortodoksë. Kjo luftë do të çojë në bashkimin e të krishterëve me toskët myslimane më shumë seç ka qenë në të kaluarën. Deri tani, për shkak të armiqësive në mes të muslimanëve dhe të krishterëve, shumica e shqiptarëve ortodoksë duket se e kanë ndjerë, ata do të armiqësoheshim me kishën greke, duke mbështetur kauzën e tyre kombëtare, dhe nga ana tjetër se ata kurrë nuk do të pranoheshin si të barabartë me myslimanët e jugut, të cilët janë duke punuar intensivisht për avancimin e mësimit shqip dhe për bashkimin e të gjitha elementeve të popullsisë shqiptare nëse ata nuk do të luftonin kunder turqve. Kështu ata duket se druhen se do të humbasin mbrojtjen e Kishës, për të siguruar vullnetin e mirë të myslimanëve shqiptarë. Kisha greke, në mënyrë të palodhur po kundërshton çdo përparim në kulturën shqiptare, dhe nuk ka lejuar as madje tani mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e saj.
Kisha greke ka nxitur këtë ide, me shpresën e kotë për të shmangur një grindje të brendshme fetare, mes saj dhe shqiptarëve, një grindje që është absolutisht e pashmangshme, nëse Patriarkana nuk vendos t’u bashkohet disa prej kërkesave të shqiptarëve, dhe vend të qendrimeve dashakeqe ajo përpiqet të bindë njerëzit se ata nuk janë të lidhur me të vërtetë me gjuhën e tyre dhe se ata nuk dëshirojnë hapjen e shkollave shqipe. Duke siguruar një farë lirie fetare nga Kisha greke, shqiptarët ortodoksë jo vetëm do të shkëputeshin nga një ndikim i cili tenton t’i vendoste ata kundër bashkatdhetarëve të tyre, muslimanë, por ata edhe do të siguronin një mjet në përdorimin e gjuhës shqipe të paktën në një pjesë të shërbimeve të tyre fetare, duke përhapur njohuritë e gjuhës së tyre amtare edhe në mesin e klasave më injorante të popullsisë.
Pakënaqësitë “fetare” të shqiptarëve për momentin mbështeten nga Lidhja ortodokse, e cila ka selinë e saj në Korçë dhe e cila u themelua menjëherë pas rivendosjes së Kushtetutës. Objekti i i kësaj shoqërie ishte i dyfishtë të merrte disa koncesione nga Kisha greke, dhe për të siguruar “kundërshtarëve” me një organizatë në të cilën ata mund ta përdorin në kohë të jashtëzakonshme. Efekti i mundshëm i një lëvizjeje të tillë mbi të ardhmen e nacionalizmit shqiptar është aq e qartë se nuk kërkon shpjegim të mëtejshëm këtu.
Në shënimet e mësipërme unë kam munduar shumë shpejt të përshkruaj situatën në Shqipëri, për të treguar qëndrimin e pjesëve të ndryshme të popullsisë së Veriut ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Qeverisë, si dhe për të dhënë disa indikacione të shkurtra të kushteve që mbizotërojnë sot në jug të Shqipërisë. Në ç’shkallë rebelim i vogël i cili u zhvillua në verën e kaluar në Jug u organizua në të vërtetë në lidhje me, ose si rezultat i kryengritjes së Malësorëve, dhe në në çfarë mase, në të ardhmen Jugu do të bashkëpunojë me Veriun, këto janë çështje mbi të cilat kjo nuk është e lehtë të formësohet ndonjë mendim i justifikueshëm tani.
Tek disa prej shqiptarëve negociatat formale që u bënë vitin e kaluar mes të fiseve Malësore dhe disa prej bejlerëve të mëdhenj të Vlorës, (Memorandumi i Gërçës R.F ) i kënaqin net pjesë të shqiptarëve duke pohuar pakënaqësinë ndaj qëndrimit të regjimit Xhonturk. Disa prej lidereve jugorë u inkurajuan që të marrin malet të entuziazmuar nga lajmet per sukseset e arritura nga Malësorët. Por pas hetimit të plotë në më shumë se një qendër e rëndësishme, mua më duket , se negociatat midis kryengritëve të veriut dhe atyre të jugut ishin ndoshta të një natyre informale, dhe kjo rritje e revoltës në zonën e Korçës, Kolonjës, dhe Gjirokastrës ka ndodhur për shkak se liderët e tyre mendojnë se çdo lëvizje kryengritëse do të ishte më efektive kur turqit të përballeshim tashmë me më shumë se një aspekt të çështjes shqiptare.
Sa për të ardhmen, informacioni im më i fundit (viti 1912 RF ) është që njerëzit e Veriut dhe Jugut janë tashmë të bindur për vlerën e një lëvizjeje të kombinuar kundër Qeverisë Osmane më shumë seç ishin vitin e kaluar. Por mbetet vetëm për t’u vërtetuar nëse, me gjithë mjetet e këqija të komunikimit, si dhe ndikimet e ndryshme në punë te tyre, gegët dhe toskët,do të jenë në gjendje vërtet për të kryer një kryengritje të përbashkët kundër qeverisë, e cila, nëse do të ndodhë, me siguri do të ketë pasoja të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë dhe për Turqinë, por të paktën, edhe për disa prej atyre Fuqive të Mëdha që shikojnë me interes trendin e ngjarjeve në zonat që kufizohen me brigjet lindore të Adriatikut.