• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Triumfi i Ngjalljes

April 15, 2017 by dgreca

Kryepeshkopi Anastas uron besimtarët: Siç u ngjall Krishti kështu edhe ne të ecim në jetë të re/

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas u ka përcjell një mesazh besimtarëve me rastin e Pashkëve.Fjala “Ripërtëritje me ngazëllim” nga Kryepeshkopi Anastas citon Romakët (6:4) në Bibël me mesazhin: “Që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” do të lexohet sonte në darkë, në Shërbesën e Ngjalljes.

Mesazhi i plotë i Pashkës nga Kryepeshkopi Anastas
Triumfi i Ngjalljes së Jisu Krishtit mbi padrejtësinë, dhunën e mbi të gjitha mbi mëkatin dhe vdekjen, që është plotësimi i veprës së Tij mbi dhé për ripërtëritjen e mbarë botës, e mbushin përsëri me ngazëllim zemrën tonë.Krishti, Biri i Perëndisë dhe “Biri i njeriut”, jo vetëm që duroi vdekjen e tmerrshme në Kryq, por të tretën ditë u ngjall së vdekurish, “me anë të fuqisë së lavdishme të Atit” dhe mbetet përgjithnjë Zoti i Ngjallur. Ngjallja është vula që siguron unikalitetin madhështor të Jisu Krishtit. Miliarda njerëz erdhën në këtë botë; shumë prej tyre çuditën me inteligjencën, fuqinë dhe entuziazmuan turmat, por, në fund, të gjithë u mposhtën nga vdekja. Jisui, me sakrificën dhe Ngjalljen e Tij, e shkeli vdekjen dhe e shfuqizoi pushtetin e saj.

Kisha, Trupi mistik i Krishtit, jeton dhe vepron në rrjedhën e kohës brenda dritës së Ngjalljes së Tij. Veçanërisht ne Ortodoksët e kremtojmë dhe e përjetojmë Pashkën në mënyrë intensive.
Në këtë të kremte të tërëndritshme, nuk meditojmë thjesht për një ngjarje historike tronditëse, por ftohemi të shkojmë drejt ripërtëritjes së rrugës sonë shpirtërore, “që të ecim në jetë të re”. E kremtja e Pashkës na fton gjithashtu të ndërgjegjësohemi për të kuptuar më thellë pagëzimin tonë.

Apostulli i Liturgjisë Hyjnore të së Shtunës së Madhe na mëson: “Sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam; u varrosëm bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, siç u ngjall Krishti prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6:3-4).

Krishti i Ngjallur na fton në ripërtëritje të vazhdueshme “në një krijesë të re” (2 Kor. 5:17). Ai na fton të ripërtërijmë marrëdhënien tonë personale me Atë. Ripërtëritja e vazhdueshme shpirtërore vetjake është element përcaktues i jetës së krishterë. Ftohemi të ripërtërijmë besimin tonë në fuqinë e Perëndisë, në Përkujdesjen dhe në Planin e Tij çlirimtar, që të jetojmë në Krishtin, të fuqizojmë përpjekjen tonë që të sundojë e vërteta dhe drejtësia, si dhe të forcohen solidariteti e dashuria. Krishti na fton të ripërtërijmë sigurinë se shpresa do të shpërbëjë dëshpërimin, jeta do të mposhtë vdekjen.
* *
Kjo ripërtëritje shumë e fuqishme kryhet brenda ngazëllimit paskal me anë të gëzimit që Ngjallja rrezaton brenda nesh. Ne besimtarët, të pagëzuar në emrin e Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, e ndiejmë këtë gjë më thellë. Sa më e ndërgjegjshme bëhet siguria jonë në Ngjalljen e Krishtit, aq më shumë fuqizohet ripërtëritja dhe ngazëllimi ynë.

Por rrezatimi i ngazëllimit paskal përhapet shumë më gjerë. Ashtu si fotonet dalin prej dritës diellore dhe shkojnë në vendet më të largëta e të errëta të krijesës, edhe rrezet e ndritshme të gëzimit paskal prekin në mënyrë mistike ata që ndodhen larg saj apo lëkunden midis besimit dhe mosbesimit.

Ngazëllimi paskal na dhurohet për ta ndarë më pas edhe me njerëz të tjerë. Për Pashkë është zakon që, sapo të ndezim llambadhen tonë, ta çojmë flakën e saj edhe te të tjerët. Kjo simbolizon detyrimin e besimtarëve për të transmetuar, njësoj si apostujt, Lajmin e Gëzuar të Ngjalljes.

Zoti i Ngjallur na siguron se “m’u dha çdo pushtet në qiell dhe përmbi dhe”. Dhe këtë e plotësoi duke na thënë: “Shkoni, pra, dhe mësoni të gjitha kombet…”. Këtu kemi të bëjmë me një pasojë, me një “pra”: nuk mundeni të kufizoheni në shpëtimin dhe ngazëllimin tuaj personal, por duhet ta përhapni Lajmin e Gëzuar edhe tek ata që nuk e njohin. Ky lajm nuk mund të mbahet i mbyllur vetëm brenda një komuniteti, është për mbarë njerëzit, për popujt, për ripërtëritjen e botës.

Dhe një sqarim tjetër i nevojshëm: Pashka nuk është një e kremte e kufizuar vetëm në një ditë ose vetëm në një periudhë të caktuar, rrezatimi i saj përhapet gjatë gjithë vitit. Çdo të Diel, sipas traditës adhuruese orthodhokse, mendimet, himnet kishtare, zemra jonë mbushen përsëri nga lajmi i gëzuar i Ngjalljes. Fryma e Ngjalljes dhe morali i saj vulosin jetën e krishterë. Shpresa e Ngjalljes i fal kuptim rrugës sonë. Kisha Orthodhokse është mbi të gjitha Kisha e Ngjalljes.

* * *
Bij të shtrenjtë më Zotin, le ta kremtojmë, pra, këtë vit, me ndërgjegjësim sa më të madh, të kremten e tërëndritshme të Pashkës. Dhe le t’i lutemi Zotit të Ngjallur të ripërtërijë jetën tonë me të vërtetën e Tij. Të ripërtërijë fuqinë tonë mes vështirësive të ndryshme të epokës sonë. Të na dhurojë fuqi që t’i bëjmë rezistencë dekadencës. Të ripërtërijë entuziazmin tonë për nisma krijuese. Ndaj le të jetojmë çdo ditë me ngazëllimin paskal, i cili nuk e injoron realitetin e ashpër të jetës, por e tejkalon dhe e transformon me hirin dhe fuqinë e Krishtit të Ngjallur.

Pra, ripërtëritja që buron prej ngazëllimit paskal, le të jetë aspirata dhe përkujdesja jonë.
Krishti u Ngjall!

Filed Under: Komente Tagged With: Kryepeshkopi janullatos, Triumfi i Ngjalljes

KRYEPESHKOPI JANULLATOS DHE MESHA E MUNGUAR PER ÇAMERINE

January 8, 2016 by dgreca

Heshtja e Kryepeshkop Anastasit për meshën e lutjes dhe faljes së genocidit grek të kryer në Çamëri/
Nga Arben Llalla
Me rastin e festave të fundvitit, të cilat ua uroj të gjithë shqiptarëve dhe vëllezërve të mij ortodoksë, në një letër të hapur, kërkoja nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastasios Janullatos, si hierark ortodoks, Primat i shqiptarëve, por edhe klerik i ardhur nga Greqia, që të mund të ndiqte shembuj të ngjashëm të Kishës Katolike dhe të Kishave të tjera Ortodokse. Kërkesa ime ishte nëse kryebariu i ortodokseve shqiptare mund të mbante një meshë përkujtimore për çamët ortodoksë të vrarë gjatë dëbimit nga Greqia, ku të kërkonte falje për genocidin e ideuar dhe ekzekutuar barbarisht nga shteti grek, në bashkëpunim me hierarkinë e lartë kishtare, mitropolitë dhe kryepeshkopë, emrat e të cilëve i përmendëm në letrën e hapur që i dërgonim me rastin e festave të fundvitit.
Sigurisht që unë nuk akuzova gjithë popullin grek dhe as gjithë kishën greke për përgjegjësi në këto masakra, por disa burra shteti dhe disa drejtues të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë, të cilët nuk mund të fshihen pas institucioneve dhe të mos mbajnë përgjegjësi historike për fajet e kryera, genocidin mbi popullsinë shqiptare në Çamëri. Dhe siç ndodh sot në botën e qytetëruar, burrat e shteteve apo të kishave, pasardhës të titullarëve që tashmë nuk jetojnë më, pasi bëhen të ndërgjegjshëm dhe pranojnë fajet e kryera prej paraardhësve të tyre, kërkojnë falje publike dhe bëjnë ç‘është e mundur që plagët e së kaluarës që ndajnë popujt, të shërohen dhe njerëzit të shohin drejt së ardhmes. Por kjo nuk bëhet duke e mohuar të kaluarën, apo duke bërë sikur nuk i dëgjon ata që vendosin me fakte dhe dokumente individë para përgjegjësisë e që kërkojnë botërisht kërkimin e faljes, duke filluar pikërisht nga personi që ka deklaruar gjithmonë se është faktor bashkimi apo urë pajtimi mes popujve tanë. Në këtë rast, në mënyrë të përsëritur ka theksuar hirësia e tij, Anastasi. Të themi të drejtën, e prisja dhe nuk u zhgënjeva aspak nga heshtja absolute që pasoi letrën time, madje këtë herë, as nuk u munduan njerëzit që merren me PR-in e KOASH-it, të bënin ndonjë deklaratë kundër meje, që hyj atje ku s’më takon sipas tyre me argumentin klasik: Kush nuk është ortodoks, duhet të heshtë. A thua se Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë jeton e izoluar në ishull dhe nuk është pasuri shpirtërore kombëtare e gjithë shqiptarëve!?
Kryepeshkop Anastasi nuk kishte rrugëdalje që të pranonte thirrjen time dhe të kërkonte falje, sepse ai do të kryqëzohej nga shteti grek, i cili për 25 vjet i financon aktivitetin “mrekullibërës” në Shqipëri. Kjo do të thoshte që ai duhet të dilte kundër atdheut të tij, nëse pranonte botërisht krimet e kryera kundër popullsisë çame. Nga ana tjetër refuzimi publik i kërkesës sime, do ta vinte me shpatulla pas murit, pasi faktori shqiptar do të reagonte ashpër kundër tij, siç reagoi kur refuzoi kërkesat e familjarëve dhe shoqatave çame për mbajtjen e lutjeve të përshpirtjeve për shqiptarët e vrarë. Kështu, ai bëri atë që di të bëjë më mirë, diplomatin në vend të peshkopit kurajoz, që përpara interesave kombëtare të atdheut të tij, Greqisë, duhet të vinte interesat shpirtërore të shqiptarëve që bariton, por këtë gjë, Janullatosi nuk e bën dot kurrë, se nuk është në lartësinë e burrave kishtarë që dikur zbukuronin krishtërimin, të cilët s’e kishin për gjë të përplaseshin me perandorët për interesat e Kishës, sot Primati i shqiptarëve, iu bindet më tepër urdhërave të pushtetarëve tokësorë se sa Zotit.
Pyetja ime këtë herë për kryepeshkopin Anastasios është: Se çfarë e lidh Kryepeshkop Anastasin me grekët që janë dënuar si bashkëpunëtorë të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve 1941-1944, dhe çirren prej kaq vitesh se janë patriotët e flaktë të Greqisë? Çfarë e lidh Anastas Janullatosin me njerëzit që kanë projektuar aneksimin e një pjesë të Greqisë duke shpallur Autonominë nga ajo?

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, DHE MESHA E MUNGUAR, Kryepeshkopi janullatos, per Camerine

Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi Janullatos Urojnë Pashkët

April 20, 2014 by dgreca

Imzot Rrok Mirdita dhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos,nëpërmjet mesazheve i kanë uruar besimtarët katolikë dhe ata ortodoks të festojnë në paqe e harmoni Pashkët kristiane. Në ditën e rinjgjalljes së Krishtit ata i kanë uruar besimtarëve të udhëhiqen nga drita, të kenë paqe dhe më shumë mirëkuptim në mes tyre. Të festojnë fitoren e Zotit dhe ditën që duhet të na fuqizojë besimin reciprok. Duke i ftuar të besojnë tek Ngjallja e Krishtit, Imzot Rrok Mirdita, Primati i kishës katolike shqiptare, adresoi mesazhin: “Në shoqëritë tona nuk mungojnë dhimbjet, vuajtja e të pafajshmëve, por kujtohuni se i rinjgjalluri thotë sot mos kini frikë.
Festojmë sot fitoren e Zotit. I themi çdo burri dhe çdo gruaje mos kini frikë! Krishti i Ringjallur i mbushtë me shpresë jetët e gjithësecilit”.
Ndërkohë qëKryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos lëshoi këtë mesazh urimi:
” Krishti tha:”Kështu le të ndrisë drita juaj para njerëzve që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të falënderojnë Atin tuaj në qiell.Kjo dritë paskale e tërëbardhë, me të gjitha ngjyrimet e saj, le të na zgjojë gjatë gjithë periudhës së sivjetshme paskale dhe le të udhëheqë, besimtarë dhe besëpakë, në një përpjekje të re, për më shumë mirëkuptim të ndërsjellë, pajtim, vëllazërim dhe ecuri krijuese…!”

Filed Under: Kulture Tagged With: Imzot Rrok Mirdita, Kryepeshkopi janullatos, urojne Pashket

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT