• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EVROPA DHE FUQITË E MËDHA: KTHIMI (I DOBISHËM) I SHBA

March 28, 2021 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Përktheu Eugjen Merlika /

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden e ka quajtur vrasës kryetarin e Rusisë Vladimir Putin dhe kjo gjë ka shkaktuar, natyrisht, një zhurmë të madhe. Simbas zakoneve në fuqi, janë dy rastet në të cilët mund të kuptohet se përse kush qeveris një fuqi të madhe ka vendosur publikisht të quajë vrasës kryetarin e një qeverie të huaj. Mund të jetë, së pari që ky kryetar qeverie të jetë një diktator i egër i një Vendi të vogël. T’a paditësh se është një vrasës do të thotë një paralajmërim: mos më jep bezdi ose do t’a paguash shtrenjtë. Rasti i dytë është ai në të cilin kryetari i një qeverie të huaj drejton një fuqi të madhe dhe ai që e ka quajtur vrasës po përgatitet t’i shpallë luftë. Por nëse lufta është e përjashtuar – siç, fatmirësisht është në këtë çast ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – atëherë zgjedhja për të vulosur me fjalën “vrasës” kryetarin e qeverisë së një fuqie tjetër të madhe, hëpërhë nuk mund të jetë e deshifrueshme (siç ka vërejtur Sergio Romano, Corriere 19 mars). Lehtësisht, në fakt, dy fuqitë në t’ardhmen do të gjinden të zotuara në bisedime mbi tema të interesit të përbashkët. Ndoshta do të ketë nevojë për ndonjë takim mes dy kryetarëve të qeverive: si mund t’i shtrëngohet publikisht dora e atij që po ashtu, publikisht, është quajtur vrasës?

Bëhet e natyrshme të ngrihet ndonjë pyetje mbi arsyet e Biden-it po ashtu si edhe mbi strategjinë amerikane në një epokë të karakterizuar nga dy rrethana: fillimi në stil të gjërë i shemërisë ndërmjet fuqive të mëdha, e për më tepër rritja e aftësisë manovruese të shumë fuqive mesatare si Turqia ose Irani (për të qëndruar në fushën gjeopolitike që na intereson më shumë ne evropianëve).

Duke përjashtuar së pari gafën, mund të njohim se arsyet e Biden-it mund të jenë më shumë se një. Donte t’i bënte thirrje asaj pjese të publikut amerikan që beson në epërsinë morale të Shteteve të Bashkuara. Donte pastaj të lajmëronte Putinin se me humbjen e Donald Trump-it, epoka e provokacioneve ruse të pandëshkuara ka mbaruar. Donte së fundi të sqaronte evropianët, Gjermaninë në krye, se tani e tutje do të kushtojë shtrenjt ngrënia me dy lugë (rasti i gazsjellësit Nord Stream e jo vetëm ai).

Miratohen apo jo, sidoqoftë janë arsye të kuptueshme. Por si inkuadrohet kjo në lojën “Risiko” në shemërinë gjeopolitike, fatmirësisht paqësore, ndërmjet fuqive të mëdha? Me çfarë letrash Amerika e Biden-it merr pjesë në lojë? Ka një rrezik që nuk mund të lihet në heshtje. Siç ka ndodhur shpesh herë në histori, fuqia e madhe një kohë zotëruese, e që përceptohet në rënie, mund të kryejë gabime mbas gabimesh në përpjekjen për të rifituar me nxitim pozitën e mëparëshme të forcës. Është e drejtë të pyetet se mbas Administratave të Obamës e të Trump-it që, në mënyra të ndryshme, kishin kuptuar rënien amerikane, a mos Bideni përfaqëson epokën e iluzionit: një farësoj “vere hindiane”, një fazë të shkurtër në të cilën Amerika duket se rifiton rolin zotërues por që i paraprin një dobësimi të mëtejshëm, përfundimtar, në të njëjtën kohë të rëndë e të shpejtë të fuqisë. Mund t’a mendojë ai që beson se Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë dy fuqi të mëdha (Kina e Rusia) njëheresh. Pa mbajtur parasysh se duke zgjedhur rrugën e përballimit në drejtim të të dyjave, rrezikon t’i shtyjë njërën në krahët e tjetrës, duke ndihmuar formimin e një aleance të fortë kundëramerikane e kundërperëndimore.

Por, duke dashur të jemi ndjellamirë, të përfytyrojmë se strategjia amerikane të jetë e qartë, që Administrata e re  është duke bërë një përllogaritje realiste të fuqive të saj e të atyre të fuqive të tjera e që ve bast me të drejtë, duke menduar se Rusia e Kina nuk mund t’i japin jetë lehtësisht mes tyre një aleance të qëndrueshme, duke qënë të shumta e të hershme arsyet e mosbesimit të tyre të ndërsjelltë. Ndoshta është vetëm një formë e wishful thinking (të shkëmbehen ëndërrat vetiake për të vërtetën),  por ne evropianëve, e veçanërisht italianëve, na leverdis të besojmë në qetësinë e në arsyetueshmërinë e vlerësimeve amerikane. Arsyeja është se kemi nevojë për amerikanët. Kemi veçanërisht ne vojë ne italianët meqënëse, për shkak të gabimeve perëndimorë e të një inercie të zgjatur italike, Mesdheu është bërë një det i rrezikshëm, me rusët e turqit që kanë zënë vënd para derës së shtëpisë sonë. Shumica e bashkatdhetarëve tanë duket se është e pavetëdijshme për rreziqet. Në një Mesdhe kur rusët e turqit në shemëri ndërmjet tyre marrin qëndrime prej pronari, për ne ka pasoja negative. Jo vetëm janë dëmtuar interest tona jetike ekonomike në zonë. Jo vetëm të tjerë (jo ne) mund të hapin e të mbyllin rubinetat që rregullojnë valët e të mërguarve kundrejt Italisë dhe pjesës tjetër t’Evropës. Përveç kësaj ndryshimi i barazpeshave ushtarake krijon rreziqe për njënjësinë tonë territoriale, ndoshta jo menjëherë, por në t’ardhmen.

Mbasi të jenë mbaruar dërdëllitjet “evropikisht korrekte”, mbasi të jetë pohuar, siç parashikon rituali, që Evropa duhet të kryejë këtë e atë për të ndihmuar paqen në Mesdhe, bashkëpunimin mes popujve etj.,  amerikanëve duhet t’i drejtohemi për t’u përpjekur të ndalojnë praninë e padëshiruar e të rëndë të rusëve e turqve në kopshtin e shtëpisë sonë. Nëse ky është përfundimi Evropa mund të jetë vetëm një partner i ri i Shteteve të Bashkuara, nuk mund t’i zëvendësojë, siç tregojnë edhe rezultatet deri tani pak të ndritëshme të operacionit Irini për të ndaluar hyrjen e armëve në Libi. Me që ra fjala për të, nuk mund të gënjehemi se mjafton një qeveri e bashkimit kombëtar për të mundur kaosin. Duhet të shpresojmë se me Biden-in Amerika me të vërtetë është “kthyer”. E duhet të shpresojmë që investimi i pashmangëshëm gjeostrategjik i madh i Shteteve të Bashkuara në shemëri me Kinën n’Azi, mos t’a çojë Biden-in në ndjekje të gjurmëve të Trump-it e të çinteresohet për Mesdheun. Me një sy për çfarë ndodh në këtë det për ne evropianët (për italianët së pari) nuk është shumë e rëndësishme që Putini të njihet prej të gjithëve si një tip pak i besueshëm. Sidoqoftë ai është. Siç është edhe turku Erdogan. Është e rëndësishme më shumë që, në këtë det e ndërmjet brigjeve të tij të rivendoset ajo barazpeshë që në vitet e fundit është thyer në dobi të tipave pak të besueshëm.

“Corriere della Sera”, 22 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika         

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Pianebianco, Eugjen Merlika, Kthimi I SHBA

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT