Nga Emin Azemi/
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqipztarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune. Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të vonuar politikisht dhe të hutuar kombëtarisht. Përpjekjet e deritanishme për të siguruar status të barabartë në politikëbërjen shtetformuese të këtij shteti kanë rezultuar të pasuksesshme. Elitat politike shqiptare që udhëhoqën dhe që aktualisht po udhëheqin, kanë një handikap të madh në formatimin e vullnetit politik të shqiptarëve. Ata edhe sot nuk kanë krijuar një konsensus minimal, ndërmjet veti, për problematikat nevralgjike, ndërkohë që gjithë karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar duke bashkëqeverisur me faktorët politikë maqedonas, të majtë e të djathtë, liberalë e konservativë.
Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune.
Lidershipi politik shqiptar në Maqedoni ende mendon se ardhja në pushtet automatikisht heq nga rendi i ditës problemet që shqetësojnë popullatën shqiptare. Përkundrazi, praktika ka dëshmuar se jo gjithmonë ua sheh hajrin populli atyre që vijnë në pushtet. Kështu ishte në vitet ’90 dhe kështu vazhdon të jetë aktualisht. Vetëm te shqiptarët në Maqedoni ndodh që njerëzit të votojnë një strukturë të caktuar politike dhe pastaj të jenë të pakënaqur me pozitën e tyre politike, ekonomike e sociale. Vetëm në Maqedoni ndodh që partia shqiptare në pushtet, në situata të caktuara, të sillet si opozitë. Komunikimi përmes komunikatave, duke shprehur njëfarë pakënaqësie ndaj asaj çka ndodh në terren, e bën partinë shqiptare në pushtet qesharake në sytë e opinionit publik. Nga kjo kuptojmë se në bashkëqeverisje hyhet pa ndonjë marrëveshje të qartë dhe pa një plan konkret bashkëveprimi në fusha të caktuara që rregullojnë jetën e përditshme të njerëzve. Fundja, atë që e thotë aktualisht, përmes kumtesave, partia shqiptare në pushtet, lidhur me problemet rreth emërtimit të shkollave, bie fjala, e kanë thënë gazetat dhe mediat e tjera në gjuhën shqipe dhe na duket paradoksale sensi opozitar i këtyre reagimeve.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të vetmuara në gjysmëkauzat e tyre. Ato kanë si synim marrjen e pushtetit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të administruar deri në fund, përmes bashkëqeverisjes, kërkesat politike të shqiptarëve. Një gjysmëkauzë e tillë po e ndjek edhe partinë opozitare (PDSH) shqiptare, e cila assesi nuk po mund të lirohet nga sindromi i keqmenaxhimit të politikëbërjes nga lidershipi i saj. Në vend se opozitarizmi i kësaj partie të vendosej mbi parime afatgjate dhe të profiluara në pikëpamje të programit dhe doktrinës politike, ajo për çdo cikël zgjedhor reprodukon nga një teatër absurdi ku ardhja në pushtet premtohet ende pa u numëruar votat dhe ende pa filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Duhesh të jesh në lëkurën e anëtarësisë së kësaj partie për ta kuptuar dhe duruar tmerrin që vjen nga kjo filozofi e çoroditur e politikëbërjes dhe për mendimin tim këta janë heronjtë e vërtetë të demokracisë, sepse pranojnë t’i harxhojnë nervat dhe vitet e rinisë pranë një lidershipi që nga viti në vit shtreson humbjet në topin e madh të borës që vjen duke u rrokullisur në greminën e bilancit politik negativ.
Shqiptarët kanë shumë arsye të mos votojnë në të ardhmen anarkinë dhe dezintegrimin që po i ngulfat nga viti në vit, por këtë nuk mund ta bëjnë pa u ndryshuar rrënjësisht mentaliteti i elitave që e prodhojnë këtë gjendje.
Shqiptarët – pa platformë dhe strategji për veprime afatgjata
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Emrat e politikanëve, që radhiten pas liderit partiak, tek shqiptarët, nuk shkon gjatë kohë dhe avullohen në punëtorinë a klonimin e lidershipit. Ata i bluan ambicia iracionale e liderit për të menaxhuar partinë me anonimusë, pa kurriz etik e qytetar, pa “background” profesional dhe pa përvojë në ndonjë fushë të caktuar jashtë politikës.
Politikat hermafrodite të shqiptarëve që ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase, janë të destinuara të krijojnë surrogate të politikëbërjes gjoja pragmatike, që në fakt prodhojnë një boshësi pa kurrfarë tingëllime substanciale. Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë humben në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguajnë zgjedhësit.
Si do të silleshim ne po të ishim në vend të Gruevskit? A do të kërkonim që të zgjatej kjo amulli dhe ky dezintegrim politik i shqiptarëve? A do të kërkonim që jetëgjatësia e liderëve të tillë shqiptarë të trajtohej me kujdesin më të madh, sepse vetëm me një filozofi të tillë politike të shqiptarëve, maqedonasit i arrijnë synimet e tyre perfide, që herët a vonë do të mund të prodhojnë edhe krizën më të madhe në periudhën mbi 20- vjeçare.
Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Nëse politika e feudalizuar shqiptare në Maqedoni e injoron elektoratin e vet me sjellje të tilla arrogante, mospërfillëse, jokonsensuale, atëherë çfarë mund të presim nga politikanët maqedonas? Si do ta trajtojnë ata procesin e barazisë etnike në rrafshe të ndryshme institucionale, konstitucionale e praktike?
Këneta e bajraktarëve
Hermafrodizmi i partive politike shqiptare, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që e bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare-nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake. Prandaj, me siguri iu ka rënë të shihni për këto 20 vite plot ministra shqiptarë, se si janë sorollatur nëpër kabinetet e kryeministrave maqedonas të “zhveshur” nga të gjitha nuancat identifikuese politike e ideologjike. Kjo “nudo” politike e shqiptarëve ka promovuar që herët një hedonizëm të veçantë në këtë kënetën tonë të madhe të bajraktarizuar nga bishti i aftësive dhe shterpësive.
Me këtë hermafrodizëm ideor e strategjik, partitë politike shqiptare në Maqedoni zor se do të arrijnë të ndërtojnë ndonjë strategji stabile veprimi, pikërisht në kohën kur po ndodh ballafaqim i fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase. Pyetja e natyrshme që shtrohet me këtë rast është nëse politikanët shqiptarë do të pranojnë të bëhen “material” harxhues i këtij sanduiçi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve. Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri, edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat. Pikërisht mbi këta antagonizma po projektohen edhe parametrat e veprimit institucional të Maqedonisë si shtet.
Interesat shqiptare në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjes
Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ata që do të trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komod. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi – e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizenjuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.
Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë, dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve. Por, me një kusht që politika e shqiptarëve të mos ketë objektiv domosdoshmërisht pjesëmarrjen në bashkëqeverisje, madje edhe atëherë kur nga ajo nuk kërkohet që të heqë dorë nga parimet dhe doktrinat fondamentale nacionale. Sepse, pa këto të fundit, partitë politike shqiptare do të mund të ngelnin lakuriq nën diellin përcëllues të kuazi-bashkëqeverisjes.
Për pasojë, në sipërfaqe po del hapur tendenca maqedonase për ndarje të shtetit, duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet e përbashkëta të vendimmarrjes. Ky qëndrim maqedonas ndaj shqiptarëve është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë udhëhequr partnerët e koalicionit brenda këtyre 12 vjetëve pas 2001-shit, duke mos u dhënë përgjigje adekuate çështjeve të mprehta për të cilat edhe ndodhi konflikti. Tani kanë ngelë dy alternativa: ose shqiptarët të organizohen dhe të bëjnë një koalicion të përbashkët i cili do të përgatiste një platformë që do t’i jepej si ofertë faktorit politik maqedonas, ose t’u rikthehen ideve politike që ishin në qarkullim në prag të 2001-shit.
Përgjegjësia e forcave politike shqiptare për të koalicionuar me partnerët e ardhshëm maqedonas, nuk është e njëjta si ka qenë deri më tani. Kjo përgjegjësi tash e tutje do të duhej të mbështetet në një moral më të fortë njerëzor e kombëtar për të vendosur disa korniza brenda të cilave do të përfshiheshin do interesa më të gjëra, mbipartiake. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonase kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase.
Kakofoni dhe mosbashkëpunim në shoqërinë shqiptare
Zëvendësimi i ideve me shantazhe publike e bën të kollajshëm zanatin e marrjes me politikë te shqiptarët, ndërkohë që maqedonasit po punojnë me të madhe për ta shndërruar Maqedoninë Lindore në parajsë të investitorëve të huaj, ose për t’i bërë krejt vendbanimet maqedonase sikur pjesa europiane-urbane (Zhdanec, Përzhino, Vodno, Taftaligje) e Shkupi. Pasqyra më e mirë e politikave që udhëheqin shqiptarët në shtetin e quajtur Maqedoni, janë lagjet e mjerimit migjenian të Serovës, Dizhonit, Shutkës, Gazi Babës në Shkup dhe ata politikanë shqiptarë që rrahin gjoks se e kanë menaxhuar mirë besimin e popullit, këtë duhet ta sprovojnë në këto dhe lagjet tjera suburbane të shqiptarëve, sepse vetëm atje jepet provimi i politikëbërjes.
Shtëpitë si kasolle, rrugicat e ngushta pa ndriçim publik, mungesa e asfaltit dhe kanalizimit, superdendësia urbanistike pa një metër katror hapësirë të gjelbër publike, janë pyetjet e vështira të cilave duhet t’iu përgjigjen politikanët shqiptarë, e jo të kërkojnë mandate angari, për punë të tyre personale që ata i kryejnë nëpër akçihanet, qebapqihanet dhe leblebiqihanet e Shkupit.
Vula e politikës shqiptare në Maqedoni ka rrezik të zbehet më shpejt se sa kohëzgjatja e mandateve politike të zgjedhurve tanë dhe, ata nuk mund t’i shpëtojnë as zgjedhjet e parakohshme. Sepse ajo që ngel si e paskohshme është llogaridhënia për dremitjet në kolltuqet qeveritare.
Një qendërsim i munguar i mendimit politik, që është edhe pasojë e kakofonisë së inteligjencisë shqiptare këtu, por edhe një mosbashkëpunim i skajshëm ndërmjet faktorëve relevantë shqiptarë, ka prodhuar kaos qëndrimesh në taborin politik shqiptar.