Kryesia e parlamentit të Kosovës, vendosi të mërkurën që më një shtator të mbahet seanca e parlamentit, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Vendimi u mor pas një ndërprerje të mbledhjes meqë lëvizja Vetëvendosje sërish hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë.
Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.
Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë dhe si e tillë është e papranueshme.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.