• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse shpërfillet suksesi i futbollit kukësian?!

August 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Një fenomen shqiptar mediatik po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit publik. Injorimi i ngjarjes. Mospërfillja mediatike si shprehje e pozicionimit të botuesve, pronareve. Ose shpërfillja e ndodhive pozitive, si mjet për të mos çuar te qytetarët suksesin, përkushtimin, energjinë e njerëzve që e ndërtojnë të sotmen e të ardhmen e këtij vendi. Pra, bojkoti i suksesit, siç dijnë të bojkotojnë censorët e sotëm mediatikë. Skuadra e futbollit të Kukësit është shembulli tipik i kësaj fytyre të shëmtuar të medias shqiptare. Të enjten e kaluar kuësianët shënuan dy gola kundër një prej skuadrave më me emër të futbollit europian, asaj Metalurg të Ukrainës. Kukësi sfidoi në ndeshjet e superligës shqiptare dy nga skuadrat me emër te futbollit, perkatësisht Flamurtarin e Tiranën, duke u ngjit në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Dhe gjithçka me meritën e përkushtimit, të punës dhe të energjisë së jashtëzakonshme. Vendi i dytë i dha kësaj skuadre të drejtën të luajë si nënkampione në superligën europiane. Kukësi kapërceu dy etapa të rëndësishme të superligës europiane, duke e rrëmbyer fitoren kundër Sarajevës, një skuadër me emër në Europën Juglindore si dhe kundër skuadrës estoneze.

Turin e tretë Kukësi e filloi me një skuadër tjetër me emër në Europë, atë të Metalurg të Ukrainës. Mbrëmjen e 1 gushtit futbollistët e tij shënuan dy gola në Qemal Stafa, duke mos e lejuar kundërshtarin të prekë rrjetën e kukësianëve, edhe pse arbitri dha një goditje me penallti për skuadrën ukrainase. Ky rezultat i pastër dhe i merituar për shkak të lojës brilante që lojtarët e mrekullueshëm të Kukësit bënë në praninë e mijëra spektatorëve, jep shanse që Kukësi të shkojë me tej me performancën e tij në ndeshjet e ardhshme të superligës europiane.

Kanë shkruar e folur për ngjarjen surprizë dhe fitoren e kukësianëve të gjitha mediat boshnjake, kur skuadra e qytetit verilindor luajti me Sarajevën. Kanë shkruar e folur po ashtu gazetat e mediet e tjera estoneze. Ndërsa në rastin e fitores me skuadrën e Ukrainës në Tiranë, njoftuan jo vetëm mediet e Kievit, por edhe portalet e mediet europiane, ndër to portali i FIFA-s. Ishte vërtet një sukses i merituar dhe i paparashikuar. Ndërkohë shumica e medieve tona shqiptare të pozicionuara politikisht përdorën heshtjen vrastare për ta ndëshkuar suksesin e Kukëit. Asnjë televizion shqiptar nuk e transmetoi ndeshjen drejtpërdrejt. As Televizioni Publik Shqiptar, i cili ngadalw po pwrshtatet t´i shkojw e tw futet nwn bishtin e kalit tw ri tw qeverisjes. Asnjë medie nuk organizoi një tryezë të rrumbullakët e të flasë me ekspertë, gazetarë e specialistë të sportit për këtë ngjarje historike në sportin shqiptar. U shfaq në mënyrë unanime, me një mirëkuptim të heshtur apo të aranzhuar përmes kabllove telefonike, një bojkot mediatik i pashembullt. Nuk e bënë një bojkot të tillë mediet e huaja, por e bënë mediet tona të vitit 2013, ato media, të cilat çdo ditë e çdo orë shesin moralin e “së drejtës” dhe “peshores” në shoqërinë, në politikën, në jetën sociale e morale të shqiptarëve. E bënë televizionet e ndara në dy kampe “armiqësore” në politikë, të ashtuquajturat të djathta dhe televizionet e majta. E bojkotuan Kukësin mediet e shkruara. Një televizion që ushqehet nën sqetullën e PS-së, të cilin e mbaj mend kur dy orë radhazi, çdo minutë përsëriste më 23 qershor urdhërin partiak të rremë se “Në Laç është vrarë një komisioner i Partisë Socialiste”, nuk gjeti as edhe një sekondë të shqiptojë fitoren e Kukësit. Thashë të rremë, se viktima rezultoi qw s´kishte të bënte me PS-në. Pra, një stacion televiziv, i cili manipuloi dy orë qytetarët shqiptarë me qëllime politike, për arsye ideologjike nuk pranon të anonçojë një lajm suksesi, qoftë ky edhe në fushën e sportit.

Rasti i bojkotit mediatik për Kukësin, ose më saktë rasti i injorimit të një prej ngjarjeve më të mëdha të sportit shqiptar, e cila bën krenar jo vetëm çdo kukësian, por edhe çdo shqiptar, rasti i shpërfilljes ekstreme mediatike të fitores së datës 1 gusht në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës duhet ta bëjë çdo njeri të mendojë thellë për atë çfarë ndodh me medien e për pasojë me shoqërinë shqiptare. Shoqëria shqiptare thuhet se është deformuar. Dhe nëse e pranojmë këtë fakt, atëherë duhet thënë e vërteta se është deformuar shtylla e katërt e pushtetit në këtë vend, janë deformuar mediet shqiptare. Kur bëj përgjithësimin e medies në tërësi, besoj se do të ma falin këtë gabim ato pak media që përpiqen të jenë objektive, të ndershme e të ekuilibruara në informimin e qytetarëve. Por fatkeqësisht duhet pranuar se kësaj medie ia kanë zënë frymën mediat që kanë mbërritur këtu ku janë si rezultat i shkathësive mafioze dhe bashkëpunimit të dyshimtë jo thjesht me krahët e politikës shqiptare.

E di se dukem pak idealist me konstatimet e mia. Por e ndjek prej më shumë se dy dekadash ecurinë e mediave tona dhe fatkeqësisht ndjesitë negativiste vetëm se përforcohen çdo ditë e sa herë përballesh me emisionet “famëmëdha” të butaforikëve moderatorë të televizioneve shqiptare. Shiheni emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. A nuk i kemi parë prej 15 vitesh të njëjtat fytyra analistësh në këtë emision?! A nuk ju duket sikur shohim të njëtin arsyetim në debatet e tij si para 15 vitesh, e nërkohë vetë moderatori famoz bën moralin e ndryshimit dhe evolucionit! Kur njerëzit e medies krijojnë vetë një rreth vicioz, nga Nexhmija deri te Vitoja, nga Sulo Gradeci, te ai hetuesi nga Korça e nuk dalin prej vrimave të skuadrës së futbollit të Dinamos e Partizanit, si mund të presim që ata të bashkohen ne suksesin e Kukësit?!

Ka prej atyre njerëzve, të cilët pozicionimin e medies e justifikojnë me ekonominë e tregut. Në fund të fundit media është private, thonë ata. Në të vërtetë mediet vetëm nga pikëpamja financiare janë private. Ato janë krijuar për të komunikuar me publikun e për këtë shkak janë pronë e publikut. Nëse pranojmë këtë fakt unë besoj se publiku ka nevojë shumë herë më tepër për informim kur një skuadër, si kjo e Kukësit, arrin sukses të merituar e spektakolar si askush tjetër në Shqipëri, sesa ngjarjet e tjera sportive. Ndërkohë te ne ndodh e kundërta. Gazetat, televizionet, radiot i hapin emisionet e tyre me lajmin për falimentimin e Flamurtarit. Një vëmendje e jashtëzakonshme pati para një viti një ndeshje e politizuar midis Flamurtarit dhe Laçit. Por aspak vëmendje për një sukses të paparë të sportit shqiptar, për pesë fitoret e mrekullueshme të futbollistëve kukësianë.

Ndërkohë mediat kryesore televizive te ne janë edhe në aspektin moderativ private. Ato nuk janë pronë e publikut, por janë pronë e editorit. Pronari përcakton cilat pamje filmike do të transmetohen. Pronari urdhëron pasqyrimin ose jo të veprimtarive kulturore, politike, ekonomike, sportive, shkencore, letrare, në Tiranë e më gjerë. Pronari urdhëron që një person të afërt të tij ta shfaqin çdo javë në televizion me intervista të njëjta e pandërprerje, thjesht se dëshiron ta promovojë këtë person, në një anë dhe largimin nga kronikat të një personi tjetër, ndonëse shumë të suksesshëm. Pronari vendos kush të marrë pjesë e kush jo në enisionet e shumta televizive, kush të shfaqet bukur e kush i shëmtuar, kush të vejë makiash e kush jo, cilit kriminel t´i shqiptohet origjina e cili të hiqet nga emisioni i lajmeve, cili politikan të bombardohet me pyetje provokative në debatet televizive e cilit t´i jepen pyetjet një javë më parë, me qëllim që të rritet performaca e tij në ekran. Pronarët e TV-ve vendosin gjithçka, kontrollojnë çdo fjalë, bëjnë analizën ideologjike e politike të gjithçkaje që thuhet e emëtohet, duke kritikuar gazetarët rebelë e duke i nxjerrë ata në rrugë, kur nuk i binden joprofesionalizmit.

Nuk ka fushë e aspekt shoqëror që mediat tona nuk e bëjnë objekt të diskutimit e debatit. Madje edhe perzervativët e viagrën i kanë në fokus të vëmendjes së tyre e madje i lidhin me politikën e politikanët, jo me shoqërinë. Por nuk u gjet e udhës që të bëhet një diskutim jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe më gjerë, psikologjik, analitik sa i përket drejtimit e menaxhimit të një skuadre të tillë të sukseshme ,siç është skuadra e futbollit e kukësianëve. Kur para gati tetë vitesh Greqia u shpall kampione e Europës, e gjithë bota mediatike u përqëndrua te aftësitë e trajnerit të saj gjerman. Por askush nuk kujtohet të thotë se shqiptarëve u ka trokitur në derë një trajner kalibri, si Armando Cungu. Kur Bajerni kap majat e suksesit, presidenti i tij është në faqet e para të të gjitha gazetave dhe stacioneve televizive gjermane e më gjerë. Ato hapin të gjitha emisionet e lajmeve me ngjarjen sportive të ditës. Ndërkohë presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici, është bërë i njohur më shumë nga një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, sesa nga suksesi që korri në fushën e gjelber të Qemal Stafës natën e 1 gushtit 2013, ose në Sarajevë e në fushat e tjera të futbollit europian.

Nuk zunë ekranet televizive as presidenti Gjici, as trajneri Cungu, as kapiteni i skuadrës, Hallaçi, as ndonjë golshënues e lojtar tjetër sulmues, mesfushor ose në mbrojtje në rastin e fitoreve të njëpasnjëshme në ndeshje me skuadrat europiane. Duket sikur të gjithë këta po ndëshkohen. pasi konsiderohen se “kanë bërë njëkohësisht edhe një sfidë morale për nostalgjikët ideologjikë të Dinamos e Partizanit”, kanë bërë një “krim” tjetër, se “dolën nga shpellat e po vijnë të na dëshmojnë ne se ç´është futbolli e si arrihet suksesi”. Kanë bërë sfidën e tretë, se në kushtet e krizës ekonomike, një “malok” tjetër kukësian gjen burime financiare e jo vetëm mban gjallë një ekip, por shpërblen lojtarët e tij për çdo fitore, ndërkohë që të tjerë biznesmenë harxhojnë shumë herë më tepër se Gjici për të shkuar në sallën e parlamentit. Kjo ndoshta është sfida qytetare më e spikatur, sepse paratë e Gjicit shohin suksesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që paratë e atyre që ulën në karriken e deputetit janë përdorur në mënyrë mafioze për blerje e shitje votash.

Kukësi ka një veçori, me të cilën çdo medie serioze dhe e pandikuar do të merrej me të. Eshtë skuadra e vetme që luan për herë të parë jashtë Shqipërisë. Dhe për herë të parë shkon në superligën europiane më larg se çdo skuadër tjetër tradicionale shqiptare. Në vend të zbardhjes së ketij fenomeni, medien tonë e ka zënë sëmundja e xhelozisë dhe fanatizmit ideologjik, për të mos shkuar më tej, pra për të mos përmendur sëmundjen e afeksionit “malokist” të “civilizimit” mediatik, i cili mburret me HD, sepse nuk ka asnjë shans të mburret me paanësinë, me pasqyrimin e të vërtetës, me profesionalizmin mediatik edhe kur kjo shkon përtej opsionit ideologjik të botuesve e pronarëve të kësaj medie të uzurpuar shumëfish, nga pikëpamja e interesit të pronarit, nga politika, nga interesat financiare e ekonomike, madje të dyshimta e mafioze, që shkojnë deri te lidhja me krimin e organizuar.

Në kushte të tilla të një gjendjeje mizerabël të medies shqiptare, (të më mirëkuptojnë disa stacione televizive dhe gazeta, të cilat nuk bëjnë pjesë në këtë kategori fëlliqëisrash mediatike), pres që edhe shumë kohë në mediat tona të gjallojë nihilizmi e të injorohet suksesi, të shfaqen shëmtitë e këtij vendi e këtij kombi e të lëvdohen vetëm sukseset e qeverive, por jo edhe të qytetarëve, të sundojë mentaliteti provincial, për tu gjendur me kamera te qyteti e fshati i lindjes së pronarit, por jo 5 metra larg godinave të TV-ve, në rastin konkret te stadiumi “Qemal Stafa”.  Kukësi dhe skuadra e tij e futbollit na dha një mësim të vlefshëm. Zbuloi sëmundjen mediatike të rrezikshme për shoqërinë shqiptare, zbuloi lëngatën e medieve tona nën efektin e censurës së diktaturës. E ndonëse diktaturat rrëzohen lehtë, është vështirë të rrëzohet diktatura mediatike e ndërtuar në më shumë se dy dekada përmes aferave të pista në këtë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, futbolli, kuksian, pse shperfillet

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT