• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kultizimi i Janullatosit në afreskun e ri ikonografik

September 13, 2015 by dgreca

E vërteta rreth afreskut: “I zbrituri nga qielli, Kryepeshkopi Anastas”/

Nga Arben LLALLA/Historian/

Pas denoncimit tim, ku në afreskun e ri ikonografik tek kishëza e katedrales ortodokse të Tiranës paraqitet kryepeshkopi Anastasios tek zbret nga qielli si Jezu Krishti, funksionarët e KOASH-it ia mbuluan me copë të bardhë fytyrën kryepeshkopit të ikonizuar në murin e brenda kishës…

I mbuluan fytyrën për të mbuluar të pabërën, flagrancën e madhe në historinë e Ortodoksisë: vetkultizimin e Janullatosit!

Në një vend me mendësi kryesisht materialiste, Kryepeshkopi zëvendëson Krishtin në mendjen e besimtarëve, duke imituar pozitën gjysmë-hyjnore e gjysmë-njerëzore të Zotit Perëndi: Ai zbret nga  qielli mbi një pejsazh ngrehinash në trajtë qyteze-kompleks, për t’i dhuruar një fëmije kullën-kambanore, duke i vënë kështu “vulën” misionit të tij në Shqipëri.

Por skandali është vetëm në fillesat e tij dhe ka nisur të shqetësojë besimtarë të KOASH-it, si dhe klerikë e laikë të cilët ndihen të zhgënjyer nga një kapërcim i tillë befasues e tronditës.

Tre përfaqësuesit e KOASH-it u kapën në një siklet të madh teksa u shtrënguan të flisnin mbi këtë temë gjatë një emisioni televiziv para disa ditësh. Edhe pse funksionarë të lartë, ata nuk e përfaqësuan denjësisht Kishën, ndërsa tre të ftuarit e tjerë folën me fakte e profesionalizëm. 

Ngërçi ishte aq i madh sa ata u shtrënguan të gënjejnë, se afresku-skandal “nuk është në kishë, por në një kishëz,” dhe prandaj lejohet pikturimi “në një stil më të lirë.”

Këtu, përveç flagrancës dhe pranimit indirekt të mbrapshtisë, kemi mashtrime të mëdha e rrëshqitje të rrezikshme nga besimi ortodoks, nga të cilat do të cekim këtu disa:  

E para, në të njëjtin emision funksionarët e lartë të KOASH-it argumentuan se kisha e Dhërmiut, edhe pse kishëz, është Kishë në çdo pikëpamje, njësoj si çdo kishë tjetër ortodokse. Si ka mundësi, atëherë, që në rastin e afreskut, atje ku madje ndërtimet dhe pikturimet janë bërë më se të planifikuara e të parashikuara një herë e përgjithmonë, kisha në fjalë nuk është Kishë?

Kjo është shkelje e koncepteve themelore të besimit ortodoks. Historia kishtare ka shembuj të panumërt klerikësh, e madje shenjtorësh, të cilët kanë meshuar gjithë jetën në një kishëz, dhe jo në kisha të mëdha e katedrale. Madje dhe sot në Malin e Shenjtë e gjetkë në Greqi, ka klerikë të veçuar në vëllazëri të vogla të cilët kanë kishëza shumë më të vogla se ajo për të cilën mashtrojnë funksionarët e lartë të KOASH-it. A kanë të drejtë priftërinjtë dhe murgjit në fjalë të bëjnë portrete e karikatura nëpër muret e tempullit sepse “nuk është kishë, por kishëz?”   

E dyta, përfaqësuesit ortodoksë thanë se këtë afresk të Janullatosit “e ka bërë një piktor shumë i njohur.” Domethënë justifikohet shkelja kishtare me motive shekullare, e për hir të madhështisë njerëzore? Apo përdoret si pretekst për të shtirë mahnitje ndaj artistit, që të heshtë teologjia e të kapërcehet kriza që i ka kapur sot? Manipulim, madje me gjysmë çmimi… 
Ju lutem, na thoni emrin e piktorit, që të dimë se fshehja e emrit nuk është pjesë e problemit.

E treta. Peshkopi i KOASH-it, kryesori i treshes, tha se në afresket e reja kishtare “ka dhe persona jo realë”. Duke thënë se ka persona jo realë, i shtohet faj shkaktarit, i cili ka zgjedhur vetëm Veten e Tij…

Ku janë personat realë të Ortodoksisë Shqiptare në Kryekishën Ortodokse të Shqipërisë? Si e varrosët kaq shpejt Historinë? Ku janë tiparet e kishës lokale në këto dëshmi te reja?

Kur Kryepeshkopi guxon të imponojë veten e tij (të rënë) ne sfondin historik dhe spiritual të kishës lokale, ky është sakrilegj jo vetëm ndaj besimit ortodoks, por dhe ndaj dëshmorëve e martirëve të kishës vendore, të cilët dëshmuan besimin e tyre duke u përndjekur e persekutuar nëpër burgje e internime.

Ku janë të shenjtët Kostandin Kristoforidhi dhe Petro Luarasi? Ku janë etërit e ortodoksisë shqiptare, Theofan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, e të tjerë?

Nëse ata nuk mund të ikonografohen, a pikturohen, sipas përfaqësuesve të KOASH-it, në një kohë që të gjithë janë të vdekur, me çfarë logjike mund të lejohet kjo për kryepeshkopin e gjallë e despot te KOASH-it sot?

E katërta, përfaqësuesit e KOASH-it thanë se është në traditën e ortodoksisë që ai që dhuron paratë për ngritjen e kishës të paraqitet si ndërtues (ktitor). Madje peshkopi i bisedës na solli një shembull nga “afresku më i mirë në botë” (?!), për perandorët që ikonizoheshin tok me patrikët a kryepeshkopët.

Nëse kryepeshkopi sillet e mendon si Perandor në Shqipëri, është temë më vete, por në rastin në fjalë Kryepeshkopi as është dhuruesi i kishës, sepse paratë janë dhënë për Kishën e jo për Janullatosin, dhe as paraqitet në afresk i përulur para Krishtit a para ndonjë shenjtori, siç ka ndodhur kjo në ikonografinë ortodokse, edhe pse shumë rrallë.

Kjo është një çështje të cilën mund ta rrahim më imtësisht më vete. Mund të themi shkurtimisht, se afresket e ktitorëve kanë disa veçori. Për shembull, ktitori nuk paraqitet i vetëm, qoftë dhe Perandor, edhe nëse i ka dhënë të gjitha fondet për ndërtimin e kishës i vetëm.

Zakonisht pozicioni klasik është që i portretizuari paraqitet me tipare njerëzore, ndryshe nga shenjtorët, dhe paraqitet me përulësi të dukshme; për shembull, duke mbajtur një maket apo projektin e kishës në dorë në drejtim të Krishtit apo të një shenjtori. Rëndom afreske të tilla janë jashtë kishës së brendshme, tek narteksi në hyrje.  

Ndërsa në rastin e kishës së katedrales ortodokse në Tiranë kemi të kundërtën: Kryepeshkop Anastasi zbret së larti i vetëm, në një pamje-vegim, madje duke ia hequr trupit të vet disa gjymtyrë, për ta bërë më të justifikueshëm e plotësisht të pranueshëm (Anatomia e afreskut mund të jetë shkrim më vete).

Filed Under: Histori Tagged With: afreskun e ri, arben llalla, ikonografik, Kultizimi i Janullatosit në

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT