*Kumbaro: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, i merituar/
*Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit/
TIRANË, 7 Nëntor/Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
“Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, nënvizoi Kumbaro.
Kisha ortodokse serbe, vijoi ajo, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.
Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.
“Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit”, u shpreh Kumbaro.
Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. “Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova , por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë”, tha Kumbaro.
“Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja Kumbaro deklaroi se “është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si “fuçi baruti në Europë”, sot të kthehet në “ fuçinë e Kulturës” në Europë. Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.
“Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës”, vazhdoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit”.
Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.
Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.
Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim(Sipas ATSH-se)
Vizita e Papës në Tiranë-Kumbaro: Ja çfarë po bejmë që të jetë gjithçka gati
Nga Arbi Fortuzi/-. Ministria e Kulturës është duke punuar me kapacitet të plotë për të përfunduar sa më shpejt përgatitjet për organizimin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më datë 21 Shtator 2014.
Lajmi u bë sot i ditur nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me ecurinë e përgatitjeve për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë. Sipas Kumbaros, dikasteri që ajo drejton, pavarësisht se është kohë pushimesh, po punon me intensitet të plotë që organizimi të jetë sa më shpejt gati. “Edhe pse jemi në periudhë pushimesh, për të cilat i dëshirojmë të gjithë shqiptarëve gëzuar dhe pushime sa më të mbara, ne si ministri kemi më shumë se një muaj që kemi nisur të përgatitemi për të organizuar të gjitha detajet e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë”, theksoi Kumbaro.
Sipas saj, kjo vizitë është një ngjarje mjaft e gëzuar për vendin tonë dhe gjithë shqiptarët, që për një ditë do të jenë në qendër të globit. “Kjo ngjarje e kthen vendin tonë nga një fshat i vogël, në një vend të madh, duke dëshmuar se Shqipëria tashmë është një vend si vendet e tjera, ku Papa mund të realizojë vizitat e tij”, theksoi Kumbaro.
Duke folur për përgatitjet, Ministrja e Kulturës bëri të ditur se po punohet në tre drejtime. “Kanë nisur punimet në Sheshin “Nënë Tereza” për ristrukturimin e tij, pasi më datë 21 shtator do të mbahet mesha e shenjtë dhe predikimi i Atit të Shenjtë, në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillojë në vendin tonë. Po ashtu, shtoi Kumbaro, Pallati Kongreseve po ristrukturohet për t’u kthyer në një qendër të madhe mediatike, pasi gjatë vizitës priten mijëra gazetarë nga e gjithë bota me transmetime live. Së fundmi, po punohet edhe për ristrukturimin e Muzeut Kombëtar, të cilin Papa Françesku e ka në axhendë për ta vizituar”, nënvizoi Kumbaro.
Vizita e Papa Françeskut në Tiranë: Shenjtëria e tij, Papa Françesku më 21 shtator do të vizitojë Tiranën dhe kjo do të jetë një festë për të gjithë. Lajmi u bë ditur nga vetë Papa gjatë lutjes “Angelus” në Vatikan në orën 12:00 të datës 15 Qershor’. Kjo sipas Nunciaturës Apostolike Shqiptare do të jetë një udhëtim apostolik gjatë të cilit, Ati i Shenjtë, do të ketë mundësi, jo vetëm të takojë dhe të forcojë në fe bashkësinë katolike të Shqipërisë, por edhe të inkurajojë dhe të thellojë raportet e mira tashmë ekzistuese ndërfetare, si dhe të nxisë shoqërinë dhe popullin shqiptar të përballet me guxim, shpresë, zemërgjerësi e shpirt solidariteti në sfidat e të tashmës dhe të ardhmes që ndërthuren me ndërtimin e Shqipërisë së re të rilindur”.
Ky udhëtim i Papë Françeskut ndodh 21 vite pas vizitës historike dhe të paharrueshme të bërë nga Papa Shën Gjon Pali i Dytë më 25 prill 1993, në agimin e asaj “dite të re” që për Shqipërinë, pas rënies së komunizmit, shënoi hapjen e demokracisë, të lirisë fetare dhe të të gjitha të drejtave themelore të burrit dhe të gruas. Është i një domethënjeje shumë të lartë ky udhëtim i parë i Papë Franceskut në një Vend europian. Do të jetë udhëtimi i katërt i Tij ndërkombëtar që kur u zgjodh Ipeshkëv i Romës më 13 mars 2013: i pari ka qenë në Brazil (Amerikë), me rastin e Ditës Botërore të të Rinjëve (22-29 luglio 2013); i dyti, udhëtimi muajin e kaluar në Tokën Shenjte: Jordani, Palestinë, Izrael (Lindja e Mesme), që ka patur jehonë të madhe në mas-mediat ndërkombëtare edhe për fjalët, takimet personale dhe gjestet kurajuese të Papë Françeskut; i treti do të jetë ai, tashmë i shpallur, që do të çojë Atin e Shenjtë në Republikën e Koresë (Azi) më 14 – 18 gushtin e ardhshëm, me rastin e Takimit të VI të të rinjëve të kontinentit aziatik. Pas këtij lajmi, më 30 Korrik 2014, Keshilli i Ministrave vendosi për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, prej 141.115.797 milione lekesh, miratuar për Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri. Ndërsa më 31 Korrik 2014, në katedralen e Shën Palit në Tiranë u zhvillua takimi mbi programin e udhëtimit apostolik të Papa Françesku në Tiranë më 21 Shtator te ketij viti. Mësohet se Ati i Shenjtë do të niset nga Roma në orën 07:30 të datës 21.09.2014 dhe pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, në orën 09:00, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama.
Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, Ati i Shenjtë do të pritete në një ceremoni në zyrtare në Presidencë rreth orës 9 e 30 minuta. Në orën 10:00 Ati i Shenjtë do të mbajë Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”.
Në orën 13:30 Papa Françesku do të ketë një drekë me Ipeshkvijtë shqiptarë dhe më pas do të takojë edhe krerët e besimeve të tjera në Shqipëri.
Në orën 17:00 do të kremtohet lutja mbrëmësore në Katedrale. Në 18:30 Papa do të takojë fëmijët e qendrës “Betania” në Fushë-Krujë dhe në orën 19:45 do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së Papës në aeroport. Ati i Shenjtë niset drejt Romës nga aeroportin “Nënë Tereza”në orën 20:00.
Gjatë këtij takimi, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në 21 shtator 2014, sheshi “Nënë Tereza” do të ndryshojë tërësisht pamje. Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi akordimin e fondit prej 332 milionë lekësh për ndërhyrjen dhe rivitalizimin e sheshit “Nënë Tereza”, si dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës, Atit të Shenjtë.
Më 9 gusht 2014 në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet kanë nisur punimet për rindërtimin e tij, pasi më 21 shtator do të mbahet mesha e shenjtë dhe predikimi i Atit të Shenjtë, në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillojë në vendin tonë.
Projekti pë rehabilitimin e këtij sheshi është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe u miratua në datën 15 Korrik 2014 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Komisioni shtetëror për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, që drejtohet nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro , i ngritur për organizimin e punës dhe aktiviteteve që do bashkërendohen me rastin e vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator, ia ngarkoi Bashkisë së Tiranës ekzekutimin e projektit për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza”
Ndërhyrjet rehabilituese parashikojnë nivelimin e sheshit qendror pas heqjes së strukturës së shatërvanit në qendër të tij, i cili tashmë është vlerësuar si i amortizuar, krejtësisht jashtë funksionit dhe jokoherent me kontekstin arkitektoniko-urbanistik të sheshit.
Shkallaret që rrethojnë sheshin do të restaurohen tërësisht, pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore.
Fasadat e objekteve që ballafaqohen me sheshin do të pastrohen plotësisht. Objekteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Rektoratit do t’u kthehet hijeshia e pamjes së tyre fillestare.
Koncepti i ndriçimit të sheshit do të ndryshojë tërësisht: në qendër të sheshit do të pozicionohen ndriçues të lartë dhe në perimetrin e tij ndriçimi do të jetë i ulët. Gjithashtu do të unifikohet ndriçimi sipërfaqësor i bardhë i fasadave të objekteve dhe do të vihet në pah volumetria e tyre me anë të ndriçimit ngjyrë blu.
Në pjesën e kolonadës do të hiqet struktura e përkohshme e Fast Food ‘Kolonat’, duke rikthyer identitetin e kompleksit në tërësinë e tij.
Hapësira përgjatë dy krahëve të Universitetit Politeknik do të çlirohet nga ndërtimet dhe do të kthehet në hapësirë të gjelbër.
Qeveria shqiptare me VKM e posaçme të mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave ndihmoi në krijimin e kuadrit ligjor dhe financiar që bën të mundur fillimin e kryerjes së punimeve në një kohë sa më të shpejtë.
Afati i përfundimit të ndërhyrjeve në sheshin “Nënë Tereza” , maksimalisht do të jetë data 10 shtator 2014. Komisioni Shtetëror, i kryesuar nga Ministria e Kulturës është duke ndjekur hap pas hapi të gjitha fazat për organizimin e punës.
TIRANE-PRISHTINE-Liria e pakufi e kulturës
Kumbaro në Panairin e Librit “Prishtina 2014″/
Nga Klajdi Musabelliu / Tirane 5 Qershor 2014/ Mirela Kumbaro, Ministra e Kulturës së Shqipërisë ka marrë pjesë në hapjen e panirit të 16-të të librit “Prishtina 2014”.
Në panairin e organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Kumbaro në fjalën e saj u shpreh se “çdo ngjarje e librit, kudo që ndodh, na jep mundësi për të folur bashkë, përmes dijes, përmes kulturës, gjuhës sonë të përbashkët dhe të përhershme. Por, kur takimi ndodh në Prishtinë, nuk është vetëm takim librash, por është edhe takim zemrash, sepse për mua ndodhemi pikërisht në atë hapësirën pakufij, ku lexuesit dhe autorët qarkullojnë nga mendja në mendje me ide dhe me vlerat e tyre”.
Ajo kujtoi me kete rast marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit, hap i parë ky drejt unifikimit të sistemit arsimor, i cili do të fillojë të zbatohet në shtator.
“Panairi i Librit Prishtina 2014” është çelur në ambjentet e e Pallatit të Rinisë në Prishtinë me 3 qershor. Në këtë panair deri më 8 qershor, marrin pjesë rreth rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Aktiviteti i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, prezanton rreth 1200 tituj të rinjë librash, si dhe rreth 4000 mijë tituj të tjerë të viteve të fundit.
Panairi përkon edhe me përvjetorët e disa personaliteteve shqiptare dhe botërore si, 450 vjetori i lindjes së Shekspirit, 200 vjetori i lindjes së Jeronim de Radës, 170 vjetori i lindjes së Zef Serembes, 140 vjetori i lindjes së Shtjefën Gjeçovit, 100 vjetori i lindjes së Octavio Paz, 100 vjetori i lindjes së Marguerite Duras, 100 vjetori i lindjes së Sterjo Spases, si dhe 100 vjetori i lindjes së Mehmet Gjevorit, të cilët do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera gjatë panairit.
Në datën pritet të shpallet edh fitusi i tijë ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në gjinite :
– Prozë,
– Poezi,
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë,
– Përkthim letrar,
– Projektin kapital,
si dhe:
– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe),
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj),
– Stenda më e vizituar