• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIKTHIM TEK ATJONI DHE KUMTET E TIJ

December 19, 2019 by dgreca

(In Memoriam nw pesëvjetorin e parë të ngjitjes në qiell)/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            “Kur fati na ka hequr një shok, nuk ka ilaç më të mirë se sa mundësia për të shijuar kujtesën e tij e për të rizbuluar atë që është thënë mprehtësisht, apo trajtuar urtësisht prej tij.”

                        Niccolò Macchiavelli (1469 – 1527) Shkrimtar politik e mendimtar italian

            Kanë kaluar pesë vjet nga ajo ditë tragjike e 20 dhjetorit 2014, kur lajmi i zi i një aksidenti me motorr u përhap me shpejtësinë e vetëtimës në botën shqiptare, duke lënë në të një dhimbje të thellë. Ajo dhimbje, largimi nga jeta i Atjon V. Zhitit, vazhdon të jetë e gjallë në kujtesën shqiptare, edhe se koha me shpejtësinë marramendëse të fluturimit të saj, mundohet të na verë melhemin e saj në plagët tona.

            Sot, në këtë pesëvjetor të parë, mendimi nuk kufizohet vetëm në dhimbjen që lëndohet, por shkon edhe më tej, në përfytyrimin e asaj që do të kishte qënë jeta e Tij, personaliteti i Tij, ndihmesa e Tij në jetën tonë.

            Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai ka patur edhe shkrime të tjera, të botuara më vonë nga prindërit fisnikë, por për mendimin tim modest, edhe  këta tre shkrime mjaftonin për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që kishte pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.

            Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…..”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari. Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof ishte sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merrte jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që kishte të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri  i vendoste mirë në kohë e që përkonin me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.

            Shkrimi i parë ishte tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejtonte së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vinte si  përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hidhte hapat e saj. Autori kishte lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, ishte përfaqësues i një brezi që nuk njihte “mëkatin origjinal”, i cili vazhdonte të ndikonte dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkonte më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njihte si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merrej me të si dukuri historike apo shoqërore, e quante të kaluar, e hidhte mbas krahëve e shikonte përpara. Por perspektiva e një Vendi, që ecte si kërmilli në një botë që vraponte, e bënte të kthehej mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.” Kjo ishte tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që kishte ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që ishte i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë  së globalizimit. Filozofi i ri e shikonte me dhimbje këtë tabllo e arrinte në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendonte t’a ndryshonte duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin.

Me dhimbje vinte ré se mungonte “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër. Shqetësimi për këtë gjëndje merrte përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vërente se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrinte në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Ishte  shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejdukej roli i drejtuesit në një rrugë që ishte pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar….

            Shkrimi i dytë ishte një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marrёdhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruante me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes. Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh….. janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetej e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkonin një ndërhyrje të shpejtë.

            “Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursente askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që ishte gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti ishte kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme kishte pushtuar institucionet dhe rrezikonte demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërriste në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundonte duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të. Fragmenti ishte një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetej problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori ishte i bindur se duhet të ishte brezi i tij që duhej të kërkonte me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtonin, pa patur kurajën asnjëherë të bënin “mea culpa”, për gjëndjen e cila revoltonte Atjonin, e për të cilën kishin dhe ata një pjesë përgjegjësie….

            Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhej “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Ishte një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kishin në qendër të tyre një term që përdorej, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Ishte kjo sëmundja që kërcënonte t’ardhmen e Shqipërisë, që e mbante atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodiste funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijonte mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbillte pasiguri e mosbesim tek ata, si Atjoni, që e shihnin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut. Pyetjet vazhdonin edhe në këtë shkrim, ishte një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i vinte një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulej me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohej kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk  dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”. Ai shihte në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhej të kishte burrërinë të njihte mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalonte në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vërente me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyronte këtë zhgënjim, sepse ai shihte se ata që mbanin ”monopolin” e së vërtetës, që drejtonin politikën ishin bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shtonte : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat….”

            Këta ishin disa nga kumtet që na linte Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë…..

            20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj. “Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.

            I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.

Filed Under: Opinion Tagged With: Atjon Zhiti, Eugjen Merlika, Kumtet

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT