Nga Gavrosh Levonja/New York/
Hapat e ndërmarrë nga qeveria në sektorët e ekonomisë dhe financave evidentojnë një gjendje paniku që e ka pllakosur atë nga gjendja e arkës së boshatisur të shtetit dhe paaftësisë për të gjëtur rrugët optimale për të mbushur sa më shumë të jetë e mundur këtë boshllëk. Nuk ka si shpjegohet ndryshe “dora e hekurt” në drejtim të mbledhjes së detyrimeve ndaj shtetit pasuar brenda pak javësh nga lehtësirat drastike për biznesin e vogël duke filluar me taksën “zero” të bëra publike nëpërmjet gojës së kryeministrit dora vetë. Paniku në fjalë shfaqet gjithashtu edhe në projektbuxhetin e vitit 2016. Së pari projeëktbuxheti I vitit 2016, tregon se nuk është fryt i një studimi vizionar, të lidhur me të ardhmen e vendit, por tregon se qëllimi kryesor i shtetit është të mbledhë sa më shumë kacidhe nga qytetarët, në radhë të parë bizneset një pjesë e mirë e të cilëve po përjetojnë një atmosferë gjithnjë e më shumë asfiksuese Së dyti, duke i hedhur një sy projektbuxhetit të vitit 2016, arrin në përfundimin se objektivat e qeverisë në rrafshin ekonomiko financiar do të mbeten larg realizimit, ndërkohë që as mund të bëhet më fjalë për premtimet elektorale të para zgjedhjeve të vitit 2013 të cilat sollën në pushtet Ramën dhe ekipin e tij. Sipas informacioneve lidhur me këtë buxhet, parashikohet shkurtimi i mbi 7000 vendeve pune në administratën qëndrore që do të thotë një rritje e mëtejshme e papunësisë në shkallën 10-20 %. Pa u shtrirë në efekte të tjere, kjo do të thotë shtesë të fondeve për të papunët apo për përkrahjen sociale; pra një pjesë e paravë që do të kursejë shteti me shkurtimet në administratë do të shkojë për të përballuar rritjen e shpenzimeve për ata që do të kalojnë në frontin e të papunëve. Në bazë të të dhënave të publikuara mësohet se sëpata e shkurtimeve do të bjerë më rëndë në sektorin e arsimit ku “viktimat” e radhës do të jenë mësuesit edhe pse pjesa më e madhe e tyre me fillimin e këtij viti shkollot i u nënshtrua testimeve për të ruajtur apo fituar vendin e punës. Gjithashtu, shkurtimeve nuk u ka shpëtuar dhe policia, në një kohë që lufta kundër kriminalitetit kërkon një aktivitet energjik e të vazhdueshëm. Eshtë interesant të dihet se cilat janë arsyet që kanë qeverinë për të kursyer në rend e arsim. Ndoshta, si pasojë e pakësimit atë fondeve për sektorët në fjalë. Duke u kthyer tek objektivat e qeverisë, tashmë, kushdo, me një minimum logjike, normalisht do të drejtonte pyetjen: “More zotëri, ju nuk nxorrët gjë në dritë me këtë numër punonjësish, athere, si do i a dilni mbanë me më pak njerëz?” E keqja është se ndërsa parashikohet shkurtim në masë i përsonelit, në buxhet nuk thuhet asnjë fjalë përsa i përket investimeve për modernizim, falë të cilit mund të zevendësohej puna e atyre mijërave që do të ikin nga puna. Në kushte të tillë edhe ata që do të mund t’u shpëtojnë shkurtimeve natyrisht, do të kenë një ngarkesë më të madhe dhe kushte më të vështira. A, punë tjetër nëse në projektet e qeverisë mund të jetë parashikuar në heshtje një rritje e numrit të shtetasve të cilët do të preferojnë eksodin si mënyrën e vetme për të mbijetuar me vështirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës në Shqipëri. Mirëpo, ata që kanë planifikuar të mbushin arkën e shtetit duke kursyer nëpërmjet shkurtimeve të punonjësve nuk kanë menduar anën tjetër të medaljes, konsumin i cili është një nga motorët e nxitjes së zhvillimit të ekonomisë. Më pak të punësuar do të thotë rënie të të ardhurave, rrjedhimisht, më pak konsum. Dhe rënia e konsumit sjell rënie të prodhimit vendas si dhe të kërkesës për mallra nga jashtë. Kjo pasohet dhe me mbylljen e bizneseve të tjerë, duke u kthyer në një spirale me shtimin e mëtejshëm të numrit të të papunëve, rënien konsumit dhe, në fund të fundit , do të kemi më pak të ardhura nga doganat dhe nga tatimet që përbejnë burimin kryesor të të ardhurave të shtetit në Shqipëri
Një paradoks tjetër është dhe akciza e birrës. Eshtë vendosur që të rritet akciza e birrave që prodhohen në vend ndërkohë që do të ulet akciza për birrat e importit. Kjo nuk është gjë tjetër vecse penalizim i prodhuesve vendas të birrës, të cilët krahas rritjes së vazhdueshme të taksave, tani e tutje duhet të përballojnë dhe rritjen e akcizes. Logjikisht, kjo do të sjellë dominimin e tregut nga birrat e importit dhe në një tkurrje të mëtejshme të prodhimit vendas. Në gjendjen, në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare, mënyra më e mirë për të dalë prej saj është lehtësimi sa më shumë të jetë e mundur i barrës fiskale të bizneseve prodhues, një prej të cilëve është dhe ai i prodhimit të birrës. Më pak detyrime do të thotë cmime më të ulta, më shumë konsum, rritja e të cilit imponon një rritje të prodhimit, pra më shumë punonjës, më shumë të ardhura nga taksat për shtetin, ose më shumë kapital i lirë për t’u aktivizuar në investime në biznesin përkatës duke e bërë atë sa më konkurues në treg. Përpjekja e ministrit të financave për të argumentuar rritjen e akcizës për birrën vendase me “uljen e tendences per manipulim” dukej qartë si dicka e thënë nga halli duke e vene ministrin në një pozitë qesharake. Nga ana tjetër, ministtri nuk merrka aspak parasysh faktin që duke u rrekur të minimizojë aktivitetin e manipulatorëve ai godet pjesën e shëndoshë të biznesit, e cila sigurisht përbën shumicën.
Zyrtarët shqiptarë ka kohë që bëjnë zhurmë për zhvillimin e turizmit si një nga degët kryesorë e me përpspektivë të ekonomisë. Në këtë aspekt janë premtuar lehtësira e favorizime nga më të ndryshmet për industrinë e turizmit. Një ndër lehtësirat e premtuara ka qenë dhe ulja e TVSH-së e cila aktualisht është 20%. Ky është një hap normal pasi më e pakta do të ndikonte në uljen e cmimit duke bërë që të paksohej numri I shqiptarëve të cilët preferojnë vendet e huaja duke i hequr ekonomisë shqiptare një fetë jo të vogël të ardhurash. Por, për fat të keq, në projektbuxhetin e vitit 2016 nuk parashikohej asnjë ulje e TVSH-së për turizmin. Pra, të paktën edhe gjatë vitit të ardhshëm, operatorët turistikë në Shqipëri, do të jenë të shtrënguar “të hanë veten me dhëmbë” si gjithmonë.
Si përfundim përpjekjet e qeverisë shqiptare për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit janë të justifikueshme duke pasur parasysh nevojat e shtetit si për investime në infrastrukturë e gjetkë asntu dhe ne rritjen e fondeve për sektorë si arsimi, shëndetsia apo shtresat në nevojë dhe atë pjesë të popullsisë me të ardhura minimale, por mënyrat dhe rrugët në arritjen e saj nuk janë më optimalet, për të mos shkuar tek efektet negative që kanë mbi bizneset. Lidhur me ndryshimin e qëndrimit në taksimin e biznesit të vogël, duke e liruar ndjeshëm nga taksat, nuk është ende e qartë nëse ky është një ndryshim në mentalitet apo thjesht një lëvizje taktike me synime elektorale.