• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënat tona kush i ka vallë?!

May 8, 2016 by dgreca

– Shkruar më 8 maj 2016,  ditën e Festës së Nënës/

nga Andon Dede, Nju York/

Nuk di se ç’ka ndodhur me të tjerët, por thellë tek unë, që kur e dëgjova këtë këngë për herë të parë, m’u ngul si gozhdë e nuk më është shqitur për asnjë çast, edhe kur nënën e kisha gjallë edhe tërë këto vite që ajo nuk është më. Mbase jam subjektiv, por tek ajo këngë më ngjan se është sintetizuar bukur e saktë portreti i nënave tona hallemëdha. E kam fjalën për nënat shqiptare ndonëse e di se nëna është nënë jo vetëm për gjithë njerëzit, në kuptimin mbiemëror të saj, por dhe për gjithë botën e gjallë, si burim i jetës. Pa të ne jo vetëm që s’do të kishim ardhur në këtë botë por as nuk do të ishim ata që jemi, me të mirat e të këqijat tona. Vlerat e antivlerat që mbart secili prej nesh e kanë burimin tek ato. “Nuk është mësuesi ai që edukon njeriun por nëna”, thotë gjeniu ynë i Rilindjes, Sami Frashëri. Nëna japoneze, megjithëse nga profesioni mjeke, mësuese, inxhiniere apo kontabiliste, si rregull, e lë punën dhe qëndron në shtëpi kur bëhet me fëmijë. Shpesh bëhet pyetja nga të huajt: “A mos është humbje, për shtetin, që të shpenzohen kaq shumë para për arsimimin e lartë të saj, (nga shteti), dhe të mos iu shihet hairi drejtpërdrejt? Përgjigja është kategorike: nuk është pa kuptim që nëna, e cila edukon fëmijën dhe e ndihmon atë në përvetësimin e mësimeve të shkollës, të jetë në shtëpi. Nëna kryen mision të lartë nga i cili varet e ardhmja e Japonisë. Në rastin  konkret ajo kryen detyrën më atdhetare”.

Lexova një libër-album të autores Mariana Kuk, (Marianna Cook), kushtuar nënave dhe fëmijve. Ajo e kish drejtuar objektivin e aparatit fotografik tek personalitete të njohura të të gjitha fushave. Për ilustrim apo si diçitura kishte pohime të të dy palëve, ku si emërues të përbashkët kishin pak a shumë krenarinë e të parave për arritjet e bijve apo bijave të tyre dhe mirënjohjen e këtyre të fundit për gjithë sa kishin bërë ato për ta.  Kjo nuk besoj se habit njeri. Por, duke u njohur me nënat e përfshira në atë botim tepër interesant e me vlerë. nuk mund të mos vë në dukje se ato qenë të gjitha me shkollë, madje shumë syresh personalitete të shquara në fushat përkatëse që iu ishin kushtuar. Edhe në ato momente, kur po shfletoja faqet e atij libri, mendja më shkonte tek nënat tona, apo më saktë tek nëna ime që, jo për faj të saj, nuk u shkollua siç do të dëshëronte. Si nëna ime ishin e janë dhe shumë të tjera, të paktën flas për brezin tim. Por, edhe pse vetë pa shkollë, ato bënë të pamundurën që ne të shkolloheshim dhe kjo i ngre ato edhe më lart në sytë tanë, kur kemi parasysh sakrificat e tyre deri në flijim që ne të përparonim në punë e në jetë se, siç thuhet në këngën që cituam më lart, “na donte bota edhe të bukur edhe luftëtarë”. Dikush e ka krahasuar nënën me një qiri që djeg veten për të ndriçuar jetën fëmijve. Si e tillë mirënjohja për të është e pamatëshme. Ajo ka qënë e mbetet burim frymëzimi për tërë krijuesit e gjithë kohërave dhe jo vetëm për ata. Gëte në bisedat me Ekermanin ka thënë se në Greqinë e vjetër nënat nderoheshin njëlloj si hyjneshat. Revista e njohur amerikane ”Esquire”, kohë më parë, bënte një sondazh, me dhjetra burra, se si kishin arritur të bëheshin ata që janë sot, njerëz të shquar të politikës, shkencës, artit, sportit etj.. Pjesa më e madhe e tyre ua atribonin prindërve, herë babës e herë nënës. Por, mbas shumë të pyeturve, aktori dhe regjizori i njohur Robert Redford tha: “Nëna ime! Ajo nuk e humbi kurrë besimin tek unë edhe kur nuk më ecte ndonjë gjë. Besimi i saj tek unë qe shtysa më e fuqishme për të ecur”. Amerikanët kanë një shprehje se “prapa çdo burri të madh qëndron një grua e madhe”.

Andre Ordioni ka qënë një kolonel në ushtrinë franceze që fati ia desh të jetojë në Shqipëri për gjatë viteve 1917-1925, madje një nga figurat kryesore të “Republikës së Korçës”. Më hollësisht mund të njihesh përmes librit me kujtime të tij, botuar edhe në shqip: “Një oficer francez në Ballkan”. Tek lexon librin, habitesh se si ai, ndonëse njeri i luftës, përshkruan me aq dhembshuri fatin e viktimave të saj. Ne po ndalemi vetëm në një paragraf që ka lidhje me temën. “Nënë, është një emër i ëmbël që e kam dëgjuar aq shpesh në luftë nga të plagosurit rëndë kur afronin çastet e tyre të fundit – shkruan ai. – Këndej, në këto vende të largëta, kjo fjalë më është dukur se ka një domethënie më të madhe, më humane. Nënë!… Për shumë nga ushtarët e mi, kjo fjalë është thënë si një frymëmarrje me pëshpërimën e fundit të shpirtit. Ç’trishtim i pamasë!”.

Më bëri përshtypje kur lexova “Lufta ime”,(“Main Kampf”-in”) e Hitlerit kur ai shprehte dashurinë e jashtzakonshme që ndjente për të ëmën, Klarën, veçanërisht kur ajo po lëngonte në shtratin e vdekjes. Mjeku që i kishte shërbyer pohon se kurrë më parë nuk kishte vënë re një dhimbje si ajo e Adolfit. “Babanë e kam respektuar, shkruan diktatori, kurse nënën e kam dashur”. Dhe mos harrojmë se është fjala për atë që veshi në zi miliona nëna në tërë botën. Unë me qëllim e solla si shëmbull atë për të thënë se dhe një anti-njerëzor si ai, kur është fjala për nënën e vet, dorëzohet. Mbase nuk qe shembulli i duhur për temën më humane që po trajtojmë dhe për këtë nuk druhem t’i kërkoj të falur lexuesit. Po ndalem tek një shembull tjetër dhe konkretisht tek një film dokumentar i mrekullueshëm për Lojrat Olimpike që u zhvilluan në Romë aty nga fillimi viteve ’60 të shekullit të kaluar. Teksti që shoqëronte figurën qe i jashtzakonshëm, por unë po e ilustroj vetëm me një detaj. Kur tregoi për fituesin e peshës së rëndë në boks, emri i të cilit nuk më kujtohet, spikeri tha: “Ky është pa dyshim njeriu më i fortë në botë dhe tani ka frikë vetëm nga nëna e vet”. A ka vlerësim më madhështor për të treguar jo vetëm përkushtimin por dhe pushtetin më se të merituar të nënave ndaj nesh?! Dhe jo vetëm ndaj nesh. Poeti i njohur amerikan Uilliam Ross Uallace ka një poemë të mrekullueshme për nënat, ku ndër të tjera thotë: “Dora që tund djepin është dora që sundon botën”. Si zor ta kundërshtojë njeri këtë pohim të tij. Nënat gjithmonë kanë qënë e mbeten heroina, modele të papërsëritëshme për fëmijët e vet, madje edhe më të bukurat në botë, kudo e sado që të ndryshojnë kohërat. Më pëlqen të riprodhoj këtu disa vargje të poetit N.Abilekaj: “Miss Bota është nëna ime/ata që thonë “jo” më mirë e dinë/ edhe pse, thotë më tej poeti,”Fustanet e modës nuk i ka njohur,/ e në kokë shtrëngon shaminë./Paçka se fytyrën e ka të rreshkur nga erërat/ e nuk zbuloi këmbët e gjinë/ këtë e dinë dhe fitueset e kurorës, konkludon ai. Ma merr mëndja se ai me këto vargje është bërë dhe zëdhënësi i secilit prej nesh për të vërtetën e thjeshtë se kur e duam një njeri na duket edhe i bukur se i bukur është shpirti; bukuria e trupit është aq e përkohëshme sa harrohet shumë shpejt, kurse shpirti kurrë. Ndaj dhe nënat tona ne nuk i harrojmë për asnjë sekondë, jo thjesht se na kanë sjellë në jetë, por edhe se me përkushtimin e tyre na rritën, na dhanë gjithçka më të mirë që mund të na jepnin për të ecur në jetë, për të marrë fluturimin drejt lartësive.

Ndaj dhe më pëlqen të kthehem përsëri e përsëri tek nënat tona, madje tek nëna ime, i sigurt se duke folur e treguar për të po rrëfej edhe për shumë e shumë nëna të tjera shqiptare.

Babai na vdiq herët, duke e lënë mamanë rreth të dyzetave me gjashtë fëmijë. Edhe kur qe ai gjallë, sidomos vitet e fundit që ishte i sëmurë, mbi të binte tërë barra e shtëpisë. Por, sidoqoftë, tani ajo duhet të bëhej edhe burrë edhe grua. Fshati donte punë jo llafe. Kush nuk ka banuar vetë aty e ka vështirë ta kuptojë. Nuk kanë të numuruar punët e domosdoshme që duhen bërë çdo ditë, edhe sikur të jesh një njeri i vetëm e jo më të kesh për të rritur gjashtë fëmijë. Dhe në ato kushte skllavëruese kur mungonin edhe mjetet më elementare për të lehtësuar sadopak furnizimin me ujë, me dru, me ushqime apo gatimin, larjen e rrobave, kujdesin e ushqyerjen e bagëtive e kështu me radhë. Vetëm t’i numurosh punët e përditëshme të saj do të duheshin faqe të tëra. E, megjithatë, jeta e saj mund të përmblidhet edhe me një fjalë të vetme: punë dhe vetëm punë, që pa zbardhur akoma drita e mëngjezit e deri sa errësira e natës mbulonte çdo gjë e s’të linte të punojë jashtë se, brenda mureve të shtëpisë, me kandil, punët vazhdonin: kapica e rrobave për t’u larë, gatimi, kujdesi për fëmijët e të tjera. E, ndonëse shpesh e stërlodhur deri në raskapitje, si nuk e dëgjuam një herë të ankohej e të thoshte se u lodh kur shkonte për të fjetur afër mesnate apo dhe pas saj. Nuk kishte zgjidhje tjetër: I duhej të përballonte “me forcat e veta” gjithçka. Detyrohej të bënte dhe dy-tre punë njëheresh, se koha qe njëlloj si për ato që kishin burra e fëmijë të rritur dhe për të që ishte thuajse e vetme, me që ne ishim akoma të vegjël. Nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë, tek kthehej e ngarkuar, pa shtiza në duar, për të na bërë neve triko, çorape apo dhe pantallona leshi për dimër. E ku shkruhen dot gjithë sa ka bërë ajo për ne? Në çdo rrudhë e thinjë të saj ishin edhe gjurmët tona.

Siç thashë më lart, si nëna ime qenë ndofta shumica e nënave të brezit të saj: dikujt i kishte ikur burri në kurbet dhe e kishte lënë me fëmijë të vegjël; dikujt tjetër i qe vrarë në Luftë apo i kishte vdekur para kohe si vetë asaj; Nderim e respekt për tërë ato!

Për hir të së vërtetës, duhet të pohojmë se tabloja jonë për nënat e vuajtura, nuk do të qe e plotë dhe e saktë po të linim jashtë edhe atë kategori që ndonëse i kishin burrat shëndoshë e mirë, vuanin njëlloj si të tjerat, me që ata, si “burra zakoni” kapardiseshin klubeve duke pirrë, duke luajtur apo duke bërë llogje për shtatë palë qejfe dhe as që donin t’ia dinin se bashkëshorteve të tyre u dilte shkuma nga lodhja. A thua se kjo racë e neveritëshme që të revolton me anadollakllëkun e saj nuk ndeshet akoma aty-këtu në mjediset tona apo dhe gjetkë? Gjatë diktaturës po e po.  Kam shëtitur tërë Shqipërinë, si gazetar. Gratë përgjithësisht, sidomos në fshat, rrobtoheshin shumë më tepër se burrat. Ata kishin zënë qoshet e rehatëshme si roje armësh, llogaritarë e magazinierë ndërsa gratë e tyre rrudhoseshin e fishkeshin nga puna prej skllavi në ara. Rrallë të shihje burra duke vaditur e prashitur kur kalonim rrugëve të koopeativave. Kjo, për të keqen tonë, i kishte rrënjët thellë në histori. Ja se ç’më shkruan miku im nga Franca, përkthyesi e studjuesi Fotaq Andrea: “Në familjet tradicionale shqiptare, mentaliteti anadollak ishte i plotfuqishem, siç e ka dhënë Konica e të tjerë. Burrat  me mustake ishin tepër të prapambetur dhe i vetmi element emancipues në familje e shoqëri ishte gruaja shqiptare. Nga studimet që kam bërë, mund te them pa droje se në shumicën e familjeve të mëdha fisnike në Shqipëri, gruaja i kishte sytë nga Perëndimi europian, si shoqëri e perparuar, Kurse burrat i kishin sytë nga Stambolli ku prisnin ofiqet, gradat, ulufenë (paranë!), sic thotë Konica. Ishte pikërisht e ëma e Faikut, nga familja fisnike Delvina, vazhdon më tej Fotaqi, që i mbushi mendjen të shoqit që djemtë e tyre, Faiku e Mehmeti, të shkonin për studime nga Kostandinopoja në Francë, Austri e gjetkë. Kam episode të shkëlqyera se si gruaja shqiptare ishte shumë më e përparuar dhe më perendimore nga burrat anadollake”.

Përsëri tablosë sonë do t’i mungonte një dimension tjetër, ndofta edhe më i dhimbshmi që kemi përjetuar. Të shkruash për nënat shqiptare e të mos ndalesh tek ato, që pa as më të voglin faj, u persekutuan gjatë diktaturës, do të qe jo vetëm mangësi e madhe por dhe një mëkat i pafalshëm. Kam takuar shumë syresh, gjatë diktaturës e pas saj. Tek shihje hiret e tyre që po merrnin fund nga vuajtjet fizike e shpirtërore, s’mund të mos të të coptohej zemra, nëse ishe njeri normal. Shumë nga ato u lindën, u rritën, jetuan e u plakën kampeve të internimit, duke përballuar çdo ditë mizoritë çnjerëzore në të gjitha format e saj të mundshme. Emrat e tyre janë të panumërt, ashtu siç është e pamatshme madhështia e shpirtit të tyre, ashtu siç është i pakufishëm borxhi që Shqipëria ka ndaj tyre, sepse gratë e virtytshme janë pasuria më e çmuar e një kombi. O Zot, të vuash tmerret e Ferrit pa pasur asnjë faj!

Ja pra se kush janë nënat shqiptare që mbajtën mbi supet e tyre peshën më të rëndë të diktaturës, shpesh pa burra, janë krenaria e vërtetë e racës shqiptare, heroinat e heshtura të Shqipërisë fisnike.

Po nënat e sotme shqiptare? A thua nuk kanë më lodhje, halle e shqetësime, me që rrobat nuk i lajnë më me dorë e me finjë por me lavatriçe e solucione; që nuk gatuajnë më me dru e çerep por me furra elektrike e mikrovalë e kështu me radhë…?! Vetëm ndonjë që është jashtë realitetit shqiptar mund ta mendojë këtë. Tjetër kohë, të tjera meraqe e probleme, mbase edhe më të mëdha se ato të hallemadheve tona. Disa syresh ndjehen të vetmuara për shkak të emigrimit të fëmijve që kanë shkuar larg, tepër larg, për një jetë dhe të ardhme më të mirë se zemra e nënës asnjëherë nuk e bën dysh dëshirën e fëmijve të vet kur është fjala per t’ardhmen e tyre…Por dhe ata, si zogjtë shtegëtarë që nuk e harrojnë folenë e tyre, mbase do të kthehen një ditë…Mbase, por pikërisht tek kjo fjalë e ka zanafillën ai trishtim i thellë i tyre, që buron së brendëshmi, e që siç është shprehur një gazetare, “nuk ka pudër e rimel që e fsheh”, dhe ka të drejtë… Ajo e ka të vështirë në mos të pamundur që t’iu servirë pjellave të veta një model për të ndjekur. Është trishtimi i një qënieje të përgjegjëshme që i dhëmb dhe e tremb e ardhmja e krijesave të veta në këtë xhungël që kemi krijuar para e pas ’90-ës të shekullit të kaluar. Është më se e trishtueshme, madje tragjike, që shumica absolute e nënave shqiptare sot do të donin që pjellat e dashura të tyre të mos jetonin në këtë vend por larg, diku gjetkë, matanë deteve apo dhe oqeaneve, me që janë bindur tashmë se hë për hë, ky vend nuk bëhet. Me këtë klasë politike, s’ka as drejtësi, as shëndetësi, as arsim, as të sotme e as të ardhme. Ndaj o burra, nga sytë këmbët! Kam qënë vetë dëshmitar i disa rasteve kur nëna i thoshte të birit, pasi ai i kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer: “Rri aty, tu bëftë mamaja, mos hajde se këtu s’ke ç’bën, do të ngelesh pa punë si tërë moshatarët e tu!” Dhe sa mbyllte telefonin, shpërthente në lot. A mund të përfytyrohet një nënë më e dhimbëshme se kjo?! Në këtë vend që s’ka as punë e as rend, të qënit nënë është një sfidë e madhe, gati e papërballueshme. E si mund të jesh nënë e mirë kur ke frikë të kultivosh tek pasardhësit e tu ndershmërinë, dëshirën për të mësuar, për të qënë i ndershëm, modest, i sinqertë e dinjitoz, se po t’i mësojë këto vlera universale, njerëzore apo dhe fetare,  ajo po rrit një hyzmeqar, një skllav, një shërbëtor të lukunisë së ujqëve që kanë pushtetin e paranë. Dhe kjo është tragjedia më e madhe jo vetëm për nënat që Zoti iu ka dhënë shënjtërinë por dhe për shoqërinë e kombin. Nuk ka mallkim më të madh se ky! Është kaq e vështirë në mos e pamundur të jesh nënë e mirë, siç e mishëron në vetvete kjo fjalë, në çdo gjuhë të botës, pse jo edhe të kafshëve. Por jo tek ne ku babëzia për para e pushtet s’ka të krahasuar me asnjë vend tjetër. Atdheu ku lindëm, për fat të keq, na është bërë si njerkë e nuk na mban dot. Na mbetet vetëm shpresa për ngushëllim. Më vjen aq keq që këtë shkrim po e mbyll kështu…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: And on Dede, kush i ka vallë?!, Nënat tona

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT