-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në shënimin e 109 vjetorit të Kuvendit të Junikut tw 21 Majit 1912: Kuvendi i Junikut paraqet platformë të fuqishme politike, ushtarake dhe kulturore për jetësimin e shtetit të mosvarmë shqiptar/
JUNIK, 21 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Është shënuar sot 109 vjetori i Kuvendit të Junikut të 21 Majit 1912. Në organizim të Komunës së Junikut u mbajt Akademia Solemne në sallën e madhe “ODA e Junikut”, sipas axhendës së aktiviteteve që përfshinte edhe homazhe pranë Lapidarit të heronjëve, dëshmorëve dhe martirëve, dhurimin e librave Bibliotekës “Din Mehmeti” dhe Marshin “Kuvendi i Junikut” në Bjeshkët e Gjeravicës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në shënimin e 109 vjetorit të Kuvendit të Junikut. Në një fjalë rasti, Presidentja Osmani ka theksuar se Kuvendi i Junikut paraqet platformë të pastër nacionale politike dhe ushtarake të luftës së armatosur për çlirim kombëtar dhe pavarësinë e Shqipërisë.
“Kuvendi i Junikut paraqet platformë të fuqishme politike, ushtarake dhe kulturore për jetësimin e shtetit të mosvarmë shqiptar”, ka thënë Presidentja Osmani.
Sipas saj, ky Kuvend artikuloi qartë kërkesat legjitime të shqiptarëve për pavarësimin e vendit, si vulosi edhe orientimin e shqiptarëve për aleancën tradicionale me perëndimin.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se duhet të kujdesemi që trashëgimia politike e Kuvendit, maturia dhe vendosmëria e prijësve të tij për ta marrë në duar fatin e vendit dhe për ta jetësuar vullnetin për liri, të jetë një lloj udhërrëfyesi i vazhdueshëm.
“Si Presidente e vendit do të kujdesem fort që shtyllat e shtetësisë të forcohen, që kujtesa historike të ruhet e të kultivohet dhe që ngjarje të tilla, si Kuvendi i Junikut, të marrin trajtimin e duhur shkencor e kulturor”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës ka bërë homazhe pranë Lapidarit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të Junikut.
Qyteza e Junikut, në perëndim të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë, rrëzë Alpeve Shqiptare, sipas historisë, ishte pjesë e Dardanisë Ilire, ndërsa viteve të fundit është një komunë e re e shtetit të Kosovës. Kryetar i Komunës së Junikut është Agron Kuçi.