-Një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë nisi regjistrimi i deputetëve para seancës konstituive të Kuvendit që do mbahet në 3 gusht/
-Në ditën e parë janë regjistruar 46 deputetë nga gjithësej 120 të subjekteve të ndryshme parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Regjistrimi vazhdon edhe në dy ditët e ardhshme/
-Në cilat vende do ulen deputetët e subjekteve-partive politike në sallën e sancës së Kuvendit të Kosovës. Ka ndryshime…/
-Me sa vota më së shumti e më së paku u zgjodhën deputetët në Kuvendin e Kosovës me vende të garantuara për pakicat/
PRISHTINË, 26 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kuvendin e Kosovës, para mbledhjes konstituive të 3 gushtit, nisi sot regjistrimi treditor i deputetëve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara para një muaj e gjysmë, në 11 qershor.
Në ditën e parë janë regjistruar 46 deputetë nga gjithësej 120 të subjekteve të ndryshme parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Regjistrimi vazhdon edhe në dy ditët e ardhshme.
Regjistrimi po bëhet në hollin e Kuvendit, duke nesër në orën 10:00, pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të legjislacionit të kaluar në mbledhjen e pasditës së djeshme me përfaqësuesit e partive parlamentare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, ku u përcaktua edhe ndarja e ulëseve të deputetëve në sallën e mbledhjeve plenare.
PDK nuk ndërron vend, deputetët e saj bashkë me të AAK e Nisma si grupi më i madh parlamentar i koalicionit parazgjedhor do të ulen në qendër të sallës plenare. Por, në këtë grup vend ndërrojnë deputetët e AAK-së që në legjislaturën e kaluar uleshin pas VV-së, derisa ata të Nismës uleshin pas PDK-së.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ulet në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës së Kuvendit, ku në legjislaturën e kaluar ulej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në anën e majtë, atje ku më parë uleshin deputetët e VV-së, tash do të ulen deputetët e grupit parlamentar të koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa.
Janë 120 deputetë, prej tyre 100 shqiptarë e 20 të komuniteteve pakicë, që do të kenë ulëset e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Koalicioni parazgjedhor, fitues i zgjedhjeve me 33,74% të votave, kishte 13 parti, por vetëm tre prej tyre ndajnë 39 mandatet e fituara – PDK 23, AAK 10 dhe Nisma 6 deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje, që garoi e vetme, me 27,49% të votave ka 32 deputetë, numër dyfish më i madh se në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 8 qershorit 2014, që e bën partinë më të madhe në Kosovë.
Në koalicionin me 25,53% të votave e me gjithësej 29 mandate të fituara LDK ka 23 deputetë, AKR 4 dhe Alternativa 2.
Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe me 6,12% të votave dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale me 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Kushtetuta e Kosovës me “diskriminimin pozitiv” për pakicat përcakton që në Kuvend “20 prej 120 vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”, 10 për serbët e 10 për komunitetet tjera edhe në rast se numri i vendeve të fituara me votë është më i vogël.
Si rezultat i kësaj të drejte kushtetuese që e kanë pakicat e jo shumica, në Kuvendin e Kosovës të zgjedhjeve të 11 qershorit Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do përfaqësohet me deputetin e saj me vetëm 534 vota, më së paku nga të gjithë 120 anëtarët e parlamentit. Edhe deputetë të tjerë të komuniteteve pakicë joserbe shkojnë në 10 vendet e tyre të garantuara në Kuvend me numër të vogël votash, nga 1,211 deri në 2,980. Komuniteti pakicë serb ka poashtu 10 vendet e garanduara të deputetëve që kanë nga 2,574 deri në 13,665 vota.
Për krahasim, 100 deputetët e shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës kanë fituar vendet e tyre me më së shumti 143,621 vota dhe më së paku 5,677 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 29 qershor shpalli rezultatet përfundimtare, ndërsa i çertifikoi në 8 korrik.
Dje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për në datën 3 gusht 2017, në orën 10:00, pasi ka mbajtur një takim konsultativ me përfaqësues të partive parlamentare për caktimin e dates.
Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni parazgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lista Serbe nuk morën pjesë në takim.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ishin të gjashtat në liri, të tretat në pavarësi, ndërsa u zhvilluan tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.