“Njerëzit kërkojnë shërim nga gjaku i bagëtisë”
Për pesë ditë dhe net mijëra njerëz ngjiten në Malin Tomor për pelegrinazh. E vështirë t’i quash besimtarë të një zoti njerëzit që vijnë këtu me hapësira që zgjerohen e ndërtohen përvit nga kleri bektashi. Vëzhgimi i ABC NEWS në Teqenë dhe Mekamin e Çukës mbi Kulmak.
Në pelegrinazhin e gushtit në Tomorr kërkojmë një kuptim kulturor prej bektashizmit. Në teqen 100-vjeçare dhe në Çukën mbi Kulmak, guri i ri është përhapur dhe ka zgjeruar vendin e kultit, me varret e shenjtëve. Njerëzit kërkojnë mirëqenie dhe ekonomi për shtëpitë, shërim për të sëmurët, gratë për të lindur fëmijë, të rejat fat në martesë.
Gjatë pesë netëve të pelegrinazhit ushqimi bazë është mishi i qingjit. Bagëtitë brenda vathave të improvizuara rrëzave të teqesë qarkullojnë në duart e familjarëve dhe kasapëve profesionistë. Janë therur rreth 7400 kokë dhen.
Raporti i sekretarit të teqesë do kishte tronditur shoqatën për mbrojtjen e kafshëve, po ta kishte Shqipëria një të tillë. Ca më shumë po të besohet që bektashizmi e sheh zotin kudo te gurët, drurët, muzika, dhe te çdo kafshë sheh shpirtin e shtegtuar të njeriu të vdekur. Po sigurisht këtu askush nuk mendon se po ha shpirtin e të ngjajshmit të vet.
Po bektashinjtë që rregullë jete kanë tolerancën edhe në ushqim, e lejojnë si në parahistori flinë dhe dhuratën për malin e shenjtë dhe mekamin e Abaz Aliut. E vetmja kafshë që nuk preknin dot ata është lepuri. Sepse besohet të jetë shpirti i vrasësit të Abaz Aliut!
Portreti i këtij persi, Abaz Aliut, rënë në Qerbela është si një riprodhim ashiku Bollivudi. Që përfundon në facebook. Mbi kalë është po ai. Vepër e një autori të realizmit socialist. Prej 1800-ës ekziston në gur pseudo varri i tij. Një dorë dhé prej varrit të vërtetë në Mesopotamin islam.
Bektashizmi përvetësoi në këtë majë mali një kulturë pagane, një hapësirë shpirtërore të psikës popullore. Siç bëri më vonë doktrina komuniste që ditët e shenjta të feve monoteiste i ktheu në festa për klasën fshatare e punëtore.
Maja jugore e Tomorit. 2400 metër lartësi. Natyra është e akoma e fortë për të mos u ndotur nga njerëzit.