Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj përpjekjes së zotit Daut Haradinaj, që duke etiketuar kryetarin LDK-së, njëherësh kryeministrin e Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafën, të bëhet protagonist dhe të faktorizohet në këto ditë të turbullta për opozitën.
Sa i përket asaj që zoti Haradinaj ka thënë, i bëjmë me dije se LDK-ja nuk i jep llogari atij pse dhe kur lideri i saj e viziton Deçanin, pasi që Deçani nuk është “pashallëk” i tij.
Ndërkaq, për hir të informimit i bëjmë me dije opinionit se sot në Deçan kryeministri Mustafa ka qenë për të përkujtuar 26 vjetorin e themelimit të LDK-së dhe aty është pritur nga qindra deçanas të mrekullueshëm, të cilët kanë ardhur në këtë manifestim me vullnetin e tyre të lirë, pa kurrfarë presioni apo kuponi.
Sa i përket frikës nga protestat, LDK-ja dhe kryeministri Mustafa e kanë dëshmuar se nuk i frikësohen as “protestave të molotovëve”, e as presioneve dhe kërcënimeve të tjera me të cilat janë përballur që nga themelimi.
Sa për keqpërdorimin e përvjetorëve të masakrave të tmerrshme në Qyshk, Zahaq e Pavlan… nuk i bën nder zotit Haradinaj që të manipulojë me këto sakrifica epike të popullit tonë për përfitime politike, aq më shumë kur dihet se për të gjitha kategoritë që kanë sakrifikuar dhe kontribuar në mënyrë të veçantë gjatë luftës, sot më shumë se kurrë ka përkujdesje dhe përkrahje institucionale.
Ndërkaq, se kush, ku ka qenë në kohë të vështira, kjo mund të merret vesh nga aktakuzat që janë ngritur nga regjimi serb që në fillimvitet ‘90 dhe se insinuata të tilla si këto i janë atribuuar edhe Presidentit Historik Ibrahim Rugova, por koha i ka sqaruar të gjitha.
Sa i përket filozofisë, çfarë mund t’i thuhet zotit Haradinaj për filozofinë, fundi i fundit, çka kanë të përbashkët Dauti dhe filozofia!?
Lidhur me përfundimin e kohës së komunizmit, LDK i bën me dije zotit Haradinaj se kryeministri Mustafa ka qenë sot pikërisht në përvjetorin e 26-të të partisë e cila e rrënoi atë komunizëm, ndërkaq që LDK-së aktualisht i mbetet që të rrënojë “filozofinë” e mediokritetit dhe injorancës.
Andaj, zoti Daut Haradinaj, më mirë se t’i nxjerr njerëzit në rrugë për qërim hesapesh me ish-partnerin opozitar, bën mirë që të jetë pjesë e përkushtimit të përbashkët për arritjen e sukseseve të njëpasnjëshme madhore, të cilat po i përjetojmë këto ditë