LE TEMPS (MAJ, 1939) : APELI I MBRETIT ZOG DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017
Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten e 18 majit 1939, në ballinë, apelin e mbretit Zog në lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.Mbreti i shqiptarëve i është drejtuar asokohe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve me qëllim për të mbrojtur interesat tona kombëtare.Në vijim, do të gjeni dokumentin e plotë të liderit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Apeli i mbretit Zog
Ja teksti i apelit të Mbretit Zog drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve :Konferenca e Londrës në 1912-1913 dhe më pas Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 1921 e patën njohur pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria u pranua zyrtarisht si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kufijtë e saj u vendosën përfundimisht. Që atëherë, dhe për tetëmbëdhjetë vjet, Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie korrekte dhe të përzemërta me të gjitha shtetet dhe sidomos me fqinjët e saj, duke u dalluar kështu si një faktor i vërtetë paqeje.Me të njëjtën frymë dhe si një shtet i pavarur, Shqipëria ka nënshkruar një traktat aleance mbrojtëse me Italinë. Ky traktat u regjistrua rregullisht në Lidhjen e Kombeve, në përputhje me Nenin 18 të tij. Italia, në mënyrë të padyshimtë në kundërshtim me këtë traktat, si dhe me të gjitha normat drejtuese të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe më veçanërisht me paktin e Lidhjes së Kombeve dhe paktin Briand-Kellogg, dhe pa ndonjë provokim nga ana e Shqipërisë së Pavarur, ka dhunuar ushtarakisht territorin shqiptar për herë të parë më 6 prill 1939 nga ajri, dhe, pastaj me 7 prill nga bombardimet e porteve dhe qyteteve bregdetare, si dhe me zbarkimin e trupave në bregdetin shqiptar.
Ushtria shqiptare, pavarësisht numrit të vogël të trupave të saj dhe pamjaftueshmërisë së pajisjeve të luftës, i bëri ballë pushtuesit ashtu si çdo shtet i lirë duhet të bëjë për të mbrojtur pavarësinë e tij. Një milion shqiptarë bënë sakrificat më të mëdha për të shmangur dhunën italiane. Por, me kohën, rezistenca nuk ishte e mundur, duke pasur parasysh sulmin e papritur, të bërë me të gjitha mjetet moderne, që një shtet prej 44 milionë banorësh mund të ketë në dispozicion kur ka paramenduar një akt dhune.
Duke protestuar fuqishëm dhe zyrtarisht kundër dhunës së Italisë dhe kundër zhdukjes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila është anëtare e Lidhjes së Kombeve, i lutem Shkëlqesisë tuaj të sjellë në vëmendjen e anëtarëve të Lidhjes së Kombeve këto fakte, duke kërkuar që pushtimi nëpërmjet gjakut dhe hekurit (dhunës) nga Italia të mos njihet dhe të merren masa për restaurimin e të drejtave të mëparshme të popullit shqiptar.
Zogu I, mbreti i Shqiptarëve.
Nga 



Deklarata në vijim është botuar të martën e 29 prillit 1913
Ismail Qemali, asokohe kryeministër i përkohshëm i qeverisë shqiptare, gjendej në kryeqytetin francez dhe përfiton nga rasti t’i japë një deklaratë gazetarit me inicialet L.G. për të shprehur pakënaqësinë ndaj Esat Pashës dhe rrezikun në të cilin gjendej tashmë Shqipëria.
« Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti se Esat Pasha është larguar nga Shkodra me trupat, armët dhe pajisjet e tij, kjo mund të konfirmojë marrëveshjen e lidhur midis mbretit të Malit të Zi dhe atij. – Ka vetëm dy fjalë për të përshkruar këtë akt : kjo është tradhëti dhe çmenduri !Tradhëti, sepse ai i pret krahët Shqipërisë duke braktisur Shkodrën dhe për faktin se ai e bën praktikisht vendin tonë një zonë aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.Çmenduri, sepse ai na vë në pozitë të vështirë për të vazhduar negociatat me qëllim për të fiksuar kufijtë tanë pikërisht po në momentin e krijimit të pavarësisë sonë.Përveçse ai vë në lojë rrezikshëm pavarësinë, veprimi i tij bie ndesh me interesat dhe bindjet ndërkombëtare të Evropës, e cila është duke punuar në formimin e kombësisë sonë dhe se vullneti i saj i mirë mund të dekurajohet nga loja teatrale që sapo u realizua.Unë jam i sigurtë se popullata shqiptare, kur të kuptojë pasojat e qëndrimit të Esat Pashës, nuk do ta ndjekë atë.Sigurisht që Esat Pasha i përket një prej familjeve më të mira shqiptare, por ai nuk ka një ndikim të mjaftueshëm për të fituar. Sa për Xhavit Pashën, me të cilin (Esati) mund të ketë lidhje, ai nuk është shqiptar.Trupat e Esat Pashës nuk do t’i qëndrojnë besnike, vetëm një pjesë i përkushtohet atij personalisht, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet.Qeveria e përkohshme, që unë drejtoj dhe e cila proteston kundra këtij atentati ndaj pavarësisë sonë të sapolindur, do të mbështetet edhe nga kontigjentet e Beratit dhe Elbasanit.Sa për Evropën, ajo nuk mund të anojë në favor të gjendjes aktuale, sepse bie ndesh me interesat dhe konventat ndërkombëtare, të cilat ajo ka për mision ti ekuilibrojë. Pavarësia jonë përfshin integritetin e tokave shqiptare, të kërkuar edhe nga Austria, të cilës i jemi mirënjohës për ndërhyrjen e saj në favorin tonë, edhe pse ne nuk pranojmë të jemi në kujdestarinë e një shteti tjetër.Ne duam të shkojmë mirë me të gjithë, si me Evropën dhe me fqinjët tanë sllavë, me të cilët ne e kuptojmë nevojën për të formuar një bllok të fortë dhe të qëndrueshëm në interes të pavarësisë sonë. » Në përfundim të intervistës, Ismail Bej Qemali i ka thënë gazetarit L.G. se po nisej po atë ditë për në Londër me qëllim për të shprehur pikëpamjet e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve.