• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Gjergj Fishta si një ndër themeluesit e shkencave sociale e humane”

October 19, 2021 by s p

Prof. Dr. Leke SOKOLI

Drejtor themelues i Institutit Shqiptar të Sociologjisë 

E-mail: lsokoli53@gmail.com 

Gjergj Fishta vazhdon t’i bëjë bashkë shqiptarët dhe miqtë e tyre, siç po ndodh me aktivitetet e gjithanshme që po zhvillohen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Kroaci e kudo ku ka shqiptarë, në 150 vjetorin e lindjes së tij. 

Kush është, me një paragraf, Gjergj Fishta? Fishta është personalitet i shquar kulturor e shkencor, sovran  i letrave shqipe, është poeti kombëtar i shqiptarëve, është dijetar dhe  erudit i gjithanshëm (publicist, polemist, dramaturg e përkthyes, deri piktor, arkitekt), është deputet e politikan, i ngarkuar shpesh edhe me misione diplomatike, është zani i ndërgjegjes së kombit shqiptar. 

Në regjimin totalitar Fishta ishte i ndaluar. Por nuk ishte vetëm Fishta. Nga 30-35 personalitete të kulturës dhe mendimit shqiptar, vetëm 3-4 prej tyre ishin të lejuar, apo pjesërisht të lejuar. Ndër ta kishte klerikë e laikë. Por Fishta ishte më i mallkuari ndër të ndaluarit. Kërkohej me këmbëngulje që as emri të mos i përmendej. Më i keqi ndalim është pikërisht ky, konsiderimi si i paqenë. Sa shqiptarë kanë shkruan e botuan libra për letërsinë apo kulturën kombëtare të gjysmës së parë të viteve ‘1900, por pa përmendur atë që ishte në majë, Fishtën (!)

Fishta ishte më i mallkuari ndër të ndaluarit. Pse? Ndër të tjera kjo lidhet me faktin se Fishta ishte idhull – një figurë që adhurohej gati-gati si hyjni. Por regjimi kishte vendosur (ndryshe nga gjithë bota komuniste) shembjen e idhujve (ky është titulli i një filmi shqiptar të vitit 1977). Pra regjimi vendosi zhdukjen e universit fetar nga universi shqiptar dhe krijimin e të vetmit shtet ateist në botë. 

Fishta ishte i pari ndër të ndaluarit. U ndalua kur Ismail Kadare ishte vetëm nëntë vjeç. Po përmend Kadarenë sepse edhe sot vazhdon të ketë spekulime mbi ndalimin e Fishtës. Shkruhet, për shembull, se u krijua një komision me tre vetë: Ramiz Alia, Nexhmie Hoxha dhe Ismail Kadare, i cili vendosi ndalimin e Fishtës. Ky është thjesht abuzim, një ndër shumë abuzime që vijojnë edhe tani që është krijuar mundësia për të shkuar te e vërteta, thuajse për gjithçka ka të bëjë me jetën dhe veprën e Fishtës. 

Sidoqoftë, regjimi kërkonte gjithnjë të realizonte atë që quhet transferim i krimit. Jo ne, shkrimtarët, studiuesit, akademikët, akademia…! Nëse do të kishte vendosur një komision i tillë, do fajësohej vetëm Kadareja, se dy të tjerët ishin politikanë. Kështu është përdorur Akademia e Shkencave, si në rastin e “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985, i cili përfaqëson një mashtrim ‘shkencor’ dhe kolektiv për Fishtën (sikurse për shumëçka). Për Enciklopedinë u angazhuan rreth dymijë njerëz, ‘ajka e shkencës’ dhe në të është shkruar, në fakt, ajo se çfarë nuk është Fishta.

Instituti Shqiptar i Sociologjisë e ka shpallur vitin 2021 si “Vit i Gjergj Fishtës” si një akt vetëdije morale dhe intelektuale. Duke përdorur çdo formë, për të shkundur pluhurin dhe paqartësitë. Por, a është e justifikuar gjithë ky investim kulturor, mediatik, por edhe shkencor-akademik i një institucioni të sociologjisë? 

Po, së pari, sepse vepra e Fishtës dhe Sociologjia patën, për shumë dekada, një fat të përbashkët historik: sociologjia mbeti e ndaluar, e konsideruar shkencë borgjeze, më pas edhe revizioniste. Askush nuk i referohej sociologjisë si shkencë/disiplinë akademike. Krejt njësoj, askush nuk i referohej veprës së Fishtës, madje as për kritikë, derisa të harrohej….

Më tej, kemi arsye të mjaftueshme të themi se vepra e Fishtës është pjesë edhe e fondit të shkencës së sociologjisë e të shkencave sociale e humane. Pse? Fishta është një intelektual universal, një personalitet profetik i kulturës shqiptare, si shkrimtar, si kritik, si historian i letërsisë, si estet, por edhe si studiues social. Ai është filozof, besojmë edhe themelues i një shkolle filozofike shqiptare, me të cilën duhet të merren filozofët tanë. Sepse krijimtaria e tij, pavarësisht formës, ngarkohet me peshë filozofike. Për të edhe krijimi, edhe kritika është filozofi. Fishta krijues e kritik bëhet edhe filozof i veprës, edhe filolog i saj, edhe historian, edhe psikolog, edhe etnolog, edhe sociolog i saj.

Por filozofia e Fishtës është filozofi sociale (krejt e afërt me sociologjinë). Ai i referohet një realiteti social: vëzhgoi ngjarjet e kohës së tij, i pasqyroi ato në krijimtarinë e tij, reagoi e mbajti qëndrim si intelektual model. Dhe, çfarë ngjarjesh? Fishta lindi në vitin e Komunës së Parisit (që turbulloi dynjanë) dhe u nda nga jeta në mesin e Luftës së Dytë Botërore. Kjo është konsideruar si periudha më e ngarkuar me ngjarje e gjithë historisë. U vendos fati i kombeve, edhe i kombit shqiptar. 

Më tej akoma. Fishta është i madh sepse krijuesi i ‘Lahuta e Malcis” – abetarja e identitetit kombëtar shqiptar. Sikur asgjë tjetër të mos kishte shkruar. Por shkëlqimi i jashtëzakonshëm i “Lahutës…” la disi në hije një tjetër kryevepër të Fishtës, tanimë një revistë me emrin “Hylli i Dritës?” 

Në parantezë mund të themi se kjo që ndodhi me Fishtën, ku njëra vepër ‘eklipson’ një tjetër, ka ndodhur edhe gjetkë, me autorë të mëdhenj. Në Itali (fillimi i viteve 1500) Makiaveli – mendimtari i parë i racionalizmit – ka më shumë se një vepër. Por shkëlqimi i “Princi” la në hije veprat e tjera të tij. Në Francë, kjo ka ndodhur me Montesjkenë (mesi i viteve 1700). “Shpirti i ligjeve” – një vepër që frymëzoi etërit themelues të Amerikës dhe Kushtetutën Amerikane, la në hije veprën tjetër të tij, madje më shkencore se e para, mbi shkaqet e madhështisë dhe rënies së perandorive, ku ai zbuloi determinizmin – si parim themelor edhe i shkencave sociale dhe humane. Në Angli, kjo ka ndodhur me Adam Smithin (gjysma e dytë e viteve 1700), vepra e të cilit “Pasuria e kombeve” – e konsideruar si “bibla e ekonomistëve” la në hije një vepër tërësish shkencore, madje më shkencore se e para, që është “Teoria e ndjenjave morale” 

Kjo ka ndodhur edhe me themeluesin e mendimit shqiptar (sipas meje) Marin Barletin, njëherësh përfaqësues i shquar i humanizmit evropian. Shkëlqimi i jashtëzakonshëm i “Histori e Skënderbeut”, në të cilën janë bazuar rreth njëmijë vepra për Skënderbeun dhe epokën skënderbejane, la në hije “Rrethimi i Shkodrës” që është modeli i një kryevepre.

 “Hylli i Dritës” përbën aktin e parë për zhvillimin e mendimit shqiptar, tanimë përmes një periodiku shumë autorësh. Le të bëjmë një krahasim. Lindja, zhvillimi dhe institucionalizimi i sociologjisë në Francë – atdheu zyrtar i saj – zgjati rreth tre shekull dhe u konsiderua i realizuar kur Durkheim themeloi revistën “Viti Sociologjik”

Me “Hylli i dritës” (1913) Fishta hodhi themelet e institucionalizimit të mendimit shqiptar. Pra “Viti sociologjik shqiptar” është viti 1913. Por, ndryshe nga Durkheim dhe Franca, ai nuk shënoi institucionalizimin e saj. Kjo për faktin e thjeshtë se për këtë do të duheshin katedrat, programet e studimit, universitet. Nga numri i parë i “Hylli i Dritës” deri te universiteti i parë shqiptar do të duheshin 44 vjet (1913-1957).

 “Hylli i Dritës” u shndërrua në tribunë e mendimit fishtjan e mendimit shqiptar. Daniel Gjeçi, besoj biografi më serioz i Fishtës, shkruan: “Po qe se Fishta është i madh për “Lahutën e Malcisë”, i madh dhe ma i madh është për “Hylli i Dritës”. Në të Fishta shkroi artikuj magjistralë sociologjikë, politikë, kronologjikë, polemikë, pa lënë pas dore recensione e kritika letrare…”.

Edhe një fakt (sociologjik): Një komision i përbërë nga Harapi, Kurti, Shllaku etj. (të gjithë personalitete) përzgjodhi prozën fishtjane për ta botuar si Opera omnioa, duke e klasifikuar lëndën në: Sociologji, Polemikë, Ligjërata dhe Miscelena (të ndryshme). Pra, në prozën fishtjane kemi një sociologji ‘të pastër’, siç kemi një mendim sociologjik “andej-këndej” në polemikat, ligjëratat apo shkrimet e tjera të Fishtës. 

Referuar pikërisht rubrikave të “Hylli i Dritës”, biografët e tij pohojnë se Fishta diferencohet si mësues i mprehtë sociologjie dhe se punimet e tij përbëjnë më të lartën  katedër të sociologjisë kombëtare.

Për tu theksuar është fakti se, në kohën e Fishtës, po kristalizohej mendimi se sociologjia është shkenca më e nevojshme për çdo reformë shoqërore, siç shkruante Branko Merxhani, në vitin 1929. Pra, sociologjia konsiderohej si instrument për reformimin e shoqërisë.

Jemi në një çast reflektimi, lidhur me veprën e Fishtës. Ndoshta reflektimin më spektakolar e bën Ismail Kadare. Në vëllimin e 20-të, që është i fundit i veprave të tij, ai pranon gjykimin e padrejtë për Fishtën dhe shkruan: ”Gjykimi im i padrejtë për Fishtën nuk ka lidhje vetëm më komunizmin. Kam pasur ftohtësi dhe paragjykime sidomos për veprat që quheshin monumentale si “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”. Do të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për ta ka qenë i gabuar. Naimi dhe Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë: të vetmit, të fundmit, të papërsëritshmit dhe më të domosdoshmit (Vëll. 20, fq. 411-12).

Së fundi, për Fishtën ka më shumë vepra se për çdo autor tjetër të botës shqiptare. “Fishtologjia” mund të konsiderohet tanimë një nëndisiplinë e shkencave sociale e humane. Fondit të saj iu shtuan dy botime të reja, të autorëve Tonin Çobani e Ndue Ballabani. 

I pari është një libër tërësor për Fishtën: At Gjergj Fishta Vende-Vite-Vepra”. Pra kemi itinerarin fishtjan, kronologjinë e jetës e, së fundi, veprën e tij. 

I dyti është disi më i veçantë: “Teatri i Gjergj Fishtës”. Nga shqyrtimi i tij rezulton se Fishta është ndër etërit themelues të teatrit shqiptar. Gjuha e teatrit të Fishtës, ishte gjuha shqipe e futur (që në vitin 1902) në shkollat që ai drejtoi dhe në aktiviteteve shkollore apo jashtëshkollore (publike). Ky është një heroizëm më vete sepse, (1) shkrimi e shkollimi shqip ishin të ndaluara, (2) nuk kishte tekste në gjuhën shqipe dhe (3) Shkodra ‘aristokrate’ e kishte vështirë të pranonte shkollimin e fëmijëve në shqip sepse, nga pikëpamja e karrierës, shkollimi shqip nuk të çonte gjëkundi. 

Subjektet dhe personazhet Fishta i mori nga jeta e përditshme e shqiptarëve, nga mitologjia klasike e biblike, por sidomos nga folklori dhe mitologjia shqiptare. Kjo është përpjekja e parë në letërsinë shqiptare për të krijuar dhe popullarizuar panteonin e Mitologjisë Kombëtare Shqiptare. 

Së fundi, “Teatri i Fishtës” ishte një teatër didaktik, por edhe një mjet (instrument) për qytetërimin e shqiptarëve të më se një shekulli më parë. Ai ishte pjesë e një projekti tërësor, i cili ishte projekti i Fishtës, projekti i Shoqërisë “Bashkimi”, projekti i vetë Rilindjes Kombëtare Shqiptare: (1) për gjuhën shqipe, (2) për alfabetin shqip, (3) për arsimin shqip, (4) për kulturën kombëtare shqiptare, (5) për identitetin kombëtar dhe, së fundi (6) për Shqipërinë që ishte duke lindur (deri në vitin 1912) apo që sapo kishte lindur (pas Pavarësisë) e që duhej mbrojtur e qytetëruar.

Pra, për nga vendi që zë në letërsinë shqipe, në zhvillimin e mendimit shqiptar dhe në ndërgjegjësimin e të qenit shqiptar (në periudhën më delikate të historisë së tyre), Fishta rezulton të jetë i papërsëritshëm dhe i pa krahasueshëm. Por edhe i domosdoshëm. Madje, në këtë fillim problematik të shekullit XXI, Fishta është ndoshta më i nevojshëm se kurrë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gjergj Fishta, Leke Sokoli

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT