• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE LETER PUBLIKE NGA BRUKSELI PER KRYEMINISTRIN RAMA DHE SAMITIN E TIJ

November 17, 2016 by dgreca

-EDHE DIASPORA HISTORIKE SHQIPTARE NE BELGJIKE I THOTE “JO” SAMITIT TE EDI RAMES/1-ramadan-gjanaj*Injorim dhe mohimi i të drejtave themelore të “diasporës” nga ana e autoriteteve shqiptare, nuk mund të ketë arsye tjetër përveçse diferencës së frikshme në botëkuptim, vlera, referenca, koncepte, standarde e kritere bazike midis shqiptarësh brenda dhe jashtë shtetit-amë për sa i përket Shtetit, Kombit, lirisë dhe drejtësisë./

*Prandaj, duke u nisur nga këto vlerësime e në pritje që Shteti shqiptar të përafrojë veprimet me deklaratat zyrtare nëpërmjet korrigjimit të kursit ndaj mërgatës politike (gjithnjë në raport me pritshmëritë tona të sipërpërmendura), unë personalisht nuk mundem të marr pjesë, për dekor apo kontorno, në këtë “Samit të Diasporës”, dhe madje as ta konsideroj këtë mbledhje si të tillë./

NGA RAMADAN GJANAJ/ Kryetar i National Albanian European COUNCIL/

Bruksel, me 16 Nëntor 2016/

SH.T. Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama/

Lënda: Samiti i Diasporës Tuaj/

I nderuar Z. Kryeministër!/

Para 3 muajsh mora një ftesë nga ana Juaj, për të marrë pjesë në Samitin e parë kushtuar “Diasporës Shqiptare”, që do të tubohet në Tiranë në datat 18-20 nëntor 2016. Fillimisht kjo iniciativë më gëzoi pa masë, ndaj dhe u përgjigja pozitivisht pranë ambasadores së Shqipërisë në Bruksel, Zj. Suela Janina. U përgjigja pozitivisht ngaqë ky eveniment përkonte edhe me 60-vjetorin e ardhjes në Belgjikë të refugjatëve politikë shqiptarë, në mënyrë masive dhe të organizuar, teksa ishin larguar nga atdheu dhe trojet e të parëve nën trysninë e plumbave dhe terrorit të diktaturës famëkeqe sllavokomuniste.

Jam i prirur të besoj se gjatë fazës përgatitore të këtij “samiti”, njerëzit Tuaj këtu në Belgjikë ju kanë bërë me dije për zanafillën e mërgatës shqiptare të Belgjikës, e cila është vendosur në këtë vend mikpritës qysh në vitet të para pas LDB, si pasojë e persekutimit në vendlindje për shkak të bindjeve politike antikomuniste dhe kombëtariste, për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe demokratike.

Edhe pse shumica e këtyre mërgimtarëve politikë kishin marrë rrugën e një ekzili të vështirë dhe të mundimshëm, duke braktisur gjithçka për të shpëtuar jetën, nderin dhe dinjitetin, ata nuk i braktisën asnjëherë gjuhën, kulturën, traditat më fisnike shqiptare, bindjet dhe vlerat morale të mbartura brez pas brezi, si dhe besimin se një ditë historia do t’u jepte të drejtë.

Në shërbim të këtyre bindjeve nacionaliste dhe patriotike ata nuk rreshtën kurrë së vepruari denjësisht në dobi të çështjes kombëtare dhe të atdheut, duke organizuar aktivitete politike për rrëzimin e diktaturës komuniste, vendosjen e demokracisë, rifitimin e lirisë dhe pavarësimin e të gjithë trojeve etnike, edukimin e brezave për trashëgimin e vlerave dhe referencave kombëtariste si qëllim madhor.

Ndryshimet e fillim-viteve ‘90 ngjallën shumë shpresa tek emigracioni politik shqiptar dhe trashëgimtarët, që gjithmonë e kanë konsideruar vehten si pjesë e pandarë e kombit dhe popullit shqiptar, e fateve dhe halleve të vendit, duke ndarë gëzimet dhe hidhërimet me bashkatdhetarët.

Por sot, 26 vite pas ndryshimeve pluraliste parademokratike në Shqipëri, bilanci i ndryshimeve për mërgatën politike shqiptare dhe trashëgimtarët tanë, është i papërfillshëm:

  • Asnjë nga persekutorët dhe xhelatët që kryen krime dhe terror gjatë diktaturës nuk u dënua!
  • Asnjë dosje e shefave dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit famëkeq nuk u hap!
  • Lustracioni duket sikur pritet qëllimisht të kryhet vetëm nga natyra dhe Zoti!

Madje krimet të llahtarshme nuk u dënuan as simbolikisht, qoftë edhe me ndonjë rezolutë formale të Kuvendit të Shqipërisë, prej të cilit në të gjitha legjislaturat paspluraliste u injoruan edhe shqyrtimi, miratimi dhe zbatimi i rezolutave të ndryshme të Këshillit të Europës!

Përkundrazi, simbolet e regjimit gjakatar komunist vazhdojnë të ruhen me kokëfortësi dhe fanatizëm por edhe duke u shfaqur gjithkund, sipas agjendave dhe nevojave politike, ndërkohë që pushtetet dhe qeveritë i përdorin për qëllime klienteliste, teksa heshtin me vetëkënaqësi triumfuese, ose brohorasin për të mbuluar me zhurmë mosveprimin e tyre formal.

Viktimat e djeshme të diktaturës vuajnë ende pasojat e një diskriminimi perfid apo të hapur, dhe për këtë arsye kur flasim për një Samit të diasporës, nuk mund të lemë pa përmendur se pinjollët dhe bijtë e mërgatës politike edhe sot e kësaj dite nuk gëzojnë asnjë të drejtë, madje kalohet në heshtje nga Shteti shqiptar edhe vetë ekzistenca jonë.

Kjo e vërtetë e dhimbshme konstatohet edhe në dokumentet zyrtare dhe websitin e MPJ shqiptare, por edhe në websitin e Kryeministrisë dhe të platformave të ndryshme kushtuar këtij Samiti, ku edhe pse flitet për “diasporën”, nuk gjendet i shkruar asnjë rresht i vetëm për mërgatën politike në pasazhet dedikuar “historisë” së të ashtuquajturës diasporë.

Madje si dëshmi e këtij realiteti absurd dhe të papranueshëm, sot në Shqipëri janë akoma në fuqi një mori ligjesh antikushtetuese që pengojnë dhe diskriminojnë trashëgimtarët e mërgatës politike nga fitimi vetiu i shtetësisë shqiptare dhe, për rrjedhojë, edhe i të drejtave dhe detyrimeve respektive, si çdo shtetas tjetër.

Shumica e të mërguarve politikë, fatkeqësisht, kanë humbur pronat dhe pasuritë e trashëguara, të cilat edhe sot e kësaj dite ndahen me tapi tek të tretë aspak hallexhinj të papronë, por zaptues e përfitues si klientelë politike e për qëllime elektorale, në garën pompoze e mburrjet butaforike se cila forcë politike dhe qeverisje ka ndarë më shumë tapi mbi pronat e pronarëve legjitimë!!?

“Diaspora”vuan plot dhimbje realitetin shqiptar të shkeljes nga skalionet politike katoviciane të të gjitha parimeve dhe standardeve të gjithëpranuara të Kartave ndërkombëtare dhe konventave ku Shqipëria është nënshkruese dhe palë.

Zhvillimet aktuale e kanë përjashtuar realisht mërgatën politike dhe mbarë “diasporën” nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me votë demokratike e për të kontribuar me përfaqësim politik për drejtimin dhe zhvillimin e vendit, apo për investime me lehtësira e bonuse, sikurse ftohen investitorët e huaj joshqiptarë, që joshen me insistim me anë të praktikave preferenciale administrative e ligjore.  

Ky injorim dhe ky mohim të drejtash themelore të “diasporës” nga ana e autoriteteve shqiptare, nuk mund të ketë arsye tjetër përveçse diferencës së frikshme në botëkuptim, vlera, referenca, koncepte, standarde e kritere bazike midis shqiptarësh brenda dhe jashtë shtetit-amë për sa i përket Shtetit, Kombit, lirisë dhe drejtësisë.

Prandaj, duke u nisur nga këto vlerësime e në pritje që Shteti shqiptar të përafrojë veprimet me deklaratat zyrtare nëpërmjet korrigjimit të kursit ndaj mërgatës politike (gjithnjë në raport me pritshmëritë tona të sipërpërmendura), unë personalisht nuk mundem të marr pjesë, për dekor apo kontorno, në këtë “Samit të Diasporës”, dhe madje as ta konsideroj këtë mbledhje si të tillë.

Kam bindjen e thellë e të patundur se një qëndrim imi i ndryshëm do të kuptohej vetëm si një përkrahje apo mbështetje ndaj ndonjë agjende politike momentale, në mos më keq, si një mohim, prej meje, i vlerave dhe idealeve të trashëguara nga të parët.

Duke shpresuar në mirëkuptimin Tuaj, uroj që me këtë “Samit” t’i realizoni agjendën dhe synimet e planifikuara.

Me respekt

Ramadan Gjanaj

Kryetar

Cc: Z. Ferid Hoxha, Director General of Political and Strategic Issues, MPJ

Zj. Suela Janina, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama, Leter per Kryeministrin, Ramadan Gjanaj, SAMITI I DIASPORES

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT