• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE LETER PER ZONJEN GENTIANA SULA

December 2, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1-fritzUNË  KAM  BESUE  GJITHNJË  TEK  HAPJA  E  DOSJEVE !!/

1-gentiana-sula

NE FOTO: GENTIANA SULA/

E nderueme zonja Gentiana Sula!/

Pak ditë perpara u njoftue se: “Gentiana Sula votohet si kryetare për hapjen e dosjeve të sigurimit. Parlamenti ka votuar me 69 vota pro dhe 1 abstenim si Kryetare të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.”

Nuk kerkova të dhana tjera rreth biografisë dhe aktivitetit Tuej…

U perqendrova tek kjo foto e Jueja që mu duk se flet mjaft persa më intereson sot.

Do t’ Ju shkruej per dy raste që kam pasë me njoh dy persona në jeten time, dhe jam shumë i sigurtë se njëditë do të më kujtoni!

Ishte viti 1962 kur jam kenë smurë dhe shkova per mjekim në Spitalin Ekstrapolmonar të Vlonës. Ishe 22 vjeç. Porsa mërrijta atje, një tiranas djalë i ri, më njohu me një të sëmurë të interrnuem nga Shkodra, Françeskan i dënuem në vitin 1947, At Frano Kiri…

Nuk e njihshe fare po, i kishe ndigjue vetem emnin. Sa ju afrova shtratit të Tij më njohu. Ishte me Ate një grup të rijshë që e kalonim kohen tue luejtë domino… Mbasi delshim nga mensa në drekë, At Frano, shkëputej dhe shkonte tek një stol nën hije të një peme dhe aty, ulej e lexonte gazeten… Po, sa kohë? – Besoj se lexonte kater faqet e saj…

Një ditë Ju afrova dhe mbasi pashë se po lexonte gazeten “Zeri i Popullit”, e pyeta: Mirë se ke vullnet me lexue, po nuk priton perditë me lexue rrenat e komunistave bre Burrë, dhe as, nuk priton me lexue kater faqet me rrena të “Zerit Popullit”..?!

Ai qeshi dhe, më tha: Shiko, unë i lexoj të kater faqet, po jo se shka shkruejnë këta…

Per me marrë vesht të verteten nder shkrimet e tyne, “unë lexoj shka asht e shkrueme tek e bardha në mes të rreshtave të zezë!”… Qeshem, po fjalët e Tij nuk i harrova kurrma!

***

Burrat e mendshem me pak fjalë kanë lanë vepra të shkrueme në Shkoder!

Një prej Tyne asht kenë ekonomisti Zef Shiroka, vllau i mjekut njohun Federik Shiroka. Per Zefin thonin se “asht nder Burrat e rrallë me cilësi të mira!”

Një ditë një mik e pyeti: “Zef, a me të vertetë je Burrë i mirë, ashtu si të njeh Shkodra?”

Zefi e shikoi, dhe me buzë në gaz i tha: “E dij unë se shka kam hjekë me më thanë sot gjithë Shkodra, se Zefi asht Burrë i mirë! Vetem pesë minuta i duhen njeriut per me kenë ‘burrë i keq’, prandej, nuk asht aq e thjeshtë me u quejtë Burrë i mirë në Shkoder…”

Zef Shiroka dhe shumë Burra të mirë në Shkoder, edhe e mbyllen jeten e tyne jo vetem, me këte Epitet nderi, po edhe të provuem nder hetuesi si të tillë!

***

E nderueme zonja Gentiana,

Papa Gjon Pali II kur vizitoi Shqipninë me 25 Prill 1993, ka thanë në Sheshin Skenderbeu se: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazen dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!..” E, dokumentacionin e kësaj tragjedije të pashembullt që ka ngja tek ne, sigurisht, keni me e pasë në kujdes dhe studim Ju. Piksynimi i Juej ka me kenë nxjerrja në pah e asaj që ka ngja dhe ekziston në Shqipni, pikrisht nder Dosjet që kanë me kenë nder duertë Tua, me synimin drejt së mires: Me shikue Perpara!

Në të vertetë ky kusht nuk lejon me u rikthye tek të njajtat krime po, edhe siç porositë Papa Gjon Pali II, “ky asht shtegu ma i mirë per një proces pajtimi të vertetë!” 

Në vitin 1998 kam lexue edhe unë “në mes të rreshtave të zezë” disa Dosje, dhe kur kam shkrue per ato Dosje, kam shkrue “Vetem të Verteten”!

Do të më pelqente fort që mbas disa vitesh… Edhe per Ju, të thonin Shqiptarët e vertetë:

“Gentiana asht me të vertetë një Shqiptare Burrneshë, po, edhe një zonjë e nderueme!”

E kjo, asht vetem në doren Tuej! Koha ka me tregue Vepren Tuej!..

Me shumë respekt!  

            Melbourne, Dhjetor 2016.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, leter publike, per Gentiana Sula

KOALICIONI I PRONARËVE SHQIPTARË, LETER PUBLIKE MINISTRIT MANJANI

May 11, 2016 by dgreca

KOALICIONI I PRONARËVE SHQIPTARË/

Tiranë, me 10.05.2016/

LETER PUBLIKE DREJTUAR: Z. YLLI MANJANI – MINISTER I DREJTESISE/

Z. Manjani !

 Jo vetëm sot në ditën e drejtësisë, por edhe ne raste të tjera, ju kemi dëgjuar të flisni për drejtësinë, për padrejtësinë për teorinë dhe filozofinë e jurisprudencës etj. Na keni përlqyer dhe mendojmë se keni “brumë”. Por na ngacmon një shprehje popullore që thotë: “… me sa dëgjojmë, lum si ne; me çfarë shikojmë, mjer ne …”.

A mendoni vërtetë se populli i ha goricat e papjekura që këpusni ju për drejtësinë ?

Ju, sapo u kthyet nga Strasburgu (bëtë dhe fotografi me titullarin e Gjykatës Ndërkombëtare), ku shkuat të shisni si drejtësi një ligj për pronat, ligj i cili turpëron edhe fillestarët e drejtësisë !

Ju po kryeni një mision të turpshëm të injorimit të drejtësisë shqiptare para Botës.

Ju po shpenzoni paratë e popullit nëpër Botë, me mision për të mbjellë padrejtësinë, njëlloj si pararendësi juaj.

Ju po turpëroni veten, Qeverinë dhe popullin shqiptar, duke reklamuar padrejtësinë si drejtësi!

Ju po konfirmoni veten tuaj si Ministër i padrejtësisë.

Të ishim në vendin tuaj, nuk do pranonim që politika të na tërhiqte për hunde  .

Nëqoftëse mendoni se ne po ju rëndojmë pa të drejtë, ju sfidoj në një përballje të hapur mediatike, kur dhe ku të dëshironi ju.

Do ishte në nderin tuaj të mbroni bindjet tuaja juridike.

Në pritje të përgjigjes tuaj.

Për kryesinë e Koalicionit të Pronarëve Shqiptarë

AXHEM IMERAJ

Filed Under: Komente Tagged With: KOALICIONI I PRONARËVE SHQIPTARË, leter publike, MINISTRIT MANJANI

Letër Publike nga ushtarët shqiptaro-amerikanë të Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së

November 10, 2015 by dgreca

Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Isa Mustafa/
Komisionit Qeveritar për konstatimin, njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, Gjeneralit Agim Çeku/
Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Z. Haki Demolli/
Organizatës së Veteranëve të UÇK-së/
Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së/
Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së/
Çdo popull i trajton me respekt dhe ligj luftëtarët e tij duke ua njohur të drejtat që ushtarët i meritojnë. Shteti i Kosovës, për shkak se u desh të rindërtohej nga rrënojat e luftës, vonoi dhënien e të drejtave të dëshmorëve, invalidëve dhe luftëtarëve më shumë se çdo shtet tjetër në botë.
Megjithatë, këtë vit Komisioni Qeveritar i posaçëm për këtë çështje publikoj listat preliminare të luftëtarëve që kualifikohen për statutin e dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëmarrësit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së dhe ky veprim na gëzoi edhe ne luftëtarëve shqiptaro-amerikanë, që përmes Batalionit “Atlantiku” ju bashkuam UÇK-së në betejat kundër pushtuesve serbo-jugosllav.
Në bashkëpunim me Zyrën Diplomatike të Kosovës në New York ne kryem të gjitha procedurat e aplikimit për t’ ju nënshtruar verifikimit dhe aprovimit të Komisionit. Duke mos qenë shumë në numër, ne besuam se kjo procedurë do të kalonte thjeshtë dhe shpejt. Por, fatkeqësisht, edhe ndër shqiptarët e Amerikës dolën disa që aplikuan për të përfituar një statut që nuk meritojnë.
Si luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” ne e njohim secilin nga Amerika që ka marrë pjesë në luftime dhe e dimë kush ka kontribuuar, kush është plagosur dhe kush ka rënë dëshmor për atdheun. Mund të ketë edhe të tjerë, porse ne kemi zbuluar dy persona të cilëve u është dhënë statusi i veteranit ndonëse ata nuk kanë qenë me ne në luftë dhe nuk kanë dhënë kontribut që të meritojnë statutin e veteranit të UÇK-së. Këta dy shqiptaro-amerikanë janë Naim S. Dedushaj dhe Adem A. Krasniqi.
E thërrasim Komisionin, Qeverinë dhe organet e shtetit që t’u heqin titullin e pamerituar të veteranit këtyre personave dhe kërkojmë që të fillohet procedura gjyqësore për mashtrim dhe vjedhje të nderit ushtarak kundër Naim S. Dedushajt dhe Adem A. Krasniqit.
Është e turpshme dhe kriminale për secilin që nuk ka marrë pjesë në luftë të kërkojë të trajtohet njëjtë si luftëtarët dhe luftëtaret e UÇK-së, prandaj kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të propozojnë dhe miratojnë “Ligjin e Nderit Ushtarak” siç e ka Amerika “The Stolen Valor Act”, sipas të cilit nëse një person vjedh apo mashtron me merita dhe medalje luftarako-ushtarake, atëherë personi dënohet me gjobë dhe/ose me burg.
Naim S. Dedushaj dhe Adem A. Krasniqi janë dy persona të cilët i kemi identifikuar si mashtrues dhe veteranë të rrejshëm të UÇK-së, por kërkojmë nga Komisioni dhe të gjithë të adresuarit në këtë letër që t’u marrin titullin e dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së të gjithë atyre që gënjejnë dhe kanë vepruar si Naim S. Dedushaj dhe Adem A. Krasniqi.
Ju faleminderit dhe me respekt,
Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”
New York
4 nëntor 2015
* Batalioni Atlantiku duke u nisur per ne frontin e luftes

Filed Under: Komunitet Tagged With: “Atlantiku”, leter publike, nga ushtarët shqiptaro-amerikanë të Batalionit, të UÇK-së

Prof. Romeo Gurakuqi, Leter publike per kryeministrin

March 11, 2015 by dgreca

Sh.T. Edi Rama Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Tiranë/
Zoti Kryeministër, Me shpresën e mirëkuptimit, mora guximin t’ju shkruaj serish në rrethana krejtesisht reja, kur vendi ndodhet në një turbulencë të pangjashme, që për ne qytetarët e thjeshtë është bërë shqetësimi i jetës. Të gjithë kanë sjellë vështrimin nga Ju, me mendimin se do ua shpetoni Shtetin dhe do ta shpërbashkoni ate nga Krimi. Si shumëkush, edhe unë mendoj se Kryetari i Ekzekutivit është Njeriu i Parë që do të duhet të reflektojë dhe të kthjellohet në ketë vend, sepse jeni drejtuesi i një shumice parlamentare, e cila në një segment të rendësishëm të saj, permban nje sëmundje që do ta rrenojë respublica-n. Koha ju ka thirrur ta mbani mbi supe këtë barrë të rëndë dhe ju zoti Kryeministër, para të gjithëve, do të duhet ta perballoni situatën e krijuar, duke menduar jo për Mazhorancën, por për Publikun, pa krijuar asnjë alibi mbi ekzistencën e paranojave, duke respektuar shtetin e së drejtës, dhe ndarjen strikte në mes institucioneve.
Mbi Shqiperinë dhe mbi Qeverinë që drejtoni, ka rënë një gjamë e madhe dhe unë mendoj se Ju do të duhet ta trajtoni me shpejtesi, vendosmëri çdo gjë, duke e impostuar gjithshka ka ndodhur, në udhët e ligjshmërisë, parlamentarizmit dhe transparencës së publikut, në respekt të procedures dhe konventave konstitucionale, që nuk të mundësojnë të marrësh mbi supe as pushtet hetimor dhe as pushtet gjyqësor. Ne qofte se vazhdohet pa kujdes, duke perdorur rastin e denoncuar nga zoti Doshi, si pretekst për të mbytur zerin e lirisë dhe të të drejtave të bashkësisë kulturore të Shqiperisë Veriperëndimore, per sulm politik ndaj Shkodrës dhe shkodranëve, dhe për të impostuar një qasje te ngjashme me operacionet purifikuese të Batalioneve të Sigurimit të Shtetit komunist, ndaj Shkodres, Malësisë dhe Dukagjinit, siç po nxitet nga anetarë të caktuar të parlamentit, kjo do të jetë një zhvillim mjaft i rëndë për stabilitetin e vendit në tërësi. Po ashtu, në qoftë se nga ky rast ju do të lejoni ndërtimin e intrigave fundosëse të modelit të romaneve të Alexander Dumas, kjo do ta drejtojë gjithë shoqërinë në humnerë dhe do damkosë drejtimin tuaj governativ përjetësisht. Ju nga rasti i ekzpozuar nga deputeti, po merrni vetem qasjen e papershtatshme të komunikimit të tij, ndërkohe që Publiku është i interesuar për zbardhjen deri në fund të deklarates se tij, hetimit shkencor përmes institucioneve sa më të specializuara, mundësisht me asistencë ndërkombëtare dhe pa ndërhyrje e presione mbi organin e hetimit.
Në qoftë se do vazhdohet kështu, sikurse është trajtuar këto ditë, me frikë, llogari të shkurtër kohore, tretje vëmendjeje dhe prozhmim psikologjik të një krahu, kjo ju fajeson dhe ju ngarkon me përgjegjësi. Unë mendoj se Ju duhet të dilni nga mosveprimi ligjor dhe politik, nga ndërhyrjet në kundërshtim me parimet ndarjes së pushteteve dhe barazisë së të gjithëve para ligjit dhe të nderprisni aktivitetin propagandistik, për të shmangur kaosin, sepse koha nuk pret. Madje mund të them se hapat që keni bërë në këto ditë, janë të përkundërta me precipitimin e të vertetës dhe kanë fryrë trazirën e brendshme. Unë mendoj se ju duhet të ndalni ecjen mbrapsht të kohës suaj, që në këtë rast është edhe koha e Shqipërisë. Ju duhet ta shpëtoni postin e kryeministrit te Shqipërisë, zoti Kryeministër, sepse me këtë keni shpëtuar edhe vendin, lirinë dhe demokracinë. Veprimet e ditës së martë 3 mars 2015, janë ndër më të pangjashmet në historinë e një Shteti qe bazohet në Ligj, Ndarje Pushtetesh, Demokraci Liberale dhe Qeveri të Përgjegjshme. Thirrja e kryetarit të një pushteti te pavarur hetimor, qe mbron Shtetin, duke e ulur në një tavolinë me pjesët e vendosura nën nje akuzë nga me te rendat publike, përbën sjellje procedurale negative që dikush mund të marre në drejtimin e përditshëm të punëve në këtë vend, përkundër respektimit të konfliktit të interesit dhe korrektësisë ndaj ligjit të këtij aspekti të jetës publike.
Shpërbashkimi i sjelljes Suaj politike, parlamentare dhe pergjegjesise para ligjit, me ate të personazheve të vendosur nën një akuze publike, do të duhej të ishte hapi i parë që ende nuk ka ndodhur nga ana Juaj. Perndryshe, me keqardhje dhe trishtim, publiku po konstaton një kryetar ekzekutivi të stepur nga kasnecë, që kërcënojnë nëper televizorë për të degjuar Ju ma së pari, pastaj edhe te tjeret pertej, shtypi i shqiptar, që ju e keni vendosur, gati në unison, në oborrin e prapëm të mazhorancës. Kjo gjendje nuk ka precedencë tjetër veç ditëve të zeza të marsit 1997. Ju nuk duhet të zgjidhni rrugen e paprinciptë të paraardhesit tuaj, per ta mbrojtur të keqen dhe per t’ua ricikluar serish para shqiptarëve, në një progresion gjeometrik përforcimi. Kryeministri i Shqipërisë Demokratike nuk duhet të ndjekë rrugen e kompaktësimit me të keqen, por të shpërbashkimit me atë, në të mirë të Shtetit të së Drejtës që mbron Qytetarin dhe në funksion të zbulimit vetëm të të vertetës. Unë dhe shumëkush këto ditë ka pritur që Ju i nderuar Kryeminister të therrisnit në zyren tuaj, me përgjegjësinë e një Shtetari të vërtetë, Kryetarin e Opozites dhe te bisedonit me Ate të gjitha opsionet e mundshme. Ka një interes publik prioritar që Kryeministri i ketij vendi do të duhet ta kete parasysh: Mbrojtja e Shtetit dhe Zbardhja e së Vërtetës, dhe Kryeministri nuk do të duhet të ecë përkundër ketij interesi. Unë mendoj se Kryeministri aktual i këtij vendi duhet të kuptojë që Aleanca juaj, është në gjendje kome irreversibile, dhe përkujdesi pas çehres se tjetrit, për hir të mbajtjes së karriges kryeministrore, qoftë edhe një muaj me teper, do ju varrose edhe ju politikisht me damken e paaftesise dhe të tradhtise ndaj Shtetit shqiptar dhe Publikut tonë të mjeruar e të frikësuar, që po lëshon gjithandej vikamen e panikut. Është koha për një reflektim të madh, pa vonese – dhe takimi me Kryetarin e Opozites, me ndërmjetësinë e Presidentit të Republikës, është hapi më normal në një vend demokratik, në qoftë se ju e konceptoni postin tuaj të lartë në shërbimin tonë si qytetarë. Vendi sot ka nevojë per stabilitet dhe stabiliteti nuk ka për t’i ardhur qeverisë aktuale, duke vazhduar bashkejetesen me informalitetin anti demokratik. E di që është një sipermarrje, in extremis, por nuk ka opsion tjeter, pas kësaj, perveç shpërndarjes së Parlamentit. Çdo minut që kalon, afron edhe më shumë të keqen. Shpërbashkimi me atë, nepërmjet lënies së lira të organeve të hetimit dhe korrektimit të sjelljeve governative përkah shpjegueshmëria, tashmë është në tavolinen e tuaj për vendimarrje, që mund të jetë historike për fatet e vendit. Një vend që aspiron për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian, zgjidhjen e krizes duhet ta kanalizojë në rrugë institucionale, në respekt të Ligjit, Kushtetutes dhe Parlamentit, aty ku misherohet Sovrani. Opsionet janë shumë pak, por kurrsesi rruga e filluar para 8 ditesh, me kompaktesimin e rradhëve të komunisteve, ish-prokurorëve, ish sigurimsave me krimin e organizuar. Rruga është për një zgjidhje të re politike, rikompozim i mazhorances së drejtuar nga Ju, përmes nxjerrjes jashtë të së keqes dhe ndërtimit të një Qeverie të Triumfit të Shtetit. Vendi nuk është i gatshem për zgjedhje të reja tani menjëherë, por e ka të nevojshme një rindertim qeveritar me objektiv kryesor Sherimin nga Kanceri i Krimit, Vendosja e Rendit Publik dhe Mbrojtja e Shtetit nga Terrorizmi dhe Shantazhi. Një koalicion i gjerë, një qeveri e të urtëve me mbështetje të gjërë politike, që do të përforcojë pavarësinë e Prokurorisë, Ministrinë e Brendshme të ndarë nga një Polici e Shtetit e depolitizuar, Ushtrinë në sektorët e reagimit të shpejtë, Liritë kushtetuese dhe Individuale, vetëm do ju naltësonte para shqiptarëve dhe do të përforconte me siguri prestigjin tuaj si shtetar që respekton lirinë. Deklarata e Ambasades së ShBA në Tiranë duhet te lexohet në këtë kuptim, në përforcim të shtetit dhe dekriminalizim qe fillon nga maja drejt periferisë, nga dekonspiratorët e respublicas. Ajo është bërë në ate formë për t’ju mbeshtetur ju, Shtetin dhe Shqiperinë, me shpresen që ju do të arrini ta lexoni dhe do ta përdorni në të mirë të interesave publike dhe jo të shpëtimit të partnerit tuaj të koalicionit.
Me shprese se do të merrni në konsideratë mendimet e sugjerimet e mia, mbetemi me nderime.
Romeo Gurakuqi

Tiranë, me 06.03.2015

Filed Under: Opinion Tagged With: leter publike, per Kryeministrin, Prof. Romeo Gurakuqi

Letër informative kryeministrit Hashim Thaçi:Zyrtarët tuaj po shpifin akuza të ndyta

March 11, 2014 by dgreca

Katër orë me mbajtën policët tuaj hetues në bisedë informative, “nën dyshimin e hajdutit ordinerë për krime të rënda!” Keni dëgjuar ju t’i kurdisin shkrimtarit të 12 veprave të botuara, e drejtorit të institucionit prestigjioz të kulturës akuza për vjedhje kamere?!!/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Kohë më parë u shkrova me shpresën se do të merreshit seriozisht me Kosovafilmin për ta penguar shuarjen e këtij institucioni. Por zyrtarët e Ministrisë së Kulturës si për inatin tuaj, nxorën një zëdhënëse të lodhur e të padijshme, e cili tha se Kosovafilmi nuk po shuhet, por po bëhet arkiv, sikur të thuhej kështjella nuk po rrënohet, por po bëhet kasolle!

Në letrën e kaluar po ashtu u bëra thirrje: mi ndalni zyrtarët e ndërsyer që po me turren pa ia nda. Nuk e di a s’ më morët vesh, apo zyrtarët u kanë dal dorësh e po ua pinë duhanin tinëz, por ata i kanë intensifikuar shpifjet. Në një “dosje” paçavure të dërguar në hetuesi, nuk kishin lënë gjë pa shpifur kundër drejtorit të Kosovafilmit. Në atë fashikull, që më dukej si letër e ndotur tualeti, të përpiluar nga auditori i brendshëm B. Gashi dhe i porositur nga sekretari primitiv e i paarsimuar V. Firzi, kishte një mal falsifikimesh e  shpifjesh që s’ta kap mendja, por edhe fshehje dokumentesh zyrtare, saqë hetuesia e prokuroria do të duhej t’i arrestonin, sikur të funksiononte shteti.

E dini cila ishte njëra ndër shpifjet? Me akuzojnë se e kam vjedhur kamerën e Kosovafilmit!!! Ka ndotësi më të madhe? U dukem hajdutë unë? Do ti toleroni edhe më këta shpifës të pafytyrë?

Sistemet totalitare i akuzonin kundërshtarët politik- intelektualët e shkrimtarët si armiq të partisë apo të socializmit, ndërsa zyrtarët tuaj po më akuzojnë për krime të rënda! Me zellin e tyre shpifës po ua kalojnë edhe shkive të Beogradit.

Pse i lejoni këta maskarenj të sillen kaq ulët ndaj meje? Gjithë kohën po thirrën në emrin tuaj. Ku e ka burimin urrejtja e tyre e sëmurë ndaj ekspertëve të kulturës? A do të guxonin të silleshin kaq poshtërsisht ndaj cilitdo ish komandanti të Muçivercës?

Denoncimi – paçavure pa asnjë fakt

Prej zyrtarëve të MKRS-së mund të pritën pisllëqe edhe më të mëdha. Ata janë të paskrupullt, si t’i kishin kryer shkollat e gënjeshtrave në Beograd. Në padinë që do ta bëjë në gjyq për këto falsifikime do të kërkojë të dënohen për falsifikime, fshehje e zhdukje të dokumenteve zyrtare.

Nuk me habisnin shpifjet, ata me kundërshtarë politik kështu i qerojnë hesapet, sa më bënte nervoz hetuesi, i cili ketë paçavure të ndotur ma nxirrte para fytyrës, duke me thënë ja keqpërdorimet. Nga katër orë pyetje-përgjigje, më shumë se një orë ai më tregonte çka është dashur të bëjë e çka jo, mua profesorit në fakultet, ndërsa ai nuk e di a ka arritur ende të shkallët e fakultetit. Ku e mori guximin të më mbante ligjërata hetuesi me revole në brez? Orën tjetër e humbëm në përpjekje t’i tregoj se nuk është puna e tij të me shes përralla (“ asni ministër s’koka i mirë për ty”, ma vinte si akuzë hetuesi mençurak, derisa përpiqesha t’ia tregoja gjenezën e konfliktit. Hetuesin e kam denoncuar dy javë më herët të Zyra Disiplinore e Prokurorisë së bashku me prokuroren M. Llugiqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe instrumentalizim nga instanca më të larta). Hetuesi jepte cilësime ofenduese për karakterin tim eksploziv me guximin e njeriut që e mbante revolen në brez.

Megjithatë përpiqesha ta mbaja gjakftohtësinë duke e dhunuar natyrën time. Doja të dilja sa më parë nga kjo hale. Prandaj i thash:  Pse nuk e pyet Auditorin e përgjithshëm, i cili çdo vjet e ka vlerësuar punën e Kosovafilmit. Hetuesi nuk i kishte konsultuar as zyrtarët e Shërbimit të Financave në MKRS-së, ndërsa ishin pesë zyrtarë-ekspertë te të cilët Kosovafilmi i kishte bërë raportimet financiare. Me ke paska biseduar pra? Me rojtarë objekti e pastruese?

Por do t’ua çjerr maskat e gënjeshtrave në gjyq.

Gjatë pyetje-përgjigjeve, hetuesit dhe kolegut të tij, u thash se po veproni si në regjimin e Stalinit: me akuzoni, ndërsa me thoni dëshmoje se nuk je fajtor. Në fund e nënshkrova çdo gjë që e kishte përpiluar hetuesi me leximin e vetëm dy pasuseve (kurrë nuk kam lexuar raport zyrtar më aq shumë dhunime të gjuhës shqipe nga një shqipfolës. Për tmerr!), sepse doja të dilja sa më parë nga ai vend që ma zinte frymën. Por po ashtu dola i sigurt se s’mund të më bëjnë asgjë, pos që po ma humbin kohën time të çmuar, sikurse duan të më fyejnë dhe po mi cingërisin nervat me terror psikologjik të tipit stalinist.

Ajo ndërtesë ku po jepja deklaratë katër orë, sikur të kisha bërë përbetim kundër shtetit, ma kujtonte vitin 1998, kur me pati ftuar në bisedë informative polici arrogant serb si të ishte vëllai i sekretarit Firzi. Polici i Serbisë më akuzonte për armë, polici i Kosovës me akuzonte për krime të rënda!!!

Mi shkyçni aparatet e përgjimit

Në Zyrën e KPMSHCK është dosja ku dëshmohet se hetuesi është i kurdisur kundër meje. (Disa ditë para se të më pezullonin nga puna, hetuesi B.A. nisi kinse ca hetime sa për t’u dhënë shkas të më pezullonin. Herën e dytë, shtatë muaj më vonë, përkatësisht dy ditë pasi Këshilli i Pavarur urdhëroi Ministrinë e Kulturës të më kthente në punë, prapë i njëjti hetues bëri ca hetime, për të pasur pretekst  MKR të shkruante se kundër meje po bëhen hetime).

Pas gjithë këtyre peripecive u thuaj zyrtarëve tuaj të mi shkyçin aparatet e përgjimit, sepse mund t’i padis për përgjim të paligjshëm në Prokurorinë e EULEX-it. Asnjë  përbetim nuk po e bëjë kundër shtetit, lë ta heqin nga praktika përgjimin e intelektualëve- kundërshtarë politik, lë të shkëputën më në fund nga reminishencat e Veshit të Madh.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, Kryeministrit Thaci, leter publike

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT