Rezoluta nuk është betejë e dy individëve, e një partie, e një komuniteti, por betejë për dinjitet dhe barazi e mbarë kombit shqiptar/
Letër e hapur e kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi drejtuar mediave shqiptare /
Siç është bërë e ditur, unë së bashku me kolegun tim deputet, Dashamir Tahiri kemi depozituar në parlament, Rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Ky tekst i cili na ra ne fati historik t’ja përcillnim institucionit më përfaqësues të sovranit popull, nuk është tekst i një partie, i një koalicioni partish, i të gjithë partive. Ai është teksti i të gjithë popullit dhe kombit shqiptar ashtu siç dua t’jua shpjegoj më poshtë./
PSE REZOLUTA NUK ESHTE TEKSTI I DY VETEVE, I NJE PARTIE, POR I GJITHE KOMBIT
Së pari, ai është teksti i shoqatës Çamëria, i komunitetit çam, i cili prej afro 100 vjetësh jeton brenda Shqipërisë londineze, të copëtuar me Konferencën e Ambasadorëve në 1913. Në fillim prej trojeve të tyre etnike u spastrua e konsideruar si turke gjysma e popullsisë çame muslimane, dhe pastaj në Luftën e dytë botërore u dëbua egërsisht dhe gjysma tjetër. Gjatë këtyre viteve, çamët janë shkrirë me pjesën tjetër të popullit dhe kombit, duke u bërë një me të, duke ruajtur identitetin e vet kulturor, por ama këngët e vallet e tyre, janë bërë më të dashurat e të gjithë shqiptarëve. Në këtë kuptim, ky tekst, kjo Rezolutë që propozohet prej përfaqësuesve të komunitetit çam, për të zgjidhur plagën e tij, dramën e tij, brenda të drejtës ndërkombëtare dhe europiane, madje brenda ligjeve greke, i takon të gjithë kombit. A nuk e kemi ne traditën që t’ gjendemi pranë mikut, vëllait, fqinjit, në gëzim dhe në hidhërim, në vuajtje dhe në lumturi ? Pse pjesa tjetër e kombit duhet të rrijë indiferente përballë kësaj beteje ?
Së dyti, ky tekst për nga kompleksiteti i marrëdhënieve që ndërthur, implikon shtetin shqiptar, politikën shqiptare, kombin shqiptar në marrëdhënie me fqinjin jugor, Greqinë. Gjatë historisë, popujt tanë përgjithësisht janë marrë vesh me njeri tjetrin, megjithëse shteti grek në fund të shekullit të 19-të dhe një pjesë të madhe të shekullit të 20-të, ka bërë gjithçka për të zhdukur esencën tonë kombëtare. Gjatë këtyre viteve të fundit, pikërisht për shkak të sjelljes së shtetit grek në atë periudhë, Greqia na ka një borxh të madh, i cili gjendet në sirtar, siç pohonte një studiues grek, por « ne s’kemi ditur t’ja kërkojmë ». Për të mos na dhënë borxhin, Greqia gjatë këtyre viteve është sjellë sikur t’ja kemi borxh. Na ka kërkuar shumëçka dhe ka marrë thuajse gjithçka ka kërkuar. Duke i kujtuar Greqisë borxhin që na ka, shqiptarëve të Çamërisë, shqiptarëve të Greqisë në përgjithësi, kombit tonë, ne i rrisim dinjitetin shoqërisë, shtetit, kombit shqiptar. Rezoluta kërkon marrëdhënie fqinjësie të mirë, në frymën e barazisë dhe respektit reciprok dhe nuk i shpall luftë askujt, madje i kërkon Greqisë të heqë ligjin e luftës. Kjo ngjan arsyeja e dytë, pse kjo Rezolutë nuk është e imja, e mikut tim, e komunitetit tim, por teksti i dinjitetit dhe i krenarisë sonë kombëtare përballë fqinjit.
Me këtë qasje, kjo Rezolutë nuk mund të shihet në mënyrë indiferente nga shoqëria dhe media shqiptare. Kjo është arsyeja pse me Rezolutën janë rreshtuar intelektualë dhe burra të shquar të këtij vendi dhe kombi, si Sami Repishti, apo Alfred Moisiu, shumë shoqata brenda dhe jashtë vendit.
Ju lutem shumë atyre që i ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth Rezolutës, të mos na lartësojnë kaq shumë sa ta shohin Rezolutën si veprën tonë. Jo thjesht pse ajo është produkt i konsultimeve të gjata me shumë ekspertë dhe miq, vendas dhe të huaj. Ajo është dokumenti më programatik i kombit shqiptar përballë kombit grek vitet e fundit. Ne i themi fqinjit : boll u solle si i madh me ne, sepse në jetën e kombeve, ka ulje dhe ngritje, por borxhet duhen shlyer.
MEDIAT S’MUND TA TRAJTOJNE REZOLUTEN ME MINUTAZHET DHE HAPESIREN KUSHTUAR PARTIVE, ALEANCAVE POLITIKE, ETJ.
I ftoj në mënyrë të veçantë njerëzit e medias që përpunojnë opinionin publik dhe i prijnë atij :
Mos u merrni me elementë sipërfaqësorë, me detaje të kontekstit tonë të brendshëm politik, por merruni me tekstin e Rezolutës dhe shiheni në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe.
Mos e trajtoni Rezolutën në dritën e teknikave mediatike të hapësirës së faqeve, minutazhit sipas përqindjes së partive, apo matur me ndonjë metër tjetër. Rezoluta nuk është e dy individëve, e një partie, e një shoqate, e një komuniteti, por e mbarë kombit. E dimë që ajo nuk do jetë gjithmonë kryelajmi, por ajo meriton vëmendje të posaçme jashtë klisheve profesionale.
Na harroni ne propozuesit formalë që patëm fatin e saj, derisa ajo të miratohet !
Nëse doni, mos e përmendni fare emrin e partisë propozuese !
Por ju lutem flisni për Rezolutën. Ka boll për të folur !
Aty brenda ka histori, dhe e di se sot historia është aktualitet.
Aty brenda ka diplomaci, dhe e dimë se diplomacia është tërheqëse mediatikisht.
Aty brenda ka ligj, ka politikë, ka marrëdhënie ndërkombëtare, ka ekonomi, pra ka shumëçka, që kapërcen atë çka jemi ne propozuesit e saj.
Ndaj ju lutem për këtë temë, veçanërisht ju drejtuesve të mediave, ta lini mënjanë peshoren farmaceutike të hapësirave për partitë politike, dhe merruni me kauzën që përfaqëson Rezoluta. Ajo është dokumenti i dinjitetit tonë. Do i drejtohemi fqinjit me dinjitet, apo gjithmonë të nënshtruar siç kemi bërë përgjithësisht? Rezoluta na fton të jemi dinjitozë përballë fqinjit.
Ju lutem mos e shihni këtë dokument as dhe në optikën e aleancave politike, parazgjedhore apo të kurdohershme. Ne nuk e shohim ashtu, ndaj ju drejtuam deputetëve, në individualitetin e tyre, dhe jo partive politike. Kjo Rezolutë nuk është dokument presioni ndaj askujt, aq më tepër ndaj ndonjë partie politike. Kjo Rezolutë nëse është dokument presioni, është dokument i presionit të ndërgjegjes kombëtare, mbi interesat e ngushtë të një partie, të një koalicioni, të një konteksti politik. Ndërgjegja kombëtare është e fortë dhe do triumfojë. A nuk e pamë këtë në festimet e 100 vjetorit ?
Një tekst si ky, nuk mund të shikohet jashtë kohës. Por kur shikohet e lidhur me kohën, kjo kohë nuk mund të jetë koha politike apo partiake. Çdo moment që ne do ta sillnim Rezolutën do paragjykohej : zgjedhjet parlamentare, lokale, zgjedhjet e krerëve të institucioneve, etj. Ne zgjodhëm kohën më të mirë : kur ndërgjegja kombëtare ishte në apogjeun e vet.
FQINJI YNE DUHET TA KUPTOJE SE REZOLUTA ESHTE AKSIONI YNE KOMBETAR PER DINJITET PERBALLE TIJ. DHE DUHET TE MENDOJE : DO TA CENOJME TE SOTMEN DHE TE NESERMEN E MARREDHENIEVE TONA, PER NJE KRIM TE SE SHKUARES ?
Ky tekst, ky dokument politik, diplomatik dhe juridik, miratimi i tij është aksioni më i madh kombëtar jo thjesht i një partie, i një shoqate, por i gjithë kombit. Ne duam që përballë fqinjit të jemi të qartë në atë që duam dhe që ata na detyrohen. Ne po kërkojmë diçka që të tjerët na e kanë kërkuar dhe na e kanë marrë. Po kërkojmë monumente, nderim për të vdekurit, lëvizje vërtet të lirë, respektim të të drejtës së pronësisë, së shtetësisë, respekt ndaj komunitetit tonë në tekstet e tyre shkollore. A nuk na i kanë kërkuar grekët të njëjtat gjëra dhe na i kanë marrë ? Po kërkojmë pra, atë që na takon.
Siç e kemi thënë dhe publikisht në një rast tjetër, ky dokument është dokument i bashkimit dhe jo i ndarjes. Nëse ne krijojmë rreth tij një front unik, konsensual, tërësor të kombit, atëherë ai do miratohet. Ai mund të miratohet me mazhoranca të lodhura gjithfarëshe, por nëse krijohet ky front, atëherë deputetët s’mund të rrijnë indiferentë përpara këtij presioni të frontit kombëtar. Do kemi kështu votim thuajse unanim të Rezolutës. Por ka dhe diçka tjetër jashtë nesh. Nëse ky front kombëtar, ku mediat janë shumë të rëndësishme, është shumë i zëshëm dhe fqinji do fillojë të mendojë. A ja vlen të cënojë të sotmen dhe të nesërmen e marrëdhënieve me këtë komb, për shkak të një plage të së shkuarës ?
Pse e them këtë ?
Para disa vjetësh shumica e majtë që qeveriste Greqinë, dhe që synonte të dominonte Shqipërinë nëpërmjet depërtimit ekonomik ;
Planit Ekonomik grek për Ballkanin ;
që qetësonte mediat nëpërmjet vizave dhuratë ; udhëtimeve studimore dhuratë, listave të vizave për tu botuar,
shpallte një objektiv : në asnjë mënyrë në Shqipëri nuk duhet të krijohet klimë antigreke. Besoj se ky duhet të jetë objektivi i çdo qeverie greke, pra dhe i së sotmes. Janë më të rëndësishme investimet për të sotmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve tona, apo mbrojtja kokëfortë e një krimi të së shkuarës, që do të thoshte njëlloj bashkëfajësie ?
Sot kur në skenë ka dalë Rezoluta,
nëse kundër saj do vazhdojnë të zhurmojnë ata që s’duhet ta bëjnë- përfaqësuesit e minoritetit grek, që kurrë s’kanë parë asnjë të keqe prej shqiptarëve çamë, ose jo çamë ;
nëse Greqia bën presion me pretekst miratimin e Rezolutës ;
nëse Greqia e bllokon integrimin europian të Shqipërisë, me këtë pretekst ;
çfarë duhet të ndodhë në Shqipëri ? A do vazhdojmë të heshtim ?
Prandaj i bëj thirrje kujtdo, mediave veçanërisht që të bashkohemi rreth Rezolutës.
Kështu edhe fqinjët tanë do ta kuptojnë se Rezoluta nuk është e imja, e dy vetëve, e një partie, e një komuniteti, por e gjithë kombit. Sepse ajo është mbi ne, mbi gjithseicilin, sepse kombi është mbi gjithçka dhe mbi të gjithë. Dhe atëherë mund të reagojnë pozitivisht.