LIBRAT E ISMETE SELMANAJ LEBA, LITERATURE NE UNIVERSITETET E PALERMOS/
NGA DR. LILIANA PERE/
Ismete Selmanaj Leba – n e njoha rreth një vit më parë, në prill 2015, kur sapo kishte dalë në treg në Itali romani i saj “Verginità Rapite”. Një grua sa e thjeshtë po aq edhe madhështore me punën e saj në artin e të shkruarit. Nje vlere per letërsinë dhe historinë shqiptare. Në atë kohë kishte publikuar në shqip dy romane të suksesshëm.
Në vitin 2013 boton në shqip nga shtëpia botuese Dudaj librin “Gjembi dhe trëndafilat” që mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2013”. Një vit më vonë, në nëntor 2014, publikon me të njëjtën shtëpi botuese romanin “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, që rezultoi si libri i tretë më i shitur në Panairin e Librit në nëntor 2014 në Tiranë.
U takuam më pas me Ismeten në Tiranë, tashmë edhe si një anëtare e Organizatës që unë drejtoj: “Gruaja Shqiptare në Botë – GSHB – Albania Woman in the World”. Më tregoi për jetën e saj folem gjatë, dhe për librat që kishte publikuar.
Libri “Verginità Rapite” (Virgjëri të vjedhura) flet për periudhën gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri dhe atë të tranzicionit. Historia e romanit i ka fillimet e saj në fundin e vitit 1979. Një vajzë 15 vjeçare, Mira, nxënëse e shkëlqyer që ëndërron të bëhet pediatre, pëson një përdhunim barbar nga sekretari i Partisë së shkollës. Përveç tmerrit të përdhunimit, Mirës i duhet të përballet edhe me “opinionin” që e quan atë fajtore për çfarë ka ndodhur. Me dhembje të paimagjinueshme ndahet me forcë nga e vetmja krijesë që solli në jetë. Jeta e saj do të jetë vazhdimisht në shënjestër të ish-sekretarit të Partisë, i cili edhe pas rrëzimit të diktaturës, është sërish në majat e politikës shqiptare. Ishte i pacenueshëm më parë dhe vazhdon të jetë ende më i fuqishëm dhe hakmarrës se kurrë.
Por Mira nuk dorëzohet…. Arrin me një forcë të jashtëzakonshme të ngrihet nga balta ku e hodhi dhuna e pamëshirshme dhe bëhet si një nënë e dhembshur për gratë e vajzat e dhunuara, hap dyert e shtëpisë së saj duke mbjellur vetëm dashuri e mirësi.
Shkon deri në Kosovë dhe sheh me sytë e saj tmerret që ka kaluar populli martir i Kosovës.
Ka një peng të madh në zemër që e mundon por edhe i jep forcë se s’duhet të ndalet. Sheh me trishtim Shqipërinë dhe i duket si një grua me dhembje lindjeje qe po zgjasin pothuajse 20 vjet, pa mundur të sjellë në jetë demokracinë.
Këto ditë ka dalë në qarkullim në Itali një libër i ri i saj me titull “I bambini non hanno mai colpe” (Fëmijët asnjëherë nuk kanë faj), nga shëpia botuese Bonfirraro që shpërndan librat e saj në të gjitha libraritë Mondadori në Itali.
Një arritje e jashtëzakonshme për këtë autore shqiptare durrsake që banon në Sicili prej gati 24 vitesh.
Në qendër të trilerit është pedofilia, një nga plagët më të shëmtuara të njerëzimit rreth së cilës rrotullohet jeta e katër personave, tanimë burra, të lidhur nga një fat i hidhur në të kaluarën që ka kushtëzuar totalisht jetët e tyre.
Historia romanit nis në një fshat të vogël në veri të Shqipërisë. Gjergji dhe vëllai i tij Sokoli, janë dëshmitarët e vetëm të vdekjes së babait të tyre kur ishin vetëm 12 dhe 11 vjeç. Sikur të mos mjaftonte kjo, do ta gjejnë veten në kurthin e Kanunit dhe të gjakmarrjes sepse gjyshi akuzon nusen dhe nipërit për vdekjen e djalit të tij.
Në emër të Kanunit kërkon gjakun e të birit. Rrugëzgjidhja e vetme që kanë dy vëllezërit dhe mamaja e tyre që mos të vriten, është që të ngujohen. Vendosin atëherë me ndihmën e një vëllai të nënës së tyre të largohen nga fshati dhe vendosen në një qytezë të vogël. Si vazhdon jeta e tyre duke jetuar gjithmonë me frikën se mos i vrasin? Shumë e vështirë…ishte gjithçka shumë e vështirë në Shqipërinë pas komuniste që po kërkonte të ngrihej në këmbë pas errësirës së diktaturës. Jeta e tyre pëson një kthesë të papritur kur në parkun e qytetit ku banojnë gjendet trupi i pajetë i një personi me një të kaluar të dyshimtë. Në fakt, personi në fjalë, disa vite më parë, ishte denoncuar nga prindërit e një fëmije për abuzim seksual kundrejt fëmijës së tyre. Denoncim i tërhequr më pas në mënyrë jo të qartë. Në të njëjtën kohë, shfaqet papritur në qytet një burrë misterioz që ndjek dy vëllezërit si hije. Kush është ky person dhe çfarë kërkon prej tyre?
E shkuara dhe e tashmja e dy vëllezërve gërshetohen në një triler shumë të vështirë per t’u zgjidhur edhe për shefin e policisë, Andi, një investigator shumë i zoti.
Libri është një vepër letrare e plotë që i ka rrënjët shoqërore në Shqipërinë pas komuniste së cilës i duhej të përballej me shumë probleme.
Pas një gjumi letargjik të gjatë pothuajse gjysmë shekulli u zgjua nga gjumi Kanuni i Lek Dukagjinit, më konfuz e më i pamëshirshëm se më parë.
Vrasjet në emër të Kanunit janë në rend të ditës. Mëritë e vjetra filluan saktësisht aty ku i pati shtypur regjimi i Hoxhës me grusht të hekurt…por tanimë pa rregulla.
Gjaksit nuk ndalen më as para fëmijëve e grave. Sot, njerëzit vriten edhe për një fjalë të tepërt, për një metër tokë, për një vështrim të vëngër.
Por tragjedia më e madhe që prek Ismete Selmanaj në këtë triler spektakolar që të lë në ankth deri në faqen e fundit, është ajo e fëmijëve të ngujuar dhe pedofilisë.
Një temë që autoren e ka prekur si grua e si nënë e tre fëmijëve.
‘’Ajo që shkruhet në këtë roman është një denoncim i fortë kundrejt këtyre fenomeneve, një thirrje e fortë për shoqërisë shqiptare për t’i dhënë fund këtyre turpeve shoqërore’’.
Ismete Selmanaj ka lindur në Durrës dhe që e vogël ka pasur pasion letërsinë duke shkruar vazhdimisht dhe ka fituar disa çmime në konkurset letrare të kohës.
Në vitin 1991 diplomohet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.Por pasioni për letërsinë nuk e lënë kurrë mënjanë.
Në vitin 1992 është transferuar me familjen në Itali në provincën e Messina –s ku dhe banon aktualisht.
Pas vështirësive të viteve të para të emigrimit, e gjeti veten pikërisht tek pasioni i hershëm; letësia. Dhe ishte një sukses i menjëhershëm dhe i plotë.
Për plagën e pedofilisë dhe të ngujimit, ka shkruar edhe vetë Ismetja një artikull për një gazetën investigative Internacionale Flip News – Free Lance International Press.
Një artikull i pritur mjaft mirë nga lexuesit si i guximshëm dhe si një denoncim i pamëshirshëm i këtyre fenomeneve të urryera.
Pas publikimit të librave të saj në Itali kanë shkruar shumë gazeta lokale dhe një nga gazetat më të rëndësishme në Itali, “Corriere della sera” e quan një shkrimtare brilante.
Blogu mbi publikimin e librit të saj të ri, u radhit në vendin e parë në Siçili.
Parathënien e të dy librave e ka përgatitur profesor Matteo Mandalà, pedagog në Universitetin e Palermos.
‘’ Si libri “Verginità Rapite” edhe “I bambini non hanno mai colpe”, janë futur si libër studimi në Universitetin e Palermos, ‘’
Ismete selmanaj ,autorja ka qenë e ftuar në disa seminare me studentët. Gjithashtu e ftuar për të komentuar historinë e librit “Verginità Rapite” autorja ka qenë në disa takime në dhjetëra shkolla të mesme të Siçilisë.
Në 13 maj të 2016, autorja do të marrë pjesë në Salone Internazionale del Libro në Torino, një nder e krenari për këtë autore shqiptare dhe për Shqipërinë.
Duke i uruar suksese në këtë rrugëtim gjithmonë në ngjitje, presim ende vepra të tilla të vlerësuara në në nivel akademik dhe mund të themi me plot gojën që Ismete Selmanaj Leba është krenaria e letërsisë shqiptare përtej kufijve.
Është për t’u admiruar impenjimi i saj për të sjellë një copë të historisë së Shqipërisë në Itali duke theksuar vlerat më të larta të popullit tonë; besën, mikpritjen, faljen.
Virtyte që heronjtë dhe herionat e librave të saj i kanë të mishëruara duke u bërë burim frymëzimi për të rinjtë e sotshëm dhe pse jo…duke u treguar edhe rrugën që duhet të ndërmarrin.
Dr. Liliana Pere
President: International Organization.
Albanian Woman in the World
Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP