Nga Primo Shllaku*/
Parathënie për librin Shqiptarë në liri–Diaspora shqiptare në Amerikë, autore Eleni Karamitri/
Ramja e tabuve/
Me ramjen e sistemit tek na, pjesa ma e madhe e tabuve shpërtheu e u derdh në sheshin Skënderbej si provë se bota shqiptare do të njisohej tashma dhe se dukunitë e izolimit do t’i përkisnin të kaluemes dhe vetëm të kaluemes. Do të ishte krejt e vështirë me thanë sesa vëllim kishte pjesa e hapët dhe sa vëllim kishte pjesa e ndalueme. Kjo, mbase, do të shihet mbasi tabutë e shpalluna gjatë stinës së eksperimentit tek na, do t’i kenë ba të korrat e tyne dhe krahasimet do të jenë të mundshme. Sidoqoftë, na rezulton se na e njifnim veten pak, madje, na e kishim të ndalueme me e njotë veten dhe portreti ynë, me gjithë zellin e madh të mendjeve e vullneteve të lira, ishte një skicë e papërfundueme.
Besoj se as në botën antike, atëherë kur transporti fizik bahej me mjete të natyrës, qendrat e qytetnimit nuk ishin kaq larg dhe kaq të pakomunikueshme njena me tjetrën sa botët – ose ma mirë të themi – ciflat e botës shqiptare të hallakatuna në katër anë me nji bërthamë në mes, e cila – paradoks i paradokseve – në vend që t’i thithte dhe mblidhte, i shqelmonte dhe i izolonte.
Na ktej ishim krejt në errësinë informacioni. Dinim se kishim ca shqiptarë ose ish- shqiptarë, për të cilën merrnim vesht se janë diku vetëm përmes remitancave që vazhdonin ende t’u vinin familjarëve dhe përmes ndonjë goditje të policisë politike të regjimit që arrestonte me preferencë individë me njerëz të arratisun, por edhe me njerëz me banim jashtë qysh para Luftës së Dytë Botnore. Dinim se atje jetonte nji Fan Nol, fort i nderuem dhe i studiuem ndër ne, që delte kudo si anmik i mbretit Zog (pikë kyçe kjo për liçencimin e pranisë së tij si faktor i mbrendshëm kulture), dinin se ai Fan Nol, kishte përshndetë “gubernën e E. Hoxhës” si legjitime, dinim se ishte përkthyes i madh e i pakapërcyeshëm, superlativ që regjimi e ruante vetëm për autoportretizim, dinim se kishte shkruar tri poezi të mrekullueshme me sfond politik, dinim se qeveria shqiptare e luste të kthehej për t’i dhanë – thuhej – postin honorifik të kretarit të Kuvendit Popullor, por që ai na e refuzonte për shkak të moshës dhe të koleksionit të smundjeve që kishte. Mbas katër vjetësh të vdekjes së tij, morëm përsëri vesht se qeveria shqiptare priste vdekjen e tij që të zhvillonte pogromin e saj mbi institucionet shqiptare të kultit, me të cilin, edhe pse me bindje shum të shlira fetare, imzot Noli nuk do ta kishte përshndetur në asnji rrethanë. Pra, na të interesuemit për zhvillimet ma të gjana të kulturës dhe dritës shqiptare, jetonim në njilloj jermi kulturor, gjithsesi dëshprues, sepse informacioni vinte i vagullt dhe gjysmak, i mbështjellë me mister dhe i përpunuem jashtë kufinit të së vërtetës.
Disa shkodranë e dinin se Sami Rrepishti dhe Arshi Pipa ishin diku në Prendim, se ishin njerëz të zotë, se ia kishin “lagë letrat sistemit”, por se ç’kampionë ishin, se mese merreshin, pse ishin të denjë për t’u përmendë, askush nuk fliste, askush nuk dinte. Ata që sot thonë se e dinin qysh atëherë, nuk kanë punë me kët konstatim timin, sepse dija merr vlerë kur ndahet progresivisht përgjysëm e kshtu deri në infinit.
Sa i përket Martin Camajt që banonte edhe ma afër e që, gjithsesi me veprën e tij voluminoze, me drejtimet e interesit të tij letrar e gjuhësor, ushtronte njilloj trysnie të
dukshme e trimoshe mbi establishmentin zyrtar kulturor mbrenda Shqipnisë skajshëm të vetmueme, asnji informacion, absolutisht heshtje e thellë, ajo heshtje që duhet të ketë virtualisht mosqenia. Pra në Tiranën tonë, atëherë të kuqe, kishte njerëz që kishin marrë përsipër, duke qenë vetë vdekatarë, të shpërndanin sipas interesave të një shteti njipërdorimësh, qenien dhe mosqenien tek të njajtit vdekatarë sikurse ata vetë. Feja e trashendencës ishte zevendësue me fenë e egocentrizmit. Bariu literal i zu vendin bariut metaforik…..blegërimë operistike !
Dhe në anën tjetër të botës, burra të mirë e të selitun, burra me mend e me moral kombtar, vazhdonin punën e tyne kërkimore, shkencore, letrare, politike e gazetareske për atdheun primar pa asnji mirënjoftje nga ai atdhe. Me siguri që në Amerikë e kudo që inteligjenca shqiptare kërkonte lidhjet e saj të ligjshme me shpirtin e përjetshëm të kombit, e kishin kapë vlerën profetike të vargjeve të Nolit se mbas dimrit vjen një verë / e do kthehemi njëherë…/
Ndërsa na ktej kishim humbë çdo shpresë, në Amerikë kryekreje por edhe në qendra të tjera të diasporës, festoheshin vit mbas viti përvjetorët e Pavarësisë, mblidheshin në festa, festonin së bashku, festonin ditëlidhje personash e gazetash dhe shpirti i komunitetit shqiptar mbahej i gjallë me gjithë trysninë e madhe që bante prania e kulturës vendase mbi të gjitha kulturat kombtare atje, të marra si minoritete.
Por nuk duhet harrue se, edhe vetë anëtarët e diasporës e ndjenin shtetin shqiptar si diçka të huejtun, megjithë temenatë që ai u bënte përmes shërbimeve diplomatike.
Shteti shqiptar i diktaturës e kishte shumë frikë diasporën. Duke qenë se komunitetet shqiptare me banim në Prendim gjendeshin fare pranë qendrave të mëdha të politikës botnore, shteti shqiptar sillej kujdesshëm me ta dhe “ua krefte bishtin”. Por me mënyrat ma të sofistikueme kontrollonte zhvillimet brenda saj dhe ma vonë doli se çfarë grindjesh e përçamjes kishte futë mes tyne. Por shqiptarët, naivë dhe shpesh gogësitës nga mirëqenia e vendit pritës, nuk denonconin intrigat dhe autorët, nga turpi se mos ulnin bashkatdhetarët dhe Shqipninë si atdhe.
Me ramjen e Murit të Berlinit, procesi i desintegrimit të Lindjes komuniste, në të cilën na e dinim se nuk banim ma pjesë, u ba rrokullisës. Tek na erdhi ma parë rropama, mandej rrëzimi. Por edhe rrëzimi që erdhi, tabutë na i la të ngrehun, si elemente të një gardhi tjetër, që duhej shembë jo ma me entuziazëm, por me sistem dhe përpjekje ardhmënore.
Dallëndyshja e parë fluturon mbi diasporë.
Ramja e sistemit tek na erdhi së jashtmi dhe mendimi zyrtar i të gjitha fushave u zu gafil. Ende në qeverisje ishin të njajtit emna, në katedra dhe akademi të njajtat fizionomi, ende në shkrimet dhe studimet që u shterren dhe u rrëgjuen e njajta terminologji, i njajti kandvështrim, të njajtat interesa etnocentriste, e njajta prirje inventarizuese e mbushun gjithkund me frikën e nxjerrjes së përfundimeve organike.
Bota akademike shqiptare që i kishte mplakë epigonët e vet me nji meny monotone “gjellësh”, po përpëlitej me gjetë formulën e re të “përshtatjes”, pa i shkue fare ndër mend se kishte edhe dorëheqje, edhe autokritikë, edhe ndjesë publike për faktin se kishte heshtë, se kishte falsifikue dhe se kishte vu interesin e ngushtë vetiak mbi ndërshmëninë intelektuale dhe, siç doli ma vonë, në autokritikat e tyne të vonueme, “pas kaosit”, ata shpallën se kishin mendue që “ do të vinin të tjerët për t’i ndreqë ato që ata nuk kishin mundë me ndreqë”.
Në mesin e shkencëtarëve të rij e ma pak të rij, ideja e kthimit të fletës dhe e përqasjeve të reja u ba moto e ditës. Tabutë e ngrituna me kujdes për gati një gjysëm shekulli kishin “material”, sepse në vetvete përbanin fusha të virgjëna, e kishin të sigurtë zbulimin dhe, gjithsesi, ishin objekte ma tërheqëse se temat e rimbllaçkitura, me të cilat ushqehej skorbutikisht jeta jonë studimore.
Megjithatë ka diçka edhe heroike në preferencën e disave për t’u përballue me tabutë. Sadoqë brezi i vjetër i studiuesve që mbas viteve ’90 mbante frenat e katedrave dhe bante politikat e gradimeve shkencore, na shfaqet i shpenguem dhe bekues në zgjedhjen e temave deri atëherë tabu, realiteti ka ma shumë elemente ngurrimi dhe mëdyshje sesa thuhet.
Studiuesja Eleni Karamitri ishte ndër të parët që i hodhi preferencat e saj tek zonat “me hije” të studimeve shqiptare. Atë e ngacmonte diaspora, kjo botë e hapërderdhun në katër anët e globit, e cila, që në mesjetën e vonë, ka qenë vërtetimi i pamundësisë së botës shqiptare për të krijue nji shtet të stabilizuem me nji ekonomi po të tillë.
Harta e diasporës shqiptare nuk ndrit e tana njilloj, nëse me ndritje do të kuptonim intensitetin e veprimtarive të saj shkencore, kulturore dhe komemorative. Ndriçimi i saj i madh u vu re në fillimet e shek. XIX, kur stina e romantizmit i përflaku tokat e Italisë së Jugut dhe asaj ishullore. De Rada e Gavril Dara, Kamarda dhe Skiroi zunë fill letërsinë e madhe shqipe të shqiptarizmit, i marrë ky si koncept gjithëpërfshimës për atdheun amë dhe të gjithë hartën e diasporës së bashku. Për të gjithë ata që e dinë sesa me ngut po prishej shekulli me zakonet dhe prirjet e tij, ajo kohë do të mbetet padyshim si koha e artë e shqiptarizmit, kur diaspora merrte përsipër zgjimin e atdheut e të vetdijes kombtare pa pretendue që të kthehej kurr ma atje.
Autorja e këtij libri si edhe e disa shkrimeve e botimeve të tjera me temë diasporën, Prof. Dr. Eleni Karamitri, e kishte intuitën sesa material studimi dhe se ç’fushë e virgjën ishte diaspora, sidomos ajo e Amerikës, e cila mbetej elementi ma i ri dhe ma i gjallë i gjithë diasporës historike, për shkakun se Amerika ishte kthye në Tokën e Premtueme për të gjithë të vorfnit e botës, që atdheu i tyne nuk i mbante dot.
Autorja na thotë se diaspora amerikane ishte shumë interesante edhe për faktin se ajo përbahej nga elemente të larmishëm në pikëpamje të prejardhjes. Baza e ksaj diaspore përbahej nga pinjoj të familjeve të emigracionit ekonomik. Ktu kam parasysh shembulltarisht studiuesin, përkthyesin, shkrimtarin dhe aktivistin Peter Prifti, si dhe Stavre Frashërin, Xhevat Kallajxhiun etj. Kemi pastaj edhe emigrantët e luksit, siç kam dëshirë të quej imzot Fan Nolin dhe mikanmikun e tij, Faik Konicën, që e deshën Amerikën për mitin e saj në ngritje dhe mirëqenien e luksin e lehtë që ofronte.
Por në Amerikë kishin shkue edhe emigrantët politikë, të pakënaqunit me shtetin komunist që ishte vendosë ndër ne më 1945. Këta emigrantë aspak emigrantë, por të ikun prej atdheut nga alternativa e mprehtë “o jetë, o vdekje”, ndër të cilët do të përmendja Sami Rrepishtin, Arshi Pipën, Gjon Sinishtën etj., i kanë ba trysni shtetit dhe kulturës socialiste të atdheut të tyne. Në fakt ata nuk donin të qëndronin jashtë, ata prisnin si e si të hapej diku një spirale që ata të mund të vizitonin të paktën atdheun e tyne e le të mos baheshin të njoftuna shkrimet. Por atdheu ishte shumë serioz dhe e kishte humbë buzëqeshjen pritëse për bijtë e vet. Ata gati sa nuk vdiqën pa u kthye në atdhe, si Martin Camaj, vepra e të cilit asht nji aht i pafund lutje të heshtun për ta pa edhe nji herë shpinë e vet e vorret e prindëve. Por jo ! Atdheu nuk i donte fëmijët e tij edhe kur kta ishin ba të hajrit, poetë, gjuhëtarë, politologë e kulturologë.
Atdheu nuk buzëqeshte më, se “kishte mejtime të tjera”, do të thoshte Çajupi sarkastik.
Asht vërtet ngazëllyese kur shef autorë si E. Karamitri që me nji entuziazëm shkencor sjellin në Shqipni autorë të panjoftun e me kontribute si Peter Prifti. Ajo i ka ba zgjedhjet e saj qysh herët në fillimin e viteve ’90 dhe “fluturimin” e saj mbi “territoret” e diasporës i ka ba që më 1996 me librin e saj të parë, monografinë për dijetarin shqiptaro-amerikan Peter R. Prifti, i cili asht një përmirësim dhe pasunim i tezës së saj të doktoraturës Kontributi shkencor dhe pedagogjik në veprat e profesor Peter Priftit.
Libri në krye të së cilës destinohet ky shkrim si parathanie, mban si titull Shqiptarë në liri. Diaspora shqiptare në Amerikë – Studime letrare, dëshmi, bibliografi.(2017, 234 fq). Si libri i tretë i autores me këtë tematikë, po na vërtetohet se ajo po këmbëngul në eksplorimin edhe ma të thellë të diasporës, përkatësisht asaj të SHBA.
Përpjekja e saj flet ma shumë se roli i sipërmarrun i inventarizuesit të nji materiali që pret të evidentohet, të përfshihet dhe të bahet pjesë e studimeve ma integrale të letrave shqipe në shek. XX.
Megjithse e quan pak a shumë të shterruem interesin e tij për Peter Priftin, libri që kemi në dorë, i paguen një tribut të fundëm këtij personaliteti të botës diasporake amerikane, që me kaq përkushtim dhe dizinteres vetjak u muer, simbas mënyrës së tij, me plotësimin për letërsi të nevojave të komunitetit shqiptar të Bostonit e ma gjanë.
Mos të harrojmë edhe nji fakt tjetër shum të randësishëm se aktivistët kulturorë shqiptaro-amerikanë, edhe pse ndodheshin në një vend demokratik dhe të lirë si Amerika, nuk mund të propagandonin e të përhapnin letërsinë zyrtare që zhvillohej bashkëkohësisht në atdheun e tyne amë. Letërsia zyrtare shqiptare, e ashtuquejtuna e realizmit socialist, ishte e ndotun ideologjikisht dhe për këtë shteti amerikan kishte ndjeshmëni të hatashme. Mbas 1947 kur Browder-i e shkriu partinë komuniste amerikane, shteti amerikan krijoi shërbime të veçanta për zbulimin dhe hetimin e çdo veprimtarie komuniste dhe historia e ktij shteti nuk asht nga ma demokratiket kur bahet fjalë për propagandën komuniste. Kështu që, po të shofim me kujdes edhe tekstet për të cilat kujdesej elita kulturore shqiptaro-amerikane janë paksa të kapërcyer dhe anakronikë. Mesa duket, interesat letrare nuk duhet të kapërcenin kufijtë e tematikës shtetformuese dhe indipendentiste shqiptare. Por edhe nëse duhet të bahej ndonjë përjashtim, ai përjashtim pajtohej vetëm me letërsi dokumentare dhe udhtimesh siç asht rasti i librit Përmes Mirditës në dimër, përkthimi i të cilit na duket sikur duhet të promovonte një paketë turistike, që mund të konsumohej vetëm me imagjinatë, në kushtet kur objekti i këtij libri ndodhej mbrenda një izolimi total.
Pra, mund të themi se gama letrare e përpunueme për nevojat shpirtnore të komunitetit të diasporës asht shum e vorfën dhe zgjon ndjenja gjeografikisht të kufizueme deri në të ndalueme. Ngandonjiherë na dukej se misioni i ktyne njerzve vullnetmirë e shtynte lexuesin e vet nëmos tek e pamunduna, tek e ndaluemja po se Me një fjalë, mendojmë se vepra në shqip me rezonancë ma të gjanë njerzore dhe shpirtnore, do të kryenin nji rol të shumfishtë dhe do të edukonin edhe atdhedashuni.
Por Peter Prifti me shokë e nuhasnin indoktrinimin e produktit aktual shqiptar të asaj kohe dhe u shmangeshin teksteve që mbanin erë propagandë. Se përse kta personalitete dhe njerz të shkolluar e të selitur me lirinë e mendimit nuk mbajtën një qëndrim kritik ndaj produktit të atëhershëm letrar në Shqipni, të hapnin polemika në gazetat e shumta që kishin dhe të pasunonin rubrikat me tema tërhjekëse letrare, mbetet ende nji enigmë. Frika nga censura e shtetit amerikan dhe ideja për të mos e goditë shtetin amë, ndoshta kanë ba që këta intelektualë të pajisun me dije solide, të detyroheshin të ecnin në tel, si disa mjeshtra cirku.
Autorja Eleni Karamitri ka sjellë nji risi të pëlqyeshme në këtë libër të sajin, sepse ka tentue nji paraqitje, qoftë edhe skematike, të autorëve shqiptarë të diasporës në çift. Libri trajton Nolin dhe Konicën në çift, po ashtu Arshi Pipën dhe Peter Priftin. Autorja ka shpikur një strukturë dialogjike të paraqitjes së këtyne çifteve të ndritshme të mendjes shqiptare, që punonte jashtë atdheut. Ksisoj paraqitja duale e autorëve, sa me kritere kronologjike aq edhe me kritere tematike, ka shmangë renditjen vertikale të meritave dhe ka promovue paraqitjen transversale, e cila asht edhe komparative, edhe historike.
Paraqitja e Nolit dhe e Konicës si një pendë qe që lërojnë arat e letrave shqipe, ka ma shum reliev dhe prodhon ma shum energji sugjestionuese. Veç e veç ata rezultojnë ma pak miq se e kundërta. Struktura duale e ban ma të mundshëm pajtimin moral që shpesh nuk shkon paralelisht me atë intelektual dhe personal. Kurse strukturimi dyshes Pipa-Prifti mbahet vetëm në ganxhën kronologjike. Çdo simetri humbet po të kihet parasysh agresiviteti konstant i Pipë ndaj metamorfozës diktatoriale të punëve në Shqipni. Pipa na duket se, me kritikat e tij, pak gjana i la në kambë atij sistemi. I përqasur me Peter Priftin nga kjo pikëpamje na duket ma tepër çeshtje forme dhe konseguencë strukturore.
Për historinë e diasporave tona që ndezen e fiken, sot mund të ketë fillue nji histori e re, ajo e pasjes së nji qendre që askush nuk e pengon me qenë edhe gjeometrikisht qendra e periferive kulturore që ato përbajnë. Por asht tepër herët me thanë sesi do të zhvillohen punët. Me si kanë ndodhë punët deri tash, pesimizmi ka qenë shoku ma i sigurtë.