Rreth librit të Enver Lepenicës “Parti Komuniste apo Parti terroriste”, Tiranë 2013/
Me konsulencë të Prof. Sherif Delvinës dhe Dr. Kastriot Dervishit, Recenca Dr. Bujar Leskaj/
Kudo që ta gjeni komunizmin, shtypeni-Mustafa Qemal ATATURKU/
Shkruan: Kastriot DERVISHI/
Në këtë libër janë përmbledhur, trakte, komunikata, buletine, thirrje, analiza, dokumenta të nxjera nga Balli Kombëtar, ose që kanë si objekt Ballin Kombëtar gjatë kohës së Luftës së Dytë/
Botërore 1939 – 1944, kundër pushtuesve italianë dhe gjerman./
Libri hapet me tre punime të autoriteteve të shquara të historisë sonë, që përbëjnë edhe idenë kryesore të tij:
Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu “Forcat politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”
Prof. Dr. Beqir Meta, Akademist, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu “Marrëveshja e Mukjes, shkaqet e prishjes së sajë dhe pasojat historike”
Mid`hat Frashëri “Qëllimi kryesor i Ballit Kombëtar ka qenë lufta kundër italianëve dhe gjermanëve”.
Kjo paraqitje është bërë me qëllim që lexuesi, aq më shumë ai që vjen pas nesh të njoh historinë e Organizatës politike të Ballit Kombëtar, si pjesë e historisë sonë.
Libri ndahet në tre pjesë:
Në pjesën e parë është ribotuar libri “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”, botim i Ballit Kombëtar, por që nuk shënohet vendi dhe viti i botimit. Mendojmë se libri është botur nga mesi i vitit 1944 në Tiranë.
Në pjesën e dytë janë botuar trakte, thirrje, komunikata, buletine, analiza, e të tjera, të viteve 1943 – 1944, që nuk janë përfshirë në librin e cituar.
Në pjesën e tretë janë botuar dokumenta për historinë e Ballit Kombëtar, dhe në fund fotokopjo të disa dokumentave.
Traktet, komunikatat dhe thirrjet zakonisht një fletëshe të shaptilografuara, të daktilografuara, apo të shtypura në tipografi, janë llojet më masivë të kohës së luftës.
Në fillim shtypi i Ballit Kombëtar ka përdorur devizën: “Ja vdekje, ja liri” dhe më pas “Shqipëria e shqiptarëve. Vdekje tradhëtarëve”
Në Arkivin Qëndror të Shtetit, në arkivin Qëndror të Ushtrisë dhe në Bibliotekën Kombëtare, ruhen shumë nga këto dokumenta nga i kemi nxjerre dhe botuar në këtë libër.
Ideja kryesore që i përshkon traktet, komunikatat dhe buletinet është thirrja e ndërgjegjes së popullit për t`u bashkuar në luftë kundër pushtuesit nazi-fashist dhe denoncimi i krimit dhe politikës anti-kombëtare të Partisë Komuniste.
Mbi bazën e këtyre dokumentave lexuesi do ta ketë të lehtë të gjykojë për aktivitetin politik dhe ushtarak të Organizatës politike, pluraliste të Ballit Kombëtar të fallsifikuar prej komunistëve.
* * *
Autori i librit na bën të njohur se në vitin 1962, Instituti i Historisë së Partisë, pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë botoi një libër voluminoz prej 628 faqe, me lidhje speciale, në të cilin ka përmbledhur thirrje dhe trakte të Partisë Komuniste të Shqipërisë për periudhën 1941 – 1944.
Autori thotë se në këtë libër, mungojnë faktet dhe provat, por sipas zakonit të komunistëve libri është mbushur me fjalë pa fund, me sharje, ofendime e mashtrime për Ballin Kombëtar dhe himne për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin e Madh! 1)
Ndryshe nga libri i komunistëve, libri i Enver Lepenicës ka emëra vendesh, data, emra njerzish, pra dokumenta të mirëfillta historike, që përbën edhe vlerën e vërtetë të këtij libri.
* * *
Autori duke folur me anë të dokumentave për historinë e Ballit Kombëtar i terheq vëmëndjen lexuesit për sa vijon: Debati mbi historinë e Ballit Kombëtar, zë një hapsirë shumë të madhe në jetën tonë të përditshme. Natyrisht problemi u bë i mundur të shtrohej për diskutim vetëm pas vitit 1990. Para këtij viti komunistët nuk kishin nevojë të diskutonin dhe të kërkonin të vërtetën historike për Ballin Kombëtar, për ata të vërtetën historike e kishte thënë dhe vulosur Partia Komuniste dhe Enver Hoxha.
Ata si fitimtar të luftës e shkruan historinë sipas oreksit të tyre stalinist, por në lëmin e historisë nuk ka fitues dhe të mundur por ka vetëm të vërteta historike dhe falsifikime.
Komunistët veshën veladonin e gjykatësit dhe u bënë gjykatës për historinë e Ballit Kombëtar, por gjykatës i vërtetë është dhe mbetet historia.
Edhe sot, tek shumë autorë vihet re lehtësia e habitshme me të cilën gjykojnë për një organizatë politike shqiptare dhe luftarake.
Kështu pas vitit 1990, historia u gjend menjëherë përpara detyrës së shpegimit shkakësor të historisë së Ballit Kombëtar.
Ende sot nuk kemi një histori të pranuar të kësaj organizate, megjithëse janë shkruar e botuar shumë artikuj e polemika. Edhe katër librat e botuar nga Faik Lama, Aleko Gjergo, Kristo Frashëri dhe Uran Butka nuk mundën të plotësojnë këtë boshllëk, veç ndriçimit të disa momenteve të historisë së kësaj Organizate. 2)
Po ashtu është arritur të bëhet e njohur jeta dhe vepra e disa personaliteteve të shquara të Ballit Kombëtar si Mid`hat Frashëri, Hysni Lepenica, Safet Butka, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Tefik Sfiri, Ismail Golemit, etj., edhe në Fjalorin Enciklopedik të vitit 2007 janë ndriçuar shumë figura nacionalistësh, të njohur.
Citojmë nga parathënia e autot: “Historia e Ballit Kombëtar, është historia e personazheve real, dramash a më saktë tragjedish të luajtura në teatrin dramatik shqiptar. Në vend të komenteve dhe arsyetimeve për Ballin Kombëtar, unë kam zgjedhur të publikoj trakte dhe dokumente, që pasqyrojnë veprën e tyre, në këtë mënyrë shqiptarët do të mundin të rindërtojnë mendimin dhe gjykimin e tyre për këtë pjesë të historisë sonë. Me anën e këtyre dokumentave të botuara unë synoj të hedh dritë mbi të vërtetën historike të Ballit Kombëtar dhe të personazheve që e përbënin këtë organizatë atdhetare, dhe nëpërmjet tyre pabesinë, krimet, dhunën dhe terrorin që ushtroi Partia Komuniste mbi këtë organizatë dhe mbi këta njerës, në kohë lufte 1943-1944 dhe aq më keq, në kohë paqie 1945 – 1990”.
* * *
Në parathënin e këtij libri autori Enver Lepenica i tërheq vëmëndjen lexuesit dhe i kujton historinë e kësaj Organizate. Balli Kombëtar, që nga viti 1939 që u krijua, ka pas gjallëri dhe jetë të gjatë, pra ka qëndruar me aktivitet, me luftë, pse udhëhiqesh nga ideali lartë kombëtar.
I lindur në luftë, i rritur në luftë, i brumosur me djersën dhe gjakun e dëshmorëve në kohën e robëris fashiste e naziste, që në fillim Balli Kombëtar, si lëvizje shoqërore ka pas përcaktuar një
objektiv të qartë: përmirësimin e jetës së shqiptarëve.
Deri në ditët e sotme Balli Kombëtar brenda dhe jashtë Shqipërisë ka qënë prezent në zhvillimet e vendit. Asnjëherë Balli Kombëtar nuk vuri në kandarin e interesave të tij fuqinë e armikut apo të kundështarit, por qëndroi deri në fund me armët e trashëguara nga të parët tanë: dashurinë për këtë tokë.
Balli Kombëtar ka ecur gjithnjë drejt dhe koha i ka dhënë të drejtë, pa marrë parasysh pengimet e armiqëve si dhe të kundërshtarëve, pa u emocionuar nga keqkuptimet e miqëve, dhe pa u dobësuar nga anëtar që largohen e bëhen kundërshtarë, nga dallgët e jetës.
Për këto arsye Balli Kombëtar, pa marrë parasysh fuqinë e armikut, luftoi në Gjorm, në Reç, në Berat, në Ruzhdie, në Korçë, etj.
Balli Kombëtar sipas pohimeve të udhëheqësve të tij arriti të formojë një ushtri prej 15.000 vullnetarësh.
Edhe kur në fund të vitit 1941, u shfaq zyrtarisht në ilegalitet Partia Komuniste Shqiptare, ishte Balli Kombëtar që e kuptoi rrezikun që i vinte Shqipërisë nga komunizmi dhe e luftoi atë.
Edhe agjentëve të sebëve në Shqipëri, mësuesve të komunistëve shqiptar, ishte Balli Kombëtar që u bëri qëndresë.
Gjatë viteve 1942 – 1943, Balli Kombëtar u shtri në të gjith Shqipërinë. Partia Komuniste Shqiptare pati aq frikë nga pushkët e Ballit, sa patën frikë idetë e tij.
Kështu Balli Kombëtar, mbeti ushtria në luftë, dhe idetë në kohë paqe, që mbi çdo gjë vunë interesin e atdheut.
Për këto arsye shtypi i Ballit Kombëtar ka lulëzuar dhe është shpërndarë në ilegalitet gjatë kohës së pushtimit dhe pas vitit 1944, në Europë dhe në Amerikë.
Rruga e Ballit Kombëtar që nga viti 1939, ka qënë rruga më e vështirë e kombit, këtë rrugë e ndjekin vetëm ata që e duan Shqipërinë dhe që besojnë se Shqipëria do të bëhet.
* * *
Ballistët që u arratisën dhe vdiqën në dhe të huaj, patën një varr, ndërsa ata që u pushkatuan, apo vdiqën burgjeve dhe internimeve këtu në Shqipëri u humbën varret përgjithmonë, një fenomen i pa parë dhe i pa dëgjuar më parë në Shqipëri dhe në botë.
Kjo dhunë ky terror çnjerzor, ra edhe mbi familjet, fëmijët dhe gratë e tyre, si dhe të afërmëve të tyre, në kohë paqie, për një kohë të gjatë 1945 – 1990.
Ndriçimi i historisë sot pothuaj se ka mbetur në dorë dhe gjykim të individëve, por një detyrë e vështirë kërkon aktivizimin e institucioneve shtetërore. Patër Gjon Shllaku na ka lënë një thënie
profetike: “Në shtete të tjera njerëzit e idealit edhe në u mbytshin për së gjalli nderohen për së dekuni; ndërsa te ne mbyten dy herë e harrohen”. 3)
Heronjtë e Ballit Kombëtar, ranë në luftë me nazifashistët, u vranë me atentat gjatë luftës, u pushkatuan apo vdiqën burgjeve të zeza komuniste jo se qenë bashkëpuntorë të fashizmit, gjë që nuk u provua asnjëherë me dokumente, por sepse ata qenë kundër politikës së Partisë Komunistë sikundër është shprehur Hysni Lepenica në Jug të Shqipërisë:
“Zoti Dushan Mugosha!… Po ta lëmë ne, me anën e një dokumenti Kosovën në duar të Nacionalçlirimtares Jugosllave, zotria jote mund ta përdori fare mirë nesër atë dokument në parlamentin jugosllav dhe ngjetkë. Ne për marrëveshje iu drejtohemi komunistëve shqiptar, e
jo të huajve të pa dëshëruar dhe të dyshimtë”. 4)
Dhe në Veri, Llesh Marashi, kur i bënë ftesë për t`u bashkuar me krahun komunist të Lëvizjes deklaronte: “ Nuk e shifni ju se komunistat udhëhiqen prej serbëve? Mblidheni mëndjen e kthejuni në rrugë të kombtarisë se internacionalistat juve kanë me ua pre krenat”. 5)
Dy njerëz, një në Jug dhe një në Veri, pavarësisht nga njeri tjetri shprehin të njëjtin mendim, sipas traditës historike e kombi tonë, është thjesht filozofia e popullit tonë.
Shumë personalitete të tjerë me mënçuri dhe atdhetarizëm e parapanë udhën në të cilën po e shpinte Partia Komuniste Shëipërinë dhe kundërshtuan:
Kur e pyetën mësuesin Tahir Hoxha, udhëheqës i Ballit Kombëtar të Vlorës, se përse nuk ndoqi shembullin e bijëve dhe të nipave partizanë? Ai u përgjegj: “Sepse, nuk kam besuar kurrë se ajo varkë, juaja, do të na nxirrte në limanin e shpëtimit”. 6) E dënuan 30 vjet burg.
Kur i thanë mësuesit Bego Gjonzeneli, udhëheqës i Ballit Kombëtar në Vlorë, që t`i kërkonte mëshirë popullit. Ai u përgjegj: “Popullit s`kam ç`farë mëshire t`i kërkoj, veç të mirës s`i kam
bërë ndonjë të keqe. Mëshirën tuaj as e kërkoj as e dua”. 7) E pushkatuan.
Përgjigja aq e thjeshtë sa dhe e bukur që Hysni Lepenica u dha disa komunistëve, kur thoshin se të kërkosh Kosovën është tradhëti, pasi atë e kërkojnë fashistët.
“Po mirë, tha Hysniu, fashistët hanë bukë, pinë dhe ujë, atëhere të mos hamë bukë e të mos pimë ujë edhe ne, pse hanë dhe pinë ata?” 8) Ra heroikisht në luftë kundër fashistëve italianë.
Kolë Tromara, pyetjes së kriminelit komunist Koçi Xoxe: Si të duket vendi ku je ulur ?”, iu përgjegj:
– Shikojeni mirë se edhe ju shumë shpejt do të uleni këtu!
– Tromara kërko mëshirë!
– Kurrë! Mua nuk më duhet Shqipëria atje ku do ta çoni ju. Më mirë të vdes pa e parë, se si do të vdesë atdheu im”. 9) E pushkatuan.
* * *
Autori e përfundon me këto fjalë parathënin e librit: “Në varrezat e dëshmorëve janë vetën ata që u vranë si partizanë apo komunistë me yllin e kuq mbi varr, ndërsa ata nacionalistët, demokratët, antifashistët e antikomunistët që vështronin nga
perëndimi u kanë humbur edhe varret. Për ta ende nuk ka vend aty, u përjashtuan për së gjalli, përjashtohen edhe për së vdekuri.
Shihni Spanjën, në një kodër janë të gjithë, ata kundështarë dhe luftëtarë ndaj njeri tjetrit, dëshmorë të të dy krahëve, republikanë dhe mbretërore, që u vranë me njeri tjetrin, gjatë luftës së gjatë civile 1936-1939.
Tek ne ende s`ka pajtim!
Prandaj ky libër është i vlefshëm dhe gjykimin mbi të, ja lë brezit të ri dhe sidomos intelektualëve të rinj.
Lexuesit i mbetet të gjykojë çka i ofron ky libër”.
RËNDËSIA E LIBRIT
Për herë të parë na është paraqitur një libër me dokumenta të Ballit Kombëtar.
Pas botimit të komunistëve “Thirrje dhe trakte të PKSH”, në vitin 1962, libri “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”, vjen si një libër i munguar për të plotësuar boshllëkun dhe falsifikimet që kishin bërë historianët komunistë.
Libëri do të iu vi në ndihmë, studiusve, por edhe lexuesve për historinë e Luftës së Dytë Botërore 1939 – 1944.
Vlera dhe veçoria e këtij libri është se autori nuk jep mendime dhe gjykime por i bindur në aktivitetin e atdhetar të Ballit Kombëtar ai, siç shprehet në parathënie ia le gjykimin brezit të ri e sidomos intelektualeve të rinj.
Autori nuk ka marrë përsipër të bëjë apologjinë e Ballit Kombëtar, por të publikojë dokumenta për këtë organizatë deri tani të pa njohura, apo të falsifikuara nga historianët komunistë.
Dokumentat janë renditur sipas radhë kronologjike, duke shtuar edhe dokumenta të Partisë Komuniste që i drejtohen Ballit Kombëtar, në këtë mënyrë lexuesi por edhe studiuesi serioz mëson historinë e Ballit Kombëtar, si pjesë e pa shmangshme e historisë së shqiptarëve.
Historinë me dokumenta autori e ka plotësuar duke mos lënë jasht vëmëndjes së lexuesit dhunën, terrorin, burgun, plumbin dhe litarin që ushtruan komunistët ndaj organizatës së Ballit Kombëtar, fëmijëve të tyre, familjeve dhe fisit të tyre, në kohë lufte dhe veçanërisht në kohë paqie. Veçanërisht të tërheq vëmëndjen sekuestrimi i pasurisë së ballistëve.
Botimi i gati 600 faqe me dokumenta historike të nxjerra nga arkivat e Shtetit Shqiptar, flet fare qartë për punën e madhe, plot pasion dhe dashuri për vendin e tij të autorit z. Enver Lepenica.
Si pjesë e historisë së pa njohur apo të falsifikuar të Organizatës Nacionaliste e Pluraliste të Ballit Kombëtar, ky libër do të jetë i vlefshëm për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jasht kufijëve.
———————— 0 O 0 ———————-
Artikull, shoqëruar me dokumenta nga libri, është botuar në gazetën “ 55 “, Tiranë,
dt. 18, 19, 20, 21 dhjetor 2013, f. 16 – 17. Me njoftim e publikim që në faqen e parë të gazetës.
1) Shih: Instituti i histoisë së Partisë, pranë K.Q. të P.P.Sh. “Thirrje dhe trakte të Partisë Komuniste të Shqipërisë 1941 – 1944” Tiranë 1962
2) Shih: Faik Lama “Demaskimi dhe shpartallimi i organizatave tradhëtare gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, Tiranë 1985, f. 276;
Aleko Gjergo “Historia e Ballit Kombëtar … “, “Lumo Skëndo”, Tiranë 2011, f. 142;
Kristo Frashëri “Mbi historinë e Ballit Kombëtar”, Vështrim kritik, Dudaj, Tiranë, 2012, f. 155;
Uran Butka “ Drithije të historisë”, Polemikë me Kristo Frashërin, Maluka, Tiranë 2012, f. 119
3) Mërgim Korça “Histori të pa shkruara”, Tiranë 2005, f. 174
4) Gazeta “Flamuri”, Tiranë, nr. 2, dt. 21. 5. 1944, f. 2
Enver Memishaj – Lepenica “ Hysni Lepenica … “, “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2000, f. 294
5) Mërgim Korça “Histori të pashkruara”, Tiranë 2005, f. 121
6) Arkivi M. P. Brendshme, Dosja nr. 2454
7) Arkivi M.P.Brendshme, Dosja nr. 2014
8) Gazeta “Flamuri”, Romë, janar 1950, f. 3
Enver Memishaj – Lepenica “ Hysni Lepenica …”, “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2000, f. 294
9) Gazeta “Balli i Kombit”, Tiranë dt. 16.10.1999