• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM PER LIDHJEN E PRIZRENIT!

June 10, 2021 by dgreca

– Kryekuvendari Konjufca: Lidhja e Prizrenit paraqet kulmin politik të Rilindjes Kombëtare/

– Kryeministri Kurti në Prizren nderoi Lidhjen Shqiptare, rrugës për në Shqipëri/ 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, bëri homazhe te shtatorja e prijësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për nder të përvjetorit të 143-të kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë kombëtare.

Kryekuvendari Konjufca në fjalimin e tij për nder të kësaj dite, tha se 10 qershori është datë shumë e rëndësishme për gjithë kombin shqiptar.

Ai tha se Lidhja e Prizrenit paraqet kulmin politik të Rilindjes Kombëtare që kontribuoi në mbrojtjen e tokave shqiptare.

Kreu i Kuvendit tha se nuk është e rastësishme që ata qindra përfaqësues të trojeve shqiptare u mblodhën në Prizrenin historik, ngase, siç tha ai, ishte vendi më i sigurt dhe i cili, në kuptimin e gjeografisë shqiptare të shekullit XIX, përbënte epiqendrën gjeografike të kombit shqiptar.

 “Pas luftërave të lavdishme të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, kjo është ngjarja më e rëndësishme e cila vjen në shekullin XIX. Kurse në shekullin XX, ngjarjet më të rëndësishme për kombin tonë janë në fillim të atij shekulli, që është shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë, dhe ky shekull përmbyllet me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e Kosovës prej Serbisë. Siç dihet, ngjarja më e rëndësishme e shekullit XXI është shpallja e Republikës së Kosovës”, tha kryekuvendari Konjufca.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Manifestimi vazhdoi me vizitën e kryetarit Konjufca në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e përmbyllur atë me pjesëmarrjen e tij në ekspozitën e Prof. Dr. Ukë Xhema, me prezantimin e fotografive të përzgjedhura për këtë ditë.

   *** 

Kryeministri Kurti në Prizren nderon Lidhjen Shqiptare, rrugës për në Shqipëri

PRIZREN, 10 Qershor 2021- Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në mëngjes, në Prizren ka nderuar Lidhjen Shqiptare dhe veprimtarët e saj rrugës për në Shqipëri, ku  merr pjesë në Samitin e  Ballkanit Perëndimor, që  mbahet në Tiranë ketë të enjte të 10 Qershorit 2021.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Kurti ka shkruar:Jemi nisur herët në mëngjes për në Tiranë, ku do të takohemi me udhëheqësit e shteteve të rajonit. Por sot është data e kryengjarjes së kombit tonë, përvjetori i Lidhjes që u mblodh në 10 qershor 1878 në Prizren.

Ishte e domosdoshme të ndaleshim në Prizren për ta nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj, gegë e toskë e të të gjitha bindjeve politike e feve, që vendosën të bëhen bashkë për mbrojtjen e njerëzve e trojeve të Atdheut.

Pas homazheve, vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë.

(me shume fotografi i gjeni ne FB)

​ 

Filed Under: Featured Tagged With: Kryekuvendari Konjufca, Kryeministri Albin KURTI, Lidhja e Prizrenit

PRIZRENI FESTON 143 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE DHE DITËN E LIRISË

June 10, 2021 by dgreca

-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore. Në 10 Qershor të vitit 1878 në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/ 
– “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë”, shprehej Rugova para 18 viteve/
 
-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë janë shënuar tradicionalisht në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit. Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren. 
 
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
 
PRIZREN, 9 Qershor 2021/ Kremtimi i 143 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është  në axhendën e aktiviteteve të 10 Qershorit 2021 të Komunës së Prizrent, qytetit më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, ku do të ketë edhe vendosje të luleve në monumentin e Lidhjes së Prizrenit dhe koncerte festive e manifestime tjera treditore edhe për 22 vjetorin e lirisë.
 
Shtatoret e tre liderëve historikë Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë përuruar në 25 Nëntor 2018, në vitin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një veprimtari ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë institucionalë e politikë të Shqipërisë e të Kosovës.
Në 22 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.
Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa isha në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja, bashkë me fotoreporterin Ilaz Bylykbashi e shoferin Faik Binça,  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmin e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.
 
Edhe në atë ballafaqim me forcat okupator serbe arritëm të shpëtojmë fotot që kishim fshehur dhe u botuan me raportin duke nisur nga faqja e parë me legjendën “Vizitorë të shumtë dhe orë historike, dje në Komplksin Memorial të Lidhjes së Prizrenit”. Raporti që e shkruaja i botuar në numrin e 11 Qershorit 1997 në gazetën e rezistencës “Bujku”  në ballinë kishte mbititullin “Në Kosovë u shënua 119-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, titullin “Program kombëtar edhe për sot e të ardhmen” dhe nëntitujt “Në Prizren dje u mbajt akademia solemne në temën: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, roli i saj dhe porosia politiko-kombëtare.-Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vizituan mijëra shqiptarë nga gjithë Kosova e trojet e tjera etnike”.
Një nga mestitujt ishte “Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit aktuale deri në bashkimin kombëtar”. Në raportin që vijonte edhe në faqen e dytë të gazetës theksohej edhe: “Derisa ktheheshin nga Prizreni, në të dalë të qytetit, policia ndaloi rreth gjysëm ore, bastisi e i pyeti për qëllimin shkuarjes në Prizren edhe ekipin e reporterëve të “Rilindjes” – “Bujkut”, që po ktheheshin në Prishtinë, (Behlul Jasharin, Iljaz Bylykbashin dhe Faik Binçen)”.
 
***
LAJMI I ASAJ KOHE PER NDALIMIN NË 10 QERSHOR 1997 – nga Buletini i Ministrisë së Informateve të Republikës së Kosovës Nr. 304, 16 Qershor 1997:
 
https://groups.google.com/forum/#!topic/bit.listserv.albanian/QgXzizjYqD0
Police harasses ‘Bujku’ reporters
Prizren, 11 June – Yesterday Serbian police stopped a team of ‘Bujku’
journalists on their return from Prizren. Behluh Jashari, Ilaz
Bylykbashi and Faik Binca, were interrogated regarding their visit to
Prizren. Film had been taken of the camera and destroyed.
***
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.
 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 18 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.
“Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet”, shprehej Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova. 
 
Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit Rugova, i cili ditën e parë njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.
“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 
Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.
  “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 23 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e gazetës së vetme shqipe në Kosovë Rilindja nga regjimi okupues serb. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja, vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…
Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.
Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.
Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 13 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës.

Filed Under: Featured Tagged With: 143 Vjet, Behlul Jashari, Lidhja e Prizrenit

LIDHJA E PRIZRENIT-FRYMËZIM PËR BREZAT

June 11, 2020 by dgreca

Trojet shqiptare “nuk janë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh/

                                                        Nga Frank Shkreli/

Sipas një numri burimesh historike, Kuvendi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit u hap më 10 qershor 1878, por jo të gjithë pjesëmarrësit e krahinave shqiptare që duhej të ishin aty mundën të arrinin në kohë.  Sipas historianëve, nga ata që mungonin ditën e parë ishin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim.  Si rrjedhim nuk dihet numri i saktë i delegatëve që morën pjesë ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit.

Thuhet se në hapjen e Kuvendit morën pjesë rreth 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, sipas burimeve.  Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.  Shënohen emra të njohur personalitesh të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Perandorisë Osmane ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të vendeve fqinje ballkanike.  Objektivi kryesor i pjesëmarësve në Kuvendin e Lidhjes mbarë Shqiptare të Prizrenit ishte përpilimi i një platforme politike me kërkesat e shqiptarëve, që do duhej t’i paraqitej Fuqive të Mëdha para se fillonte punimet Kongresi i Berlinit disa ditë më vonë. 

Në këtë përvjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar, si dhe pjesëmarrsit në atë Kuvend mbarë-kombëtar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Këngën e IX të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”.  Në këtë poemë, Fishta fton Zanën e maleve që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë, “Fill me dalun në Prizren, për me ngreh aty kuvend, e si motit për Atdhe, me lidhë besë me lidhun fe”.  Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh të shqiptarëve:

                            M’ato maje të Prizrenit

                            Ku kanë ndejun rend pas rendit

                            Me Ali Pashën në krye të vendit…

                            …Ai nuk asht, more lum vasha

                           Tjetërkush veç se Ali Pasha

                           Që për të drejta të Shqyptarisë

                           Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

                           E s’i dhimben nanë as djal:

                           Për to jetën vet e falë.

Në poemën e tij, “Lidhja e Prizrendit” Fishta përmend disa prej krerëve shqiptarë më në zë të asaj kohe, pjesëmarrës në kuvend dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe dhe hapësire shqiptare:

                                      “Jo që ka aty burra të tjerë,

                                       Bajraktarë, Krenë e Beglerë

                                       Që për fjalë e për urti

                                       Për trimni, për bujari

                                       Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

                                       As në Shqipni as ndër të huej…”

Ndër  pjesëmarrësit e njohur në Kuvendin e Lidhjs së Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Fishta i dedikon disa rreshta Vat Marashit, bajraktarit të fisit të Shkrelit:

                                        “E njaj tjetri ma përtej

                                        Me ata dy mustakë të mëdhej

                                        Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

                                        Ai nuk ashtë, jo Diomedi,

                                        Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

                                        Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

                                        Që s’e tremb as topi as shpata,

                                        E i thonë emnit Marash Vata…”

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet , ndërsa gëzohet dhe thërret Zanën e Sharit –

                                  “Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,

                                   Thirrë i paska Zanës së Sharit”, dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridëve të rinj, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën ose, ndoshta, mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz Ora e Maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin:

                                     “As Akejë, as s’janë dardanë,

                                      as vigaj, as katallaj”,

Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptare, ndër ta: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërit, At Gjergj Fishta i jep atij një vend të veçantë duke portretizuar atë kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

                            “A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
                           Me kollçikë e me fistan,
                           Që m’ a ka synin si zhgjeta,
                           Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
                           E që folka ashtû pa u zé,
                           Herë tue mâtë, mandej tue pré:
                          Që prandej njat fjalë që e flet,
                          Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
                          Pse edhè e tij bujare
                          Permendë âsht n’ tokë Shqyptare
                          Për kah pupla e për kah dija,
                          Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
                         Ai âsht trimi Frashër Begu,
                         Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
                        I la naâm aj Toskënís,
                        Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.”

Fishta përcjell në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se, ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot të trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi. Ndërsa Bajraktari i Shalës, Mar’ Lula, në interpretimin e At Gjergj Fishtës, i thotë Kuvendit se për të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku, janë armiq të njëjtë. Në fund, sipas vjershtarit të “Lahutës së Malcis”, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe mbretit në Stamboll – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke thekësuar se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të ‘hinglizvet, as e francezëvet’, as të gjermanëvet e as e sllavëve, grekëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’ia falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi, t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh:

                                “Por ashtë toka e t’Parvet tanë,

                                  Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

                                 Prandej s’ka as Krajl as Mbret

                                 Që ket tokë e falë a e shet…”

A ka sot burra Shqiptaria, që të frymëzohen nga burrat e Kuvendit Mbarëshqiptar të Prizrenit që — mbi të gjitha — të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike, për interesa afat shkurtra personale e partiake? Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këtë përvjetor të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit,

nga do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Si e kanë ndër mend të dalin nga ky qorrsokak në të cilin e katandisur Kombin?  Nga do ta drejtojnë këta sot timonin e fatit të Kombit?  Drejt një rruge pa krye që çon në greminë, në të cilën duket se, me konfliktet aktuale politiko-ekonomike, ata janë nisur sot — apo do të frymëzohen nga bashkimi i burrave të Lidhjes së Prizrenit—duke hequr dorë nga dallimet e thekësuara politike dhe ekonomike drejt horizonteve të reja për shqiptarët, duke rënë dakort për një platformë të re moderne mbarëkombëtare, në përputhje me nevojat dhe interesat madhore të Kombit në shekullin 21.  Një prej kërkesave të Lidhjes së Prizrenit ishte edhe shpallja e një Bese të përgjithëshme në bazë të cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha konfliktet që çonin në hakmarrje midis banorëve të krahinave të përfaqësuara në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.  A jeni ju gati të deklaroni një paqe politike midis jush, e të lidheni besa-besë, si burrat e Kuvendit dikur, që nam e nder t’i leni vetes dhe Shqipërisë?!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT, KRENARI E KOMBIT

June 10, 2020 by dgreca

-Në 10 Qershor 2020 në Prizren hapet ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” – shënohet 142 vjetori/

-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Fjala e plotë e Presidentit historik në 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/

-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore. Në 10 Qershor të vitit 1878 në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/

-Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës. Për herë të parë ka dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 37 personalitete shqiptare/

-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare në Prizren janë shënuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar/

-Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren/

-“Kufiri i ëndrrës” – reportazhi futuristik i para më shumë se 22 viteve/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRIZREN, 10 Qershor 2020/ Në Prizren, qytetin më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, sot po shënohet 142 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, e cila do të hapet në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në ora 18:00 është veprimtaria e paralajmëruar në një ftesë dërguar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Komuna e Prizrenit për sot në orën 10 ka paralajmëruar homazhe te shtatoret e  Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Shtatoret e tre liderëve historikë janë përuruar në 25 Nëntor 2018, në vitin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një veprimtari ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë institucionalë e politikë të Shqipërisë e të Kosovës.

Në njoftimin e komunës së Prizrenit theksohet se sivjet do të ketë aktivitete të limituara në kuadër të festave të qershorit, përkatësisht përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 Qershor dhe Ditës së Çlirimit në 12 Qershor. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia dhe me sugjerimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës është vendosur që aktivitetet festive të parapara për këto data të mos organizohen, bën të ditur komuna e Prizrenit.

Në 21 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa isha në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja, bashkë me fotoreporterin Ilaz Bylykbashi e shoferin Faik Binça,  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

***

LAJMI I ASAJ KOHE PER NDALIMIN NË 10 QERSHOR 1997:

https://groups.google.com/forum/#!topic/bit.listserv.albanian/QgXzizjYqD0

Police harasses ‘Bujku’ reporters

Prizren, 11 June – Yesterday Serbian police stopped a team of ‘Bujku’
journalists on their return from Prizren. Behluh Jashari, Ilaz
Bylykbashi and Faik Binca, were interrogated regarding their visit to
Prizren. Film had been taken of the camera and destroyed.

***

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 17 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit Rugova, i cili atëherë ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

 “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 22 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e gazetës së vetme shqipe në Kosovë Rilindja nga regjimi okupues serb. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja, vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 12 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË VITIN 2003: JEMI KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT QË REFLEKTON EDHE NË KOHËN TONË PËR TË MIRË

Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë, shprehej para 17 viteve, në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.

  
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.


Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.

Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.
 

Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet.

Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.


Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.

Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh: “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”.

Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.


Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.

Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por, edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.


Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.

Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.


Në vitet ‘90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.


Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.


Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua.


Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.

Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.


Në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.


Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.


Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.

 Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.

  
  
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 17 viteve, janë këto personalitete:


Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.


SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.


Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.


Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.


Preshevë:

Riza Halimi.


Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi


Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.


Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.


Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

PRESIDENTI RUGOVA, PRITJE TË VEÇANTË PASARDHËSVE TË PJESËMARRËSVE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në 9 Qershor 2003, priti në një takim të veçantë pasardhësit e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova dhe Shqipëria.

Me këtë rast Presidenti Rugova vlerësoi lart kontributin paraardhësve të tyre, pjesëmarrës të ngjarjes së madhe historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila po kremtohet në Kosovën e lirë me pietet të madh.

Presidenti tha se do t’i dekorojë të gjithë pjesëmarërsit e Lidhjes së Prizrenit, për të çuar përpara idenë e tyre, për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Trashëgimtarët e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit e falënderuan Presidentin Rugova për pritjen dhe për organizimin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit që është bërë nën patronatin e tij.

Falënderime shprehën Avdyl Hoxha, trashëgimtar i Ymer Hoxhës nga Juniku dhe gjithë të tjerët.

Në këtë takim ishin edhe trashëgimtari i Binak Alisë, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së Prizrenit, pastaj Skënder Korenica, trashëgimtar i Ahmet Korenicës, Rrustem Mulosmani (76 vjeç) nga Malësia e Gjakovës (Shqipëri), trashëgimtar i Mic Sokolit, i cili tha se ndien veten shumë krenar që pati mundësinë të vijë në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për herë të parë vinte në Kosovë.

KUFIRI I ËNDRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul JASHARI

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…

(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6)

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, krenaria Kombetare, Lidhja e Prizrenit

ERDHI E SHKOI EDHE 140-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

June 12, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Në pritje të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 Qershor 2018), muajin që kaloi botova një shkrim modest me titull, “Na ishte një herë Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ku e kisha filluar artikullin duke theksuar se, viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes.  Por, që ky vit shënonte gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke shpresuar se një përvjetor i tillë i rëndësishëm duhej të festohej me një pjesëmarrje mbarëkombëtare dhe me dinjitetin kombëtar që meriton.

Ka kaluar pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak, ose pothuaj aspak aktivitete me rëdnësi të jenë shënuar deri tani në kujtim të këtij përvjetori, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim — isha shprehur tre javë më parë — por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.  Duke shpresuar kundër shpresës, kam shkruar se patjetër diçka to të bëhej në mënyrë më të organizuar mbarëkombëtare për të kujtuar me dinjitet dhe ashtu si i ka hije 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor, 2018.

Në të vërtetë, më 10 qershor aty në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit u mbajtë një ceremoni me rastin e 140-vjetorit të saj, ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i dhënë këtij momenti historik një karakter kombëtar dhe e ngritën në një nivel të merituar me pjesëmarrjen e këtyre dy udhëheqsve të lartë shqiptarë.  Duket se Zotërinjtë Meta dhe Haradinaj bënë aq sa mundën me këtë rast.  Por, në Prizren, ku ishin paraparë të mbaheshin aktivitetet kryesore me këtë rast, mungonin shumë përfaqsues të politikës shqiptare, përfshirë Presidentin e Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, të cilët e shënuan këtë përvjetor vetëm me nga një përshëndetje të shkurtër në rrjetët sociale.  Fatkeqsisht, organizimi jo i mirë i aktiviteteve të këtij përvjetori në Prizren– për të cilin u ankua vet Kryeministri i Kosovës Haradinaj — lente shumë për t’u dëshiruar.  Aq sa vëmendjen kryesore nga ky aktivitet në Prizren e tërhoqi më shumë se prania dhe fjalimet e dy udhëheqsve të lartë shqiptarë të pranishëm në atë ceremoni, Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj — ndërhyrja jashtë programit zyrtar, e një zonje e cila me këmbëngujen e saj, tërhoqi interesimin e medies dhe të publikut, ndërkohë që u përpoq të thonte fjalën e vet me këtë rast, gjë që nevojiti intervenimin e vet Kryeministrit Haradinaj, që ta largonte nga podiumi.

Kisha shkruar muajin e kaluar, se duan e s’duan sot sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, jo si një relikë nga historia por në mënyrën më dinjitoze, sidomos në këtë kohë të turbulltë tranzicioni nepër të cilën po kalojnë shqiptarët, për t’i treguar botës, se nëqoftse nuk na bashkon asgjë tjetër, atëherë Lidhja e Prizrenit, në këtë 140-vjetor, duhej të shërbente dhe të kujtohej nga të gjithë së bashku, si një pikë referimi për të sotmen dhe për të ardhmen e shqiptarëve.  Kjo fatkeqsisht nuk ndodhi ashtu siç meritonte 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme, ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave dhe influencave të të huajve mbi fatin e Kombit, autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit dhe të fuqive të mëdha të kohës, megjithë vështirsitë e shumëta politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore të shqiptarëve dhe të interesave të kombit në përgjithësi.  Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty kishin marrë pjesë së bashku, përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit, siç theksoi edhe Presidenti Ilir Meta në fjalën e tij me këtë rast. “Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot –Skënderbeu, shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës”, ka theksuar Presidenti shqiptar, Z. Ilir Meta në fjalimin e tij në Prizren, me rastin e  140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare.  Ndërsa Kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj u shpreh se, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte frymëzim për të gjitha përpjekjet tona për liri e pavarësi! Me Presidentin shqiptar, Ilir Meta, dhe me bacën Rifat, sot bashkë në përkujtim të 140-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike”.

Edhe mesazhi i atij shkrimi, muajin që kaloi, ishte që të kujtohej kjo ngjarje e madhe historike për Kombin Shqiptar, 140-vjetë më vonë, si një frymëzim edhe për brezat e sotëm dhe të ardhmen të shqiptarëve — me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit, në vend të shfaqjeve të egoizmave politike dhe interesave ekonomike, të klasës aktuale politike të shqiptarëve.  Por, pritshmëritë që kisha një muaj më parë, për një kujtim më dinjitoz mbarëkombëtar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit javën që kaloi, fatkeqsisht më duken sot më tepër si një retorikë e shterpët nga ana ime, se sa një realitet për të cilin mund të ëndërrojmë.

Ia kisha mbushur mendjen vetes se 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos në 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, do t’i mblidhte të gjithë burrat e burrëreshat shqiptare nga të gjitha trojet – pa dallim, si dikur motit — për të festuar solemnisht dhe për të kujtuar me entuziazëm, të gjithë së bashku, njërën prej ngjarjeve më me rëndësi të historisë së Kombit.  Me shkrimin e muajit të kaluar, me jehonën që Poeti i Kombit, At Gjergj Fishta i kishte bërë Lidhjes së Prizrenit, kushtuar “Krenëve të Shqyptarisë”, pritsha siç duket më kot, që në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfaqsuesit aktual politikë të Kombit shqiptar, të gjithë së bashku, të pakën për një ditë, do linin mënjanë grindjet dhe konfliktet politike – të frymëzuar nga ky përvjetor – do të shpalosnin një ndërgjegje më të pastër kombëtare, pa të cilën tashti është e qartë për të gjithë, se nuk mëkëmbet as Shqipëria as Kosova – veças as të bashkuara.  Pritsha me shpresë se ky vit, kushtuar 550-vjetorit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që erdhi dhe shkoi — në vend të pakënaqësive dhe ndasive politike aktuale — do të na frymëzonte, do të na i ngrohte dhe jo të na i ftohte zemrat dhe shpresat tona për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar për të gjithë shqiptarët në trojet e veta.

Filed Under: Politike Tagged With: Erdhi dhe iku, Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT