Nga Mimoza Dajçi/
Edhe pse pak ditë na ndajnë nga proçesi zgjedhor në Shqipëri mendja të shkon se kush do të na përfaqësojë si deputetet në parlamentit e ardhshëm. Shumë është folur nëpër media të ndryshme për x apo y, që ka patur këtë apo atë pseudonim në të shkuarën e hidhur, por kurrë nuk kemi parë apo dëgjuar që ai/ajo të deklarojnë vetëveten si të tillë, dmth që të ketë pas bashkëpunuar me sigurimin e shtetit në kohën e komunizmit apo jo?
Por edhe pse jemi njohur tashmë me listat e tyre, përsëri pyesim, a e ndjejnë vërtetë veten të denjë këta njerëz për të përfaqësuar vendin tonë politikisht në arenën kombëtare e ndërkombëtare nëse nuk kanë kaluar nëpër filtrimin e figurës së tyre.
Enigma e madhe mbetet edhe sot për këta individë pjesa parazitare e shoqërisë, që janë ose duan të jenë përsëri në parlament e në qeverisjen e re për të na drejtuar ne, vendin e popullin mbarë. Por a e kanë parë mirë veten në pasqyrë se ku po shkojnë. Ku ka zë nuk është pa gjë thotë populli, ndërkohë që dihet se vetëm një rrugë jashtë shtetit po të bënte dikush në periudhën e komunizmit duhet të firmoste në organet e sigurimit shqiptar të asaj kohe. Po sa të tillë kemi ne edhe sot e do të kemi në parlamentit e ardhshëm që kanë pas dalë jashtë vendit, për studime, specializime apo veprimtari të llojeve të ndryshme?
Të gjithë këta individë e dinë dhe e njohin shumë mirë vetëveten, edhe lagja e shoqëria i njeh mirë, por nuk u pëlqen t’ja u kujtojnë të tjerët, e ti lëshojnë rradhë të tjerëve. Ligji i lustracionit as që po përmendet fare. Se kush hypën e se kush zbret në pushtet është bërë si në pazarin e vjetër. Hiq këtë e vendos atë, dhe ata – ish të dalurit jashtë shtetit në kohën e komunizmit kërkojnë përsëri të jenë në pushtet. Hëngrën dje, hëngrën sot e duan përsëri të hanë në kurriz të të tjerëve.
Kaq të bapzitur paskan qenë e kaq i ëmbël i vjen ai kolltuk i parlamentit, saqë kuqaloshët e djeshëm duan të kakarisin përjetësisht nga çatia e parlamentit shqiptar, ku më shumë zihen e shahen me njëri tjetrin se sa bëjnë politikë. Gaz i të huajve janë bërë. Me një fjalë parazitarët në një farë mënyre vrasin kohën në atë parlament, e miratojnë ligjet sipas periudhës që ata po “shkëlqejnë” përsëri e sipas interesave të tyre.
Çfarë u bë me ligjin e lustracionit që askush nuk po ndihet, apo vetëm pas vitit 2025 do të hapen dosjet e diktaturës komuniste, kohë kur asnjë nuk do të ketë më interes për ato. Krimi akoma fle me viktimën, për më shumë i bën edhe karshillëk atij. Mburet me bëmat e përfitimet e së shkuarës, ndërsa ish të burgosurit e të internuarit politik të atij rregjimi ruajnë si relike letrat me vlerë nëpër sirtare.
I hapa e i pashë ketë herë që vajta në Shqipëri letrat me vlerë të tim eti, i shkunda nga pluhuri që kishin zënë, sepse ishin zverdhur e mykur, ishin bërë edhe ato për muze, e pa asnjë vlerë, ashtu si ligji i lustracionit të figurës ose më mirë i llustra – cionit, sepse vetëm llustra po i bëhen akoma ish dosjexhive e kriminelëve të djeshëm përderisa i kandidojnë e kandidohen për deputet.
Është lajm i mirë që nga shtresa ish e persekutuar politike paraqiten edhe këtë vit kandidatura për 23 qershorin, por një e dy nuk mjaftojnë për të përfaqësuar këtë shtresë që vuajti tmerret e diktaturës komuniste, kuadro të lartë vendi ka që nga 92’ e këtej. Ata e dinë më mirë se çfarë është dhimbja, skamja, liria e demokracia. Ata dinë të vlerësojnë më shumë paqen se sa llustra – xhinjtë e djeshëm e të sotëm. Me këto figura të pastra përfaqësohet edhe më denjësisht vendi ynë në parlament e arenën ndërkombëtare.
Qershor 2013