• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LILI

April 23, 2016 by dgreca

Tregim nga Ilir LEVONJA/

Lili/

Lili është një vajzë pesë vjeçe. Prindërit e sjellin përditë tek gjyshja që me natë. Punojnë larg dhe me orë të gjata. Gjyshja e ka shtëpinë në një lagje të re, faqes së kodrës, ku dikur ndodhej një fermë agrumesh dhe vreshtarie. Tani e shkuara është coptuar në kopshtije. Tek-tuk gjallon ndonjë pemë ulliri, më shumë për dekor. Kurse vreshtave u humbi gjithçka.

Lili mërzitet pasi e kalon ditën vetëm. Në shtëpinë përballë, jeton një moshatar i saj. Pak është takuar me ‘të. E quajnë Endri. Po gjyshja nuk shkon mirë me fqinjin. Kështu Lili e ka të ndaluar të kërkojë të luaj me djalin moshatar.

Dimrit bën si bën. Natyra pa shumë gjallëri, pa zogj e ngjyra, sikur nuk e tërheqin përjashta. I buhaviten duart nga të ftohtit.

Ndërsa tani është pranverë. Kopshti ka plot bar të njomë. Kanë çelur zymbylët dhe kaçet gjithandej. Megjithatë gjyshja nuk e lë.

Një mëngjesi poshtë në kopësht u dëgjua një kërkëllitje sikur të rrëzoheshin një mal me dërrasa. Pastaj plot cicërima të tjera dhe ca flatra shpezësh. Lili iu avit dritares duke u ngritur në majë të gishtave. Në fillim u hutua pasi për shkak të diellit, aty përball në xhamin me vraga plahuri, iu shfaqën dy sy të kthjellët. E vështronin ngultas. Kaq të kthjellët ishin sa trishtimi që kishin brenda, pikohej të harku i buzëve të vogla. Flokët e verdhë patën krijuar tek-tuk ca cullufe kryeneçe. Por shpejt u kujtua se kukulla përballë nuk ishte tjetër kush por ajo.

-Hë, haje tani, mjaft u bëre çupë e keqe. Nëna të ka xhan fort ti e di. Por përjashta nuk të lë të dalësh. Ka rrugeçër rruga. Sikur të ma marrin vajzën mua. Ë? Si t’ia bëj nëna pastaj pa mbeskën e saj të bukur e sy shkruar?

Lilit i hipi në kokë. Nuk e hapi gojën. Madje në heshtje mori një vendim. Hataja të bëhej nuk kishte për të ngrënë një lugë nga çfarë i gatoi gjyshja. Pastaj këto përrallat me ta marrur e me të shitur. Kush do ta merrte? Në atë rrugë flinte gjithçkaja dhe nuk pipëtinte veç asgjëja. Qe vetëm  Endri. Por gjyshes i qe shkrepur në kokë që ata most ë shoqëroheshin bashkë. Dhe me sa kishte kuptuar nga bisedat e gjyshes me prindërit dhe dajen e saj, shkurt nuk i pëlqente familja. Ajo thoshte se ishin soj nga ata që shisnin me tezga në rrugë. Por që u kishin rënë për pjesë. Ndaj një e më dy ngushëllohej duke thënë se, vetëm fqinjin nuk e zgjedh dot njeriu.

-Po lëre moj mama gocën të lozi përjashta, -tha daja teksa po dilte.

-Rri urtë se e di unë atë punë, – ia ktheu ajo.

-Epo mërzitet, fëmijë është, -tha ai.

-Ja ka plot lodra ajo. Televizorin po e ka, – tha gjyshja.

-Po çtelevizor moj. Vi unë e zë e shoh lajmet. Iki unë e zë ti me telenovelat. Pikë e zezë, – tha daja dhe doli.

Por gjyshja as që vrau shumë. U ngrit e shkoi të përgatiste banjon pasi ishte djersitur gjithë natën. Kështu do bënte mire t’i hidhte trupit ca ujë.

Lilit i pikoi. Tani që doli edhe daja i humbi shpresat fare. Shikoi kopshtin plot diell. Ulliri i ngjan një kaçubeje të këndshme përrallash. Ka shumë zgërbonja nga ku futen e dalin zogj. Vajza dalloi një zog midis zogjve. I shkathët,  e çukiste trungun duke i ardhur përqark si një gaztor në botën e filmave.

-Shiko se do lahem pak nëna. Se mos më del nga shtëpia ë?. Hë të keqen.! Kush e duron tët ëmë pastaj. Ma morën gocën, ma hëngrën gocën….

Lili u squll pas perdes. Vendi ku fut qukapiku qe një gojëz e vogël. Zogu ndenji për pak brenda, pastaj doli sërish. Çukiste, nxirrte diçka me sqep, futej brenda. Pastaj prapë të njëjtën gjë. Lili mendoi se duhej të ishin zogjtë e tij. U bë kaq kureshtare sa frymëfikur, zbriti shkallët dhe doli pupël e lehtë përjashta e drejt e në kopësht. Qukapiku flatroi diku më sipër ku koloviteshin ca zogj të tjerë. Çoir ajrit ca piskama. Lilit aq i bënte. Futi dorën por në vend të zogjve zuri me majë të gishtave dy thingla si rrumbullake. Duhet ishin vezët. Me frikën se  mos i krakeshin në dorë, u përpoq t’i nxirrte. Donte të shikonte se si ishin vezët e qukapikut. I ndjente, ua kuptoi formën. Por donte të shikonte ngjyrën. Zogu rrapallitej sipër kokës. Flatronte gjethet me krahë, ndalonte për pak në një gjymtyrë dege. Më pas i vërsulej trungut me kërkërrre të mëdha. Lilin e zuri paniku. Nuk po e nxirrte dot dorën. Nga ana tjetër nuk e shtrëngonte dot. Se ndofta ashtu mund edhe ta nxirrte. Por i trembej krakjes së vezës. Donte vetëm sa t’i shikonte.

Sakaq e thirri gjyshja nga dritarja.

-Lili, ku je moj korbë?

Vajza i la vezët, por prapë nuk e nxorri dot dorën. I dhembi në anët. Diku u gërvish. Vrimëza e zgërbonjëzës qe gjithë ngleçka.  U hutua…

Gjyshja  erdhi gjithë tërsëllimë. I shkuli veshin.

-Si të thashë të dalësh, ë?

Mirëpo në çastin që e tërhoqi, Lili u step mbrapa. Zuri të qajë me të madhe. Gjyshja vetëm atëhere e kuptoi se vajzës i kishte ngecur dora brenda në folenë e qukapikut. Madje që gërvishur.  I kishte dale pak gjak. U alarmua. I ra qielli mbi kokë.

-Prit të marr ca ujë e sapun. Oh, jo.

Sillej vërdallë. Vajza ulërinte. Nga jashtë u dëgjuan të thirruara.. Erdhi njëri fqinj. Erdhi tjetri… e kështu bënë disa. Ndërkohë një burrëplak u nis të thërriste infermieren e lagjes. Erdhi dhe ajo. Lili qante.

Ranë në hall, një tufë gjyshe e gjyshër. Infermerja. Dikur u afrua edhe Endri.

-Po ti këtu?

Djali i fqinjit mblodhi supet.

Gratë bën si bën dhe e qetësuan vajzën. Por prapë dorën nuk po dinin si t’ia nxirrnin.

-Sikur ta tërheqim njëherësh?

-Qyqja t’i këpusim krahun?!

-Je në terezi, pesë vjeçe fëmijë!

-Bobo erdhi dreka, ç’më gjeti mua të zezën. Kush e duron time bijë.

-Kur vine ata?

-Nga darka!

-Deri në darkë e kemi sharruar këtë ulli njëzet herë ne.

-Sharrojmë?

-Në mos e sharrojmë, ja një sopatë kësaj bujashke dhe kaq.

-O bo bo, sopatë…hata e madhe. Po pse moj të keqen nëna nuk rrije dot brenda me televizorin ë? Shikoje kukullat, luaje syllambylla. Bëje shtëpi, ashtu si ne. Nuk e di lojën me shtëpi ti. Ta mësoja unë ty ?

Ndërkohë Endri u afrua. I vuri dorën në kokë Lilit. Ajo e pa me dashuri.

-Po ti, – kërceu gjyshja.

-Lëre, – i tha infermerja dhe i doli përpara gruas.

Plaku sapo erdhi me sopatën e madhe. Dihaste. Dy gratë e tjera i kërkuan të mos ngutej. Ndofta fëmijët e gjenin gojën përmes njëri-tjetrit. Nganjëherë ata janë më të mençur se ne të mëdhenjtë. Kështu i tha njëra nga ato, burrit me sopatë në dorë.

-Lili qyç e paçe kul e fute? – foli Endri.

-E pata paçe e bëla guçe! – ia ktheu Lili.

-Bëje plapë paçe qyç e paçe dhe xile jaçe, – i tha Endri.

Dhe Lili fësht, e nxorri dorën.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: LILI, Tregim nga Ilir LEVONJA

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT